Politika me dy standarde e Perëndimit





Ervin Hakorja

Paris-DakarVëzhgimi i peizazhit politik ndërkombëtar lidhur me reagimet e fuqive perëndimore ndaj ngjarjeve dhe zhvillimeve më të fundit konfliktuale në Siri dhe Mali tregon qartë se përkundrejt trumpetimit të demokracisë si “fundi i historisë”, interesi i pastër politik, ekonomik dhe gjeostrategjik i është mbivendosur idealeve demokratike. Në kontrast të thellë me heshtjen cinike ndaj situatës katastrofike në dëme njerëzore dhe materiale nga regjimi në ikje i Asadit në Siri, vihet re një eufori dhe një “dashamirësi” e tepruar nga ana e Francës  për ndërhyrjen ushtarake në Mali.

Përkundrejt argumenteve dhe arsyetimeve të Francës ndaj opinionit publik ndërkombëtar se ajo ndodhet në Mali për t’i ardhur në ndihmë një vendi “mik”, që gjoja do të kontrollojë dhe mbrojë  integritetin e tij territorial nga kërcënimi i myslimanëve radikalë të Al-Kaedës në jugun e vendit, realiteti i fakteve flet ndryshe. Logjikisht një ndërhyrje e tillë ushtarake në një periudhë të vështirë krize ekonomike dhe financiare për Evropën lë të kuptohet se përfitimet mund të jenë të konsiderueshme. Nga ana tjetër vetë përvoja historike ka treguar se Fuqitë e Mëdha janë tejet të kujdesshme në llogaritjen e humbjeve dhe fitimeve përpara se të ndërmarrin hapa të rëndësishëm strategjik dhe politik në politikën e jashtme.

Pikësëpari, Mali, përtej pamjes së parë të mjegullt në informacion, është një vend me histori të ndritshme dhe interesante. Ai është një nga vendet e pakta të Afrikës Perëndimore që ka zhvilluar një arkitekturë të veçantë shekullore. Jugu i tij tashmë fatkeqësisht është jashtë kontrollit si pasojë e paaftësisë së Bamokos zyrtare për të kuruar dhe zbutur gjendjen e rëndë social-ekonomike në të cilën ndodhet ky rajon, i cili ka qenë një oazë dijeje dhe qendër e intelektualizmit. Përpos plaçkitjeve të kolonizatorëve francezë të trashëgimisë së konservuar nga shekujt XIII-XIV, sot në qytetet vatra të luftimeve gjenden ende rreth 700.000 dorëshkrime të vjetra.

Në vijim të hedhjes dritë mbi arsyet reale të pranisë ushtarake franceze duhet të kemi parasysh larminë e interesave politike, ekonomike, dhe gjeostrategjike të Francës në këtë vend, por edhe më gjerë. Së pari, duke kontrolluar rajonin qendror të Afrikës Perëndimore përmes kontrollit ndaj Malit, Franca krijon mundësi për të depërtuar në vendet fqinje të tij si Mauritania, Nigeria, Algjeria apo Burkina Faso, në funksion të ringritjes së influencës së dikurshme koloniale.

Nga ana tjetër, në kontrast me faktin se Mali është vendi i katërt më i varfër në botë, pasuritë e tij nëntokësore në uranium, ar, naftë, gaz dhe fosfate janë gjigande. Kërkesa në rritje për burime energjetike nga ana e vendeve të zhvilluara, por edhe atyre në zhvillim, ka sjellë që vendet me pasuri të tilla të jenë gjithnjë të lakmueshme. Gjithashtu, uraniumi është burim kryesor për prodhimin e energjisë elektrike të Francës me anë të reaktorëve bërthamorë.

Në vijim të analizës, nëse do ndërmarrim një hulumtim gjeopolitik, veriu i Malit është i vendosur në shkretëtirën e Saharasë, e cila është tejet e pasur me burime ujore nëntokësore. Potencialet e energjisë diellore të kësaj zone janë të tilla sa një shfrytëzim i mundshëm me 0,03% të energjisë arrin të prodhojë energji për 1 vit për Evropën. Ja pra pse Saharaja është jashtëzakonisht e pasur.

Megjithatë arsye të tjera që e bëjnë Francën dhe vende të tjera me përvojë koloniale të riformulojnë politikat e tyre në Afrikë është edhe konkurrenca e jashtëzakonshme për tregje dhe burime minerale nga ekonomitë në zhvillim të BRICS, veçanërisht të Kinës, tani që është shndërruar në partnerin më të fuqishëm tregtar për Afrikën, ashtu si edhe Turqinë, e cila rrit volumin tregtar nga viti në vit.

Në ndryshim drastik me dinamizmin e angazhimit në Mali, një realitet totalisht ndryshe paraqitet në Sirinë e gjunjëzuar dhe rrënuar ekonomikisht dita-ditës. Regjimi alevi jo vetëm që e ka humbur legjitimitetin, por vijon të thellojë bilancin e viktimave që tashmë kalojnë shifrën e 80.000 njerëzve. Fakte rrëqethëse këto që nëse do t’i bazonim në standardet e mbrojtjes së integritetit territorial dhe sigurisë së jetës nga “ekstremistët islamikë” në Mali, do duhet të kishim një reagim serioz, përtej fjalëve boshe, jo vetëm nga Franca por edhe nga Britania  Madhe, tejet aktive në Libi, apo vetë SHBA-ja si “mbrojtëse” e vlerave demokratike.

Sigurisht, ndikimet e faktorëve të jashtëm gjeostrategjikë dhe ekonomikë të Rusisë dhe Kinës apo kërcënimi i interesave direkte të Iranit, lidhur me kordonin e influencues shiite në rajon, kombinuar këto me dobësinë e brendshme të opozitës siriane dhe paaftësinë e saj për prodhimin e një alternative reale pas-Asad janë faktorë që komplikojnë zgjidhjen e këtij ekuacioni. Megjithatë kjo nuk përbën justifikim përkundrazi demaskim të hapur të interesave të këtyre vendeve. Fuqitë perëndimore apo edhe homologët e tyre lindorë (Rusia, Kina) janë aleatë të përjetshëm të interesave dhe për mbrojtjen e tyre janë të gatshëm të përdorin çdo mjet diplomatik, politik apo edhe ushtarak. Është pikërisht ndarja e fshehtë e këtyre interesave nëpërmjet respektimit të balancave të sferave të influencës respektive të këtyre vendeve që e bëjnë sa të afërt po aq edhe të largët zgjidhjen e konfliktit në Siri. Ndarje balancash që vështirëson edhe përpjekjet energjetike për zgjidhjen e këtij konflikti, veçanërisht nga aktorë rajonal si Katari apo Turqia.

Duke ju kthyer hipotezës fillestare për politikën me dy standarde të Perëndimit në kurriz dhe dëm të demokracisë, lind pyetja se si perceptohet demokracia së jashtmi tek ata?

Përpos vështirësisë së përkufizimit të demokracisë, nëse do të binim dakord ta cilësonim atë si një shkrirje të sferës së respektimit të së drejtave civile, juridike dhe politike të njeriut me ekonominë e lirë të tregut sipas modelit liberal, duket qartë se koncesionet e Perëndimit bëhen ndaj dimensionit ekonomik dhe në kurriz të atij politik. Pra, për sa kohë ka interes ekonomik që nuk bie në antagonizëm me interesin e “fuqive të tjera” ndërhyhet, në të kundërt konflikti vijon të përshkallëzohet dhe mbetet peng i vullnetit apo i dëshirës së fuqive në konflikt, ashtu si në rastin e Sirisë apo kauzës së drejtë Palestineze.

Mos ndoshta politika e hapur e kolonizimit politik dhe ekonomik të dikurshëm nën moton e «dominimit të njeriut të bardhë» po i orvatet sërish Jugut global, në kundërshtim të plotë me çdo ligjësi ekonomike dhe sistem vlerash humanist?

Një tablo e tillë e politikës me dy standarde, që nga njëra anë ndërhyn për mbrojtjen e interesave për vende “mike”, e nga ana tjetër hesht përballë gjakderdhjes, dhunës dhe shkeljeve flagrante të normave dhe parimeve demokratike, është tregues i mirë i faktit se rendi ndërkombëtar i vlerave është në krizë, apati dhe agoni të thellë. Përtej ruajtjes së balancave dhe interesave të ftohta ekonomike dhe gjeostrategjike të Fuqive të Mëdha, në themel të rendit botëror, dhe sistemit demokratik si pikë referimi duhet të mbetet respektimi i dinjitetit të popujve në përgjithësi dhe i njeriut në veçanti. Në të kundërt historia botërore ka provuar se shkelja e këtij ligji humanist sjell luftëra me përmasa botërore, dëmet e të cilave janë në thelb dëme ndaj vetë njerëzimit.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *