Egjipt, ushtri e popull të bashkuar?*





egypt-protest-sisi_2606953bNga Alain Gresh

Më 1 korrik, pas protestave gjigande në rrugët egjiptiane, ushtria shpalli një komunikatë përmes së cilës pohonte « mbështetjen e saj ndaj kërkesave të popullit » dhe i jepte « të gjitha palëve » dyzetë e tetë orë, kohë kjo e « shansit të fundit [për] të marrë përsipër përgjegjësitë e tyre në këtë moment historik ». Nëse këto kërkesa nuk do të përmbushen, vijon ajo, « u takon forcave të armatosura të paraqesin një udhërrëfyes dhe masa të mbikqyrura prej tyre në bashkëpunim me të gjitha forcat patriotike dhe të sinqerta […] pa përjashtuar asnjë palë ».

Edhe pse kjo pjesë e fundit e fjalisë – «  pa përjashtuar asnjë palë » – tenton të qetësojë Vëllezërit Myslimanë, të cilët i tremben rendit të vjetër dhe burgimit, krerët e tyre e hodhën poshtë këtë ultimatum dhe vetë presidenti pohoi se do të qëndronte në post. Dhe ngjan pak e mundshme që presidenti Muhamed Morsi t’i mbijetojë kësaj sprove. Edhe zëdhënësi i partisë selefiste Nur (25% e votave në zgjedhjet e legjislativit), Nader Bakar, i shpjegonte gjysmë milionit të ndjekësve të adresës së tij në Twitter se Kalifi Osman, pasardhësi i tretë pas Profetit, kish preferuar të humbte jetën se sa të derdhte gjakun e besimtarëve.

Me kthimin e mundshëm të ushtrisë në skenë, është suksesi kryesor i presidentit Morsi gjatë sundimit të tij të shkurtër që vihet në pikëpyetje. Është në të vërtetë ai, i cili më gusht 2012 rrëzoi Këshillin e Lartë të Forcave të Armatosura (KLFA), administrimi i vendit i të cilit gjatë një viti e gjysmë ishte shfaqur katastrofik.

Nuk është e padobishme të kujtohet se :

–       KLFA mban një përgjegjësi të madhe në tranzicionin kaotik që ndoqi largimin e Hosni Mubarakut ;

–       Gjatë revolucionit dhe periudhës gjatë së cilës ajo ka ushtruar pushtetin, ushtria ka shtypur, ndaluar, zhdukur, torturuar me qindra persona, sikurse e konfirmon një raport i botuar nga e përditshmja britanike The Guardian ;

–       Ushtria ka qëlluar mbi protestuesit që tubonin kundër sulmeve drejtuar kah koptët. Kjo masakër ngjau përpara selisë së televizionit (Maspero) në tetor 2011.

Në këto kushte, thirrja « Ushtria i është bërë krah popullit », e lëvizjes Tamarod, e cila gjeneroi fushatën e mbledhjes së firmave për të hequr Morsin, lë vend për t’u shqetësuar. Aq më tepër që opozita e ka rimarrë këtë ide. E kanë të shkurtër kujtesën.

Megjithatë, nëse ushtria kërkon kthimin e saj në punët e shtetit, kjo është se Morsi ka dështuar. Dhe ky dështim është rrëzëllitës në të gjitha fushat, qoftë kjo në ngritjen e shtetit të së drejtës apo në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Është e rëndësishme të kuptohen arsyet e këtij dështimi. Morsi nuk ka qenë në gjendje të bindë një vend të ndarë, as ata që i druheshin një partie të disiplinuar, shpesh sektare dhe me tendenca hegjemonike. Morsi ka qenë presidenti i Vëllezëve, jo ai i egjiptianëve. Ai për më tepër ka dhënë prova të një paaftësie, e cila ka habitur mjaft vëzhgues që mendonin se Vëllezërit kishin kuadro për të administruar aparatin e shtetit. Në të kundërt, vërtet nuk mund të flitet për islamizimin e shtetit, shënon në faqen e tij të shkëlqyer The Arabist, Isandër El Amrani (« Morsi’s Year », 27 qershor). Ky është, për më tepër, një prej qortimeve kryesore të partive selefiste.

Por nëse Morsi mban përgjegjësitë e dështimit të tij, nuk mund të harrohen disa të dhëna :

–       Thelbi i aparatit shtetëror i shpëton duarve të presidentit. Nuk flas këtu për ushtrinë, por gjithashtu për policinë, e cila nuk mundi – ose nuk deshi – të mbronte selitë e Vëllezëve Myslimanë të sulmura gjatë muajve të fundit. Për sa i takon Ministrisë së Brendshme, ajo botoi më 30 qershor një shpallje që i frynte shifrat e pjesëmarrësve në protesta !

–       Nëse ka qenë i sinqetë ose jo, Morsi ka tentuar drejt gjesteve të hapjes në drejtim të opozitës, gjeste të cilat ajo i ka kundërshtuar sistematikisht. Sikurse shënon Esam El Amin në Counterpunch (« The Rule of Democracy or the Rule of the Mob. Egypt’s Fateful day », 26 qershor) :

« Morsi u ka bërë thirrje gjithë krerëve të opozitës, në veçanti në gjirin e Frontit Kombtar të Shpëtimit (FKSH), i cili përmbledh pjesën më të madhe të opozitës sekulare, për të marrë pjesë në dhjetë mbledhje të ndryshme, me pak sukses. Për sa i përket emërimeve, këshilltari politik i Morsit, Bakinam El Sherkavi, deklaronte së fundmi se sa herë që presidenti u kish kish kërkuar grupeve sekulariste kandidatë për të zënë postet më të larta në gjirin e qeverisë, përfshirë poste ministrash dhe prefektësh, ata e kishin kundërshtuar ».

Ai ka qenë gjithashtu viktimë e një peizazhi mediatik thellësisht të trazuar qysh prej revolucionit. Në një shkrim të 30 qershorit titulluar « The delegitimization of Mohamed Morsi », The Arabist shënonte gjithashtu ndërmarrjen për zhvlerësimin e presidentit – bashkërenduar, duhet thënë, me një fushatë anti-palestineze, ndërsa Hamasi akuzohej t’i kish furnizuar Vëllezërit me gurë-hedhës në Janar 2011 !

« Gjithë duke marrë parasysh rezultatet e tij të dobëta, një prej karakteristikave të jetës politike gjatë vitit që shkoi është se ka qenë një makinë e papërkulshme diabolizimi mediatik dhe deligjitimimi ndaj administratës së Morsit, fare përtej gabimeve për të cilat vetë Morsi është përgjegjës. Kushdo që sheh CBC-në, ONTV-në, El-Kahira vel-Nas-in dhe të tjerë stacione satelitore, ose lexon gazetat histerike si El Destur, El Vatan apo El Tahrir (dhe gjithnjë e më tepër atë El Masri El Joum) dëndet me propagandë të përhershme anti Morsi. Disa prej këtyre sulmeve qenë të merituara, por edhe nga ana e një gazetari të respektuar si Ibrahim Eisa (një prej kundërshtarëve kryesorë të presidentit Hosni Mubarak), diskursi kundër Morsit ishte jashtë kontrollit. »

Jemi larg imazhit që shfaqin Reporterët pa Kufinj për Vëllezërit që projektohen si grabitqarë të shtypit – edhe pse disa gazetarë mund të jenë përndjekur. Kurrë më parë liria e fjalës nuk ka qenë kaq e gjerë në Egjipt.

Ajo çka shqetëson, shënon Esam El Amin, është se opozita, e përhumbur në armiqësinë e saj ndaj Vëllezërve, u ka ridhënë legjitimitet anëtarëve të regjimit të vjetër të pranishëm në aparatin e shtetit, në polici, në instancat gjykatore, në të gjitha nivelet :

« Në betejën ideologjike midis partnerëve të vjetër revolucionarë, fululët [partizanët e regjimit të vjetër] kanë mundur të rishpiken dhe të bëhen aktorë madhorë pranë grupeve sekulare kundër Vëllezëve dhe islamistëve. Së fundmi, z. El Baradei, u shpreh i gatshëm të mirëpresë në partinë e tij gjithë elementët e Partisë Nacional Demokratike të Mubarakut, ndërkaq që Sabahi pohonte se beteja kundër fululëve ishte tashmë dytësore, duke qenë se konflikti kryesor ishte tani e tutje me Vëllezërit dhe me aleatët e tyre islamistë. »

Fakti që miliona njerëz kanë zaptuar rrugët këto ditët e fundit është prova se populli në Egjipt nuk është i gatshëm të kthehet në shtëpi për sa kohë kërkesat e tij për drejtësi shoqërore dhe liri nuk do të jenë kënaqur. Këta protestues shprehen se revolucioni nuk ka mbaruar. Ky është një realitet që qeverisësit e nesërm, kushdo qofshin ata, duhet ta mbajnë parasysh.

Shkrim i datës 3 Korrik 2012 marrë nga blogu i autorit Nouvelles d’Orient.

Comments

  • Nje shkrim qe permbledh realisht ate qe po ndodh, dhe se ne duhet te lutemi njekohesisht qe popullit egjiptian me udheheqesit e vet t’u japi Allahu sukses…

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *