NetworkingEdison Ceraj

Duke harxhuar shumë kohë në Rrjet, bëhet e zakonshme të mendohet që identiteti ynë është i shkëmbyeshëm, që e vërteta dhe përnjëmendësia mund të përputhen, falsiteti mund të bëhet joshës. Në ekranin e pc-së, duke dialoguar me kë nuk na njeh, mund të paraqitemi si e kundërta e asaj që jemi dhe Rrjeti fillon e duket si një vend ku shumëllojshmëria është në vetvete një virtyt, në vend të një gënjeshtre. (…) Nëse bota na ofrohet, ne pushojmë së qeni në botë. Bëhemi konsumatorë të botës. Nëse pastaj bota vjen tek ne vetëm në formë imazhi, nëpërmjet një ekrani, çfarë konsumojmë është vetëm një fantazmë e botës. Çdo eksperiencë e bërë në Rrjet do të na duket një eksperiencë “e vërtetë”. E vërteta dhe gënjeshtra, vërtetësia dhe falsiteti tejkalohen nga miti i shumëllojshmërisë. Sasitë bëhen cilësi:

mundësia për të folur me një numër pafund personash, ysht handikapin e të qenit i vetmuar para një pc-je, mundësia për të konsultuar nëpërmjet kompjuterit enciklopedinë më të madhe të botës, të çliron nga detyrimi për të kërkuar gjetkë në mënyra të tjera, sepse, helbete, dihet që gjithçka mund të gjendet atje. (P. Landi)

Të gjithë jemi dëshmitarë se në kohën në të cilën jetojmë ndërveprimi dhe shkëmbimi ndërmjet njerëzve përmes mediumeve të ndryshme të komunikimit ka marrë trajtën e një orteku, i cili sa vjen e bëhet edhe më i papërballueshëm, por edhe përherë e më i parezistueshëm; sepse është psonisur me një delikatesë hipnotike si toka e kërkuar e “mundësive” të mëdha.

Një rast tipik në këtë drejtim janë të ashtuquajturat rrjete sociale, të cilat tanimë janë shndërruar në hartat më të përdorura të realitet.

Ajo që përjetojnë më shumë individët e varur prej këtyre hartave (mënyra e tyre operative për të hyrë e për të dalë në realitet) janë përvojat e panumërta kontradiktore. Me përvoja kontradiktore kuptojmë këtu tekste dhe imazhe nga më të ndryshmet përpara të cilave janë kryqëzuar këta individë, të cilët u ngjajnë tabelave të qitjes, duke pranuar të qenurit të hapur pa kushte për çdo gjë që mësyn drejt tyre.

Pas një citimi nga tekste si Bibla apo Kurani që mund të postojë dikush në të ashtuquajturin “mur” të tij në facebook, ku gjërat janë të destinuara të mbesin të varura, një tjetër poston një thënie të ndonjë tipi si Berluskoni për përvojat e tij me femra gjysmë-qumështore! Dikush tjetër citon nga Jul Cezari i Shakespeare, dhe nën të, hazërxhevap, tjetri poston një pasazh nga romani Hiri i vullkanit i Blendi Fevziut! Dikush mallkon veten a fatin me fjalë që mund t’ia kish zili edhe Bukowski, ose Andrea Stefani, ose ngulmëtari Ardian Ndreca, ndërsa një tjetër gazmendet me germa që përsëriten (“sa qeeeeef…” etj.) për kafenë që i kish shijuar së toku me mikun e tij më të mirë: qenin! Një tjetër poston fotografitë e fëmijëve të tij/saj duke mundur përbrenda edhe frikën nga marrja mësysh (që besohet në veçanti edhe nga ata që nuk besojnë në veçanti), ndërsa një tjetër shfaq fotografi fëmijësh të masakruar në Palestinë apo në Siri! Dikush poston mënyrën se si një lutje mund të gjejë pranim në Qiell, kurse një tjetër poston pesë ose dhjetë mënyra se si mund të arrihet një orgazëm sa më e gjatë!

Kësi gjërash e pafund të tjera të kësaj natyre gjen rëndom në çdo rrjet social. Vetëm duke i përshkruar shkurtimisht me fjalë, siç bëmë më lart, shkaktojnë pështjellimin e tyre (për ata që nuk u është regjur lëkura), e jo më pastaj duke i shfletuar përditë të konkretizuara me fjalë, zë e imazh.

Duke qenë se “çdo eksperiencë e bërë në Rrjet do të na duket një eksperiencë “e vërtetë” (P. Landi), humbet statusin e vet si e vërteta ashtu edhe e pavërteta; si e shenjta, ashtu edhe e pashenjta; si e bukura, ashtu edhe e shëmtuara; si miku, ashtu edhe armiku e kështu me radhë. Pra, “e vërteta dhe gënjeshtra, vërtetësia dhe falsiteti tejkalohen nga miti i shumëllojshmërisë” (P. Landi), dhe sasia bëhet e vetmja cilësi që na mbërthen paq.

Një nga pasojat më të rënda që përkrahet theksueshëm nga fenomeni për të cilin po bëjmë fjalë, e që kërkon doemos qëndrim nga ne, është se “ai që shpërfaqet më i ulët gjykon atë që shpërfaqet më i lartë, padituria i vendos kufijtë diturisë, e pavërteta përkufizon dhe përqarkëson të vërtetën, njerëzakja i zapton vendin hyjnores, e dheshmja mbisundon qielloren, individi kthehet në përmasë të gjithçkaje, duke mëtuar që t’i diktojë gjithësisë ligjësi të sajuara përmes arsyes së tij të luhatshme, relativiste dhe të thërrmueshme. “Mjerë ju, o udhërrëfyes të verbër!”, tingëllon fshikullueshëm një thënie ungjillore. (R. Guénon)

Kështu pra, për rrjedhojë, shkërmoqet te qenia domosdoshmëria e të dalluarit të gjërave, dhe të qenurit pezull është e vetmja gjendja që të shtrëngon gjithnjë e më fort.

Në kohët tona vërejmë poshtë e lart një mizëri të verbërish, të cilët, nëse nuk u presim hovin në kohë, do të na udhëheqin drejt humnerës si drejt një përfundimi të pashmangshëm. (R. Guénon)

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *