Çfarë fshihet pas pemës?





 

Chaplinartikullin e dytë të Koloreto Cukalit mbi Xhaminë e Namazgjasë mësojmë se reagimi paska qenë për arsye «muskujsh» e jo «pemësh»:

«Nevoja për ta bërë pikërisht aty, është më tepër se mungesë hapësirash aktiviteti fetar, dëshira për të “treguar muskujt” karshi feve të tjera. E tillë nuk është vetëm kjo xhami që po ndërtohet – shkruaja – por dhe katedralja ortodokse që betonizoi një tjetër lulishte, dhe ajo katolike pas Hotel Dajtit».

Në thelb, sipas Cukalit, xhamia është demonstrim force, që do të thotë nevojë e myslimanëve për simbole publike, çka e dëshpëron së tepërmi autorin. Mirëpo, nuk kuptojmë diçka të thjesht: meqenëse të tjerët kanë të drejtën për bodybuildin arkitektonik, përse myslimanët duhet të fshihen pas anoreksisë, në një kohë që nuk kërkojnë asgjë më tepër se të drejtën kushtetuese të ushtrimit të besimit në pronën e tyre.

Teksa kërkon të ekuilibrojë qëndrimin duke gërshetuar dy katedralet shfaq parabolën: xhamia «po ndërtohet», ndërsa kishat «betonizuan», koha e tashme dhe koha e shkuar. Është ai vetë që krahason problematikën e simbologjisë – pa çka se ia ka filluar me pemët e lulishtes së Namazgjasë – por meqenëse një objekt «kriminal» po ndërtohet, dy të tjerët tashmë janë fakte të kryera, të firmosura nga Edi Rama. Nga njëra anë, bën gjithëpërfshirësin, e nga ana tjetër, realisht mund të ndërhyhet vetëm tek xhamia, si objekt në ndërtim. Në vijim i drejtohet eksperiencës kryebashkiake te Edi Ramës:

«Unë do të nisja ta besoja këtë, nëse qeveria e re e Ramës, dhe ai vetë personalisht, shpall një moratorium mbi të gjithë vendimet elektorale apo krimet me natyrë ekonomike të qeverisë së ikur, të bëra pa debat publik, me formulën e “faktit të kryer”».

Pra, Edi Rama, në qeverisjen e të cilit u ndërtuan dy katedralet e Tiranës, tani që po ndërtohet xhamia duhet ta pengojë «formulën e faktit të kryer», pikërisht tani që simbolet e tjera janë «fakt i kryer». Me pak fjalë, i lutet kryeministrit të ardhshëm të bëhet i gjithëpushtetshëm, të shkeli mbi vendimet e paraardhësit dhe mbi kompetencat e Bashkisë së Tiranës, për të penguar ndërtimin e xhamisë.

Mund të jemi dakord me pohimin e z. Cukali se «Tirana nuk mund të ketë nevojë që në një kuadrat të vogël në qendër të ketë kaq shumë objekte kulti», por 2/3 e këtij fluksi janë realitet i palëvizshëm, dhe deri në momenti që ekologjistë si z. Cukali të mos deklarojnë, krahas kriminalizimit të ndërtimit të xhamisë, prishjen e dy objekteve të tjera homologe të këtij kuadrati, për t’i zëvendësuar me lulishte, ne si myslimanë do të nënkuptojmë se “beteja” zhvillohet vetëm për pengimin e komunitetit tonë.

Vërtetë zotëria u justifikua se:

«Komentet kundër shkrimit në blogosferë [e-zani] përftuan shumë pak arguemente. I pari, mund të përmblidhet kështu: “ku ishte ti kur u ndërtua Katedralja ortodokse dhe ajo katolike”. Do të ishte banalizim i argumentit dhe të jap shpjegime ku kam qenë para 10 vitesh apo para 2 vitesh. Krimi po ndodh, dhe është aty, kudo që të kem qenë unë. Me këtë logjikë, meqë unë nuk kam folur për x shkatërrim ekologjik në 1996-n, nuk mund të fliskam më».

Kjo retorikë ama është akoma më naive. Meqenëse ndërtimi i xhamisë është krim ekologjik dhe ndërtimi i dy tempujve të tjerë paska qenë i tillë në kohën e vet, e z. Cukali e thekson këtë fakt, atëherë lexuesi i blogosferës ka komentuar i nisur nga fakti që z. Cukali nuk i ka shtuar pengimit të xhamisë edhe prishjen e objekteve të tjera, sipas tij ekologjikisht kriminale. Një krim ekologjik mbetet i tillë edhe pasi është kryer, apo jo? Megjithëse zhbërja e këtyre ndërtesave është më e vështirë se (para)ndalimi në themele, në të kundërt qëndrimi në të cilin deklarohet qartë se “jo vetëm duhet të distancohemi nga aktet kriminale por krimet duhen riparuar” është më se i realizueshëm. E pra, një qëndrim i tillë mungon tek z. Cukali.

Konceptin e krimit z. Cukali është e udhës t’ia shpjegojë “rilindësit” që e mbushi Tiranën me pallate e lloj-lloj ndërtimesh të shëmtuara, dobia e të cilëve është private e jo publike. Ndër të paktat ndërtesa të lejuara nga Rama e që kanë dobi publike në këtë qytet janë dy katedralet. Përse atëherë funksioni i xhamisë nuk konceptohet si publik? Aq me tepër kur ky objekt është i domosdoshëm e jo për hobby. Sigurisht që z. Cukali i lutet Ramës duke u nisur nga raporti i ish-kryebashkiakut me xhaminë, sepse nuk ka kuptim “lutja ekologjike” drejtuar një pushtetari që në tre mandate e ka përjashtuar ekologjinë nga programi: ndër shumë të tjera është ai që lejoi mbjelljen e një kompleksi në Parkun Rinia. Nuk po themi “ku ishit ju kur kjo ndodhi”, thjesht po presim ndonjë rresht artikulli ku të nënvizohet të paktën dënimi i gjymtimit të parkut, e pse jo edhe renditja publikisht përkrah atyre që duan ta rikthejnë tërësisht park. Pikërisht në adresimin e lutjeve tek Rama qëndron kontradikta dhe njëanshmëria. Ja e bëri një moratorium për krimet ekologjike të Berishës, po për të vetat çfarë do të bëjë?

Ka një keqkuptim thelbësor tek logjika e z. Cukali, sipas të cilit:

«Toka mund të jetë e komunitetit, por kjo s’do të thotë që kushdo mund të ndërtojë çfarëdo në tokë të tij. Përndryshe, kot luftuam për të mbrojtur Piramidën nga tentativa djallëzore e pronarëve të tokës poshtë saj për ta shembur».

Që të sqarojmë z. Cukali dhe kolegët e tij të ndjeshëm, KMSH-ja është institucioni të cilit komuniteti i myslimanëve i ka deleguar administrimin e pronave publike të këtij komuniteti, ashtu siç bën populli me Shtetin. Jo «mund», por është toka e komunitetit. Gjithashtu, ky komunitet nuk është X apo Y, por rreth 60 % e popullsisë së Shqipërisë, ndryshe nga një grup individësh-pronarë të terrenit të Piramidës. Shteti shqiptar apo Bashkia ka marrë të drejtën e ndërhyrjes në pronën publike të komunitetit më të madh në vend, e këtë e ka vërtetuar duke zgjeruar trotuarin tek Namazgjaja, mirëpo është naive të barazohet prona publike e 60 % të shqiptarëve me pronën private të X dhe Y, siç tenton z. Cukali. Duke e kuptuar mirë këtë kalim, z. Cukali do ta kishte të pamundur të përcaktonte me «kushdo» shumicën e popullsisë shqiptare që kërkon një tempull dhe jo një «çfarëdo». Mbase z. Cukali mendon se vlen dëshira e tij. E nëse vërtet e beson këtë, ai është një X, privat, përballë nevojave të një komuniteti me 60 %.

Provokimi që ai përdor në artikullin e parë përmes raportit besimtar/qytetar është akoma më absurd. I kujtojmë që po ndërtohet një xhami dhe jo një banjë publike. Detyrimisht një objekt fetar stimulon tek frekuentuesit e tij një identifikim fetar specifik. Nuk frekuentohet xhami, kisha, teqeja, sinagoga, etj., sepse njeriu është i bardhë, nga Tirana, elektorat i një partie specifike, pse jo monarkist, me profesion gazetar, shqiptar, dialektfolës, vegjetarian, mashkull, familjar, tifoz i Dinamos, e rrathë të tjerë përkatësie sociale, por sepse tempulli në fjalë është vend adhurimi, pra shfaqjeje të identifikimit fetar. Njeriu është një shumësi identifikimesh dhe nuk mund të jetë e as nuk duhet të jetë monolitik, vetëm besimtar, siç kritikon z. Cukali të tjerët, apo vetëm qytetar, siç vetëprezantohet z. Cukali, që në fakt mjafton një lexim i shpejtë i shkrimeve të zotërisë për t’ia renditur disa përkatësi identitare. Kështu, kur diskutohet për një tempull, frekuentuesi do t’i referohet besimit e jo lidhjes së tij, për shembull, me skuadrën futbollistike të zemrës.

Po edhe tek xhamia një mysliman duhet të jetë laik? Ju lutemi z. Cukali, mos flirtoni me identifikim qytetar. Myslimanët e Tiranës janë treguar qytetar të vërtetë sepse kanë pranuar qetësisht ngritjen e dy katedraleve dhe tempujve të tjerë, ndërsa vetë i kanë konsumuar ritet e tyre në trotuare. Nuk ka shumë kuptim që të tjerët ta shfaqin publikisht identifikimin e tyre fetar, ndër të tjera, përmes nevojave për objekte kulti, e myslimanët të privohen.

Nuk na rezulton se myslimanët po bëjnë «tentativa djallëzore» për të shembur ndonjë objekt. Objekti, “parku” i pashfrytëzuar nga publiku, është ndërtuar mbi një pronë të vjedhur komunitetit: përpara se të kërkojmë që fqinjët t’i kthejnë tokat shqiptarëve, t’u japim pronat shumicës.

****

Zgjidhjen gjysmake të propozuar nga z. Cukali, «që në Tiranë mund të gjendet një vend tjetër, pa qenë nevoja të jetë mu në qendër, pa qenë nevoja të prishet parku i Namazgjasë dhe që të plotësojë nevojat e besimtarëve», mund t’ia rikthejmë propozuesit në versionin: në Tiranë mund të gjendet një vend tjetër për lulishte, pa qenë nevoja të jetë mu në qendër, pa qenë nevoja të ndalohet xhamia e Namazgjasë dhe që të plotësojë nevojat e qytetarëve. Ky vend mund të jetë ndonjë ish-ndërmarrje e braktisur e kohës se regjimit, ndonjë hapësire tjetër në zotërim të Bashkisë, pse jo edhe ndonjë ndërtesë e rilindësve.

Duke parë aktivizimin e z. Cukali në mbrojtën e pasurisë kulturore dhe natyrore si dhe retorikën e zgjidhjes se vendndërtimit të xhamisë, propozojmë një zgjidhje më konkrete se ajo e gjetjes së vendeve të papërcaktuara. Konkretisht, pemët e prera tek Namazgjaja të zëvendësohen tek oborret e dy katedraleve; oborri i Kryeministrisë, meqenëse po rilindim, të shndërrohet në park publik; ose, prona e KMSH-së, ku po ngrihet mostra prej betoni më e lartë e Tiranës, që legjenda metropolitane ia atribuon një deputeti rilindës, të zëvendësojë parkun e Namazgjasë. Dhe nuk po i kërkojmë z. Cukali të aktivizohet në lutje të tjera drejtuar Ramës për të ndalur pikërisht këtë mostër betoni, që në fakt duhet t’i publikojë vetvetiu, sepse ka dy artikuj ku kërkon të bind lexuesin që aktivizimi i tij kundër xhamisë është thjesht përpjekje ekologjike e pakompromis, por thjesht sollëm disa këshilla-sugjerime në mënyrë që angazhimi i zotërisë t’u ngjasojë lexuesve sa më i ekuilibruar, pa lënë shijen e nëpërkëmbjes së një komuniteti në emër hijes së pemëve, për më tepër të mbjella në oborrin e këtij komuniteti.

 

 

Comments

  • Por për sa kohë që zërat që ngrihen kundër xhamisë nuk janë dëgjuar jo vetëm në prishjen e hapsirave ku u ndërtuan katedralet, por as që guxojnë të përballen me pronarët e lokaleve e pallateve të ndërtuara në parqe publike, atëherë gjuha e tyre kundër xhamisë është thjesht gjuhë e paragjykimeve anti-myslimane.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *