Krenaria me Konstandinin e Madh





sant'ambrogio

Prej disa vitesh qarkullon një përrallë me sfond historik ku protagonisti, një “paraardhës i shqiptarëve”, përmes aktit të njohjes së krishterimin si fe zyrtare do të forconte krenarinë tonë kombëtare në tre drejtime. Por njëri nga autorët, Ndue Ukaj, e tregon akoma më mirë:

“Për shqiptarët, rëndësia e  Edikti i Milanos, është e shumëfishtë. E para, është fakt historik se është hartuar nga një perandor ilir dhe ky argument duhet të na bëj të ndjehemi krenar. E dyta, është dëshmi se krishterimi te shqiptarët, është burimor dhe autentik. E treta, duke e njohur këtë Edikt dhe përmasën e tij politike, juridike dhe fetare, kombi ynë mund ta forcojë bashkëjetesën ndër fetare dhe krijojë një paqe e stabilitet të përhershëm”.

Të ishte pohim i një komenti anonim edhe mund të anashkalohej, por vjen nga penda e njërit prej hartuesve të peticionit të intelektualeve kundër rishkrimit të historisë. Në mos njohuri historiografike, së paku autori duhet të zotëronte një farë koherence me vetveten. Tek peticioni ai distancohet nga bashkëpunëtorët shqiptarë që punuan për “perandorinë pushtuese osmane”. Madje, në një artikull tjetër, shkruan se “në perandorinë osmane ka pas sigurisht oportunistë, vezirë e pashallarë shqiptarë, ashtu siç ka pasur në kohën e Millosheviçit bashkëpunëtorë të regjimit të tij, por ata s’përbëjnë asnjë vlerë për kombin shqiptar”. Mbase nuk ka asnjë vlerë Vaso Pasha, por kjo pak rëndësi ka përballë faktit që në artikullin mbi Ediktin e Milanos autori pretendon një krenari kombëtare me ilirin që i shërbeu një perandorie e cila ishte pushtuese e “mëmëdheut” të tij.

Historianët e kanë përdorur përcaktimin “perandor ilir” duke u bazuar tek territori dhe jo tek etnia, pasi në atë periudhë nuk vlerësohej etnia por statusi juridik që buronte nga e drejta e qytetarisë. Konstandini ishte thjesht aristokrat romak i lindur në provincën ilirike të perandorisë, i cili e prodhoi ediktin i nxitur ekskluzivisht nga pragmatizmi politik. Por le ta marrim të mirëqenë “etninë” e tij ilire, megjithëse prova e vetme në favor të kësaj teze është vendlindja e Konstandinit (Nishi), që do të thotë shumë dhe asgjë.

Ndjesia e krenarisë me Konstandinin krijon disa paradokse. Sa për biografi familjare: ai varu bashkëshorten, djalin, vjehrrin dhe kunatin. Në vitet që pasuan ediktin, Konstandini luftoi fillimisht (me egërsi) donatizmin e më pas arianizmin, dy lëvizje të përjashtuara nga krishterimi zyrtar i përcaktuar nga vetë perandori. Në një dekret pas Koncilit të Nikeas perandori deklaronte domosdoshmërinë e çrrënjosjes së heretikëve, të cilët i quante “sëmundje vdekjeprurëse”. Nuk i shpëtuan armiqësisë edhe neoplatonianët. Pas 330 filloi persekutimi i kulteve pagane. Hebrenjtë i lejoi të vizitonin Jerusalemin vetëm një herë në vit; u ndaloi zotërimin e skllevërve të krishterë dhe martesat me të krishterë; kush konvertohej në hebraizëm ndëshkohej me vdekje. Ky është vetëm fillimi i asaj që Ukaj quan “akti i parë juridik, që hapi portat e lirisë fetare”. Logjika bëhet akoma më paradoksale nëse mendojmë që sot shqiptarët po krenohen se i shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së dytë botërore, ndërsa duhet të krenohen edhe me Konstandinin që hebrenjtë i persekutoi!

Për më tepër, po aq sa Konstandini, etnikisht ilir – e për rrjedhojë krenari për shqiptarët – ishte edhe Diokleciani. Mirëpo ky, ndryshe nga Konstandini, të krishterët i persekutoi. Të njëjtën gjë do të mundohej të bënte nipi i Konstandinit, Xhuliani, edhe ky, natyrisht, ilir nga Dardania (!). Me këtë dua të them që “dëshmia se krishterimi te shqiptarët, është burimor dhe autentik”, duke u nisur nga bëmat e ilirit Kostandin, shumë mirë mund të qëndrojë përmbys, pasi dy perandorë ilirë janë paganë të devotshëm dhe madje antikristianë. Fundja rrënjët e ilirëve janë pagane dhe Konstandini vetëm sa kontribuoi në zhdukjen e tyre me zgjedhjen e krishterimit si fe shtetërore. Të mendosh pastaj që Ukaj shpenzon aq shumë energji ndaj perandorisë osmane, të cilën e quan “barbare”, dhe fesë së saj zyrtare: por fakti që sot ka akoma shqiptarë me emrin Ndue vërteton, minimumi, që osmanët – dhe feja e tyre shtetërore – qenë më shumë tolerantë (ose indiferentë) se sa perandorët që pasuan ediktin dhe projektin e Konstandinit.

Fatkeqësisht që Lorenco Vala zbuloi se kishte qenë fals i famshmi ‘Testament i Konstandinit’, me të cilin Kisha e Romës justifikoi pushtetin e vet deri në shek. XV dhe që librit të Valës i kushtoi hyrjen në listën e Indeksit (me sa duket jo vetëm “barbarët” e orientit digjnin libra), pasi në të kundërt Ukaj do t’i shtonte edhe një krenari të katërt listës së përrallës, atë të themelimit të Kishës nga shqiptarët.

 

Comments

  • Urojmë që në Kosovë ta marrin seriozisht shenjtërimin e Konstandinit, siç ka ndodhur në kishat e orientit. Ky është minimumi që mund të bëjnë për të dëshmuar patriotizmin dhe mbrojtjen e figurave të krenarisë kombëtare, nëse nuk janë demagogji. Mbase ky do të jetë edhe një stimul për njohjen e Kosovës nga Selia e Shenjtë, të paktën si shpërblim për perandorin, gjithmonë duke shpresuar që ndonjë “serb i mallkuar” të mos e informojë Selinë për “etninë” ilire të Dioklecianit.

    Si puna e Ukës ka me bollek Kosova. Funksioni i tyre është publiciteti i hipotezave të tilla fallso, të cilat me kalimin e kohës shndërrohen në paradigma, si ajo e vizitës së Shën Palit në Iliri. Lush Gjergji, për shembull, merret gjërësisht me paleokrishtërimin dhe këto hipoteza qarkullojnë lirshëm në shkrimet e tija.

  • Selia e Shenjte nuk ka ndermend te cenoje maredheniet me kishen ortodokse per hir te Kosoves dhe kjo eshte deklaruar ne sa e sa raste, deklarata qe prape ne Kosove bejne sikur nuk i degjojne.

  • E mira eshte qe opinionet te nenshkruhen me emer e mbiemer, sic ka Emer dhe i madhi Flavius Valerius Constantinus, perndryshe nuk meritojne te diskutohet me to, por po futem duke iu drejtuar gazetes me nam qe drejtoni.
    Rendesine e Konstantinit te Madh nuk e percakton z. Ndue Ukaj dhe as kisha ortodokse qe e ka “shenjteruar”, por Veprat e tij. Liberalizimi i fese se Allahut ne Europe, ndarja me shpate e pushtetit imperial nga ai pseudojuridik e mafjos i Senatit te Romes dhe ndertimi i Stambollit, mposhtja dhe nenshtrimi i barbareve extraeuropiane (qe pas tij do te na shkretetonin ballkanin), reformat financiare dhe administrative
    jane vetem disa nga keto VEPRA qe nuk krahasohen me gosip-at qe i ngarkojne detraktoret e vegjel.

    • Emer ose jo, kjo eshte zgjedhja jone, por, sidoqofte, e rendesishme eshte te perçohet nje informacion dhe mesazhet perkatese, qe shikoj se tek ti kane vepruar,meqenese i ke reshtuar veprat e Konstandinit. Ka nje detaj. Nuk jemi marre me veprat ne teresi, ashtu sic nuk e ka bere as Ukaj, e ne fakt nuk jemi fokusuar as tek vepra e Ukajt ne teresi. Ketu nenvizohet leximi i nje manovre politike te perandorit dhe mjaft. Kjo per interesa qe neve, “gazetes me nam”, na duken fetare, moderne dhe manipuluese. Pra, behet fjale per rendesine qe i jep lloji i Ukes.

      Veprat e tjera mund te diskutohen.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *