Lartësia e Skënderbeut*





Doan Dani

 

600-Gilgamesh 1«Shtati i tij i lartë dhe i hedhur, krahët që s’ishin parë më të bukura te njeri; qafa e fuqishme dhe e përkulur, si e atletëve;  gjerësia e supeve e admirueshme; ngjyra e bardhë si e derdhur në të kuq të padukshëm; shikimi i syve as i egër, as i fjetur, por shumë i këndshëm. Këto ia rritnin shumë virtytet dhe dukeshin se ia shtonin mirësinë shpirtërore». Ky është përshkrimi sintetik i pamjes së Skënderbeut nga kronisti Barleti, që sipas historianit Kristo Frashëri, «në thelb», qëndron. Gjithmonë sipas Frashërit, i cili citon Dhimitër Frëngun, «ai hante shumë pak dhe i mjaftonin pesë orë gjumë; duronte vapën dhe acarin; flinte përdhe mbi qilim», «me një të rënë» mund t’ia këpuste «kokën një bualli të egërsuar».

Nuk ndryshon shumë imagjinata “empirike” e Kasem Biçokut, Skënderbeu i të cilit «kishte mendjemprehtësi të veçantë, zotëronte disa gjuhë të huaja […] ishte shtatlartë, shpatullgjerë e shumë i fuqishëm». Kush është referenca? E kush tjetër përveçse Barleti? Heroi i Abaz Ermenjit, në veprën Vendi që zë Skënderbeu në historinë Shqiptare, është «i gjatë, i zhdërvjelltë, […] i fortë […], me trajtat e një atleti të përsosur, i bukur, fisnik e madhështor». Petrika Thëngjilli në studimin më të fundit Skënderbeu: arritje mangësi, pikëpamje të ndryshme, pohon se «të gjithë studiuesit kanë të njëjtin mendimin mbi shtatin rreth 2 m, kurse trupin prej atleti». Pastaj, se kush janë këta «të gjithë», sa i bazuar është konkluzioni «rreth 2 m», ngelet mister, pasi vetëm dy (Valentini, Frashëri) nga ata që citon historiani japin një rezultat me shifra, «gjithë» të tjerët përcjellin metafora kronikash, e fatmirësisht nuk janë turq (osmanë) se nga përshkrimet do t’i kishin quajtur perversë.

Duke përjashtuar disa të dhëna të tjera endemike, plot epitete dhe metafora, Frashëri dhe «të tjerë», e portretizojnë heroin nga informacione fragmentare, të pavërtetueshme dhe thellësisht “oborrtare”. Nëse i referohemi Eposit të Gilgameshit, që i paraprin fantazisë homerike me 1.500 vite, vërejmë mjaft analogji në përshkrimet psiko-fizike: «Kur hyjnitë krijuan Gilgameshin i dhanë atij një trup perfekt. I lavdishmi Shamash i dhuroi bukurinë; Adadi, hyji i stuhive, i dhuroi trimërinë; hyjnitë e tjerë ia perfeksionuan bukurinë mbi çdokënd. […] Askush nuk e ka mundur, ai është i fuqishëm si një yll qiellor.[…] Trupi i tij është perfekt në çdo formë; ai nuk pushon kurrë». Megjithëse Gilgameshi jetoi në një kontekst historik, tentativa për t’i shndërruar këto fjali në fakte historike do të ishte tepër e guximshme.

Tek fjalori i gjuhës shqipe (1980) zëri madhështoj shpjegohet përmes shembullit letrar, «Naimi e madhështoi figurën e Skënderbeut», duke iu referuar vlerave dhe jo përmasave. Përtej metaforave dhe epiteteve, në periudhën enveriste janë bërë përpjekje për t’i dhënë heroit madhësi edhe në përmasa, natyrisht, në përputhje me vlerat, sipas motos “mendja e ndritur në trup të madh”, megjithëse studimet dhe interpretimet e dy dekadave të fundit nuk dëshmojnë ndonjë evolucion nga ideja e imagjinatës së fizicitetit të heroit të shkëputur nga veprimtaria e tij, pra madhështia dhe madhësia vazhdojnë përputhjen tek portreti historik i Skënderbeut: meqenëse vepra e tij ishte madhështore, i tillë duhet të ketë qenë edhe në trup. Kinematografia, letërsia, piktura dhe skulptura e kanë shndërruar me kohë këtë ekuacion në imagjinatë kolektive. A mund të mungonte historiografia?

Në artikujt Letrat e Skënderbeut (1986) dhe Për mbrojtjen e atdheut (1987), të integruar më pas në vëllimin III të Studime për epokën e Skënderbeut (1989) dhe në monografinë Skënderbeu: jeta dhe vepra (2002), Frashëri këmbëngul në përfundimin se «Skënderbeu duhet të këtë qenë rreth 2 metra i lartë». Kësaj here nuk janë përshkrimet barletiane, por një dokument i vitit 1457 që e shtyn historianin e shquar në këtë konkluzion. Fragmenti i dokumentit ku bazohet historiani, në të cilin Skënderbeu ngarkon Gjergj Pelinin me një mision diplomatik dhe, ndër të tjera, i kërkon tërheqjen e cohës së premtuar, është ky: «Fol edhe për cohën që më kanë premtuar […]. Mbasi thonë se mua më duhen 16 kut cohë për dy palë petka, ata zotërinj le ta shqyrtojnë vetë sa cohë duhet për ato dy palë petka dhe të më japin aq sa ta shohin të arsyeshme së unë mund të kem nevojë». Në përgjigje, Senati venedikas i dërgon 18 e jo 16 kut stof skarlat.

Përllogaritja që e shtyn Frashërin në konkluzionin 2 metra ndërthur masën e kutit venedikas, që sipas historianit «ishte 58 centimetra», 9 kutet për një veshje të kërkuar nga heroi dhe gjatësinë mesatare të njeriut mesjetar, e cila, gjithmonë sipas historianit, ishte «1.70 deri 1.75 metra». «Kjo do të thotë se për heroin tonë» – pohon Frashëri – «duheshin 30 centimetra më tepër»: me logjikën që për njeriun e zakonshëm nevojiteshin 464 cm, ndërsa për Skënderbeun 522 cm stof.

Në këtë konkluzion arrin edhe studiuesi Musa Ahmeti, ai që deklaroi zbulimin, me sa duket të mbetur në tentativë, të një dorëshkrimi të Teodor Shkodranit. Edhe Ahmeti merr në shqyrtim të njëjtin dokument, duke e botuar në gjuhën origjinale, por e përforcon tezën e tij me një tjetër dokument, që, megjithëse i deklaruar si zbulim, e boton vetëm të përkthyer. Në dokumentin e dytë, që mban datën 1467, autori, Luigi Machiavelli (një piktor), sipas Ahmetit pohon se «lartësia e tij [Skënderbeut] është 1.98 m».

Duhet pranuar që dy autorët imitojnë pa as më të voglën kritikë analizën e Giuseppe (Zef) Valentinit të botuar në revistën «Shejzat» që në vitin 1971. Edhe përkthimi i dokumentit është i Valentinit. Sidoqoftë, në këto konkluzione nuk shkojnë shumë gjëra.images (1)

Së pari, tentohet të saktësohet gjatësia e një personi, deri në centimetra, duke u nisur nga rrobat, e kështu, përse jo, mund të fantazohet: “më thuaj me kë rri, të tregoj sa je i/e lartë”. Është njëlloj sikur të shtrohet kjo problemë e thjesht: unë kam blerë (realisht) 6 m cohë për t’i bërë veturës (time) një mbulesë: sa është gjatësia e veturës? Përfundimet janë të shumta dhe, me këto të dhëna, vetëm rastësia mund të shpie tek konkluzioni i saktë, që ndodhet në dokumentet përkatëse të mjetit, 425 cm.

Në vitet që jetoi Skënderbeu për një veshje femërore në Firence nevojiteshin 14 kute stof; për një çarçaf nevojiteshin 12 kute; për një kapele fiorentine të quajtur cappuccio duheshin deri 15 kute. Këto ishin pjesë e gardërobës të një personi të zakonshëm, brenda 175 cm të sipërcituar. Në të kundërt, kur Skënderbeu, të cilit i nevojiteshin 9 kute për një veshje, arrinte gjatësinë 2 metra, e kam të vështirë të mendoj gjatësinë e një personi që vetëm kapela i merrte 15 kute.

Shpjegimi është i thjesht: është çështje preference (mode) e jo përmase, dhe preferencat varen nga momenti, personi, mundësia ekonomike, rajoni, ndikimet, artizani. Ne, për fat të keq, nuk njohim thuajse asgjë nga jeta personale e heroit: kjo nuk justifikon faktin që duhet të sajojmë apo të spekulojmë mbi disa metafora kronikash dhe fragmente të paqarta dokumentare. Mendoj se asnjeri, i nisur nga një larim i pallatit të Sargonit II të ruajtur në Louvre, beson që përmasat e Gilgameshit ishin të atilla sa ai të shtrëngonte në kraharor me krahun e majtë një luan mashkull të rritur, siç bën në këtë fragment monumenti.

Së dyti, nga rrafshi konceptual, problemi zhvendoset tek mekanizmi i përllogaritjes. Njësia matëse venedikase, il braccio, apo kuti, konkretisht për stofin, sipas të dhënave të kohës dhe studimeve më të fundit, ishte jo 58 cm, por 68 cm. Kjo përmbys përfundimin e 2 metrave sepse çdo kut i shton sasisë përfundimtare nga 10 cm, që do të thotë se në qoftë se Skënderbeu me 522 cm stof ishte i lartë rreth 2 m, njeriu i zakonshëm mesjetar, me 544 cm stof për veshje, e kalon lartësinë dymetroshe të Skënderbeut, kurse ky i fundit i afrohet 2,4 metrave lartësi.

Nuk përjashtohet mundësia që vërtet heroi të kishte këtë përmasë, megjithëse asnjë medievist nuk do ta pranonte kurrë, pasi mungojnë dokumentet, se njeriu i shek. XV ishte rreth 2 m i lartë, por sidoqoftë mekanizmi i përllogaritjes krijon hapësira të tilla interpretimi grotesk. Kjo kuptohet më mirë nga logjika e Ahmetit. Sikur të mos mjaftonte, ai  arrin në konkluzionin e 198 cm me një kut prej 79 cm, pra akoma 10 cm më tepër se Valentini – tek i cili ka huazuar përfundimin në fjalë – dhe Frashëri. Duke ndjekur “makinën llogaritëse” të këtyre dy autorëve, e kështu ka tentuar të bëjë Ahmeti, me një kut prej 79 cm Skënderbeu shkon në 2,7-2,8 m lartësi – por jo në 198 cm. Një shifër dhe llogaritje absurde. Me fjalë të tjera, Ahmeti ka huazuar ekuacionin, ka ndryshuar të dhënat, por rezultati i del i njëjtë me paraardhësit!

Së treti, analiza që bën Ahmeti ka disa “parregullsi”. Në fillim, duhet thënë që koincidenca e përfundimit të ekuacionit të çuditshëm me 198 cm e deklaruar nga piktori Machiavelli është aq perfekte sa nuk mund të mos ngjallte dyshime. Ahmeti limitohet tek përkthimi dhe njësinë matëse e jep me centimetra. Tani, sistemi metrik decimal është dekretuar fillimisht në Francën revolucionare, pas punimeve të komisionit të drejtuar nga Joseph Louis (Luigi) Lagrange: nëse piktori përdor centimetrat në matjen e Skënderbeut, më shumë se sa lartësia e heroit, këtu është zbuluar një dokument i cili vërteton sistemin metrik decimal që në shek. XV (!).

Një problem më vete është përkthimi i Ahmetit. Fragmentin origjinal «perche dixeno che me po esser de braza 16 de veste» ai e shqipëron «pasiqë, sipas pohimit të tyre, nuk më mjaftojnë 16 kutë», ndërsa duhet «sepse thonë se më mjaftojnë 16 kute». Pjesa «nuk më mjaftojnë» është shtuar nga Ahmeti për ta nënvizuar faktin që heroit nuk i mjaftonin 16 kute, duke e transformuar rrënjësisht dokumentin. Ahmeti është bashkëpërkthyes i Illirycum Sacrum dhe Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të katedrales së Drishtit. Nëse ky është përkthimi, madje i vlerësuar me çmim (libri Statutet dhe urdhëresat), të mjerët ne.

Loja me përmasat dëshmon edhe një herë varësinë e historiografisë sonë nga kulti i heroit: një hero duhet të jetë domosdoshmërish i denjë, apo në lartësinë e duhur, edhe fizikisht, ndryshe nga mediokriteti i «njeriut të zakonshëm» prej 175 cm. Akoma sot e studiojmë Skënderbeun si hero e jo si njeri. Natyrisht që një qasje e tillë e mban peng kërkimin shkencor si shpata e Damokliut dhe nuk është për t’u çuditur nëse firmosen peticione që pretendojnë paprekshmërinë e kësaj historiografie.

 

*Titulli origjinal është ‘Madhështia dhe madhësia e heroit’  

 

Comments

  • Ju si faqe asht ma mire me u marre me fe sesa me u marr me gjana politike. Cfare ju ka ba ju kulti i heroit tone kombetar, une nuk po ju kuptoj. A jeni shqiptar a cka jeni? Pse botoni n’kte faqe shkrime pa asnji vlere. Ku ka randesi sa i gjate apo i shkurte ka kene, randesi ka se cfare ka dhane e cfare ka ba per popullin e vet, e ai ka ba shume. Asht heroi i tane shqiptarve.

    • Po, vertete, ti mund ta kesh edhe zot, eshte liri individuale, por historia si shkence nuk ka vend per njerez te shnderruar ne hyjni.
      E meqenese, sic thua vete, vlen vepra e heroit, perse historianet merren me lartesine?

      Por, me mire keshtu, pasi nuk kemi me cfare te argetohemi.

      Se dyti, historia e Skenderbeut nuk eshte ceshtje politike, ose, nder te tjera, eshte edhe politike.

  • Ne nuk jemi nje faqe fetare dhe nuk merremi mirefillti me diskutime fetare. Ne mbrojme fene tone, ashtu sic mbrojme te verteten dhe cdo fe tjeter, nese cenohet me pa te drejte.
    Ne lidhje me heroin, ne nuk kemi asgje kunder tij. Ajo se ciles ne i kundervihemi eshte perdorimi politik i figures se heroit, per te nxjerre perfitime kundra njeri-tjetrit. Ne na intereson qe te vertetat historike te shihen me objektivitet, sepse cdo lloj mitizimi perben erresim te mendjeve te shqiptareve.
    Per te kuptuar arsyen pse ne merremi me heroin, pyetja qe shtrohet eshte, po ty c’te intereson nese heroi nuk ka qene i gjate, dhe pse shqetesohesh nese ne pohojme abuzimet e historianeve me gjatesine e heroit?

  • Une jam shume dakord me shkrimet tuaja per politikanet dhe per gabimet e popullit sidomos ne Shqiperi, por nuk jam dakord per komentet qesharake ndaj Skenderbeut, une dua te cilesoj se Skenderbeu per cdo qeveri, per cdo parti, per cdo politikan,per cdo shkrimetare, artist, poet, per cdo intelektual, per cdo Shqipetare ne trojet Shqipetare dhe emigracion, ne Europe e ne Amerike Skenderbeu eshte pasuria me e madhe kulturale shqipetare i te gjitha koherave dhe eshte i pa arritshem sepse kemi arritur te gjykojme se Skenderbeu ka merituar edhe me shume qe te ishte si heroi me i madh edhe Europian per vlerat e tije shume te medha qe ka treguar jo vetem per kombin Shqipetare por ne pergjithesi per Europen, shume luftera qe ai ka bere per te cliruar edhe popujt e tjere te Europes nga Turqit nuk jane publikuar ne menyre te dukshme por jane disi te fsheheta sepse e dinin mire se Skenderbeu ishte shqipetare e donin ta vidhnin te gjithe Europa si hero, fati yne ka qene qe pervec historise, letrave, librave, materialeve te ndyshme ka qene kemi gjalle Arbereshet ne Itali sepse per politiken Shqipetare qe kemi pasur e kemi na e kishin shitur Skenderbeun per leke, une mendoj qe eshte e domosdoshme qe te rregullohet me kushtetute si ne te gjitha vendet Europiane mbrojtja e kombit dhe e herojeve kombetare legjendare !!

    • Jo, jo Gjergj, i vetmi koment talles deri tani, mbase eshte ai per rrobat e lageta te Ataturkut ketu (ne qofte se quhet kjo tallje, eshte tallje me ata qe duan t’ia rrisin centimetrat pas vdekjes Ataturkut, a thua se vlerat e njerezve maten me centimetra). Nuk me duket se po tallet njeri me Skenderbeun. Sa per zoterine historian qe ka shkruar artikullin me siper, ai po merret me koleget e vet qe shkruajne per Skenderbeun, jo me Skenderbeun vete.

      Te thuash se Skenderbeu ka qene ne pamje nje njeri i zakonshem, thjesht i ben nder me shume Skenderbeut, por edhe gjithe njerezve ‘te zakonshem’, se tregon faktin se gjithkush mund te jete trim apo hero. Heroin e ben zemra, jo muskujt. Shko e futu ne nje palester ku te duash sot, e shihi muskulozet e sotem me tatuazhe, si bejen gara me grate kush ta ngreje me shume pesha. Nuk e di sa heronj mund te jene keta, pse kane muskuj dhe kane shtat me te larte, si pasoje e ndryshimit te menuse ushqimore. Sot hane njerezit me mire se ne kohe te Skenderbeut. Ka edhe farmaci ku shiten ilace cudiberese qe ta trashin qafen, po sa para ben.

      Kush tallet me Skenderbeun, Ataturkun, Adem Jasharin, apo ne pergjithesi me gjithe ata burra qe kane luftuar si burra, e ka gabim, dhe duhet t’i vije turp. Turpi eshte dyfish kur tallen trimat qe kane vdekur. Njeriu respekton edhe armikun kur eshte trim.

      Kurse te gjithe lepurushet qe fshihen pas trimave te vdekur, dhe bertasin per te trembur te gjallet, keta duhet tallur shume fort. Lepurushet kane nevoje per heronje sa me te medhenj, qe te fshihen sa me mire pas tyre.

  • Me Skenderbeun tallen ata qe i thurin protrete romantike, a thua se po flasin per nje yll kinemaje. Me Skenderbeun tallen ata qe duke dash t’a perdorin per interesa fetare, perpiqen ta rrethojne me tela me gjmba e rryme elektrike, qe te mos i afrohet askush. Keta jane edhe ata qe po tallen me shume se te gjithe me kombin shqiptar, duke u mundu me prodhu nje komb racist, idiot e histerik, qe merr yxhym si tifozet ne stadium, vetem per budalleqe retorike.
    Patriotet e vertete nuk vjellin vrere, si keta pseudonacionalistet kryqtare.

  • Duhet bere dallimi mes ‘talljes’ dhe ‘ironise’ se komenteve, por me teper nevojitet nje kendveshtrim tjeter.

    Konkretisht, tallja – e jo ironia – po behet me shqiptaret prej disa dekadash, duke i bindur se Skenderbeu ishte dicka me shume se njeri e si i tille figura e tij eshte e paprekshme. Mirepo perpara stadit te paprekshmerise, dikush e ka nderuar imazhin qe sot ne bartim per heroin. Dhe keta ndertues jane kryesisht historian. Ne momentin qe ndertimi ka difekte, madje groteske, edhe vete imazhi i paprekshem behet i brishte. Shtojme faktin qe nuk mund te quajme perfundimtar nje pershkrim historik kur kjo shkence evoluon.

    Tallja behet me shqiptaret, sepse eshte ngritur ne nivel shkrimesh te shenjta nje histori e shkrua gjate regjimeve ose nen influencen e ideologjive. Tallese eshte t’i mesosh femijeve ne shkolle qe heroi ishte 2 metra i larte, ne nje kohe qe nuk kemi asnje dokument vertetues.
    Tallese, per mua, eshte konsiderata e argumenteve te mesiperme, te manipuluara, si fakte historike nga te cilat, pastaj, krijohet ideja mbi heroin.
    Tani, keto pavertetesi do t’i mbrojme me kushtetute?

  • ROBËRIMI DHE KTHIMI I SKËNDERBEUT SIPAS LEGJENDAVE POPULLORE

    Perceptimet popullore mbi Heroin Kombëtar të mbledhura nga studiuesi Dhosi Liperi shumë dekada më parë dhe krahasimi i tyre me faktet e nxjerra nga burimet historike. Si ndodhi robëria dhe rikthimi, nga doli stema…

    MITOLOGJIA SKËNDERIANE

    Ngjarja – Komandanti i ushtrisë turke lajmëroi Sulltanin se nandë vocat e Xhon Kastriotit i preva e ka met sall nji voc, ma i vogëli. Sulltani dha urdhën: Ma bini kha. Edhe ja çuen ku ka qanë m’at’ kohë Sulltani

    Kthimi – Prindërit i dërgojnë një letër Skënderbeut në Turqi, duke përdorur për korrier një lypës. Letra shkruante: “Të kërkon veni kha, prandaj të vijsh në Shqipné”. E Skënderi erth në Shqipné e ja shkei Turqies

    Stema – Skëndërbeu, me qëllim që t’i friksonte Turqit, mblodhi një tufë të madhe me dhi dhe në brirët e çdo dhije vuri nga një qiri të ndezur dhe i lëshoi natën nga mali në drejtim të Turqëve, që ishin në buzë të detit

    DHOSI LIPERI

    (1897 – 1968)

    Skëndërbeu simbas legjendavet ka qënë sak në Turqi, i marrë peng prej Sulltanit, bashkë me të vëllezërit. Sulltani si e pa këtë që ishte i vogël dhe shumë i shkathët e i squët, nuk e prishi si të vëllezërit, po e futi në shkollë dhe e mësoi dhe e rriti si djalin e tij. Ai ja vuri dhe emrin Skëndërbe. Kështu më janë përgjigjur shumë fshatarë që kam pyetur, që para shtatorit 1934 e gjer tani vonë, në shumë krahina të Shqipërisë së Mesme. Dhe nuk e kuptoj dot origjinën e këtij besimi: Ky besim është sosur gojëpasgoje gjer më sot, qysh kur Ai ka qënë gjallë apo ka ndonjë lidhje me variantin përkatës të Barletit. Fjala vjen, të vërtetën, për të cilën na flet kallëzonjësi, nga kush e ka dëgjuar? A mund ta ketë marrë nga historia në atë kohë?

    Mbi robërimin e tij më ka folur muratori Kamber Sula, nga Tërnova e Zerqanit të Dibrës, që tani banon në Tiranë. U takova rastësisht në Vorë më 10 tetor 1959, ku ai po kthehej nga Tirana, për në Milot, ku punon. Atje Kamberi pati mirësinë e më foli kështu fjalë për fjalë:

    Skëndërbegju ka qënë i dheti vëlla, siç e kemi me të nigjume prej të vjetrish dhe ka qënë më i vogli fare. Të nandë vëllazërit e Skëndërbegjut luftuan randë me Turqnin, ene ja preu në luftë Turqia. Meti sall Skëndërbegju që quhesh matëhere Xherxh Kastrioti, kalamai i vogël.

    Komandanti i ushtrisë turke lajmëroi Sulltanin se nandë vocat e Xhon Kastriotit i preva e ka met sall nji voc, ma i vogëli.

    Sulltani dha urdhën: Ma bini kha. Edhe ja çuen ku ka qanë m’at’ kohë Sulltani.

    Sulltani kur e pa se ai voci ishte i vocërr 3-4 vjeç, e i zhdërvjelltë e majti edhe e futi në mejtep. Ja ndroi edhe emnin edhe ja vuni Skëndërbe.

    Kam dhe pak të dhëna të tjera, këto:

    Noel Lazri, nga Bllana e Lezhjes, më 18.9.1964, më ka thënë:

    Skëndërbegun, kur ishte i vogël e muer Turkia vet i tretë vëlla në, Stamoll. Dy vllaznit e ti q’ishin ma të mëdhoj i preu Turku, po kit qi nuk dite me kuptue gja, e la ene e futi në shkollë. Kur maroi shkollën e provoi me luftë ene Skëndërbegu duël shum’ i fortë; kudo q’e çonte Mreti, i ecte lufta.

    LETRA E S’EMES

    Prindrit e Skëndërbeut e muarën vesh se i biri i tyre i vetëm që mbeti gjall, Gjergji, gjëndej në Edrene, pranë Sulltanit, i cili e mbante si djalë të vet me gjithë të mirat; me interes të madh po dëgjonin dhe përparimet e mëdha që bënte, për fitoret e shkëlqyera që korrte e për famën e madhe që mori; po dëshpëroheshin në vënd që të gëzoheshin, se nuk e besonin që t’i kujtonte ai më, të kishte mall për ta e t’i lirte gjithë ato të mira e të kthehej në Shqipëri. Prandaj e ëma vendosi t’i dërgonte një letër e t’i shprehte mallin e saj e dëshirat e flakta; ta përgjëronte që të kthehej në vëndin e tij e ta çlironte këtë.

    Po si t’ja dërgonte? Kishte frikë se mos zbulohej letra e virte në rezik jetën e tij. Prandaj ja nisi me një njeri, që s’mund të birte në sy, me një lypës. Ajo grua ishte shum’e zgjuar e guximtare dhe e urtë.

    Ja si m’u shpreh Ago Lekaçi, nga Allejbegia e Dibrës së Epër për këtë problem, kur e takova në Topojan të Dibrës më 4 gusht 1954:

    E ëma e Skënderit, me njëa njeri që shkoi tuj lipë derë më derë njer në Stamoll, i çoi nji letër Skënderit e i shkruante: “Të kërkon veni kha, prandaj të vijsh në Shqipné”. E Skënderi erth në Shqipné e ja shkei Turqies.

    Kjo legjendë ka rëndësi edhe për mënyrën e dërgimit të letrës, me anën e një lypësi, i cili nuk mund të binte në sy për keq e të pikasej kështu shërbimi i tij. Ky mjet dërgimi tregon fshehtësin’e lidhjes së Skëndërbeut me prindët e tij e me krerët e tjerë të Shqipërisë.

    KTHIMI i SKËNDËRBEUT

    Rasti që pritte Skëndërbeu, erdhi pas ca kohe.

    Sulltani e shkeli Shqipërinë po nuk i shtronte dot shqipëtarët. Këta, duke mos duruar robërinë nuk pushonin së bëri kryengritje pas kryengritjesh, sidomos në Dibër. Ai dërgonte ushtëri të forta, po këto thyheshin e pashallarët ktheheshin të turpëruar. Nuk ja dilnin dot Moisiut e Golemit edhe trimavet të tyre shqipëtarë. Mbreti i turqëvet nuk dinte ç’të bënte dhe ishte në hall të madh, kur vjen Skëndërbeu e i thotë:

    -Or babë! Më dërgo mua në Shqipëri, se unë do ta shtroj Dibrën e gjithë arnautllëkun, siç kam shtruar Anadollin dhe Arabistanin. Unë të kam dhënë prova të gjalla të zotësisë e besnikërisë sime.

    Sulltani nuk donte në fillim, po mësëfundi kandisi, se nuk e besonte që ky të mbante mënt prindërit e tij e Shqipërinë, as që mund të hidhte poshtë nderet e lavdinë që kishte në Turqi. U detyrua dhe nga fakti se vetëm ky ua delte mbanë ndërmarjeve ushtarake të vështira.

    Tani të shofim si më tha shoku Kamber Sula më 10 tetor 1959, në Milot. Ai ndër të tjera më tregoi:

    “Skandërbegju, u rrit e ba burrë edhe duel i zgjuet shumë edhe u dallote në luftrat e Sulltanit, gjithëkund ká Arabia e kah s’e di unë. Po në Dibër po valote lufta prej Mozeut e prej Golemit të Dibrës. Sa pashallarë që i dërgonte Sulltani në Dibër të tanët humeshin.

    Një ditë Skëndërbegju i thotë Sulltanit që të më dërgosh mua në Shqypné, se unë i baj istihak, dmth, tarbjet. Edhe Sulltani e dërgoi me ushtre.

    Skëndërbegju së pari erth në Prizren, e manej ra në Lumëz, e së mrami ra në Kastriot. Kur ra në Kastriot erdhi ke një krue me ujë. Aty gjeti do gra tue mush’ujë. Në mes të atyne grave ka pasë qanë edhe nji plakë. Ato grat e reja e cucat u largjun prej friket të nizamit turkut. Por ajo plaka nuk u largue prej kronit.

    I thotë Skëndërbegju: Largjoju moj plakë se do të penë ujë nizami.

    Ajo plaka priti e i tha: Nuk largohem prej kronit se nandë djelm m’i preu Sulltani e të dhetin, voc të vocërr, ma muer prej krahnorit tem.

    Bani çudi Skëndërbegju edhe u bind ene i u ul kalit poshtë edhe i thotë asaj plakës: Hajde pak ma kahnej, u hoq mënjanë që të mos e shifshin; e Plaka iu afrue e u largjuen të dy prej rreshtit të ushtresë, që pente ujë në kruë. Edhe i thotë plakës:

    “Çfar i ma mënt ati gjalit që të ka marrë Sulltani?”

    Unë i maj ment nji pullë të zezë në krahin e manjtë.”

    M’at çast Skëndërbeu u xhvesh dhe i tregoi pullën q’e kishte në krahin e manjtë dhe i tha:

    “Unë jam gjali yt, unë!”

    Ajo priti e i tha:

    -Tej je Gjergji gjali em! E i u hoth me lot për faqe ene e përqafoi. Matëhere e kuptoi Skëndërbeu se kishte pasë qënë prej Dibre e se Sulltani i kishte pre të nandë vllaznit e tij.

    Mas këtyne fjalëve i tha plakës:

    -“Shko më prit ke shpija”. Dhe nizamit i dha urdhën me kurdisë çadrat për me nejtë aty. Edhe do të shkoj fullakat të rtej në një kasolle këtu e do të kthehem në mëngjes tu’ dalë drita. Edhe gjithë natën nejti pa futë gjumë nër syt me nanën e me babën e vet. Edhe filloi tu’ hapë lajmin në popull se unë jam i jueji e s’jam i Sulltanit ma.

    Edhe kshtu ja ktheu Sulltanit e filloi luftën me ta.

    Unë ta kam dëftuar siç’e kam dëgjuar para 40 vjetësh prej pleqësh të qëmoçëm që kanë qanë 120 vjeç dhe e bisedonin kët muhabet, e unë kam qanë voc dhetë vjeç.

    Shënim: Çka na thotë muratori mbi kthimin e Skëndërbeut nuk përkon me historinë në këto pika të rëndësishme, të cilat ai po i shpreh kështu: Në Dibër luftonin Mozeu e Golemi (dy persona dhe jo një i vetëm); Skëndërbeu kërkoi vetë nga Sulltani ta shtronte Dibrën dhe arriti në Kastriot me anën e Prizrenit dhe Lumës; e gjeti t’ëmën në krua, i u diftua kësaj dhe pregatiti kryengritjen; dhe të jatin e gjeti të gjallë.

    Qëndrimin e s’ëmës së Skëndërbeut kundrejt turqve, kur këta ranë në Kastriot e paraqet të pikëllueshme, po trime e sypatrëmbur dhe me rastin e parë i shfryn komandantit turk mërrin’e saj kundër Sulltanit, i cili i vrau të nëntë djemt’e saj e të dhjetin, voc të vogël, ja rrëmbeu nga krahrori.

    Po përsëritim ç’na thotë malësori Ali Zejneli nga Urxalla e Macukllit të Matit për kthimin e Skëndërbeut e për shkakun që e detyroi të largohet nga Turqia:

    Mreti i Stamolles nuk i dha mretllëk ene Skandërbegju erth teposhtë e ra në Shqypné. M’at’ here Mreti i Stamolles i u lëshue me luftë e i ra me top e me pushkë e me potere, çi vloi tok’e truëll, njersa e çkuli ga gjyteti, e Skandërbegju ra në Kruë e zu ven. Mreti i Stamolles mrapa i bediti Lek Dukagjinin, po s’un muni me e kapë, se Skandërbegju ka qanë evlia ene e ruëte Zoti.

    Simbas Noel Lazrit, nga Bllana e Lezhjes; kemi arsye tjetër për kthimin e Skëndërbeut:

    Mrapa mreti i Turkies e çoi Skëndërbegun me shtru Shqipninë. Po Skëndërbegu ra në Shqipni me ushtrin’e Turkut ene mblodhi bajraktarët e pleqt e Shqipnisë e i pyeti:

    -Or Shqiptarë, a doni me kenë në vedi a me ju sinu Turku?

    -Jo, dona me kenë në vedi, than’ata.

    -E pra të ngrinha e ti vejmë pushkën Turkut.

    -Po u përgjegjën bajraktarët e paria.

    -A jeni me kët besë? U tha përsëri Skëndërbegu.

    -Po, me emnin e Zotit, jemi!

    Ene u ngritën të tanë e i vunë pushkën ene e thenë ushtrinë turke ene e çliruen Shqipninë.

    Shënim: Është për të vënë re se ky kallëzonjës prej Lezhje beson, si dhe Kamber Sula prej Dibre, se Skëndërbeu u dërgua prej Sulltanit për të shtruar Shqipërinë. Kështu beson dhe Nue Xhon Markaleka e të tjerë.

    Simbas Nue Xhon Markalekës, Skandërbegu duel në Shëngjin:

    Skandërbegu, me shumë daname e ushtri të Turkies, erdhi në Shënjin. Kur mrreni në Shënjin, danamet me xhithë ushtrin’e Turkies i thkei dal, se u diftoi urdhnin e Sulltanit. Kët urdhën e kishte shkruë vetë Skandri e i kishte vu’ vulën e Sulltanit. Vetë dul në tokë e shkoi fill e në Kruë. Edhe komandantin turk të Kruës e rajti me një shkresë që kishte vulën e Sulltanit. Komandanti iku dhe fuqin’e mur Skandërbegu. Ky, me t’ikun komandanti, e ngriti popullin më kamë edhe e përzuni ushtrinë turke. Kështu e liroi Shqipninë Skandërbegu.

    Shënime: 1- Është për të vënë re përdorimi i emrit të rrallë Skandri. Këtë emër e kam dëgjuar edhe në Dibër të Epër.

    2—Unë besoj se dalja e Skëndërbeut në Shëngjin me daname është motiv i vjetër, ndërsa shkresa me vulën e Sulltanit i ri, të cilin e ka shpikur, si mendoj unë ndonjë prift, në bazë të të dhënave të historisë të Barletit. Kështu kanë hyrë dhe janë njazuar dy a më tepër motive të kohëve të ndryshme. Po motivi i shkresës me vulën e Sulltanit…. Në legjendat popullore, disa elementë të pakët kanë hyrë gjer në ditët tona. (Kthimi i Skëndërbeut në Shqipëri, Luftrat e tij në Turqi….). Fshatarët kanë dashur t’u gjejnë legjendave mbështetje dhe në histori, fakt ky që provon besimin e madh ndaj tyre. Krijimi e ndryshimi, i legjendavet, pra ka vazhduar gjer në ditët tona (Mark Llesh Pepa).

    Simbas Mëhill Pllumit, nga Gallata e Kurbinit:

    I ra asqerit në pekë të zhegut ene e theu; e vuni përpara në Breg të Mates ke Arrat e Vromit njer në Kala të Kruës; ene Kalan’e Kruës mat’here e zaptoi Skandërbegu. Skandërbegu mat’heret kishte pas’ikë prej Turkiet e kishte pas ra në Shqipne e bani luftë për atdhen’e vet e i zhduku turçit.

    Simbas Gjergj Skanës, në Lurë, takuar në Lajthizë më 6 gusht 1955:

    Kuajt me potkonj sëprapi, i mbathi Skëndërbeu, simbas Gjergj Skanës.

    “Kur iku Skandërbegju prej Turqijet, ky i thotë Skandërbegjut: “Të dathim kualt e ti mathim opet por me potkojt përsëmbrapshti, t’u hipim e t’ikim për Shqypné. Ushtria turke do të na kërkojë përsëmbrapshti e s’ka me na xhetë e kështu do t’shpëtojmë ka turqit. Skandërbegjut i pëlqeu ky mendim ene bani si i tha Xhin Skana ene shpëtuen ka turçit e ranë në Shqipné”.

    Simbas Said Veliut nga Homeshi i Dibrës:

    Skënderi ishte i vokërr, kur e muer Turqia, ene hipi shkallë u ba xhenerall e i vodhi vulën sekretarit të Sulltanit. E bani vetë shkresë ene e vulosi ene ja çoi komandantit përmi ushtrijet e ja çoi. Skënderi shkoi në Bosnjë e mbloth ushtré e duel kha. Ene këtu bani harp me çendër në xhytet të Bulçizës. Dibra me atë ka qanë.

    Kalaja e Grazhdanit ka qanë e Venedikut para Skënderit. Ene në Saf Lukanj ka ba harp po ma fort në xhytet”.

    Ky plak i vjetër na tërheq vërejtjen me konsideratën e madhe që ka për Bosnjën e me përshkrimin e peripecive të Kordhëtarit.

    Shumica besojnë se Skëndërbeu është dërguar, në Shqipëri, prej Sulltanit.

    PORTRETI I SKËNDËRBEUT

    Ali Zejneli, njatë ditë që isha në shtëpi të tij, më 22 gusht 1929, më dha dhe portretin e Fatosit ose të them më mirë më bëri prosopografinë e tij, e cila është fort e çuditëshme dhe afërmënçe; e paraqet atë cok si përbindësh e po e parashtroj tekstualisht:

    S’ka pasë si Skandërbegju në dynja, se i kanë dalë brinja si kaprollit. Ka qëanë nishanlli në botët; si Ai asnjëa tjetër. Skandërbegju ka qëanë me brinja, me dy brinja në lule të ballit. Ka pasë ene fletë për nënë sqetull. Mustaqet e zeza Skandërbegju, mas fjalës së vjetër, i ka pasë më njëanën ané katër pëllamë e më tjetrën katër pëllamë të mëdhoja, çi ja kanë maot Skandërbegjut. Kur luftonte Skandërbegju i baonte syët të përxhakun ene çitte dum prej gojet: çaq i zoti çi ka qëanë në luftë. Ka pasë fuçi sa shtatë evliarë bashkë.

    Ndër këta tipare të jashtëzakonëshëm na tërheqin fort vërejtjen e madje na çudisin shumë brirët në ballë të Skëndërbeut. Si ësht’ e mundur të dalin brirë në ballë të njeriut? Në folklorin tonë a ekziston ky motiv absurd? Dhe në qoftë se ekziston është i ri apo i vjetër? Po shohim:

    Kuptova se motivi i brirëve në ballë të njeriut është i gjallë në folklorin tonë dhe u binda sidomos pas vitit 1956, kur dëgjova me veshët e mij të flitet për një malësor injorant, i cili, kur doli partizan, njërin prej heronjve të luftës sonë legjendare e pandente se kishte brirë në ballë… dhe në janar të vitit 1962, një dibran prej sidhne, Ali Suf Krashi, që erdhi mik në shtëpinë time, më tregoi se paskan jetuar edhe tre kreshnikë shqiptarë me brirë në ballë, pas Skëndërbëut në kohë shumë të vona, e paskan luftuar edhe këta për liri kundër batalioneve të Turqisë. Dhe ja ç’më tha fjalë për fjalë:

    Lam Daci i Kalisë së Lumës, kundër Turkies, ka çanë me brina në Ballë; ene Nazif Grezhdani prej Grezhdani, kundër Turkies, e Zeledin Seferi prej Luznie të Dibrës, afër Selishtës, kundër Turkies, kanë çanë me brina në ballë. Jallah, si u dalin këto brina këtyne! I mshehin me një kësule të madhe, të bardhe, e nuk u shifen. Po kur t’u binte një fashkare (shuplakë) qafës, atëhere vup u dalin brinat e njaten nji pash e me të kapë me ato brina të faekin… Dy tjerët kanë qanë ma vonë, në kohë të Sulltan Hamidit….

    Simbas fjalëve të kallëzonjësit këta kreshnikë kanë jetuar e vepruar, para dhe pas Lidhjes së Prizrenit; e kuptojmë se Nazifi e Zeledini kanë luftuar në kohë të Sulltan Hamidit. Është shumë interesante dhe mëshehja e dalja e brirëvet, që na paraqitet si mekanizëm biologjik, i ngjashëm me atë të kthetrave të kafshëve, si fjala vjen luani e tigri. Kreshnikët i mbanin mëshehur brirët, po, si duket, i nxirrnin menjëherë, kur përlyfyteshin me armiqtë e tyre. Këtë përkuptim do të këtë patur sigurisht dhe Ali Zejneli për brirët e Skëndërbeut.

    Ali Zejneli, në vrullin e entusiazmit të tij, e imagjinon Skëndërbenë si përbindësh me brirë në ballë, po në të vërtetë këta brirë janë vendosur në përkrenaren e Atij dhe fshatarët e buzës së Detit, që prej Ishmi gjer në Shëngjin dhe të Kurbinit dhe të malësisë së Lezhjes me anë të legjendash të bukura na tregojnë dhe arësyet pse Fatosi i ka ngulur ato në përkrejsen e tij të famëshme. Më dy legjenda të këtilla, për fat rashë dhe unë më 20 tetor 1960. M’i dha shoku Faslli Sinica, prej Devolli, i cili më 1945 e 1946 ka qënë komandant i batalionit të ndjekjes dhe e ka dëgjuar në katundin Laç të Krujës tekstualisht:

    “Njëherë n’atë kohë Turqit e rrethuan Skëndërbenë me gjithë ushtrinë në një katund. Turqit kishin fuqi të madhe dhe që të çante rrethimin, Skëndërbeu, qe e pa mundur.

    Atëhere, ky siç ishte i rrethuar brënda në katund, mori një cjap të math e therri, e rropi dhe e veshi lëkurën e tija. Katundarët u thanë Turqëve: “Po na ngordhin bagëtia, na lejoni t’i nxjerrim të kullosin”. Turqit i lejuan që t’i nxirrnin bagëtinë, po bashkë me dhitë dolli dhe Skëndërbeu duke ecur këmba doras si dhi me lëkurën e cjapit veshur e si cjap me brirë. Turqit s’e pikasën. Mirëpo Skëndërbeu me të dalë nga rrethimi pregatiti shpejt një ushtri të mirë, u ra turqëve prapa krahëve dhe i detyroi të largohen. Kështu e shpëtoi ushtrin’e tij që ishte e rrethuar”.

    Në një katund të Lezhës ka dëgjuar dhe këto për stemën e Skëndërbeut:

    N’ato kohë u afruan turqit me anijet e tyre për të zbarkuar në Shëngjin. Po Skëndërbeu, me qëllim që t’i friksonte Turqit, mblodhi një tufë të madhe me dhi dhe në brirët e çdo dhije vuri nga një qiri të ndezur dhe i lëshoi natën nga mali në drejtim të Turqëve, që ishin në buzë të detit. Turqit, duke parë gjithato drita që po u turreshin, u frikësuan fort dhe ikën me anijet e tyre nga kishin ardhur. Kështu Skëndërbeu e shpëtoi Shëngjinin dhe për kujtim të asaj fitoreje, vuri për stemë brirët e dhisë, se dhitë u dhanë datën turqëvet”.

    Përkrenarja e Skëndërbeut, me brirët e dhisë, i jep Heroit tonë, një bukuri të veçantë, një origjinalitet e madhështi njëkohësisht, dhe i ka tërhequr vërejtjen e i ka ngjallur kureshtën popullit tonë kurdoherë.

    Aliu, në përshkrimin e tipareve të Skëndërbeut, më tha se Fatosi ka patur dhe fletë për nënë sqetull. Këtu po i biem shkurt, duke përfunduar se Skëndërbeu, ka patur fletë për nënë sqetull, që hofte e fluturonte mal më mal, e kep më kep, me kalë e me mushkë, bile dhe me gomar, simbas një besimi që njihet tashmë dhe vërtetohet me provat materiale të gjurmëve të kalit e të mushkës të ngulura në shkëmb. Na bind për këtë edhe Barleti, që shkruan për fluturimet e tij. Na mbushet mëndja se legjendat popullore në fillim e përfytyrojnë Skëndërbeun si drangua, e kështu, mitologjia që po krijonin, ata për Skëndërbeun ka patur lidhje me mitologjinë e vjetër shqipe. Kështu fshatari i thjeshtë prej Urxallës së Macukllit të Matit, po na del mbartës e zbulonjës i besimit popullor shumë të vjetër, e kështu fjala e tij është e saktë e ka rëndësi të madhe për Mitologjinë Skënderiane.

    Legjendat popullore na thonë se Fatosi ka kaluar me kalë e me mushkë në shumë vënde të malësisë, kep më kep e ka fluturuar mal më mal edhe gjurmët e kafshës së tij, të rrasura nëpër shkëmbenj na kanë mbetur gjer më sot si prova të gjalla e tregohen. Po këto gjeste të mbinatyrëshme, në ç’baza i ka mbështetur imagjinata popullore; a mos i ka marrë nga feja musulmane? – po shohim:

    Jam i bindur se të parët tanë, në etapën e parë të krijimit të legjendave kanë besuar se Ai duhet medoemos të ketë të hofme të mëdha, doemos ka pasur fletë për nënë sqetull, pra ka qënë drangua, siç e ka parë në ëndër e ëma para se ta lindte. Por në etapën e dytë “……….. me përhapjen e musulmanizmit në masë, figura e drangoit u zëvëndësua prej evliarëve e të dashmëve të allahut dhe Mitologjia Skënderiane mori tjetër drejtim….. si na paraqitet sot. Fluturimet e rrufeshme drangojtë i kryejnë në sajë të fletëve që kanë nën sqetull. Pra del si rrjedhim që legjendat e etapës së parë kanë pas treguar sigurisht se Ai ka patur dhe drangoj si bashkëluftëtarë e këta drangoj në etapën e dytë u zëvëndësuan prej evliarësh dhe Fatosi pra, duket të ketë patur fletë nënë sqetull, na bind edhe Barleti e Frang Bardhi”.

    Por Ali Zejneli ka ruajtur atë të vjetrën që Skëndërbeu ka patur fletë për nënë sqetull, e pra ka qënë drangua dhe kështu na bind se pushteti i mbinatyrshëm i Kreshnikut arbëror për të hofmet e për të fluturuarat e ka bazën në mitologjinë shqipe të vjetër e jo në atë musulmanike siç paraqitet sot, malësori në fjalë, që duhet çmuar se na ka ruajtur dhe këtë motiv ndër saesa të tjerë.

    Përgatitur për shtyp nga Ylian Liperi

    http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/08/03/roberimi-dhe-kthimi-i-skenderbeut-sipas-legjendave-popullore/

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *