Puç dhe puçistë!





Bledar KominiBledar Komini

Shkoqur dhe qartë ajo që ndodhi në Egjipt nuk ishte asgjë më shumë se një puç ushtarak. Ajo nuk ishte as më pak dhe as më shumë se një cup d’etat, njësoj si ato të kamotshmet në Amerikën Latine, apo ato në Azinë e largët, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Qendrore. Një puç puçistësh që na tregoi se sa e brishtë është demokracia, si aplikohen standardet e dyfishta prej vendeve Perëndimore kundrejt atyre “të pazhvilluara”. Nisur nga kjo situatë me të drejtë e mirënjohura The Indipendent e titullonte editorialin e saj një ditë më pas: “Kur një grusht shteti ushtarak nuk është grusht shteti? Vetëm kur ndodh në Egjipt”. Kësaj here britanikët ironisë së tyre retorike i shtuan dhe përgjigjen, e cila nuk shërben si e tillë vetëm kur i drejtohet atyre që për tre shekuj kanë proklamuar demokracinë.

Kur u zhvilluan zgjedhjet e para të lira në Egjipt të gjithë u gëzuan dhe u ndjenë të lehtësuar se tashmë era e demokracisë po frynte dhe në brigjet jugore të Mesdheut. Pikërisht andej nga ku një kulturë e lashtë si ajo e Egjiptit kishte dominuar botën mijëvjeçarë më parë. E duke qenë se “bota rrotullohet” e ndonjëherë rrota të zë dhe bishtin, kësaj here ishte Egjipti, pas Turqisë që do provonte se sa i mbante kurrizi. Por, meqë Egjipti ishte i brishtë dhe nuk ishte Turqia, eksperimenti dha rezultat. U duk se një pjesë e vendeve të zhvilluara mezi kishin pritur që kjo të ndodhte. Dhe ja ndodhi! Po më pas?

Çfarë do të ndodhë më pas?! Asgjë! Thjesht tranzicioni do tregohet i ashpër me opozitarët, do të burgosen, do dënohen se nuk punuan në të mirë të popullit, do dënohen se erdhën në pushtet përmes votës së lirë dhe në fund se kërkuan që të zbatonin parimet demokratike. Të gjitha këto do bëhen serish në emër të demokracisë.

Po kujt demokracie? Në fakt ekzistojnë dy demokraci, njëra për vendet e zhvilluara dhe tjetra për ato të pazhvilluara. Për sa kohë që vendet e pazhvilluara mbeten të tilla, për aq kohë kryesisht Evropa dhe SHBA-të synojnë që t’i imponohen këtyre vendeve që të zbatojnë parimet dhe standardet demokratike; kur këto të fundit rreken dhe i zbatojnë, atëherë demokracitë në këto vende duhen rrëzuar sepse këto vende nuk kanë kulturën e mjaftueshme, për të qenë mjaftueshëm demokratike.

SHBA-të kanë pothuajse një dekadë që po përpiqen të instalojnë demokracinë në Afganistan dhe Irak. Ka kaluar mbi një dekadë dhe Afganistani akoma nuk ka gjetur paqe, kjo për faktin se demokracia për ta është e huaj, ata nuk mund ta njohin e zbatojnë. Ata njohin vetëm sistemin fisnor, ai është i vetmi sistem që i është përshtatur kushteve dhe rrethanave në të cilat ata kanë mbijetuar përgjatë dekadave të fundit. Ndërsa në Irak, demokracia e instaluar prej SHBA-ve ka prodhuar vetëm dhunë dhe urrejtje, ata që deri dje ishin të shtypur (popullsia shiite) sot dominojnë politikën dhe shtypin shtypësit e dikurshëm.

Ndërkohë Evropa (BE), e kishte më të thjeshtë të fuste brenda unionit një shtet të pa stabilizuar ekonomikisht dhe politikisht si Bullgaria, apo Qipro dhe të zgjasë gjer në infinit bisedimet me Turqinë, për më tepër t’i quante protestuesit në Taksim, si liberalë e demokratë të vërtetë. Për çfarë kauze? Sepse ishin ambientalistë?! Apo sepse hodhën gurë dhe shanë qeverinë?!

Kuptohet afërmendsh se ajo që ndodhi në Egjipt ishte e mirëpritur për Evropën. Për ne që i mësojmë studentëve se çfarë është demokracia, mbase që sot e tutje do jetë pak e vështirë që t’i tregojmë më konkretisht se çfarë nuk është ajo. Nga sot demokracia është e barabartë me grushtin e shtetit. The Indipendent në po të njëjtin artikull ironizonte presidentin Obama, se e pati shumë të vështirë që prej buzëve të tij të shqiptonte fjalën “grusht shteti” kur ai u prononcua për herë të parë mbi ngjarjet në Egjipt.

Në fakt në vitin 2009 kur ai vizitoi Egjiptin, ndryshe nga çfarë tha dy ditë më parë kur heshtazi pranoi rrëzimin me dhunë të presidentit Morsi, pati deklaruar se:

“Rezistenca përmes dhunës dhe vrasjeve  është e gabuar dhe e pasuksesshme. Për  shekuj, zezakët në Amerikë kanë vuajtur  kamxhikimin dhe përuljen si skllevër që ishin, si dhe turpin e segregacionit. Por ata nuk i fituan të drejtat e tyre përmes dhunës. Ishte këmbëngulja e vazhdueshme për idealet e tyre. E njëjta histori mund të tregohet edhe për njerëzit e Afrikës dhe Azisë Jugore: me dhunë nuk shkohet  askund. Dhuna nuk është as shenjë kuraje dhe as pushteti. Nuk është trimëri të vrasësh me raketa foshnjat në gjumë, apo  të hedhësh në erë gratë nëpër autobusë. Autoriteti moral nuk fitohet përmes dhunës. Dhuna është dorëzim.”

Më së miri, se çfarë nuk është demokracia për evropianët dhe perëndimorët e tjerë e formuloi qartë kryeministri turk:

“Të organizosh grusht shteti ndaj një presidenti të zgjedhur nga populli me votë të lirë, në çdo vend të botës qoftë, është diçka e ligë dhe negative, prej të cilës nuk pritet asnjë e mirë. …në asnjë vend të botës nuk ka grusht shteti demokratik, apo grusht shteti pozitiv dhe të mirë. Dallimi mes puçizmit dhe demokracisë, është si dallimi mes jetës dhe vdekjes.”

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *