D. Dani*

stile-di-scritturaGjallëria e debateve mbi rishikimin e standardit të shqipes, që për habi rrugëtojnë në kah të kundërt me kërkesat për daljen nga ngurtësia e shkencës së historisë, ku, këtu, rishkrues dhe jo të standardit i gjen në të njëjtin koalicion konservimi, dëshmon vazhdimisht – fatkeqësisht jo në formën e diskutimeve – sa traditën e polarizimit të shoqërisë shqiptare, duke filluar pikësëpari nga elitat, siç ndodhi këto ditë në faqet e gazetës Mapo, aq edhe ekzistencën e problemit të pazgjidhur të gjuhës. Duhet thënë se shqipja standarde bart tre stereotipa “biografik”: imazhi, real ose jo, i konsolidimit të imponuar në vitet e regjimit; ndjesia e mosfunksionimit, megjithëse, paradoksalisht, u masivizua nga regjimi; origjina e saj jugore, që, si stereotip, ushqen plagën e vjetër kombëtare të lumit Shkumbin. Për aq kohë sa do të ekzistojë konceptimi i shqipes në këtë mënyrë rrjedhimisht nuk do të shterrin as debatet. Nuk e mohoj që këto tre “njolla biografike” të shqipes janë fakte, por qasja ndaj tyre i ka shndërruar në stigma, dy të parat dirkte dhe e treta gjarpëruese. Që të tre dolën serish në pah në replikat ndaj gjuhëtarit Rami Memushaj.

Pohimet «shkollat komuniste», «katedrat e partisë», «komunizmi ideologjik i ka ende rrënjët e thella», «komunizmi ka punuar seriozisht, njeriut të ri ideologjik», «nuk paskësh qenë gjuha e popullit», që janë dekori i artikullit Rilindja e “shkërbejve” të dom Gjegj Metës, kanë hijen e anatemave ndaj çdo produkti të laboratorëve të atij regjimi të urryer, përfshi këtu edhe gjuhën, dhe nënvizojnë me ngulm çështjet e standardizimit dhe të masivizimit, të cilat vërehen edhe në shkrime/replikat e mëvonshme të Primo Shllakut dhe të dom Marian Palokës. Teksa shkruan se «vërteta e historisë dhe e gjuhës është një kauzë pa zgjidhjen e së cilës […] nuk mund të ketë paqe e pajtim kombëtar» dom Gjergji prek çështjen e tretë, atë të frakturës kombëtare, që, sipas tij, vjen (edhe) nga karakteri jugor i gjuhës standarde: pra, gjuha e sotme shqipe nuk na bashkon, por, përkundrazi, thekson ndasinë vjetër të Shkumbinit, pikërisht nga burimi i saj toskë.

E njëjta logjikë lexohet në reagimin e dom Marianit: rishikimi i standardit, shkruan ai, «duhet shtruar për dashuri të atyre fëmijëve shqiptarë që, të penguar nga ngushtësia e horizontit të “standardit” që u jepet në shkolla, nuk pajisen me mjetin gjuhësor të domosdoshëm për t’u ushqyer tek gurra e eposit të veriut, tek përrallat kombëtare, tek thesari i revistave kulturore të Shkodrës së fillimshekullit XX, tek përshkrimi i dokeve e zakoneve të mbledhura me mund e me djersë». Kur vjen puna pastaj për ndonjë alternativë të zgjidhjes së ngërçit, çështja bëhet komplekse dhe nuk mendoj se mund të zgjidhet me frymën herderiane dhe romantike sipas së cilës «bashkimi kombëtar gjendet në shpirtin e gjuhës e jo në germën e saj», pasi gjuha është prekshme nga shqisat më shumë se shpirti, e si e tillë kërkon fizicitet i cili shprehet nga standardizimi. Nuk besoj që për t’i bërë të kuptueshme për nxënësin modern Chanson de Roland, La divina commedia apo, në shtëpinë tonë, letërsinë e bejtexhinjve, francezë, italianë dhe shqiptarë duhet të rishikojnë standardet përkatëse.

Thelbi, mendoj, qëndron tek vetë koncepti i standardizimit, që nënkupton procesin e përcaktimit dhe shndërrimit në normë të njësuar. Jo më kot zëri standard në fjalorin shqip shpjegohet si «send i përgatitur me përmasa, trajtë e cilësi të caktuara». Detyrimisht standardi është e vetmja uniformë e pranuar, e ngushtë ose e shëmtuar, që «përgatitet» në një laborator dhe përhapet me ose pa dëshirën e konsumatorit. Noam Chomsky, përdor shprehjen (sipas tij) e Max Weinreich, «gjuha është një dialekt me ushtri dhe marinë [pas krahëve]», pikërisht si përkufizim metaforik i gjuhës standarde dhe i përhapjes së saj. Me fjalë të tjera, standardizimi, i ndërmarrë nga komunizmi, që në mekanizmat e imponimit noton natyrshëm në ujërat e tij, apo nga sistemi më demokratik ekzistues, do të jetë gjithmonë një proces sheshimi i diversitetit, e për rrjedhojë nuk ka shumë logjikë mënjanimi i një uniforme gjuhësore me pretekstin se kjo është produkt i një regjimi, kur çdo uniformë është «e përgatitur» dhe e imponuar. Paradigma vlen edhe për modelin nga ku pretendohet reforma e shqipes standarde, që thjesht duke huazuar përcaktimin «gegërishte», siç vërehet qartë në reagimet kundër Memushajt, ka bërë një hap të sigurt drejt sheshimit të shumëllojshmërisë të folmeve nga Shkumbini në Tivar, Mitrovicë, Preshevë dhe Dibër e Madhe. Natyrisht, ‘shkodranishtja letrare’ është e lëvruar, por ky është justifikim i brishtë që rrezikon të kthehet në bumerang në një të ardhme kur dikush do të ndjehet i legjitimuar të pretendojë ri-reformimin gjuhësor sipas standardit të një elite specifike, e kështu me radhë çdo rreth elitar që ka vendosur të identifikohet në një të folme. Shtojmë këtu edhe justifikimin tjetër:  jemi të përçarë dhe nuk ndjehemi të përfaqësuar. A nuk kanë të drejtë diversitetet e këtij rajoni të kërkojnë respektin e të folmeve të tyre?

Uniforma gjuhësore, si shumë të tjera, është mjet bashkimi dhe mbijetese të organizuar. Qasja e dy klerikëve hyn në kontradiktë me vetë traditën e institucionit që ato përfaqësojnë. Pa dyshim Kisha, ashtu si shumë institucione dhe besime të tjera fetare, ka meritën e standardizimeve të shumta gjatë historisë dymijë vjeçare, që kanë veshur me petkun e njësuar botëkuptime, sjellje, modele jetese, etj., të masave të tëra njerëzore. Por Kisha ka edhe një meritë tjetër të veçante, ndryshueshmërinë. Në Koncilin e II të Vatikanit u vendos braktisja e gjuhës së vdekur latine nga përdorimi liturgjik, me gjithë bagazhin e saj të jashtëzakonshëm kulturor në nivel global, dhe ky është shembull i mirë i ndryshimit të standardit, të ngurtësuar me Kundëreformën në kurriz të standardeve të atëhershme vulgare.

1352446519_screenNga njëra anë tek ne po kërkohet ndryshimi, por, nga ana tjetër, mundësimi i procesit të «paqes kombëtare», siç e quan dom Gjergji, i atribuohet shkodranishtes letrare, një varianti të vdekur që nuk përdoret as në Shkodër. Të mendosh pastaj që dom Gjergji i referohet justifikimit se gjuha e njësuar «nuk paskësh qenë gjuha e popullit, por e një pakice njerëzish». Kjo pakicë është gjithsesi shumë më e madhe se ajo pakica që përdor shkodranishten – dhe jo gegërishten – letrare, dhe shumë thjesht mund të verifikohet në Shkodër ku, minimumi, diftongu ue nuk ekziston, madje përdorimi i tij është mjet margjinalizimi.

Në reagimin e dom Marianit jepen disa emra intelektualësh dhe lëvruesish të shquar të shkodranishtes letrare ndër të cilët, përveç autorit, po evidentoj dy breza të ndryshëm, Gjergj Fishta dhe Ardian Ndreca, pa pretendimin e krahasimeve të detajuara. Tek parathënia e Kanuni i Lekë Dukagjinit – aty shkruhet ‘para-thâne’, ndryshe nga forma ‘mbas-thanje’, që përdor dom Mariani – Fishta i përdor disa fjalë në këtë formë: neper, i cilli, komi, kjart, çashtje, sypri, t’ona, qi, etj.; tek Ndreca të njëjtat fjalë i gjejmë në formën: nëpër, i cili, kombi, qartë, çështje, sipër, tona, , etj.; ndërsa Paloka, që afrohet më tepër me Ndrecën, injekton tek shkodranishtja letrare risinë «ka qenë» në vend të «ká kênë», dhe e përsërit në dy kalime të tjera, «tue qene», «me qene», por kësaj here ë-ja fundore është transformuar në e.

Së paku le të pranojmë që standardi i Fishtës ndryshon nga ai i sotmi i cili kërkon të justifikohet me Fishtën. Kur nuk ka përputhje në standardin e tre përdoruesve të këtij rangu, ku, madje, i pari është themeli i variantit letrar dhe i dyti e promovon gjerësisht (variantin e tij), shtrohet pyetja, cili është mjeti gjuhësor që duhet t’u japim fëmijëve shqiptarë? Parimi i dom Marianit se ai «thjesht shkruen shqip» vlen për fundin e shek. XIX kur kishte uri për germat e shqipes, pa dallime krahinore.

Natyrisht, nuk i mohoj shkodranishtes letrare ëmbëlsinë dhe magjinë e mundësuar nga mjeshtëria e lëvruesve të saj, ashtu siç nuk mohohet domosdoshmëria e ndërhyrjeve tek shqipja standarde. Mirëpo kjo nuk nënkupton imponimin e një standardi të dyfishtë, ose self-service, në të cilin, për më tepër, vlera e modelit rishikues qëndron tek nostalgjia e lavdisë së kaluar më shumë se sa tek përdorimi i tij masiv, pa anashkaluar se ky model ndryshon nga një përdorues në tjetrin.

*dialektfolës që preferon gjeometrinë e shkrimit të gjuhës së njësuar

 

Comments

  • Ne reagimin e sotem ndaj Memushajt, Ardian Ndrecea shkruan se «komunist apo fashist të ban mendësia dogmatike, provinciale, demagogjia, kultura që mohon dialogun dhe rrahjen e mendimeve, ekskluzivizmi, arroganca, këto janë tiparet që nji komunist mund t’i shpalosin në kushtet e sotme», duke i ofruar lexuesit edhe përkufizimin e komunistit modern.

    1. Mekati i arrogances. Ne te njëjtin artikull Ndrcea i drejtohet profesorit me qasje biografike: «kur ishte mes maleve, në vendlindjen e tij Kallarat, apo kur piqej si mësues katundi në Vranisht, Vajzë, Bolenë e Llakatund, por siç rezulton prej biografisë së tij në internet». Ky flet sikur te jesh nga malet eshte krim dhe kategori e dyte, sikur te jesh mesues katundi, sic qe dom Ndre Mjeda, te cilin e syrgjynosen nga katedrat e Krakovise ne Vig te Mirdites, do te thote qe nuk ke vlera. Arroganca qe tregoi ne repliken ndaj Armirit ishte e pashoq dhe e vyer.

    2. Mekati i mos-rrahjes se mendimeve. Ja si i “rrah mendimet” profesor Ndreca: «E pra Schmitt-i mëton me shkrue historinë tonë pa e njohtë gjuhën shqipe, as aq sa mjafton me kuptue nji libër historie. Të tillë historianë që injorojnë gjuhën e vendit për të cilin shkruejn kemi disa këto kohët e fundit. Nji sish asht edhe Nathalie Clayer, me sa kemi lexue nji inxhiniere gjeologe e specializueme në orientalistikë që tek ne ka gjetë do sponsorë që janë mësue me shitë dushk për gogla».

    3. Mekati i provincializmit. Nje person qe shkruan ne dialekt nuk besoj se ka te drejte te gjykoje te tjeret per provincializem.

    4. Mekati i demagogjise. Po i rikthehem Mjedes. Ai ishte nje nder kleriket shqiptar te fundshekullit te XIX me te shkolluar. Perfundoi mesues ne Vig dhe famullitar ne Kukel. I gjeni dot keto vende ne google map? Sepse keshtu u vendos nga “Komandantet” e kleri, ndersa ca fshatare te tjere te mevonshem drejtonin Hyllin e Drites. Te akuzosh regjimin e Enver Hoxhes per despotizem dhe te mos shikosh ne shtepine tende, se paku, eshte demagogji.

    5. Mekati i mendesise dogmatike. Dogmatizmi eshte me i natyrshem tek besimtari, dhe Ndreca nuk eshte laik. Dogmatizmi pengon kritiken, menjanon dyshimin. Ne qasjen qe Ndreca ka ndaj historise shqiptare, ndaj klerit katolik, ndaj fese islame dhe pretendimit te simbiozes me komunizmin, eshte teresisht statik ne disa themele ideologjike, i pandryshueshem, i ngurrte dhe paragjykues. Ka nje pafundesi artikujsh qe ia vertetojne kete.

    6. Mekati i ekskluzivizmit. Nje person qe mendon se tjetri nuk ka vlere vetem e vetm se ka punuar mesues ne fshat, nuk e di se çfare koncepti ka per ekskluzivizmin.

    Ne konkluzion, duke u nisur nga përkufizimi i tij i mesiperm, duke përjashtuar mundesine e pasioneve komuniste tek Ndreca, ngelet vetem fashizmi.
    Ky do te rishikoje gjuhen shqipe. Ky te ben moralistin. Ky eshte zeri i klerit katolik ne Shqiperi permes revistave.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *