downloadPërgatiti Nolian Seitaj

“Territori i besimit, i ndjeshëm ndaj alkimisë së retorikave dhe emocionalizimeve grupuese, ka rezultuar frytdhënës për t’u përdorur prej politikës dhe biznesit. Ashtu si në fshatrat e varfër të Jugut shqiptar, ku përtej kallinjve të misrit maskohet kanabisi, pa u fshehur dot, edhe politikanët e tregtarët kërkojnë të përdorin arat e mbjella të fesë për punët e tyre. Simbolika fetare e gatshme për t’u propozuar si flamur betejash apo si logo produktesh; grupimi fetar i gatshëm për t’u servirur në konflikte si ushtar apo si blerës-konsumator në marketing … Të korrat janë të shumta, por korrësit më të shumtë… Nëse prijësit fetarë nuk flasin haptas për fenë si fe, nëse nuk e dallojnë haptas grigjën e tyre, por bëjnë “hesape elektorale” me numrin e besimtarëve duke e lënë evaziv perimetrin identifikues të xhamisë a kishës, të hapur edhe për ata që nuk e besojnë Zotin, (a thua se Zoti ka nevojë për njerëzit e jo e kundërta), apo nëse u vjen ëmbël kur njerëz a grupe të fuqishme jofetare bëhen artikulues të interesave fetare, atëherë të mos u vijë hidhur nëse nesër e gjitha kjo prodhon përfshirje të paparamenduara në konflikte apo përçarje interesash në shoqëri. Të cilat kaq pak kanë lidhje me fenë. Në kohën kur dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare është një proces që megjithëse përpëlitet, ka hyrë në një rrjedhë, është tashmë detyrë e çdo besimtari shqiptar të nisë e të kontribuojë edhe për de-ateizimin e fesë, përzënien me ceremoni të tregtarëve nga tempulli, flakjen tej të gjithë mbishtresave koniukturale interesaxhije jashtëfetare prej ambientit dhe diskursit fetar. Që feja t’i kthehet vërtet Zotit, që të mos tallen më me të, që të mos ta akuzojnë më se është një sajesë narko-politike e kastave të larta, për të përmbajtur nënshtruar të ultat…”(E.Hatibi,2005:121)

“Ndoshta ka vlerë të diskutohen shkaqet historike të kësaj krize, siç edhe është bërë: mungesa e traditës demokratike dhe qytetare, trazirat demografike (emigracioni i brendshëm nga fshati drejt qytetit dhe nga mali drejt fushës), ekzistenca e tri feve të ndryshme dhe roli i pamjaftueshëm i feve në jetën sociale, shkatërrimi i kapitalit social, gjymtimi i shpirtit të shqiptarit nga totalitarizmi, varfëria e madhe e vendit, papjekuria e institucioneve, rrezatimi ultraviolet nga Evropa Perëndimore, vesi oriental-levantin i parazitizmit dhe i klientelizmit… “(A.Vehbiu http://xhaxhai.wordpress.com/obobo/rimekembja/ )

Klientelizëm quhet dhënia e  mbeshtetjes politike në shkëmbim të shërbimeve dhe të mirave materiale. Klientelizmi është një sistem politik në zemër të të cilit qëndron marredhënia asimetrike mes grupeve të aktorëve politikë si patronët e klientët dhe partive politike. Richard Graham e ka përkufizuar klientelizmin si një veprimtari bazuar mbi allishverishe, praktikë e cila i lejon si klientëve ashtu dhe patronëve përfitime prej mbeshtetjes qe i japin të tretët.Por mbi të gjitha klientelizmi karakterizohet nga “sisteme shkëmbimesh ku votuesit tregëtojnë mbështetjen politike për rezultate konkrete nga procesi vendimmarrës.” Origjina e kësajj praktike i ka rrënjët në Romën e lashtë. Këtu marredhenia mes patronit (patronus) dhe klientit (cliens) ishte tejet e rëndësishme për të kuptuarit e procesit politik. Ndërsa detyrimet mes palëve ishin të ndërsjellta, çelësin më të rëndësishëm në këtë marredhenie e përbënte hierarkia. Kjo marrëdhënie nuk mund të shihet si një entitet por si një rrjet (klientela) me vetë patronin i cili mbase i detyrohej dikujt tjetër më të pushtetshëm se vetja dhe me klientë të cilët kanë mbase më shumë se një patron. Këto tejzgjatje fijesh rrisin mundësinë e lindjes së interesave konfliktualë. Ndërsa  njësia bazë e shoqërise romake ishte familia, rrjetet e thurura (klientela) vepronin si ngulfatës të autonomisë familjare duke i dhënë kështu rrugë për zhvillim një shoqërie më komplekse. Historianët e mesjetës së vonshme evoluan konceptin në feudalizëm bastard. Si zakonisht në përdorimin e terminologjisë politike ka ambiguitet dhe termat “klientelizëm”, ” marrëdhënia patron-klient”, “patronazhi” dhe “makina politike” përdoren edhe për përshkrimin e koncepteve të ngjashme apo të ndërvarura. Çelës në kuptimin e klientelizmit mund të jetë jo vetëm nxjerrja në pah brenda tij e marredhenive të ndërsjellta fitimprurëse por edhe evidentimi i asimetrisë në fuqi, pushtet dhe pozita mes aktorëve. Këtu nënkuptohet edhe njëlloj përzgjedhje në shfrytëzimin e burimeve dhe tregjeve kryesorë. Shfrytëzuesit e këtyre burimeve dhe tregjeve, patronët, ( dhe/ose ndonjëherë nënpatronët apo sekserët ) mbështeten mbi vartësinë e klientëve të cilët nga ana e tyre për arritjen e disa përfitimeve duhet ti sigurojnë mbështetje politike. Si strategji organizimi politik klientelizmi është thelbësisht i ndryshëm prej strategjive të tjera të cilat mbështeten mbi objektiva pragamatikë më të gjerë dhe përfshirës ose thjeshtë qe vënë theksin mbi nivele të larta kompetence. Shpesh mendohet se klientelizmi është mbetje e politikës primitive dhe se politika moderne do ta zvogëljë apo do ta nxjerrë jashtë loje. Mirëpo ka ende shumë perspektiva alternative që e shohin klientelizmin – dhe patronazhin që ka lidhje me të – jo vetëm si larg të qënit jashtë loje por mjaft  këmbëngulës e kokëfortë në rrugën e tij.(http://en.wikipedia.org/wiki/Clientelism)

“Nëse do të kishte ndonjë mundësi praktike që individë me moral më të lartë se norma të zgjidheshin në organet përfaqësuese e të emëroheshin në pushtetin ligjor dhe ekzekutiv, atëherë kjo elitë ideale ndoshta mund ta tërhiqte me vete masën duke i dhënë shembullin e një profili të lartë moral; por demokracia nuk funksionon në këtë mënyrë, e aq më tepër në kushtet e sundimit të mediave, ose të mediokracisë, të cilat e organizojnë sferën e informacionit sipas parimeve të thjeshta të shitblerjes, të marra hua nga modelet e ekonomisë së tregut. Për ta thënë ndryshe, një produkt i tillë si profili i lartë moral nuk mund të shitet mirë, sepse një individ amoral nuk mund ta bindësh se të sjellët sipas normave etike është më me përfitim sesa egoizmi shtazarak, ose etika prej hijene. Tradicionalisht, përsosjen etike të komuniteteve e ka kryer feja, në Perëndim dhe në Lindje; dhe në vendet që kanë lulëzuar ekonomikisht e ka kryer ndoshta më mirë se gjetiu; edhe në ato raste kur ato vende i kanë udhëhequr drejt përparimit njerëz që nuk janë identifikuar doemos me etikën fetare të mirëfilltë. Në shoqëri e komunitete të rregulluara sipas etikës fetare, edhe ateizmi është më produktiv se gjetiu. Mirëpo në Shqipëri feja nuk më duket në një pozicion të tillë që ta luajë rolin e autoritetit moral, drejtpërdrejt dhe tërthorazi; dhe jo vetëm sepse ende nuk e ka marrë veten nga goditja që i dha Enver Hoxha me të vetët. Nuk më duket e mundshme që fesë t’i restaurohet prestigji në komunitete të tilla si ato urbanet në Shqipëri, të cilat janë krejtësisht të ekspozuara ndaj amoralitetit të mass mediave, miteve të hedonizmit materialist dhe kultit të Mamonit.” (Vehbiu ibid)

Comments

  • Turpi i turpeve, nje tufe me parti qe kerkojne mbeshtetje me teknika perverse te llojllojta prane njerezve besimtare. Gjithe kjo ne nje vend si Shqiperia ku besimtaret pengohen ligjerish nga degjimi i ligjerates se xhuma.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *