Pas loto-zgjedhjeve shqiptare





 rama-dhe-meta19 (1)Në parantezë: për të mos u bërë pjesë e tifozerisë informative, që nuk njohu limite gjatë fushatës elektorale dhe që dezinformoi në atë masë sa asnjeri nuk arriti të parashikojë rezultatin e zgjedhjeve, u përpoqëm të qëndronim larg basteve politike.

Me sa u kuptua, faktori ndërkombëtar mbeti i kënaqur nga «arritja» e shqiptarëve, pasi, siç duket, kishin parashikuar një situatë klasike të mosnjohjes së votës, dhe, në fakt, jo rastësisht kryeministri i ardhshem i kishte tërhequr anëtarët e vet nga KQZ. Sa paskemi evoluar për një javë!

E premtja e shkuar ishte akti i fundit i tragjikomedisë sonë zgjedhore, plot vrer, si asnjëherë, për t’ia pasur zili edhe më i shastisuri i 1997, ndërsa sot, pas një jave, Berisha është pjesë e historisë, ai që mbijetoi politikisht për katër vite duke i rënë daulles së vjedhjes së votave në 2009, për të marrë në 2013 thuajse po aq vota, do ta (ri)rilindi Shqipërinë bashkërisht me aleatin i cili kërkonte rotacion e ndryshim, pa çka se ka qenë këmbë e krye pjesë e atij pushteti, madje pjesa që prodhoi 21 janarin.

Berisha flet për demokraci në zgjedhjen e liderit të PD-së. Rama falënderon Berishën duke i njohur zgjedhjet e njëkohësisht edhe meritat e Kryeministrit në ikje. Në daljen e sotme zyrtare, Meta, i cili ka marrë pozicione “akademike” që pas videos me Priftin, ofronte leksionin mesianik të integrimit në BE, mbase i përforcuar nga sigla ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’ dhe buzëqeshjet e vëzhguesve. Tani, rikujtoni vetëm për një çast se çfarë kanë deklaruar këta lider, dhe llogorja e tyre, për njëri-tjetrin, që pas largimit të Metës nga qeveria, e java e fundit do të duket edhe më e pabesueshme se parashikimi parazgjedhor i rezultatit aktual të LSI-së.

Nëse ka qenë një javë e qetë paszgjedhore, merita nuk është e fituesit, që mosnjohjen e kishte të planifikuar, as e pushtetit të mësuar me fitore me çdo kusht, qoftë edhe me aleancat “jonatyrore”, të cilat ndonëse i siguruan qeverisjen ia humbën kredibilitetin, por e hendekut të humbjes. Ndryshe do të duhej të besonim që llumi i kënetës politike është thjesht iluzion, që për shqiptarët fjala politikan do të thotë i ndershëm, mirëpo, me gjithë supostat që shpërndajnë ndërkombëtarët, 23 vitet e fundit dëshmojnë se njëri nga sinonimet popullore të fjalës hajdut është politikan, e kjo vështirë të ndryshojë për një javë. Pra, me pak fjalë, sikur PD-ja të mos katandisej në këtë minorancë, «arritja» e shqiptarëve do të vyshkej për shkak të luftës reciproke për pushtet. Diferenca është aq e qartë sa humbësi duhet ta njohë për të shpëtuar atë çfarë mund të shpëtohet. Fundja PD-ja nuk mund të justifikohet që “na kanë vjedhur votën”: rregullat dhe gardianët i caktoi vetë.

Por le të ngushëllohemi me një “arritje”, me turbullimin e kënetës. Në pamundësi për të zgjedhur (as) të keqen më të vogël, le pastaj më të mirën, nuk na ngelet tjetër përveç stimulimit të konkurrencës mes zhvatësve të deleguar, me shpresën që rënia e çmimeve, si pasojë e ligjeve të tregut politik, do t’i dhurojë më tepër frymë “ekonomisë”. Parimi është ekonomik, në vend të monopolit përqafojmë oligopolin: sa më shumë zhvatës të kemi, aq më shumë shpërndahet pasuria publike dhe aq më shumë “infrastrukturë elektorale” – mbyllje gropash, rrugë e ndonjë lehtësim fiskal – përfiton vendi. Deri në momentin që do të bindemi për rotacion të vërtetë dhe që “shpëtimi” nuk varet nga integrimi evropian apo bashkimi kombëtar, do te ngelemi peng i kënetës.

Comments

  • Inshallah Zoti na jep lidere te hajrit qe vertete kujdesen per hallet e popullit e sinqeritet.
    Deri tani fjalimet fillestare te Rames e Berishes jane premtuese, te pakten duke u civilizuar diskursi politik, percohet pak civilizim edhe poshte ne baze dhe nuk acarohen se koti ndjenjat e tifozerise politike.
    Inshallah hajer.
    Per ne eshte akoma 5 here ne dite.

    • Armir, persa kohe do kemi nga e majat Meta, Kryemadhi, Ruci, Brace, Kokedhimat&Co dhe nga kampi tjeter: Topalli,Ndoka, Kaci, ka ka me shumice emra te tjere qe nuk me kujtohen nuk kemi asnje minimu shprese per te qene optimist per qe shqiperia do ndryshoje…sa per fjalimet e Rames fatkeqesisht me fjale jemi mesuar dhe kur nuk i mbajne nuk na ben aspak pershtypje. 🙁

  • Pas gjithe kesaj qe ka ndodhur, sidomos vitet e fundit, me politiken shqiptare, eshte e pafalshme te kesh iluzione tek palet ne loje. E gjithe shpresa eshte qe pjesa e popullates qe nuk voton te filloje te politizohet e te kuptoje qe nuk mund ta lere voten e saj te pahedhur te qeverise vendin permes ilirmetave

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *