sisyphusBruna Zadeja

Kompleksitetit të natyrës njerzore i përgjigjet, për arsye paracaktueshmërisht të ndryshme, kompleksiteti ekzistencial që, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, shërben si formësues i thelbit të qenies njerzore e cila me sa duket, sfidën më të madhe me veten e has pikë së pari në mënyrën se si përkufizon perfekten dhë mënyrën se si e vendos veten përballë saj. Kjo do të thotë se shpeshhere, madje me tepër seç duhet, ne gjendemi në absurdin e besimit në perfeksion i cili zhvillohet në kontekste kompleksitetesh që ballafaqohen mes tyre ose në mungesë të ingranimit, ose në ingranim aksidental, të pavetëdijshëm. Pra në këto kushte perfeksioni është thuajse i pamundur sepse boshti që ai të ndodhë presupozon një pikë referimi e cila do të na pasqyronte ashtu siç do të duhej të ishim dhe jo ashtu siç besojmë se jemi: perfektë!

Megjithatë në të dyja rastet edhe kur perfektja shfaqet si gënjeshtër po edhe si tentativë ajo nuk mund të arrihet dot, pikë së pari sepse nuk është atribut njerëzor, por Hyjnor dhe së dyti sepse forcat e brendshme (individuale) dhe ato të jashtme (shoqërore) vazhdimisht kanë tendenca ekstreme sipas të cilave trajtat e personalitetit human zhvillohen, ose si pasojë e manipulimeve shoqërore ose si pasojë e kokëfortësisë individuale. Dhe e gjitha kjo është e mundur dhe e besueshme që të ndodhë, sepse sado larg ta hedhë vështrimin mendja e njeriut kurrë nuk do të mund ta hidhte aq larg sa të projektonte një platformë jetese që do të mund të balanconte të mirat e njeriut në raport me mundësitë e tij. Asnjë shkencë nuk ia ka arritur dot të shërbejë si disiplinë që shpjegon gjithçka, madje edhe të gjitha disiplinat të marra së bashku nuk ia kanë arritur dot.

Historia njerëzore evoluon me epoka dhe sisteme të cilët fare nuk ngjajnë me njëri-tjetrin. Atëherë a ka kuptim në këtë kontekst të flasim për një evoluim historik prej një epoke që e njeh fenë dhe një epoke që e mohon thuajse totalisht atë?! Pra jemi duke thënë se këto kapërcime historike dëshmojnë nevojën e natyrshme njerëzore për t’ju përgjigjur një ligji që s’mund të dalë prej njeriut për shkak të pranisë së një cilësie thelbësore që po e quajmë instikti “tradhtar” i aftë të përmbysë çdo gjë. Dhe në këtë kontekst na vjen një pyetje tjetër; a ka kuptim perfektja në prani të këtij instikti? Një logjikë e tillë e fton njeriun që mendimin për veten ta zhvendosë nga lart-poshtë, si e vetjma mundësi që e lejon atë të vetënjihet.

Gabimisht, në nivel përfaqësie besimtarët janë parë si qenie të pagabueshme, gjë e cila nuk përkon me parimet religjioze, të paktën jo ato islame, sipas të cilave njeriu është gabimtari më i madh, sepse është dhe mendimtari më i madh. Marzhin e gabimit e përcakton njohja apo pranimi i tij si i tillë. Shekuj me rradhë gabimi është mohuar me metoda nga më të sofistikuarat, duke nisur nga krijimtaritë artistike letrare, për të vazhduar me çarëdo lloj arti njerëzor i cili s’ka mundur dot t’i shpëtojë banalizimit prej imazhit pa botë shpirtërore dhe botës shpirtërore pa shije estetike.

I gjithë ky mohim fatkeqsisht i vetëdijshëm e ka krisur gjykimin e njeriut për veten në dy ndasi të zhvilluara paralelisht sipas të cilave herë-herë njeriu beson se është qenie perfekte për të cilën këshilla del të jetë e panevojshme (kokëfortësia individuale) dhe herë-herë duke besuar se është qënie plot gabime dhe ai mund t’i lejojë vetes çdo gjë (manipulimi prej shoqërisë). Epoka moderne është në funksion të këtij absurdi i cili u  zbulon në fakt atyre që ndiejnë neveri prej çmendurisë, nevojën njerzore për t’u ridimensionuar vazhdimisht pikësëpari përmes guximit për të pranuar veten dhe fajin në të, përulësinë për të kërkuar falje dhe sfidën për t’u korrigjuar.

Në filozofinë islame kjo nevojë konsiderohet si një prirje e natyrshme përmes së cilës formësohet dhe duhet formësuar karakteri i besimtarit edhe pse rreziku i rënies në keqinterpretimin dhe keqqasjen e perfektes jo rrallë herë e gjen të shprehur veten edhe aty ku koncepti dhe funksioni i adhurimit ekziston për të dëshmuar pikërisht mungesën e perfeksionit njerëzor në raport me Perfekten Hyjnore.

Prej këtu përmbledhim se perfekten nuk mund ta shohim as si stacion të kaluar dhe as si stacion të paarritshëm. Këndvështrimi i parë na bën mendjemëdhenj dhe arrogantë, i dyti pesimistë dhe të padobishëm. Pra në të dyja rastet shansi për të përdorur përpjekjen për të qenë ndryshe del të jetë i asgjësuar dhe frika prej boshllëkut që mbush sensin jetësor vret çdo koncept dhe bashkë me këtë zhvlerëson fjalën duke e zbrazur atë, duke e zhveshur nga përgjegjësitë dhe zbehur funksionin e saj si ndryshuese potenciale të realitetit.

Rënia e besimit në fuqinë e fjalës dhe konceptit që ajo përcjell mund të duket e parëndësishme, por në fakt duhet qartësuar se  ky funksion asnjanës i saj nuk është tregues objektiviteti, por indiference të pastër, sepse përmes fjalës arrihet deri tek e ditura dhe ndryshimi. Mirëpo për arsye të cilat i shpjeguam më lart praktikisht instikti njerëzor nuk e njeh këtë lloj parimi, madje ka tendencë ta refuzojë atë vazhdimisht, ndaj dhe në Islam llojet e adhurimeve janë ndarë në kategori të ndryshme pikërisht për t’iu përgjigjur çdo nevoje që lidhet me ikjen sa më larg prej grackës së instiktit zhvlerësues të fjalës, por jo vetëm. Kështu nëse shehadeti fillimisht është fjalë (e dëshmuar) pastaj edhe punë (dëshmuese), agjërimi është fillimisht vepër (dëshmuese), pastaj fjalë (e dëshmuar). Jo më kot agjërimi konsiderohet si lloji më i vecantë i adhurimeve fetare, nisur nga fjala e të Madhit Zot kur thotë se; “Çdo  punë, (adhurim) që kryeni e bëni për veten tuaj, ndërsa agjërimi është për Mua”. Urtësia e këtij adhurimi lidhet pikërisht me çka jemi duke folur,  përballjen me veten. Agjërimi është një mundësi e shkëlqyer për të vërtetuar vlerën e adhurimit që do të thotë se nëse besimtari mund ta falë namazin duke i pëlqyer pak vetja dhe duke gjetur mijëra justifikime për ta hedhur poshtë këtë, me agjërimin s’mund të bëjë kështu. Nëse agjëruesi vendos ta çelë agjërimin në kohë të papërshtatshme, dhe pa arsye të shëndoshë për ta bërë këtë atëherë ka vetëm një interpretim që shpjegon veprimin, mungesën e dëshirës për të agjëruar. Agjërimi është i vetmi ibadet kur mundësia për të gënjyer veten nuk ekziston, sepse përballja me të është e drejpërdrejtë. Mund të gënjejmë çdokënd, por jo veten.

Megjithatë ruajtja e vlerës së këtij ibadeti varet shumë prej veprash të tjera që lidhen me nijetin, qëllimin  e besimtarit dhe përdorimin e  fjalës së tij. Që do të thotë se punët tona dhe mënyra se si i drejtohemi njëri-tjetrit, jo vetëm në situata të pakëndshme, por në çfarëdolloj situate qoftë,  të jenë qëllimisht të zgjedhura me dashuri e përkujdesje, pavarësisht nëse ka ndodhur kështu ose jo përpara Ramazanit. Çdokujt i shkon të sillet plot hijeshi në këtë muaj. Nuk ka rëndësi vlerësimi i pamjaftueshëm për veten e aq më pak i të tjerëve. Rëndësi në këtë muaj ka vetëm premtimi i mëshirës dhe i faljes së Zotit. Nuk ka rëndësi e as vlerë fshehja prej mungesës së perfeksionit. Rëndësi ka të kuptuarit se sfida e vërtetë gjendet pikërisht në përpjekiet për të përmirësuar defektet. Nuk kanë  rëndësi dështimet e gjithmonëshme , ka rëndësi besimi në përpjekjen  e rradhës, sepse kemi kohë deri në fund për të mos u dorëzuar e për ta besuar Ramazanin sa herë që vjen në jetët tona, si pikënisjen madhështore drejt fundit të pakthyeshëm…

Comments

  • Nje shkrim i bukur qe te nxit kersherine per ta lexuar qe nga titulli.Bruna Zadeja Allahu ta shperblefte qe na kenaq me shkrimet e tua.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *