Xhamia e Fierit mbillet me kioska





Xhamia e Fierit 3E-Zani

Nuk ka pak kohë që xhamia e Fierit e ka transformuar pamjen e vet, duke zëvendësuar kangjellat rrethuese me një kuadrat kioskash prej teneqeje që ia kanë zënë të gjithë pamjen duke shëmtuar gjithçka. Kioskat kanë filluar aktivitetin si dyqane, të cilat u ofrojnë klientëve produkte nga më të ndryshmet, çka i jep xhamisë pamjen e një pazari shumë larg asaj të një objekti kulti. Ato gjithashtu kanë prishur lulishten e oborrit të xhamisë, e cila jo vetëm që nuk duket më nga jashtë, por nuk ka më vlerë as nga brenda, përderisa bahçeja ndërpritet nga një mur llamarine që duket sikur e ka therur gjelbërimin përmes.

Pyetëm disa nga besimtarët e xhamisë dhe na thanë se gjithçka është bërë nga Komuniteti Mysliman. “Normale nuk është aspak, por ja që është bërë dhe ne s’kemi çfarë të bëjmë”, – u shpreh si me drojë një djalë i ri rreth të 25-tave me një Xhamia e Fierit 2pamje të brishtë nën mjekrën e kaftë. Natyrisht, asgjë për t’u krenuar nuk mund të ketë në një barbari të tillë, që i përdor objektet e kultit si burime financiare banale për të mbajtur me të ardhura një komunitet në falimentim. Më vonë mësuam se hapësira në territorin e xhamisë u është dhënë në përdorim disa tregtarëve të xhematit kundrejt një qiraje. Gjithçka duket në përputhje me kulturën e ekonomisë natyrore të një komuniteti të izoluar, që e kollandris jetën e vet me çikërrima rreth e rrotull xhamisë. Nevojat e KMSH-së për të ardhura përputhen me nevojat e disa shebapëve dyqanxhinj me target klientele në xhemat. Për imazhin e fesë dhe nevojën që të kemi xhami dinjitoze ku të ftojmë miqtë dhe të afërmit nuk e çan kokën njeri.

Ndonëse e punuar keq, dhe me një arkitekturë që nuk i shkon fort kontekstit kulturor e urban ku është ndërtuar, xhamia e Fierit mund të thuhej se hynte tek ato pak objekte të rëndësishme të një qyteti të shpërfytyruar nga ana urbanistike. Të paktën xhamia integrohej me sheshin ku ish ngritur nëpërmjet lulishtes që zgjatej në mjedisin pranë hyrjes së saj. Mirpo tashmë ajo është llamarinizuar nga kioskat e reja që duket sikur konkurojnë fenë, duke i tërhequr besimtarët drejt profanes. Aty tashmë tregtohen mallra konsumi dhe shërbime nga më të ndryshmet, që nga fruta-perimet (tranguj, domate, kunguj e shalqi) e deri tek dyqanet që riparojnë SAMSUNGcelularë, një nga aktivitetet “hallall” që plotëson panoramën stereotipike margjinale të krijuar këto vitet e fundit. Dekori përmbyllet me një tabelë të bardhë mbi hyrjen e ngushtuar të xhamisë që i uron përtueshëm besimtarët për muajin e shenjtë: “GEZUAR RAMAZANIN”.

Hajde pra: hallall jua boftë Zoti të gjithëve!

Pamja të ofron shijen e një mjerimi dhe një degradimi human e estetik. Ky mjedis jo vetëm që nuk të kujton aspak Zotin, por të ngjall krupën. Asgjë dinjitoze për një fe që ka prodhuar një qytetërim kaq të madh. Asgjë nuk të thotë se aty brenda frymorët trajtohen vërtetë si njerëz. Është një peizazh prototip i bathorizimit të xhamive, që tregon nivelin kulturor të atyre të cilët fatkeqësisht menaxhojnë sot fenë.

Nuk ndodh kjo aspak me kishat katolike e ortodokse. Duke kaluar pranë katedrales ortodokse në Fier nuk gjen asnjë shenjë të një barbarie të tillë. Përkundrazi, gjendesh në një mjedis të paqshëm qiparisesh të hijshëm dhe ftues për mëkatarët që kërkojnë strehë. Ndërsa ‘xhamia e llamarinës’, pak metra më tutje, nuk fton askënd, përveç atij që ka nevojë për tranguj, qepë, ndonjë palë këpucë apo një servis për celularin. Nuk e dimë se cili njeri me një formim normal e me disa pretendime minimale për veten do të pranonte të identifikohej me këtë imazh dhe do të ndjehej krenar që i përket atij komuniteti!

Comments

  • Se mos eshte e para, xhamia Tabakeve u ndertua e sterndertua dhe tashme ka nje mal kapice me ambiente jofunksionale. Vajmedet. ulliri, trendafilat dhe lulishtja.

  • E filloi kete ere ndertimesh “hallall”, puqja e zellit katunaresk dhe e lekut pa dogane arap, pikerisht mu tek Dine Hoxha. Nje pylle me shtylla, dhe vape, vape pafund. Dymetroshet nen kercenimin e perhershem qe ta bejne sexhden ne kijam, pa pas nevoj me shku ne ruku.

  • Produkt i mendjeve tona te mbrapshta! E tepruar kjo qe thashe?! Ndoshta. Por gjerat duhet thene cope, sic jane thene dhe ne kete shkrim. Nuk duhet ta bejme kritiken qellim ne vetevete, por eshte imperativ themelimi i mendimit kritik ne jeten tone islame, per t`i vene nje barrikade mediokritetit dhe beduinizmit te fese nga nje arradhe njerezish me pergjegjesi. Ata (drejtues te KMSH-se), por dhe ndonje drejtues lokal, myftinj apo imame, duhet ta kuptojne e duhet ta pranojne se ndoshta nuk jane adapte per punet qe udheheqin. Ndersa ne Islam, ka nje peshe te madhe kompetenca, aftesia drejtuese. Perndryshe, ata shnderrohen ne modele te mbrapshta te mosperputhjes se fjaleve me veprat, teksa rreken te promovojne Islamin me fjalet e tyre. Mjafton fakti qe ne krye te KMSH-se, gjendet – ndoshta nje burre i mire – por nje njeri me kapacitet nen normal te pergatitjes fetare e intelektuale, per te vene kujen per kete anomali, nderkohe qe mes myslimaneve sot, gjendet kapacitete te fuqishme, por pak te njohura e te promovuara.

  • Pse nuk bejne dyqane zyrat e KMSH-se me mire? Nuk i duhen kujt. Te pakten nuk shkaterrojme mbrojme xhamite nga llamarinat.
    Me cinike eshte se nderkohe po bertasim sa kemi fuqi per xhamine e madhe ne Tirane, qe e duam vetem per simbol. Nderkohe shkaterrojme cdo simbol tjeter anekend vendit.

    • Shume ide e mire? Mendoj se zyra e Selimit te shnderrohet ne agjensi imobiljare ne partneritet me kompanite e Delijorgjit. Ajo e myftiut ne zyre keshillimore per grate e dhunuara, kjo ne bashkepunim me Elsa Ballaurin qe i udhezon me se miri. Ajo e Ages ne dyqan lulesh dhe fidanesh pyjor qe te ndihmoje sadopak gjelbrimin en qytet. E Spahiut ne shitje copash basme rruzareve dhe çallmave me celafon. Ndersa ajo e Kancelarit ne kasaphane, se ai di ta perdori mire gurin fresibel. (a, te mos mungoje ne ndarjen e mishit dhe ajo goca me kryqe ne koke, ajo shitsja tek Ora News) Leket t’i kalojne thesarit per tu perdor ne kerkimin shkencor qe zhvillojne medresistet neper olimpiadat e Dallasit.

  • Leave a Reply to a Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *