Namazi në Namazgja





images (3)Besnik Sinani*

Në një replikë të mëpërparshme me një shkrim të z. Koloreto Cukali kam adresuar si shfaqje oportunizmi shqetësimin ekologjik të tij apo të tjerëve si z. Sazan Guri që pozicionohen kundër ndërtimit të xhamisë. Në shkrimin e tij të dytë, z. Cukali ka përforcuar pozicionin e tij fillestar.

Z. Cukali i rikthehet debatit mbi planin e ndërtimit të xhamisë tek Namazgjaja me arsyetimin se shqetësimi i ngritur prej tij më parë nuk pati vëmendjen e merituar për shkak të zgjedhjeve dhe të vetmet reagime ishin në blogosferë nga myslimanët, reagime që z. Cukali i përmbledh në një fjali. Ajo fjali që ai e nxjer nga konteksti i artikullit tim, ishte pjesë e një përgjigjeje që botova në të njëjtën gazetë ku kishte botuar dhe z. Cukali (Dita, 24 Qershor), apo edhe në Respublica.al ku ai kontribuon; një përgjigje që ai nuk e citon, qoftë si obligim ndaj lexuesit që të njihet me të dy anët e debatit. Të ngresh një karikaturë të debatuesit nuk e bën argumentin tënd më të fortë. Por e meta e vërtetë e kësaj qasjeje është se z. Cukali tregon ose padije ose mungesë interesi që të angazhohet me propozimin ndaj të cilit po debaton, e në të dy rastet komunikimi mediatik humbet kuptimin.

Përpara se ta thoshte z. Cukali, ishte zv. Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Gazmend Aga, i cili tha në studion e emisionit Opinion se ndërtimi tek Namazgjaja nuk është zgjedhja e dëshiruar prej myslimanëve, por është ajo që mbetet pasi hapsirat e tjera të ofruara nga qeveria kanë probleme pronësie të pazgjidhshme. Z. Cukali në artikullin e parë injoron nevojën e besimtarëve për xhami duke iu referuar ndërtimit të xhamisë si ‘demonstrim force’, duke injoruar faktin e qartë për këdo që ka sy, se myslimanët po falen në asfalt për mungesë hapësire. Nëse motivi do ishte rrëmbimi i ndonjë hapësire qendrore, mos harrojmë se bashkia u ofroi myslimanëve parkun Rinia, por Komuniteti Mysliman nuk e pranoi pikërisht në konsideratë të ruajtjes së gjelbërimit të kryeqytetit. Por thelbi i asaj që dua të ngre është këtu:

Nëse shqetësimi i z. Cukali dhe të tjerëve është mbrojtja e parkut, atëherë z. Cukali do kishte gjetur tek myslimanët aleatë që ngritën shqetësimin për parkun muaj më parë. Vetë kryesia e Komunitetit Mysliman ka shprehur gadishmërinë për të kërkuar alternativa. Por z. Cukali në të kundërt vendosi të përdorë gjuhë kriminalizuese për një bashkësi të tërë duke i kontribuar gjuhës së paragjykimeve, të kriminalizimit kolektiv si “joqytetare” të gjithë një bashkësie. Nuk mund të angazhohesh të shkruash për xhaminë pa adresuar ose njohur – qoftë edhe pa qenë dakort – një histori rezistence e pengesash shtetërore ndaj objekteve të kultit mysliman prej më shumë se dy dekadash. Në këtë kontekst të njohur shqetësimi ekologjik për rastin e xhamisë është oportunist e paragjykues. Z. Cukali ngre karikaturën sikur në artikullin tim unë jam i shqetësuar të di ku ka qenë ai si ekologjist në vitin 1996. Kjo është parodi e cekët. Këtu po flasim për probleme publike, të artikuluara prej personash publikë, dhe askush nuk mund të dalë sot të kundërshtojë ngritjen e një xhamie, apo të protestojë për ekologjinë, i pavarur prej historikut dhe precedentëve.

Për këtë kontekst, ilustrimi më i mirë është z. Guri që sot po bën performancë me fidanë në dorë kundër xhamisë, kur në rastin jo aq të largët të katedrales ishte deri edhe funksionar i një partie ekologjiste, por pishat e parkut ku u ndërtua katedralja nuk iu dhimbsën sa selvitë e Namazgjasë. Po edhe vetë selvitë e Namazgjasë nuk iu dhimbsën me rastin e zgjerimit të rrugës së Elbasanit, dhjetë vite më parë, kur mbi gropat e tyre u ndërtua trotuari mbase më i gjerë dhe ekstravagant në Tiranë. Ekologjia e z.Sazan Guri shkon deri aty, sa në të njëjtën kohë që ndërtohej katedralja në lulishte, ai preokupohej në shtyp për gjeometrinë e supozuar “islamike” të ndërtimeve në qendër të Tiranës: “një treçerek hark ngrehinash grataciela, në tërësi formojnë një simbol krejt tjetër të historisë së vendit, atë të një vendi tipikisht mysliman – gjysmë hënë me një yll”. Në një deklarim për shtypin, për problemin e Namazgjasë, ekologjisti Sazan Guri shfaqej përkrah me z. Kastriot Frashëri, autorin e artikullit “Xhamia e Madhe apo hija e neo-otomanizmit në Tiranë”, ku lexojmë se: “Kjo xhami me katër minare nga 50 metra të larta tregon se Turqia e bëri misionin e saj, se vendi kandidat për në dyert e BE-së vazhdon të prodhojë sindromën e mbetjeve të Al Kaedës!” Edhe zoti Frashëri beson se xhamia, e ngritur në tokë vakëf, me donacione nga besimtarë të huaj e vendas, do konsideruar sikur po ngrihet nga “bota e krimit”. Në këtë retorikë , ai përputhet me z. Cukali, që insiston në dy artikuj rresht për “bashkëjetesën e xhamisë me krimin”.

Koloreto Cukali, pra, më kot përpiqet ta riformatojë apo personalizojë kundërshtinë ndaj xhamisë. Me kundërshtinë e tij ai është bërë pjesë e një tradite të njohur njëzetvjeçare oportunizmi dhe alarmizmi, që nuk ia vlen ta quash as “islamofobi”, se në fakt më shumë se me Islamin, shpesh ka të bëjë me komoditetin e sulmit ndaj më të dobëtit, ndaj më të paragjykuarit, ndaj atij që s’eshtë në modë.

Xhamia e madhe e Tiranës, përveçse premtim zyrtar njëzetvjeçar, është nevojë e prekshme, reale, prandaj kundërshtuesit e ndërtimit të saj në Namazgja duhet të ofrojnë patjetër një alternativë reale dhe dinjitoze që të mund të merren seriozisht për ato sa thonë. Por deri më sot kemi dëgjuar vetëm zëra të vjetër, të parashikueshëm, që nuk ofrojnë asgjë përpos frenimit dhe pezullimit të njohur. Aktivizimi i tyre i sotëm është i paranjoftuar kohë më parë, të paktën po t’i besojmë një editoriali të vjetër, të datës 4 prill 2012, nga e-zani.com:

“Alternativa që mbetet ndër vendet e propozuara për xhami, tashmë duket se është përfundimisht lulishtja e Namazgjasë. Në fakt, edhe pse jo aq problematike sa parku Rinia, edhe kjo lulishte, si një nga të paktat oaze gjelbërimi në kryeqytet, përherë ka pasur në shtyp mbrojtësit e vet, të cilët nuk duan ta shohin të kthehet në xhami. Këta mbrojtës, sigurisht që nuk patën guxim të debatojnë kundër ngritjes mbi lulishte të katedrales ortodokse, por dihet sesa kollaj është të bëhesh në Tiranë ambientalist apo sekularist kur objekti i bisedës është Islami apo muslimanët. Parashikojmë që sa më shumë të bëhen publike ecuritë e planet e ndërtimit të xhamisë tek Namazgjaja, aq më shumë do të shtohen ambientalistët në shtyp, të cilët do të provojnë ta bindin Bashkinë dhe opinionin se selvitë e Namazgjasë janë më të shenjta sesa pishat pas Ministrisë së Mbrojtjes, ku u ndërtua katedralja.

(…)

Në fakt identiteti i vërtetë i Namazgjasë, siç e dinë të gjithë, është ai i një faltoreje festive të hapur, jo thjesht i një parku publik si të tjerët.  Komuniteti Musliman do të qe mirë që të fillonte ta respektonte sa më parë këtë identitet, ashtu si këmbëngulin dhe kundërshtuesit e tjetërsimit më sipër, duke filluar t’i  kremtojë aty festat fetare,  ashtu si ka qenë tradita në Tiranë. Nga ana tjetër, nëse nuk do të gjendet vend më i përshtatshëm dhe dinjitoz në Tiranë, dhe xhamia do ishte e detyruar të ngrihej patjetër në lulishte, Komuniteti do të duhet të angazhohet publikisht për transplantimin e pemëve të Namazgjasë në sipërfaqet e gjebra, të mbetura pa u shkatërruar, të kryeqytetit.

Në fund një pyetje: a do të arrijnë ta pengojnë edhe këtë herë xhaminë pushtetarët shqiptarë, duke u fshehur kësaj here pas ambientalistëve dhe sekularistëve selektivë, apo pas mbrojtësve po aq selektivë e monumenteve dhe identiteve? Kjo nuk dihet, po ndërkohë Komuniteti do të bënte mirë që, deri sa të ndërtohet xhamia, ta rikthente në identitet lulishten duke e ripërdorur atë si faltore të hapur festive, siç edhe ka qenë, duke rikthyer urgjentisht, pra, namazin në Namazgja”.

*Botuar tek gazeta Dita.

Comments

  • Besnik, ke thene ato qe ne te gjithe i ndiejme dhe nuk mund ti shtoj asnje presje shkrimit tend.
    Shkrimet e Koloretos i kam pas lexuar me qef dhe shpesh here me miratim. Por me kete kryqezaten ambientaliste kunder xhamise me ka zhgenjyer fort. Jo sepse nuk ka te drejte te kritikoje projektin apo vendndodhjen e xhamise, por sepse nuk ofron asnje argument te hajrit dhe asnje alternative te pranueshme per besimtaret, te cilet i fyen si qytetare te pamjaftueshem apo me pare besimtare e me pas qytetare. Nuk mendoj se ndonje fyerje me e madhe na eshte bere me pare ne media, me perjashtim te islamofobeve si K Myftaraj apo ky palloshi qe ti citon K Frasheri qe na paska quajtur mbetje te Al Kaedes.
    Kolorit Mediatik e pati quajtur dikush Cukalin kur ky i fundit pati bere disa komente kunder Janullatosit qe qene interpretuar si qendrime kunder komunitetit Ortodoks. Por me keto dy shkrimet e tij te fundit e ka humbur kolorin dhe e ka nxire krejt.
    http://xhaxhai.wordpress.com/2013/01/21/kolorit-mediatik/

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *