Milazim Krasniqi

 

M. KrasniqiDebati më pasional i ditëve të kaluara në Kosovë nuk ka të bëjë me ngecjen e reformës zgjedhore, e cila në fakt është e bllokuar, gjë që sipas gjasash do ta detyrojë vendin që në zgjedhjet lokale të vjeshtës të shkojë me ligjin e vjetër, çka lë të nënkuptohet se mund  të ballafaqohet me parregullsitë e vjetra. Nuk ka të bëjë as me çështjen e ikjes masive të shqiptarëve nga Kosova me rrugë ilegale, gjë që po e zbrazë vendin. Nuk ka të bëjë as me ngecjen e dialogut teknik, të cilin Serbia po e përdorë si presion ndaj Bashkimit Evropian, që t’ia japë datën më 28 qershor ose të ballafaqohet me bllokimin e marrëveshjes së Brukselit. Nuk ka të bëjë as me arrestimin e “Grupit të Drenicës” e as me gjykimin e “Grupit të Llapit”.

Sorrat e Çehovit

Në të vërtetë, debati më pasional dhe më i dëmshëm është duke u zhvilluar rreth ligjëratës së një hoxhe në një xhami të Prizrenit, të mbajtur para disa muajsh. Ligjërata vetë, me aq sa është publikuar, është e dominuar nga një leksik vulgar, nga shprehje anti-intelektuale, nga një pasion i shpifur gjoja i preokupimit me gjendjen e moralit, ndërsa më shumë i preokupuar me dukjen e vetë folësit dhe me ndikimin emocional mbi xhematin, për ta mbajtur sa më të çuditur. Kjo mënyrë komunikimi, në esencë primitive, e që është pasojë e mospërgatitjes për komunikim me publikun dhe për ndërgjegjësimin për peshën morale dhe ligjore që ka fjala publike, ka arsye të trajtohet, por jo në këso përmasash dhe jo me këto tone. Bile, ky do të duhej të ishte problem i adresuar tek Bashkësia Islame e Kosovës, që ajo të ndihmohet të përmirësojë nivelin e  komunikimit të vartësve të saj, meqë shumë prej tyre kanë mbaruar shkolla në vende me tradita dhe nivele të tjera kulturore, ku ndjeshmëritë e lidhur me diversitetin kulturor e fetar nuk janë të njohura.

Nga ligjërata problematike duket sheshit që edhe mulla Irfan Salihu është në grupin e atyre hoxhallarëve që nuk ia kanë idenë se çka është pesha e fjalës publike dhe si duhet të komunikohet në një shoqëri plurale. Sidoqoftë, mbajtja kaq lart në agjendë e ligjëratës së tij, mjafton për ta kuptuar se agjenda e jetës publike në Kosovë është e deformuar dhe se imponohen tema që realisht do të duhej të mbeteshin në margjinat e jetës publike.

Ndërsa, pjesëmarrësit në debatet e zjarrta e primitive në portale, pro e kundër Irfan Salihut, figurativisht u ngjajnë personave të një tregimi të Çehovit, të cilët mblidhen pranë një gardhi dhe shikojnë në një arë, pa e ditur as vetë se çka realisht po kërkojnë të shikojnë. Vetëm njëri, ai që ishte ndalë i pari pranë gardhit, e di se është ndalur që të shikojë se ku po binin sorrat që kishin fluruar sipër kokës së tij e kishin rënë diku në arë. Gjithë ajo gjindja tjetër, është ndalur e shikon kot, pa e ditur as se çka po kërkon. Pak a shumë të këtillë janë edhe pjesëmarrësit në këtë komunikim naiv, të cilët nuk e dinë shkakun e vërtetë të kësaj gjurulldie, ama vazhdojnë të marrin e japin me fjalë të rënda, duke e rënduar veten, edhe me faktin që kështu e zbulojnë naivitetin dhe paditurinë e tyre.

Mediat atë punë kanë  

Ka që akuzojnë mediat për këtë agjendë të panatyrshme. Por ata që e dinë teorinë për mediat, e dinë se njëri nga funksionet e medies është imponimi i agjendës nga ana e saj.  Kjo mund të jetë moralisht e debatueshme, por profesionalisht media në këtë rast është brenda funksionit të vet. Kush kërkon ndershmëri në politikat editoriale të medias, ai në të vërtetë nuk e ka kuptuar se çka është media në të vërtetë. Media nuk është këshillimore e moralit publik. Rrjedhimisht, median mund ta akuzosh sa herë të duash, pra edhe në këtë rast, por media bën punën e vet ashtu si i leverdis asaj dhe, si biznes që është, ajo ndjek devizën se “lajmi i keq është lajm mirë”, me kusht që ai të ofrojë reklamë, popullaritet dhe ndikim.

Brenda kësaj hapësire, media mund të jetë edhe pjesë e lojërave të papastra, mund të jetë pjesë e komploteve dhe e konspiracioneve, por ato vështirë mund të dëshmohen, meqë liria e saj është pothuajse mbi ligjin. Prandaj, ata që i akuzojnë mediat për këtë skandalin e fundit lidhur me ligjëratën e hoxhës Irfan Salihut, duken si don Kishotë, që duan të luftojnë me mullinjtë e erës. Media edhe në këtë rast është vetëm pasqyra në të cilën i shohin fytyrat e veta ata që kanë vendosur të përdorin median si pasqyrë.

Media ofron hapësirën e komunikimit për një temë të caktuar, pra e fut në agjendë atë çështje, por ajo nuk ua kushtëzon pjesëmarërsve në debate nivelin e ulët të komunikimit, ajo nuk i detyron njerëzit të sillen si të çartur e të fyejnë me delikatesë druvari. E fshehta e saj në këtë rast është se shërben si letër lakmusi për t’u parë gjendja emocionale, mentale e morale e pjesëmarrësve në debat. Por, zgjedhja është e tyre, ata duan të duken ashtu si duken, të rënduar emocionalisht, të vonuar mendërisht a të zvetënuar moralisht.

Fatkeqësisht, këto gjendje u shpërfaqën edhe në debatin e zjarrtë rreth asaj ligjërate fatkeqe, e cila në vend se të ndikonte në përmirësimin e gjendjes, gjë që mund të ketë qenë qëllimi i hamendësuar i folësit, u shndërrua në shkak për përçarje të reja dhe të shpërthimit të një gjuhe kërcënuese e të urrejtjes, e paparë deri sot në këtë shkallë. Por, shkaku i kësaj rëndese emocionale, i këtij errësimi të arsyes dhe të kësaj humnere morale, nuk është në mediat.

Entuziazmi me lodrën e re  

Shkaku i këtij polarizimi që ende nuk është fashitur dhe i cili mund të lërë pasoja afatgjata në mendësinë e publikut të gjerë dhe veçmas në qëndrimin ndaj Islamit në vendin tonë, është më i thellë. Ligjërata problematike, me fjalorin e saj vulgar e me arrogancën e frikshme të folësit, shërbeu si pretekst, por përgatitjet për këtë konflikt kanë qenë më të gjata. Toni arrogant dhe kërcënues i ligjëratës shpreh një gjendje frustrimi me gjendjen në shoqëri, me synimin naiv që ajo gjendje të ndërrohet në mënyrë revolucionare. Kjo është një ambicie joreale, por e stimuluar nga një raport forcash të çekuilibruara në shoqërinë tonë dhe në vetë gjirin e komunitetit musliman në vend.

Pas pavarësimit të vendit, ka pasur disa momente që nga një pjesë e besimtarëve myslimanë janë përjetuar si përpjekje për ngushtimin e lirive dhe të drejtave të tyre. Kjo ka të bëjë me ndalimin e disa vajzave me shami që të shkojnë në shkolla publike, me moslejimin e edukimit fetar në shkollat publike dhe me lojërat që u bënë lidhur me lokacionin e xhamisë së re në Prishtinë. Mbase edhe për shkak të dobësisë së theksuar që ka BIK si partner, institucionet shtetërore i kanë neglizhuar kërkesat e saj dhe ajo është treguar e pafuqishme që të shtyjë agjendën e vet. Ndërsa, grupime të ndryshme anti-islame, e kanë shfrytëzuar këtë dobësi përfaqësimi të besimtarëve myslimanë, që të sajojnë gjithfarë pretekstesh që t’i fyejnë ndjenjat e tyre.

Kur ky injorim i kërkesave legjitime e legale dhe kjo fyerje e ndjenjave  të besimtarëve ka shkuar larg, ky është parë si rast i artë për persona dhe grupe më ambicioze jashtë BIK-ut, të shfaqen si mbrojtës të Islamit dhe që të kërcënojnë se do ta çojnë përpara agjendën e tyre edhe me kërcënime dhe me demonstrim të fuqisë. Disa nga protestat që i organizuan vitin e kaluar, për shaminë e për xhaminë e re, i bindën ata se mund të bëhen edhe forcë politike, gjë që edhe rezultoi me krijimin e një partie të re.

Strukturat e reja të kësaj partie edhe kanë qëndruar në ballë të betejës më të re, tash për tash mediatike, lidhur me kauzën absurde të mulla Irfan Salihut. Çështja tani është bartur në terren politik, ku feja përdoret si pretekst për të shtyrë përpara një agjendë të një partie politike. Pra, injorimi fillestar i kërkesave legale të BIK dhe të besimtarëve të zakonshëm, ka prodhuar forcimin e krahut radikal, i cili ka agjendë më ambicioze, pra edhe atë të Islamit politik e jo vetëm realizimin  elementar të lirive dhe të të drejtave të besimtarëve, në kuadër të rregullimit ligjor të një shteti demokratik.

Saktësisht, partnerin e ri, këtë me ambicie radikale politike, e ka prodhuar injorimi nga ana e institucioneve shtetërore të Kosovës i kërkesave elementare të BIK dhe mospranimi i hapësirës publike për një Islam civil, qytetar, si participues në përmirësimin moral të shoqërisë. Ideja që të ndrydhet tërësisht Islami, që të dëbohet tërsisht nga sfera publike, e ka ndrydhë pjesën e moderuar, qytetare, por i ka krijuar hapësirë pjesës radikale. Kjo është gjendja sot.

Tifozeria ndaj ligjëratës së mulla Irfan Salihut, me tone vulgare e kërcënuese,  është produkt i kësaj gjendjeje, me synimin që të rikthehet Islami në sferën publike, por kësaj radhe jo si civil, po si politik e militant. Fryma e tillë është futur në sferën e komunikimit publik tashmë, por pa qenë bartësit e tij të përgatitur për ta menaxhuar pozitën e tyre në këtë sferë. Prandaj, fyerjeve e kërcënimeve  ata u janë përgjigjur me të njëjtën masë, me çka e kanë denoncuar veten keqas moralisht.

Ata që shpallin se mbrojnë vlerat e Islamit paqësor, nuk mund të shajnë si karrocierë e të kërcënojnë me heqje kokësh. Duket se me ta ka ndodhur një transformim negativ: përveç të motivuar nga ambicie politike, ata janë ekzaltuar nga përfshirja për herë të parë më seriozisht  në një komunikim publik, i cili u ngjason me një lodër të re. Të magjepsur nga mundësitë e pakufizuar të shprehjes së lirë, duke pasur identitetin e fshehur, këta islam-abuzues naivë,  për një çast kanë harruar se ku jetojnë, se jetojnë në shtetin e kundërshtarëve të tyre ideologjikë-laicistë, të cilët janë pronarë të vërtetë të shtetit dhe hartues të ligjeve të tij.

Kjo rrethanë nuk është për të mos u llogaritur, nëse synojnë ta vazhdojnë konfliktin me këtë intensitet, duke mos përjashtuar as gjuhën e urrejtjes dhe rrezikun e përplasjes, sepse mund të pësojnë nga hiletë e lodrës së porsazbuluar të komunikimit mediatik. Mbetet të shihet se si i kanë lexuar fyerjet e kërcënimet që kanë ardhur në drejtim të tyre nga kundërshtarët e acaruar tej mase dhe masat ligjore që janë paralajmëruar se do të ndërmerren ndaj tyre.

Partneritet me shtetin dhe reforma të brendshme

Bashkësia Islame e Kosovës, sa për shkak të injorimit nga ana e institucioneve shtetërore, po aq edhe për shkak të lojërave të veta politikaneske, ka humbur përditë truall dhe sot nuk ka aftësi të mbajë nën kontroll radikalizmin e infiltruar brenda saj e lëre më radikalizmin në tërësi. Ajo është një kala që po merret nga brenda, njësoj siç thuhej se do të merrej Lidhja Demokratike e Kosovës dhe si u mor një herë e një kohë.

Nëse nuk u qaset reformave rrënjësore dhe nëse nuk krijon partneritet të mirëfilltë me institucionet shtetërore, BIK-u do të tejkalohet nga ngjarjet dhe do të mbetet si një relike e së shkuarës, ndërsa kauza e besimtarëve të zakonshëm ose nuk do të përfaqësohet fare ose do të ketë nevojë të gjejë një instancë të re përfaqësimi. Në atë rast shumica absolute e besimtarëve islamë do të mbeteshin si në senduiç, nën presionin e luftës propagandistike që zhvillojnë grupet rivale, laicistët ekstremë në njërën anë e islamistë radikalë në anën tjetër. Ngushtimi i lirive dhe të drejtave fetare të besimtarëve në atë rast do të ishte i pashmangshëm. Natyrisht, me gjithë pasojat që kjo do të bartte me vete edhe për vetë shtetin e Kosovës.

Si një shtet që synon të konsolidohet si shtet i të drejtës dhe i shanseve të barabarta për të gjithë, çfarëdo shtypjeje që bën ndaj lirive fetare, qoftë dhe nën  pretekstin se po luftohet ekstremizmi, do të dobësonte kohezionin shoqëror dhe shtetin si të tillë. Prandaj edhe shteti duhet të punojë me faktorët e moderuar e të promovojë liritë dhe të drejtat që u takojnë besimtarëve edhe me Kushtetutën e vendit. Improvizimet e mëtejshme vetëm sa do ta komplikojnë situatën. Pra, shteti duhet ta marrë vetë iniciativën.

Si fillim duhet të rregullohet statusi i BIK, sepse ajo nuk mund të jetë një organizatë joqeveritare, sikundër trajtohet sot, duke qenë që në stad të margjinalizuar edhe në sytë e besimtarëve e edhe në raport me bashkësitë e tjera fetare në vend, (Kishën Katolike dhe Kishën Ortodokse Serbe), që kanë nga një tutor shtetëror që i financon dhe i mbron. Gjithsesi, pas një saktësimi të tillë statusor, edhe rregullat e lojës duhet të qartësohen për të gjithë. Ndërsa besimtarëve të zakonshëm, atyre që janë shumica absolute, u mbetet që të mos bien pre e lojërave politike, e ngacmimeve dhe manipulimeve me ndjenjat fetare. Ata që zgjedhin t’u shkojnë mbrapa demagogëve, qoftë atyre politikë qoftë atyre fetarë, zgjedhin që ta çojnë këtë vend drejt një theqafjeje të re.

 

 

*Botuar fillimisht tek revista ‘Shenja’

 

 

 

Comments

  • Me ne fund nje ze i qyteteruar e i kthjellet mes kesaj tymnaje e zhurme mediatike ku degjohen vetem “radikalet” (me mire idjotet) si FRM ne njeren ane e ultra-laiket anti-islame si Alma Lama e Arbana Xharra ne anen tjeter.

  • Leave a Reply to a Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *