Egjipti “në radhë të parë”





Sabahudin Jashari

k-bigpicEgjipti “në radhë të parë” është motoja e parë që më ka tërhequr vëmendjen sapo kam zbritur në aeroportin e Kajros në 2005. Këtë shprehje e gjeje të shkruar thuajse në të gjitha muret anësore rrethuese të pallateve, ndryshe nga muret rrethuese të kazermave të ushtrisë egjiptiane. Përse kjo shprehje kaq familjarisht e dukshme? Qëllimi i saj nuk mund të ishte zgjimi i vëmendjes së egjiptianëve ndaj vendit të tyre, sepse nuk do kishte kuptim, ndërsa vetë pjesa e dytë e shprehjes inspiron diçka tjetër shumë të rëndësishme dhe njëkohësisht të “rrezikshme”.

Duke analizuar shprehjen, mund të nënkuptohet se shqetësimi dhe përvuajtja e egjiptianëve kishte kapërcyer kufijtë e vendit, por një këndvështrim i tillë nuk ka baza logjike e as historike. A mund të jetë një shpjegim “Egjipti dhe egjiptianët duhet të merren vetëm me veten e tyre”? Me fjalë të tjera, interesimi i jashtëm i egjiptianëve është kundërprodhues?

Popuj pishtarë

Historia tregon se brenda civilizimeve të përbëra janë disa popujt që marrin role parësore. Profeti Muhamed (a.s) pohon se “njerëzit, në aspektin organizativ, janë si puna e njëqind deveve, ku me zor gjen një për ta vënë në krye të karvanit”. Natyrisht hadithi, ashtu si parrudha e lartpërmendur, nuk bën fjalë për lokomotiva të përjetshme: lokomotivat brenda të njëjtit civilizim zëvendësohen, siç bëjnë edhe civilizimet me njëri-tjetrin.

Librat e shenjtë na e paraqesin Egjiptin jo rrallë herë në qendër të vëmendjes në aspektin e rolit në teren. Profeti Muhamed (a.s) la porosi të veçanta para vdekjes së tij për Egjiptin dhe egjiptianët: “ua lë amanet koptët e Egjiptit”; “merrni ushtarë nga Egjipti se ata janë ushtarët më të mirë të tokës”.

Historia islame njofton se Egjipti ka qenë vazhdimisht një nga pikënisjet kryesore për atë çka do bëhej në pjesën tjetër të botës arabo-islame, për mirë apo për keq. Delegacioni kryesor për rrëzimin e kalifit të tretë, Osmanit (r.a), erdhi nga Egjipti. Zgjerimet islame në Afrikën veriore nisën nga Egjipti. Kryqtarët para se të thyhen përfundimisht në Hitin, u thyen tek muret e Dimjatit, madje në këtë rast nuk u thyen vetëm kryqtarët e Kudsit, apo ata të ardhur nga Franca e Anglia, por u thye aleanca bizantino-anglo-franceze. Beteja e Ajn Xhalutit, ku u thyen rëndë mongolët, qe një nga treguesit më të fuqishëm të rolit qendror të Egjiptit dhe popullit të tij në çështjen e Islamit. Dihet se në lidhje me rastin e fundit mongolët kishin fshirë çka u kishte dalë përpara në Irak, Sham, Palestinë dhe nga fitoret e korrura në këto vende kishin arritur kulmin e forcës së tyre. Megjithatë mongolët u thyen përballë egjiptianëve. Muhamed Ali Pashë Zemlaku, i nisur nga Egjipti, iu afrua qendrës së perandorisë osmane. Shteti i parë Saudit u rrëzua po nga egjiptianët. Shkëndija e parë e revolucioneve ndaj mbretërive të kalbura shpërtheu nga Egjipti. Por përsëri në Egjipt u krijua modeli i shtetit despotik ushtarak dhe u eksportua tek shtetet e tjera të rajonit.

Duke filluar që nga Maroku në Irak e deri në skajet jugore të gadishullit arabik, egjiptianët kanë gjurmët e tyre të pashlyeshme në të gjithë fushat e jetës së këtyre vendeve: arsim, ekonomi, infrastrukturë, mjekësi, ligj, politikë, mbrojtje, etj. Intelektuali arab laik shekullarit në Egjipt u importua dhe nga Egjipti u eksportua në vendet e tjera arabe. Por edhe intelektuali i vërtetë islam aty u formua dhe nga Egjipti u eksportua në vendet e tjera arabe. Në Egjipt u provua dhe vazhdon të provohet zbatimi i pamundur i paradoksit të një shteti laiko-shekullarist me një popull që tradicionalisht dhe thellësisht jeton me islamin.

Jo më kot hebrenjtë në Palestinë insistuan me të gjitha format, për disa dekada me radhë, për të zhvatur nga Egjipti legjitimitetin e ekzistencës së tyre në Palestinë, deri sa ia arritën në marrëveshjen e Camp David: pavarësisht se përqindja dërmuese e shteteve arabe nuk i kanë njohur hebrenjtë si shtet, duket se për hebrenjtë ky fakt nuk përbën ndonjë shqetësim.

Rashid Ganushi, kryetari i lëvizjes “Nahda” në Tunizi, iu drejtua egjiptianëve menjëherë pas grushtit të shtetit me fjalët: “pranvera arabe jua ka dorëzua vendimin ju, prandaj vendoseni ju për fundin e saj”. Nga sa u tha, nuk e kam të vështirë ta kuptoj arsyen e Ganshit në këtë thirrje.

Feja si burim i pashtershëm

Ashtu sit ë gjithë popujt e botës edhe ata arabo-mysliman vazhdimisht kanë frymëzuar për një jetë të denjë, të lirë, të qetë e fisnike. Natyrshëm ky qëllim ka nevojë për një referencë reale. Mirëpo kryesisht popujt arabo-mysliman duke qenë popuj me histori të një civilizimi të suksesshëm, e kanë pasur jo të vështirë të krahasojnë mes referencave të ofruara.

Faktet historike tregojnë se modelet politike dhe organizative të ofruara ndaj këtyre popujve, pas rënies së kalifatit islam, kanë rezultuar të pasuksesshme. Pra këto sisteme nuk i kanë kthyer këtyre popujve lavdinë e dikurshme jo shumë të largët, përkundrazi ato i kanë privuar nga jeta dinjitoze, kanë shkaktuar përçarje, varfëri, despotizëm, diktaturë, gjendje të jashtëzakonshme, burgosje politike dhe arbitrare, arratisje të elitave, etj. E megjithëse këto sisteme të dështuara, me kuptimin e plotë të fjalës dështim, u janë servirur këtyre popujve me ambalazhin e termit demokraci, përsëri këto popuj dinë ta dallojnë mirë se ç‘është demokracia.

Gjatë këtyre dekadave ato kanë përjetuar edhe zhgënjim nga loja e dyfishtë e shteteve eksportuese të demokracisë, duke konstatuar që sistemet e ashtuquajtura demokratike kanë qenë thjesht fasada të kalbura me synim dekorimin e interesave strategjike të huaja. Mos pozicionimi i qartë i fuqive të mëdha ndaj asaj çka ndodh momentalisht në Egjipt është treguesi që zhvlerëson sinqeritetin e imponuesve të demokracisë.

Përballë këtyre dy fakteve, si dielli në mes të qiellit pa re, qëndron edhe një i tretë. Kurani ka ekzistuar në duart e myslimanëve këtu e 15 shekuj më përpara. Pra edhe pas ndërprerjes së përkohshme të ekzistencës së civilizimit të tyre, lidhjet e myslimanëve me Kuranin e tyre nuk janë ndërprerë kurrë. Ato kanë gjetur ne Kuran imazhin e tyre real e të vërtetë. Kjo pasqyrë nuk iu ka munguar asnjë herë. Kurani u ka kujtuar myslimanëve historinë e tyre të lavdishme, siç u ka kujtuar rolin e tyre të lavdishëm e shumë të lartë ndër popuj. Mirëpo dështimi i vazhdueshëm i sistemeve të eksperimentuara në kurriz të popujve arabo-mysliman, si dhe dështimi i eksport-importit të demokracisë, ka reflektuar një kontrast shumë ta madh: sa më tepër kanë përjetuar popujt mysliman alternativat e eksport-importuara, aq më tepër janë bindur se imazhi i tyre kuranor, i vërtetuar edhe nga historia, është rrugëdalja.

“Është e lehtë të rrëzosh një diktator, por është e vështirë të shkulësh një diktaturë” – pohon Gnushi. Populli egjiptian më shumë se kurdoherë tjetër është bindur se nuk i ka mbetur zgjidhje tjetër përveç kthimit tek historia e vet, por jo në kohë se sa në vlera, duke qenë se kuzhina e rajonit tashmë i ka provuar të gjitha recetat e brendshme e të jashtme. Aktualisht po përjeton momentet pasuese të shkuljes së tumorit për të rikthyer shëndetin e tij të plotë, e për të udhëhequr si lokomotivë trenin e rajonit drejt rrugës së lavdishme të përshkruar nga Kurani e të vërtetuar nga historia. Porse duhet pasur parasysh se këtë lloj roli e mbajnë mbi supe vetëm ata që qartësisht e shpirtërisht i besojnë thellë.

Sakaq, natyrshëm, duhet të ndodh procesi i diferencimit: kush e mbron këtë rol e kush thjesht e pretendon atë. Këtë lloj procesi Allahu i Madhëruar na e paraqet si ligj të pashmangshëm të dialektikës mes dy të kundërtave dhe pikërisht për këtë inkurajon për durim dhe na përgëzon për sukses. Kështu thuhet në suren Ali Imran (137-142):

Para jush janë vërtetuar ligjet hyjnore prandaj ecni nëpër tokë dhe shikoni se si kanë përfunduar përgënjeshtruesit. Ky është një ligj i qartë për njerëzit, dritë dhe udhëzim dhe këshillë për të devotshmit. Prandaj mos u ligështoni dhe mos u dëshpëroni se ju jeni më të lartësuarit dhe triumfuesit nëse besoni. Kur ju shkaktohen plagë, të tilla u janë shkaktuar edhe atyre. E ato ditë fitoreje dhe humbjeje i qarkullojmë mes njerëzve që Allahu t’i dijë besimtarët dhe prej jush të marri dëshmorë. Allahu nuk i do zullumqarët […]. A menduat të hyni në xhenet pa u dalluar ata që sakrifikuan për hire të Allahut dhe durimtarët.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *