Kur shën Valentini vjen me gurë





e-zani

Lidhja e PrizrenitMundësia më e shpejtë që një kalemxhi kosovar, pas 1999, ka në dispozicion për t’u bërë gazetar apo, përse jo, kryeredaktor dhe botues, ndër të tjera, kalon përmes qasjes ndaj fesë islame dhe pasuesve të saj. Ç’është e vërteta shkolla serbe ka tradita të konsoliduara në këtë drejtim, sepse, parimisht, “frika sintetike” ka qenë përherë një mjet i mirë shpërqendrimi nga problemet reale, përveçse një armë stigmatizimi me qëllim nxitjen e urrejtjes, justifikimin e reprezaljeve dhe izolimin e tjetrin. Duke qenë bisht i kontrolluar dhe i programuar i politikave jugosllave, elita kosovare shfaqet sot pjesërisht produkt jugosllav dhe pjesërisht e modeluar nga ky produkt, ndonëse ka ndryshuar përmbajtja tematike e diskursit publik.

Zakonisht nëpër mediat e Kosovës bien në sy pragmatizmi naiv, që çiltërsisht padit tentativat për moralizëm e informim gazetaresk, dhe mediokriteti. Ose gazetarët kosovarë mendojnë që lexuesi shqiptar i Kosovës është në stadin e kullotjes, ose vetë ata janë dëshmia e reduktimit të profesionalizmit tek mjaftimi me pozat në foto ku librat janë në sfond.

Një shije të tillë linte shkrimi i kryeredaktorit të revistës Drini, Valentin Bruçaj, me titull Kosovë, aty ku feja është në opozitë me demokracinë, shtetin dhe kombin, i përcjellë paralelisht nga Mapo dhe Respublika. Megjithëse titulli nuk lë shteg për keqkuptime, sepse gjithëpërfshin spektrin fetar, autori e mbyll me identifikime në formë antipodesh ku, ndër fetë tradicionale, spikat ekskluzivisht Islami. Kryeredaktori e fillon artikullin mistershëm, me “një përplasje në mes forcave laike dhe atyre fetare”, të evidentuar “në të gjitha ato vende me popullsi dominuese myslimane”. Më pas vijon me gardhimin e problemit duke e quajtur “doktrinë islamike”, të cilën e baraspeshon me fenomene si “korrupsioni dhe krimi i organizuar”. Elektorati i saj është “ekstremist”, ndërsa kërkesat e tyre autorit i duken “radikale”. Të kuptohemi, me radikalizëm autori imagjinon (edhe) përkuljen “e qeverisë së Kosovës përballë kërkesës turke për të rishikuar historinë”.

Por kërkesat që duan këta “ekstremistë” të “forcave fetare” të bazuara në “doktrinën islamike”, dhe që kanë irrituar Bruçajn, janë “mësimi i islamit në shkolla, mbulimi i grave në institucionet publike, ndërtimi i objekteve të kultit në hapësira të rëndësishme publike”. Si fillim, këtu ka një shtrembërim të pahijshëm për një drejtues shtypi: kërkesa për mësim feje nëpër shkolla përfshinte edhe fetë e tjera; “mbulimi i grave” i shkruar në këtë formë krijon përshtypjen e kërkesës imponuese, ndërkohë është thjesht lejimi i frekuentimit apo i punësimit në institucionet publike të myslimaneve me shami, që të mos përjashtohen nga moralistët e laicizmit; kërkohet pajisja e myslimanëve me objekte dinjitoze kulti, përkundër ushtrimit të riteve fetare në trotuare dhe sheshe publike, por jo ndërtimi domosdoshmërish nëpër hapësira të rëndësishme publike, që sidoqoftë nuk do të jenë më të rëndësishme se gjimnazi Xhevdet Doda ku ngrihet katedralja.

Këtyre treguesve të radikalizmit, sipas autorit, u shtohet “invazioni i drejtuesve fetarë në jetën publike të Kosovës, duke ngritur zërin kundër përhapjes së modelit perëndimor në shoqërinë kosovare, si një model shthurjeje, në kontraditë me moralin islamik” dhe “denigrimi i të gjitha figurave më të rëndësishme historike”. Në fakt, kur duhen emra në ngjarje endemike, Bruçaj i gjen, siç është rasti – i vërtetë ose jo – i deklaratave që autori nënvizon nga “drejtues të Partisë së Drejtësisë”, por është tërësisht i palogjikshëm kalimi nga qëndrimet e një partie, apo të akrobacisë elektorale të një partie tjetër, tek feja islame dhe tek të qenurit mysliman. Sepse, në fund, Bruçaj aty i hedh shashkat teksa pohon që:

Me rritjen e ekstremizmit fetar, shohim të rritet mbi të gjitha antishqiptarizmi, që është produkt i këtij ekstremi. Ajo që e rend më të rëndë situatën është fakti se, si asnjëherë më parë në historinë e shqiptarëve, kombi dhe islami nuk kanë qenë më larg njëri-tjetrit. Këta dy faktorë aktualisht janë dy pole të kundërta, dy kundrapesha që sa më shumë forcohen, aq më shumë largohen nga njëri-tjetri. Me pak fjalë, sa më shumë që një shqiptar është musliman, aq më pak është shqiptar.

Është e qartë se pohimi “produkt i këtij ekstremizmi”, që do të nënkuptonte se realiteti i kritikuar nga Bruçaj është pjellë ekstremizmi, zhvlerësohet tërësisht nga fjalia e fundit, ku me sa duket problemi për shqiptarin nuk qëndron tek ekstremizmi se sa tek besimi islam. Me pak fjalë: nuk mund të jesh shqiptar nëse je mysliman. Ky është morali i shkrimit.

Së pari, që feja islame nuk bart në parim denigrimin apo madhërimin e Skënderbeut, që nuk prodhon qëndrime publike imamësh, pasi janë imamët ata që i prodhojnë me interpretimin e tyre, ashtu siç nuk është katolicizmi, fjale bie, fe perverse, antishqiptare, sepse disa klerikë janë pedofilë, ashtu siç nuk janë prostituta femrat shqiptare me gjithë eksportimin e disa mijëra profesionisteve të tilla në Evropë, në një logjikë të shëndoshë duhen konsideruar si paradigma.

Secili mysliman është i lirë të bëjë lidhjet mes Perandorisë Osmane dhe bindjeve të tija fetare, porse feja islame nuk është sinonim i asaj Perandorie. Pra, nuk është kusht për myslimanin adhurimi i Portës së Lartë. Përkundrazi, nga kleri katolik i Kosovës erdhën deklarata të rënda ku nënvizohej armiqësia ndaj Portës brenda së cilës përfshihej edhe Islami dhe nuk lexuam ndonjë gjysmë rreshti nga Bruçaj ku të kritikohej ky qëndrim.

Nuk është gjithashtu një kërkesë fetare “poshtërsia […] se në vend të këtyre figurave shqiptare preferohen figura të tjera që nuk kanë qenë aspak shqiptare, ose në rastin më të mirë i kanë shërbyer Perandorisë Osmane”. Megjithëse edhe këtu autori duhej të tregohej i kujdesshëm sepse Vaso Pasha, për shembull, i shërbeu me devotshmëri Portës së Lartë.

Së dyti, përveç rastit francez, në të gjithë botën perëndimore një myslimane me shami mund t’i frekuentojë lirisht institucionet e edukimit publik dhe mund të punësohet po në institucione publike. Ne i njohim për vende perëndimore dhe laike Italinë, Spanjën, Gjermaninë, etj., ku feja mësohet si orë fetare nëpër shkollat publike. Dhe fundja është më mirë që me fenë nxënësit të mësohen nga shkolla se sa nga klerikë kokëkrisur dhe gazetarë mashtrues. Këto tre shtete nuk i njohim për radikalë, ekstremistë, të prapambetur vetëm e vetëm sepse lejojnë mbulesën e myslimaneve në publik dhe mësimin fetar në shkolla. Islami është në Kosovë po aq tradicional sa ç’është krishtërimi në këto vende, dhe sigurisht që është më tradicional se laicizmi me baza ateiste jugosllave. Gjithashtu, në këto vende objektet e kultit tradicional ngrihen në sheshet kryesore, janë të dukshme, hijerëndë dhe kumbojnë. Për Bruçajn duhej të ishte ekstremizëm edhe ndërtimi i katedrales katolike të Prishtinës, por ja që këtu hesht.

Së treti, njeriu përbëhet nga një shumësi identifikimesh, përfshi fenë dhe kombin, që mund të rrugëtojnë në ekuilibër. Shembulli më i mirë vjen nga historia. Lidhja e Prizrenit është themeluar në hapësirat e një xhamie, të atyre objekteve, pra, ndërtimi i të cilëve, pas 135 vitesh, na qenka radikalizëm dhe ekstremizëm. Partitë e para politike në Kosovë kanë qenë islamike dhe, për ironi, në programet e tyre kishin mbrojtjen e gjuhës kombëtare e të vetë kombit të përfunduar nën thundrën serbe. Mirë disa vandalë kanë dëmtuar monumentin e Idriz Seferit, por një kryeredaktor reviste do t’i shpallë tradhtarë Myderriz Ymer Prizrenin, Haxhi Mulla Zekën, Nexhip e Ferhat bej Dragën, Hoxhë Kadri Prishtinën e shumë të tjerë?

Bruçaj shqetësohet nga mospërputhja e identifikimit fetar me atë kombëtar, e njëkohësisht duket i indinjuar nga “sulmet dhe denigrimet” që “nuk kanë kursyer as figura të tjera historike e kulturore shqiptare” si, për shembull,  “Nënë Terezën” – shkruan ai. Në qoftëse nga personazhet e cituar prej autorit ka nga ata me hierarki identitare, në të cilën feja e kryeson piramidën, ajo është Nënë Tereza. Që tek emri dëshmohet mënjanimi i kombësisë në emër të fesë, pasi Gonxhja është bërë Terezë. Sikur të gjithë shqiptarët e Kosovës ta kishin ndjekur shembullin e saj, mbase mund të kishim regjistruar një inflacion shqiptarësh misionarë apo shenjtorë, por ndërkohë nuk do të kishte ekzistuar më Kosova. Ja ky është një rast i parimit të Bruçajt “sa më shumë që një shqiptar është musliman, aq më pak është shqiptar”, por ku fjala “mysliman” duhet zëvendësuar. Paradoksalisht Bruçaj e shpall një personazh të tillë si model, ndërsa kur ndryshon feja e krahasimit, ndodhemi pa logjikë përballë ekstremizmit dhe mohimit të shqiptarësisë. Vetëm logjikë dhe argumente nuk ka këtu. Sërish, shqetësimi buron nga paragjykimi dhe mospranimi i myslimanëve dhe i fesë islame si pjesë e pandashme e traditës shqiptare, të cilët kriminalizohen në bllok nga disa ekstremistë që analizojnë ekstremet. Të paktën justifiko emrin, i dashur Valentin.

Comments

  • Ne radhe te pare ju qe keni vendos ti pergjigjeni ketij artikulli bejeni ne menyre te plote dhe haptazi, me emer dhe mbiemer. Une e kam lexua artikullin dhe autori, shpreh prokupimin e tij duke sjellur shume raste ku njerezit qe perfaqesojne islamin ne Kosove dalin me deklarata qe shkojne kunder historise se kombit shqiptar. Te dalesh kunder Skenderbeut eshte akt antishqiptar. Te denigrosh Pjeter Bogadanin eshte akt antishqiptar. Te rrezosh bustin e Idriz Seferit eshte akt antishqiptar. Te quash vajzat shqiptare kurva eshte akt antidomokratik dhe i papranueshem. Te urinosh tek busti i Skenderbeut eshte akt anishqiptar qe duhet denuar me ligj. Qe sot ka nje fare kontradite ne mes shqiptarise dhe fese islame kjo duket haptas dhe e pronojne edhe drejtuesit islam. Shefqet Krasniqi shpesh here ka deklaruar haptazi antishqiptarizmin e tij, po ashtu Olsi Jazexhi del hapur kunder kombit shqiptar, dhe e ben me deshire te madhe dhe vetdije. Cka ka per tu skandalizua ne kete artikull?

    • Urinimi tek Skenderbeu ne Tirane ka qene sport kombetar dhe ushtrohej fuqishem nga katunaret e kudondodhur. Mirpo erdhi dita qe ky sport me shtysa fiziologjike, pa qellime obskurantiste me paramendim te kosiderohet tashme tradheti kombetare, qe mund te risjelle ne vemendje te opinionit publik temen e rikthimit ose jo te denimit me vdekje. Per Idriz Sefer, dhe Pjeter Bogdan, nuk po e vret njeri menjen; nuk ka mbet shtatore e permendore pa u kthy ne wc, publike dhe shpesh kur eshte e mundur ne burim per riciklim skrapi, gjithmone pa qellime ogurzezadhe me paramenduese per demet kardinale qe i sjellin fizikisht simboleve kombetare, dhe sidomos per traumen qe i shkakton idealeve dhe shpirtit te kombit te lavdishem shqipetar.
      Me respekte
      Shefqet Peçi, ose Musarai sipas rastit.

    • Beni, ne rradhe te pare thuaj a e kupton sa e rende eshte te thuash se FEJA NE KOSOVE ESHTE KUNDER KOMBIT? Nese nje hoxhe paska share grate qe kane lidhje jashtemartesore, nje i krishtere ka fyer dhe akuzuar GJITHE muslimanet, pa dallim, me ate titull.

      Hoxha ka fyer ne rradhe te pare kusherirat dhe fisin e vet, pse edhe ai shqiptar eshte, si grate qe paska share. Kurse Valentini po fyen gjithe njerezit qe nuk kane fene e Valentinit, thjesht pse jane muslimane. Kush eshte kunder kombit pra? Hoxha po sulmon vajzat muslimane e te krishtera e ateiste per arsye morali konservator seksual, dhe jo per arsye fetare. Nje qytetar i krishtere fyen gjithe ndjekesit e nje feje tjeter, konservatore ose liberale qofshin keta – mjafton te jene muslimane. Kush po percan pra? Hoxha qe sulmon seksin, apo Valentini qe sulmon fene? Si ka mundesi qe nuk e kupton nje gje kaq te thjeshte? A mundet nje gabim si i hoxhes te korrigjohet me nje gabim akoma me te madh, si i Valentinit?

      Sa i perket rendesise qe ka emri dhe mbiemri ne nje artikull, ketu ka plot shkrime kritike me autor, me emra e mbiemra, dhe keto shkrime kritikojne persona shume me te fuqishem se Valentin Brucaj. Ketu autore me emer dhe mbiemer, haptas, kane kritikuar njerez si Sali Berisha, Edi Rama, Bujar Nishani, Bamir Topi, per te mos permendur deputete, politikane, biznesmene, gazetare e mendimtare e historiane, shume here me te njohur dhe me te pushtetshem se z.Brucaj. Kur nje shkrim botohet me emrin e redaksise, si editorial, duhet te kuptojme se me ate shkrim jane dakord te gjithe emrat e kontribuesve te kesaj faqjeje, te cilet njihet kush jane. S’ka asnje sekret ketu.

      Shefqet Krasniqi eshte ushtar i kombit, veteran i UCK-se, dhe mos e poshteroni veten ta quani antishqiptar Shefqetin. Shkrimet e Shefqetit jane perdite ne shtyp, dhe gjithkush e gjykon partiotizmin e tij, pa nevoje per komente. Nese ka folur fjale pa vend ndonjehere, le t’i mbaje mbi shpine, ai dhe Olsi Jazexhi e kushdo. Me dy emra, as dyqind, nuk i perkufizon dot muslimanet shqiptare, se keta jane miliona. Nese nuk qenkan shqiptare muslimanet, atehere nuk ka shqiptare

      Sa per rrezime bustesh, per keto ka polici, gjykate dhe bvendime gjyqi, jo hamendje. Cilin ka kapur policia deri tani ne Kosove per bustin e idriz Seferit? Ku u pa se jane muslimane apo besimtare, apo shqiptare demtuesit e bustit, apo vetem me hamendje? Nese kane dale autoret para gjyqit, dhe ka nje vendim per kete, na njoftoni.

      Hoxha qe shan grate, le ta mbaje mbi shpine vete pergjegjesine. Kleriket kete pune kane ne gjithe boten, ne te gjitha fete, te flasin per moralin. Edhe do te gabojne kur flasin, se njerez jane. Por preokupimi kaq i madh i shtypit dhe politikes me nje hoxhe te panjohur, nuk i ngjan fare heshtjes me te cilen u trajtuar prifti Kcira, kur tha se Miloshevici duhet te kishte vrare me shume qen shqiptare. Te pakten hoxha nuk i uroi vdekjen njeriu.

      Nje repist si Princ Hyseni, le te denohet qe tani per huliganizem dhe rrugaceri, sepse veprat e turpshme ne vende publike jane te ndaluara me ligj. Nuk ka lidhje jo pune me fene e as me Skenderbeun, sa ka lidhje me rrugacerine. Po ama nuk mund te mbaje pergjegjesi nje komunitet besimtaresh per vepra repistesh. Nuk jemi ne mesjete qe vepra e nje personi te quhet veper e nje kolektivi.

      Besimtaret qe shkojne ne xhami e qe nderojne Zotin, e kane per turp te urinojne rrugeve, e sidomos te fotografojne veten duke urinuar. Ky eshte akt rrugaceror qe nuk ka lidhje me fene, me asnje fe, dhe po te kishte qene fetar i vertete Princi Hyseni nuk do t’i hynte rruges se turpit. Feja meson dallimin e njeriut nga kafsha, jo imitimin e kafsheve. Prandaj nuk mundet dot njeri te beje me faj askend vec fajtorit.

  • Kontaktet e shqiptarëve me botën islame, janë relativisht më të vona se ato të pjesës më të madhe të popujve evropianë. Islami u shfaq për herë të parë në kontinentin e vjetër në fund të mijëvjeçarit të parë (shek. 9-10-të).

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *