Manikyr në thonjtë e shtrigës





glitterOrges Hato

Disa vlonjatë më treguan një banderolë të Partisë Demokratike që shkruante ‘Ne jemi ndryshimi. Përpara!’ e që ishte vendosur në dalje te qytetit të Vlorës. Qeshnin sa herë që e shihnin. Banderola lëkundej mbi krye, e kapur me perlon të trashë në dy shtylla ndricimi kundruall njëra-tjetrës në anë të rrugës. ‘Llahtar fare ësh’ kjo parrulla’ tha njëri prej tyre, ‘thotë Përpara, ndërsa fundi i rrugës të çon te varrezat e qytetit’. ‘Domethënë, ec përpara gjer’në gropë’ ia mbajti një tjetër.

Kalojmë në faqen tjetër. Delvine, dy qershor 2013, e diel. Kryetari i Partisë Socialiste, ER, u thotë mbështetësve se 5 për qind e shtresës së pasur në Shqipëri zotëron të ardhurat e 95 përqindëshit tjetër. Drejtësia financiare e të ardhurave dhe fitimeve, sipas ER, do vihej në vend fill pas ardhjes në pushtet të së majtës kur, mu pas kurrizit të tij, qëndronte Koço Kokëdhima, një nga kokët e 5 përqindëshit kapitalist nouveau riche.

940895_169647796529469_1135006896_nKonceptimi i demokracisë si një proces që lidhet vetëm me zgjedhjet është reduktivist, përgjithësues, i paplotë. Ato (zgjedhjet) janë vetëm argumenti fillestar i ekzistencës së demokracisë, po aq sa mund të jenë prova që edhe sistemet diktatoriale mund të lindin prej zgjedhjeve të lira e konkuruese. Si fenomen human, demokracia nuk mund të mos përbëhet prej elementit kryesor të natyrës njerëzore, që është gabueshmëria. Këtu përfytyroj të dy llojet e gabueshmërisë njerëzore; gabueshmërinë e qëllimshme dhe atë të paqëllimshme. Si proces shumë kompleks i cili zbatohet prej vullnetit politik, demokracia, vetëm në raste të rralla, mund të shfaqet si gabim i paqëllimshëm. Sërish këtu po rikujtoj që një nga format e demokracisë si gabim i paqëllimshëm është kur shoqëritë mund të hipin në pushtet nëpërmjet mënyrave demokratike (zgjedhjeve pluraliste) sisteme politike që rezultojnë diktatoriale. E nëse do të na duhej të jepnim një vështrim esencialist të demokracisë, ne mund të themi që ajo është qëllim edhe akt në raport me shumicat e pakicat, – kjo në rrafshin horizontal, – po ashtu qëllim dhe akt elitash politike ndaj zgjedhësve, – në rrafshin vertikal.

Për shembull, demokracisë amerikane iu deshën 86 vjet për të hedhur poshtë skllavërinë, 144 vjet për t’u dhënë grave të drejtën e votës dhe 189 vjet për t’u dhënë njerëzve me ngjyrë të drejtën e votës gjithashtu. Këtu ne mund të shohim që qëllimi i ushtrimit të demokracisë formon drejtpërsëdrejti natyrën ontologjike të saj; domethënë, vet demokracia, a mund të jetë kundërshtare ose shkatërrimtare e shoqërisë së vet? Të dhënat sugjerojnë që, po. Ne do të përqendrohemi tek demokracia shqiptare, më poshtë.

downloadPo filloj me një pohim pozitiv! Në këto 21 vite pluralizmi politik në Shqipëri, të paktën është formuar një nga premisat bazë të demokracisë, ajo që sipas Lefort quhet ‘ndjesia e pasigurisë së mbajtjes së pushtetit’ (e kam fjalën për atë ekzekutiv). Pra, nëse një forcë politike funksionon duke patur me vete ankthin periodik të humbjes së pushtetit, kjo është simptoma pozitive bazë e një demokracie vepruese. Dimensioni dramatik i kësaj premise shfaqet kur ankthet e elitave politike përputhen vetëm në mënyrë selektive me ankthet civile. Me këtë dua të them që ankthet e liderëve politikë zakonisht përputhen vetëm me ato të militantëvet ë tyre të cilët ata administrojnë. Për shembull, një lider shqetësohet se mund të humbasë zgjedhjet në mënyrë të përafërt me shqetësimin e militantëve, mbështetësve dhe funksionarëve të asaj force politike. Por ankthet e liderëve politikë në Shqipëri zakonisht nuk përputhen fare me ankthet civile në kuptimin e gjerë të fjalës, pra me atë shtresë së shoqërisë që qëndron jashtë rrezes së militantizmit. Për shembull, ja vlen të pyesim këtu se në ç’mënyrë përputhet ankthi i 500 familjeve shqiptare që kanë të afërmit e tyre pacientë të shtruar nëpër spitale në Shqipëri, me ankthin e elitave politike në lidhje me një sistem shëndetësor bujar, jokorruptiv e shumë cilësor në Shqipëri? Mund të jenë thuajse fare të papërputhshëm.

Përse elitat politike të Shqipërisë operojnë të pashqetësuar nga trysnia shoqërore?

Përgjigja nis me një mohim absolutist! Në Shqipëri nuk ka trysni shoqërore sepse nuk ka shoqëri civile (tre fjali, më vonë arsyet). Prandaj metafora e ecjes ‘Përpara!’ drejt varrezave, sipas PD, ose Rilindja abstrakte, sipas PS, apo ‘Ecim më Shpejt’, sipas LSI, janë tre kodet kyç të cilat votuesi duhet t’i marrë në pyetje, jo sipas asaj çfarë pritet prej këtyre forcave, por sipas asaj çfarë kanë prodhuar këto 21 vjet. Kësisoj, nuk ka armë më të rëndësishme se kujtesa dhe dija në procesin kompleks të zgjedhjes! Përpara, ku? Rilindje, si? Në të njëjtin djep?! Ecim më Shpejt, kush? Elitat apo shoqëria?

Mekanizmat që kanë eleminuar shoqërinë civile në Shqipëri janë dy; 1) informaliteti strukturor; dhe 2) polarizimi politik i shtresës së mesme.

Fillojmë me të parin, Informalitetin Strukturor. Kjo formulë funksionon me shtetin si gjahtar, e shoqërinë si prehë. Me fjalë të tjera, shteti e lejon individin të gabojë duke u sjellë sikur nuk e ka parë atë (individin). Në anën tjetër, individi vazhdon duke e thelluar gabimin e vet nën mendimin se shteti nuk e sheh, e rrjedhimisht nuk e ndëshkon. Për shembull, në Shqipëri pas viteve ’90 ashtu si edhe më vonë se aq, lëvizja demografike, e cila u krye në mënyrë të pakontrolluar, erdhi në formën e uzurpimit të tokave me status të përzier (një pjesë publike – një pjesë private). Kjo lloj lëvizjeje shtoi numerikisht popullsinë urbane, e shteroi atë rurale në Shqipëri. Investimi i kapitalit e kursimeve nga komunitetet migratore është ende me një status të papërcaktuar pasi procesi i legalizimit është ende larg fundit. Migrimi i brendshëm voluntarist në kurriz të pronës publike apo private përbënte një lloj ‘gabimi social’ moszbardhja e statusit të së cilit do shërbentë gjithmonë si një instrument kërcënimi i politikës ndaj qytetarit. Kanë qenë të shumtë në numër ata që shpesh më kanë thënë që e kishin të pamundur të protestonin ndaj qeverive për më shumë drita, ujë e punë, pasi ishin kërcënuar direkt ose me prishje të objektit ‘pa leje’ ose moslegalizim të tokës. Kështu ndodh edhe në planin ekonomik. Biznese të cilat ‘gabojnë’ nëpërmjet evazionit fiskal nën iluzionin se nuk janë vëzhguar prej shtetit, por të pafuqishëm për t’iu kundërvënë shtetit për kushte më të mira fiskale, apo për të mbështetur haptazi grupe trysnuese shoqërore, sepse janë menjëherë të penalizuar nga shteti për shkak të keqberjeve të tyre të toleruara deriatyshëm qëllimisht. Ky lloj informaliteti strukturor, i cili ndodh nën vëmendjen e plotë të shtetit këtu e 21 vjet, është një proces mbytës vetrobërues që e shteron oksigjenin e shoqërisë duke e çuar atë në kushte azmatike. Shoqëria civile shqiptare në këtë aspekt është klinikisht e vdekur.

Mekanizmi i dytë është Polarizimi Politik i Shtresës së Mesme.  Në Europë, periudha postmoderniste e lirive individuale civile nuk mund të vinte pa shtresën e mesme si shkakun kryesor. Në çdo sistem solid socio-politik, gara bëhet përherë për posedimin e shtresës së mesme, pasi vetëm ajo garanton lëvizshmërinë vertikale shoqërore, kaq e nevojshme për vitalitetin politik, ekonomik e kulturor të vetë shoqërisë. Në Shqipëri, një individ që i përket shtresës së mesme, sipas përkatësisë ekonomike, ka të ardhura në vit, le të themi 10,000 dollarë amerikanë. Enti më i madh që siguron punë e të ardhura në Shqipëri është shteti, nëpërmjet punësimit publik në administratën e tij. Pra shteti është punëdhënësi më i madh. Të dhëna të besueshme tregojnë se rreth 80 përqind e shtresës së mesme janë të punësuar në shtet dhe se po 80 për qind e tyre të ardhurat i sigurojnë në mënyra të jashtëligjshme për shkak se rrogat janë në nivele të tilla sa mesatarisht nuk mund të lejojnë një akumulim prej 10,000 dollarësh në vit. Këto mënyra të jashtëligjshme vijnë në forma abuzimesh me tendera publike, rryshfete etj. Meqenëse kjo shtresë e mesme i siguron të ardhurat kryesisht nëpërmjet punësimit në shtet, ajo e ka shumë të vështirë të ushtrojë trysninë e nevojshme ndaj elitave politike për shëndetësi, arsimim, apo punësim më të mirë, për shkak se ka një konflikt serioz interesi. Si mundet një apo shumë nëpunës të administratës, apo familjarë e të afërm të tyre, t’u kundërvihen padronëve të vet politikë për politika të gabuara nëpërmjet formash të shoqërisë civile me nënshkrime peticionesh, protesta ose mënyra të tjera? Kjo nuk mund të ndodhë pikërisht sepse shtresa e mesme në Shqipëri e siguron mirëqeninen e vet nëpërmjet elitave politike. Një pjesë e shtresës së mesme është aktive – ajo që okupon administratën shtetërore kur forca politike është në pushtet; pjesa tjetër ështe pasive – ajo pjesë e shtresës së mesme që mbështet partitë opozitare e që i garantoi të mirat e shërbimet në kohën kur opozita ka qënë në pushtet.

Cila është zgjidhja?

Çdo fushatë elektorale për individin ligjdashës në kontekstin shqiptar nuk është gjë tjetër veçse manikyr në thonjtë e shtrigës, kalbësirë nën llak. Zgjidhja kryhet vetëm nëpërmjet marzhinalizimit të partive të mëdha. Si? Meqenëse shoqëria civile shqiptare është e vdekur klinikisht, e vetmja rrugë për rikthimin e vetëdijes është një traumë e nevojshme. Për shembull, përse të mos votohet ndonjë ose disa parti periferike me program reformist të pranueshëm të cilat, kur të gjenden të papërgatitura nga mbështetja e menjëherëshme e votës, nuk do u mbetet gjë tjetër veçse të kuptojnë që janë përzgjedhur si protestë ndaj partive klasike dhe se e vetmja rrugë e mbijetesës së tyre afatgjatë do të jetë që mos të sillen si partitë e mëdha të deritanishme? Iluminizmi duhet parë si braktisje e  pamaturisë së vetë-imponuar, sipas Kantit, pikërisht aty ku kuptimi mbi botën nuk është se mungon. Por ajo që mungon është kurajoja për të ndjekur e zbatuar arsyen.

Comments

  • Bravo Orges, e ke shenjestruar sakte thelbin e shkrimit.
    Mjaft çudi, ne portalet e tjera kishte komente per shkrimin, ndersa ketu, as edhe nje. Duken edhe ketu efektet e fushates kriminale, ups, elektorale.

  • Shkrim i shkelqyer. Diagnoze e mire e problemit, trajtim elokuent dhe i mprehte, analize e forte dhe zgjidhje e gjetur. Nje nga shkrimet me te mira qe kam lexuar per keto zgjedhje.
    Pergezime autorit!

  • Shkrim shum i mire, pergezime autorit.
    Edhe une si proteste ndaj partive te medha do votoja per nje parti te vogel, sepse vota e bardhe me duket si nje proteste memece qe nuk i dihet se c’rezultat mund te sjelle.
    Psh do votoja per Jorida Latifin, kandidate kryesuese e listes se PShA ne Tirane, dhe e para kandidate me shami me sa di un. Ne mos per gje tjeter, thjesht per ta thyer ate tabu do deshiroja me gjithe shpirt ta coja Joriden ne Parlament.
    https://www.facebook.com/pages/Jorida-Latifi/236838823125248

  • Ka dhe nje vajze tjeter me shami qe konkuron per partine Levizja Shqiperia e re. Puna nuk eshte tek shamite, perkundrazi mua me duket perdorim i shamise pasi nuk ka shprese per asnjeren te behet deputete. KShu qe nuk ia vlen.

  • Ka vetem nje problem me keto partite e vogla, me ose pa shami: jane ne aleance me kriminelet e partive te medha.

    Te dyja keto gocat, te cilave u uroj gjithe te mirat ne jete, konkurojne kunder njera-tjetres nen cadren e dy bandave me te medha te hajduteve qe ka njohur ky vend, qe nga epoka e gurit e ketej. Dhe mos harroni sa hajdute kemi pasur pas periudhes se Tanzimatit

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *