Kosovarizmi dhe islamizmi*





Enis Sulstarova

Enis-Sulstarova-e1338972216898Deklarata e Forumit të të Rinjve Myslimanë në Kosovë kërkonte që deputetja Alma Lama, si një “refugjate” nga Shqipëria, të mos flasë në emër të popullit të Kosovës. Madje, sipas së njëjtës logjikë, asaj nuk i lejohet që të përdorë pozitën e saj në Kuvend për të mbrojtur gratë e Kosovës nga poshtërimi që vjen prej një interpretimi dogmatik të fesë islame nga ndonjë hoxhë injorant që kujton se bota fillon e mbaron te oborri i xhamisë së tij.

Kjo deklaratë nga ky grup i disa të rinjve myslimanë në Kosovë tregon se ka një afërsi logjike midis kosovarizmit dhe islamizmit në politikë. Afërsi që mund të jetë e paqëllimtë nga propaganduesit e kosovarizmit, megjithatë ajo ekziston në mënyrën se si artikulohet identiteti kosovar në sferën publike në Kosovë.

Në fillim le të saktësojmë disa terma që përdoren në këtë artikull. ‘Politika’ këtu kuptohet si praktika e krijimit të solidariteteve përmes ligjërimeve. ‘Nacionalizëm’ është ai lloj ligjërimi që kërkon që kombi të jetë baza e solidaritetit (vëllazërisë) politike. Në Kosovë kemi nacionalizëm shqiptar që kërkon që Kosova të jetë një shtet (i dytë) shqiptar dhe me të drejtë bashkimi me Shqipërinë, meqenëse bëhet fjalë për një komb të njëjtë, unik e të pandashëm shqiptar. Në Kosovë po zhvillohet gjatë viteve të fundit edhe një ligjërim nacionalist kosovar, i quajtur këtu ‘kosovarizëm’, i cili pretendon se, pavarësisht prej rrënjëve etnike të përbashkëta, shqiptarët etnikë të Kosovës po ndërtojnë një komb tjetër nga ai shqiptar: kombin kosovar. Sipas një varianti, ky komb do të jetë së pari politik, pra komb i qytetarëve të Kosovës, pavarësisht prej origjinave të tyre etnike. Ndërsa me ‘islamizëm’ këtu kuptohet ligjërimi që solidaritetin politik kërkon ta ndërtojnë mbi përkatësinë fetare myslimane.

Ligjërimet nuk janë të shkëputur nga njëri-tjetri dhe priten midis tyre. Kështu, nacionalistët shqiptarë janë të vetëdijshëm që historikisht populli shqiptar në shekujt e fundit ka qenë me shumicë myslimane, mirëpo identitetin kombëtar shqiptar ata janë përpjekur të mos ta ndërtojnë përmes identiteteve fetare, por duke theksuar prejardhjen e njëjtë etnike të shqiptarëve dhe gjuhën shqipe si karakteristikat bazë të shqiptarit dhe këtyre janë përpjekur t’u shtojnë edhe vullnetin për ndërtuar së bashkësinë politike dhe fatin e përbashkët në të ardhmen. Madje, duke e marrë në sy fuqinë e fesë si identitet të grupit, nacionalistët shqiptarë kanë vënë në dukje ndikimin përçarës që ka pasur theksimi politik i identiteteve fetare për projektin e tyre të krijimit dhe forcimit të kombit. Prandaj, nacionalizmi shqiptar ka pasur qysh nga fundi i shek. XIX një përmasë të vetën laike, që në një masë të madhe e dallon nga nacionalizmat e tjerë ballkanikë.

Duke iu referuar Rilindjes Kombëtare, laiciteti për rilindësit kishte dy anë funksionale. Së pari, laiciteti i brendshëm ofronte kushtin për krijimin e një sfere publike të shqiptarëve. “Shqiptaria” do të ishte feja civile e shqiptarëve, krahas dhe përmbi fetë ekzistuese. Ky erdhi e u bë qëndrimi i mbizotërues i rilindësve, përballë ideve që kërkonin që fetë të merreshin parasysh për organizimin e shtetit dhe të sferës publike. Kështu, Sami Frashëri e kundërshtoi si përçarëse idenë e Jeronim de Radës ta organizuar shtetin shqiptar si një konfederatë të përbërë nga tri njësi politike, nga një për secilën nga fetë tradicionale. Ana e dytë, laiciteti i jashtëm, kishte të bënte me mbylljen e sferës publike shqiptare prej ndikimeve të dëmshme politike dhe kulturore prej shteteve fqinje. Jo më kot Sami Frashëri shkruante se dy duhet të ishin qëllimet madhore kombëtare të shqiptarëve: lëvrimi i gjuhës shqipe dhe krijimi i kishës së pavarur (autoqefale) ortodokse shqiptare.

Në krahun tjetër, është plotësisht e mundur që identiteti fetar të jetë në themel të atij kombëtar, siç kanë bërë nacionalizmat e popujve ballkanikë, të cilët fenë e kanë përdorur për të çimentuar solidaritetin e kombit. Jo më kot kishat ortodokse kanë një vend të privilegjuar në politikën e shteteve si Serbia apo Greqia. Në IRJM, nacionalizmi sllavomaqedonas po e përdor ortodoksinë si element identitar të kombit maqedonas dhe të shtetit, prandaj vendoset kryqi i madh në malin pranë Shkupit. Kjo gjë ka sjellë edhe një kundërpërgjigje nga ana e shqiptarëve të IRJM-së që, për kundërpeshë kanë theksuar identitetin mysliman si pjesë përbërëse të shqiptarisë. Para ca muajsh, shkrimtari nga Shkupi, Kim Mehmeti tha në një bisedë të zhvilluar në Prishtinë se në disa raste dhe vende identiteti mysliman e ka mbrojtur shqiptarinë, sepse e ka bërë më fortë dallimin e shqiptarëve nga sllavomaqedonasit dhe ai kishte parasysh kryesisht situatën etnike në IRJM. Kjo thënie u nxor jashtë konteksti dhe u interpretua si një sakrilegj që po i bëhej kombit, kur në fakt nuk ishte e tillë. Megjithatë, replikuesit me argumentin e Mehmetit vunë në dukje se theksimi i identitetit mysliman në IRJM e Kosovë në të kaluarën e ka bërë më të lehtë identifikimin arbitrar të shqiptarëve si “turq” nga ana e autoriteteve  jugosllave, me qëllimin për t’i përzënë ata nga trojet e veta.

Sidoqoftë, një “rizgjim” i kohëve të fundit të shqiptarëve të fesë ortodokse në IRJM na rikujton dobinë e mosidentifikimit të identitetit shqiptar ekskluzivisht me një fe të caktuar. Kjo gjë u duhet kujtuar edhe disa orvatjeve të intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë për ta rrënjosur identitetin e kombit te krishterimi si “feja e të parëve” apo si feja që na lidh me “kontinentin mëmë”. Eshtë tregues i mençurisë politike dhe i vetëdijes historike thënia e paradokohshme e Albin Kurtit se “shqiptarët në Ballkan nuk duhet të lejojnë as të shfrytëzohen si bedem mbrojtës i ‘Evropës së krishterë’ përpara ‘depërtimit të islamit nga Lindja’ dhe as të përdoren nga ‘islamistët ekstremistë’ kundër ‘Perëndimit të krishterë’”. Le të shpresojmë se kjo shprehje do të jetë përfaqësuese e mendimit të brezit të ri të politikanëve dhe intelektualëve në mbarë trojet shqiptare.

kisha, xhamiaIslamizmi në rastin e Kosovës mund të shihet si një përpjekje për të nxjerrë në pah në sferën publike identitetin mysliman të shqiptarëve të Kosovës dhe për ta bërë këtë identitet themelin e solidaritetit politik. Kësaj orvatjeje i shkon për shtat ideja themelore e kosovarizmit, ajo që në Kosovë duhet të punohet për të krijuar solidaritetin politik rreth identitetit të “kosovarit” dhe se kosovarët duhet të heqin dorë nga projekt politik i kombit shqiptar që ka filluar me Rilindjen Kombëtare në gjysmën e dytë të shek. XIX. Për të qenë të saktë, kosovarizmi, të paktën ashtu siç është shprehur në shtyp nga Migjen Kelmendi, Nexhmedin Spahiu, Halil Matoshi e ndonjë tjetër, mbron idenë e një shoqërie demokratike dhe laike në Kosovë. Për më tepër, ka dallime, në njërën anë midis idesë për kombin politik kosovar të Spahiut, i cili e shikon atë si vazhdim dhe përforcim të projektit kombëtar shqiptar dhe, në anën tjetër, midis Kelmendit, i cili kërkon një gjuhë zyrtare “kosovare” dhe projektit “habermasian” të Matoshit, i cili ankohet për imperializmin e Shqipërisë në Kosovë!

Po të përqendrohemi te varianti i Matoshit, pra te ai i një identiteti të përbashkët politik e shumëkulturor për shqiptarët, serbët dhe etnitë e tjera në Kosovë, ky projekt duket i dështuar, sepse refuzohet në radhë të parë nga serbët, të cilëve iu ofrua si formë bashkëjetese në shtetin e ri. Me Pakon Ahtisari plus marrëveshjen e fundit Daçiç-Thaçi parashikohet që serbët do të kenë shoqërinë e tyre paralele në Kosovë, me pothuaj të gjitha institucionet e veta politike dhe më shumë të orientuar nga Beogradi se nga Prishtina. Kështu që del se kosovarizmi është për konsum brendashqiptar dhe po të marrim edhe idenë e Kelmendit për gjuhën zyrtare kosovare të bazuar mbi gegërishten, atëherë efekti kryesor i kosovarizmit është që krijojë një mur politiko-kulturor midis Shqipërisë dhe Kosovës (por edhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe në IRJM që do të kenë “lirinë” për t’u vetëshpallur si shqiptarë ose si kosovarë). Pra, thelbi qëndron te ndarja e kosovarizmit si projekt për bërjen e kombit nga shqiptarizmi.

Kosovarizmi, i propaganduar zhurmshëm në mediat e Prishtinës, përcjell idenë se është një licencë për të krijuar “kombin kosovar” ashtu si duan shqiptarët e Kosovës (kosovarët) dhe sipas rrethanave ekskluzive “kosovare”. Këtu krijohet hapësira ku ndërhyn argumenti islamist se meqenëse Kosova është e banuar nga qytetarë që në shumicë kanë përkatësi/origjinë myslimane dhe meqenëse të krishterët janë një pakicë e papërfillshme me shqipfolësve, atëherë identiteti mysliman duhet të jetë politik dhe të jetë një element kryesor i përcaktimit të “kosovarit”. Argumenti vazhdon më tutje se pavarësisht se sa laikë mund të jenë qytetarët në jetën e përditshme private e publike, kjo nuk e pengon që islami të jetë fe zyrtare në Kosovë, ashtu sikurse fjala vjen është ortodoksia në Serbi e Greqi, apo katolicizmi në Itali, ose të paktën të funksionojë si një frymë e vizion në sferën publike, siç po ndodh me Turqinë e kryeministrit Erdoan. Sot në Evropë ka kisha zyrtare dhe nuk ka përse të mos ketë në Kosovë një islam zyrtar!

Sërish, në të njëjtën vijë argumentimi, islamistët mund të thonë se modeli laicist i shprehur nga Rilindja mund të vlejë për Shqipërinë, ku ka një larmi më të madhe fetare se sa në Kosovë dhe në IRJM, ku islami është dukshëm mbizotërues te shqiptarët. Plus kësaj Shqipëria ka përjetuar ateizmin e imponuar komunist, ndalimin me ligj të fesë, ndërsa në Kosovë (dhe IRJM) nuk ka pasur asnjëherë shkëputje të jetës fetare. Atëherë pse duhet që Kosova të ndjekë një projekt “anakronik” të nacionalizmit shqiptar, së bashku me barazlargimin e tij nga fetë, kur në Kosovë është shansi për të ndjekur një projekt tjetër, atë “modern” të “kombit kosovar” i cili të jetë më pranë islamit politik? Pse u dashka nderuar Skënderbeu që si i krishterë luftoi kundër përhapjes së islamit te shqiptarët, apo pse u dashka nderuar Idriz Seferi që ishte një “rebel” ndaj kalifit osman? Çfarë i lidh “kosovarët” myslimanë sot me shqiptarë “filogrekë” ortodoksë në jug të Shqipërisë, apo me ata katolikë që e duan për heroinë kombëtare Nënë Terezën? Islamistët e Kosovës mund të thonë: le të bëjnë ata si të duan me kombin e tyre shqiptar, sepse ne kemi hallin e kombit tonë “kosovar” me rrënjë myslimane.

Islamistët në Kosovë që mund të shprehin ide të tilla nuk janë aspak origjinalë, sepse ide të tilla pjesërisht kanë ardhur nga Shqipëria, sikurse edhe ideja e kombit kosovar, që u trajtua në një artikull të Fatos Lubonjës aty nga mesi i viteve 90 të shekullit të kaluar. Pikërisht ajo rrymë e mendimit intelektual në Shqipëri që nuk e sheh me simpati, ose e kundërshton hapur bashkimin kombëtar të shqiptarëve, ndër argumentet që ka hedhur në qarkullim ka edhe atë të “fetarisë” së kosovarëve e shqiptarëve të IRJM, krahasuar me qytetarët “më të zbutur” nga aspekti fetar në Shqipëri. Duke marrë përsipër detyrën e mbrojtjes së laicizmit në Shqipëri, këta intelektualë shqetësohen për “kontaminimet” myslimane që mund të vijnë nga shqiptarët e Kosovës e ata të IRJM. Këta të fundit këta paraqiten si më primitivë, më fanatikë dhe më “orientalë”. Kështu gjatë polemikës Kadare-Qose në vitin 2006, Maks Veloja i quante shqiptarët e Shqipërisë të emancipuar e evropianë, ndërsa ata të Kosovës si primitivë që Shqipërisë veç telashe do t’i sjellin. Afërsisht në të njëjtën kohë, një tjetër publicist nga Tirana, Ardian Klosi, e jepte shtrirjen gjeografike të “Shqipërisë Lindore” në trekëndëshin Prishtinë-Tetovë-Shkup. Islamistët në Kosovë nuk bëjnë tjetër veçse riqarkullojnë të tilla paragjykime dhe ua kthejnë nderin intelektualëve “të emancipuar” të Tiranës, duke e quajtur identitetin shqiptar si imponues e shtypës ndaj myslimanëve të Kosovës.

Për të ardhur te deklarata e Forumit të të Rinjve Myslimanë, nënteksti i tij është i qartë: Lama është e huaj në Kosovë, ajo nuk e njeh dhe respekton “traditën kosovare”. Ajo nuk mund të flasë kundër islamit si përfaqësuese e “kosovarëve”, sepse është “refugjate” në Kosovë. Modeli shqiptar i laicizmit është shtypës dhe ne duhet të krijojmë modelin tonë, përderisa kombi kosovar është i ndryshëm nga ai shqiptar. Islamizmi në këtë mënyrë puqet me kosovarizmin, duke qenë një artikulim edhe më radikal i tij, përderisa dallimit politiko-shtetëror e gjuhësor midis Shqipërisë dhe Kosovës, ky i shton edhe elementin fetar.

 

*Botuar në gazetën Shqip

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *