Agimi i ArteE-zani

Me këtë trini u prezantua Agimi i Artë në Himarë gjatë pushimeve verore të Shtetit shqiptar, në përkujtim të vdekjes së Aristotel Gumës. Zakonisht heronjtë vdisnin në luftë ose në realitete të lidhura me idealizmin stoik, etj., por ja që hero bëhesh edhe nëse merr çmim Nobel, vdes në aksident automobilistik apo, pse jo, kur bie nga fiku. Kriza ekonomike e Greqisë do të prodhojë edhe heronj të tillë, që i shërbejnë mirazheve mesianike të premtuara nga lëvizjet ekstremiste të djathta, ndryshe nuk kanalizohet dëshpërimi kolektiv grek.

Agimi i Artë lind aty nga vitet ’80. Fillimisht përqafon verbërisht ideologjinë naziste duke tentuar rikthimin tek paganizmi helen, si origjinë kombëtare. Më pas, gjatë viteve ’90, ndodh “konvertimi”. Krishtërimi, pas refuzimit të motivuar nga origjina e tij hebraike, kështu të paktën e gjykonte Lëvizja në hapat e parë, gradualisht merr një status të privilegjuar në boshtin ideologjik të Agimi i Artë. Grekët nuk janë më paganë dhe ortodoksia është pjesë e pandashme e kulturës dhe identitetit helen, prandaj edhe Lëvizja nuk mund të qendrojë e pavarur nga ky realitet. Për rrjedhojë, Zeusit i bashkëngjitet edhe Jezusi.

Agimi i Arte 3Dëshmi e shtysave fetare është pjesëmarrja e ‘Gardës së Vullnetarëve Grekë’ në konfliktin e Bosnjës. Sipas Osservatorio dei Balcani e Caucaso grupi i parë i vullnetarëve, që shkonin në Bosnjë “për të luftuar në emër të ortodoksisë”, u stabilizua në Vlasenica. Katër vullnetarë grekë u dekoruan pas masakrës së Srebrenicës, sepse sipas filozofisë së Radovan Karaxhiçit “Zoti dhe grekët ishin të vetmit miq të serbëve”. Për rolin e vullnetarëve grekë në këtë luftë flet më në detaje raporti i prof. Cees Wiebes (Intelligence and war in Bosnia: 1992-1995) dhe libri i Takis Michas (Unholy Alliance: Greece and Milošević’s Serbia in the Nineties). Me këtë frymë gatuhet Agimi i Artë dhe anëtarë të lëvizjes kanë marrë pjesë në konfliktin boshnjak.

Konfrontimi fetar dhe madhështia perandorake greke shkrihen në përkujtimin e rënies së Kostandinopojës më 29 maj 2013 në rrugët e Athinës. Për më tepër, Lëvizja është në konflikt të hapur me ndërtimin e xhamisë në Athinë, i cili motivohet me arsye nga më të ndryshmet, dhe në këtë aspekt gëzon mbështetjen e ipeshkvit Serafin, metropoliti i Pierut. Justifikimet e ipeshkvit ortodoks kundër xhamisë janë: islamizimi i Greqisë – ku qartësisht xhamia interpretohet si simbol-, shkelja e kushtetutës, mbrojtja nga Orienti, roli i Greqisë si llogore historike, etj. Për kuriozitet, një re e tillë e zezë justifikimesh mbulon prej kohësh edhe kundërshtuesit e xhamisë së Namazgjasë. Nuk dukemi edhe aq larg racizmit helen, vetëm se tek ne është brenda llojit dhe emërtimi racizëm duhet zëvendësuar me antiislamizëm, pastaj deputetë dhe ish-deputetë të “pikëlluar” nge rënia e Kostandinopojës kemi edhe në Shqipëri. Agjencia ANSA bën të ditur se asnjë firmë ndërtimi nuk është prezantuar akoma në tenderin për ndërtimin e xhamisë nga frika e ekstremizmit të djathtë dhe e influencës kishtare.

Elementi tjetër i dogmës së Agimi i Artë, Vorio-Epiri, faktikisht është pjesë e pandashme e spektrit politik grek pa dallim ngjyre, nga e djathta në të majtë. Është normale që një lëvizje e ekstremit të djathtë të shfrytëzojë për qëllime populiste ëndrrën e vjetër të politikës greke.

Sidoqoftë, e rëndësishme është si reagon pala shqiptare. E këtu, fatkeqësisht, vërehet dobësia e reagimit civil dhe politik. Aleati rebel i Greqisë tashmë me zgjedhjet e 23 qershorit ia ka lënë vendin aleatit komod, asaj force politike që Greqia solli në pushtet në vitin 1997. Kështu shkruan Abdi Baleta në numrin e fundit të revistës Shenja:

Politika që kanë ndjekur qeveritë shqiptare deri tani ka qenë në thelb e në metodë e njëjtë. E majta do t’i trashë më shumë vijat jonacionaliste të kësaj politike, do të ngrejë më lart tonet integruese në dëm të pëshpëritjeve për interesin kombëtar. Ajo do tregojë më shumë përulësi para fqinjëve ballkanikë. Gjëja e parë që bëri Edi Rama ishte deklarata “për të shkrirë akujt me Greqinë”, kur dihet se edhe deri tani politika shqiptare është zier e përzier në kazanin e asaj greke. Pranë Ramës qëndron  Ilir Meta – i dëshiruari i përhershëm për t’u pëlqyer Serbisë e Rusisë.

Kjo është tradita, megjithëse shpresojmë në gabimin e analizave mediatike. Në të kundërt, Agimi i Artë nuk do të ketë nevojën e vizitave raciste në territorin shqiptar pasi do t’i gjejë miqtë në pushtet.

Për t’u vajtuar është reagimi i “shoqërisë civile”, faqeve informative dhe i disa gazetave. Logjika dominuese, e shprehur në faqet e gazetës Tema nga Mero Baze, mund të përmblidhet nga mesazhi i faqes së parë të gazetës Dita: “injorojini ata idiotë”. Mesazhin e përcjell edhe Respublica.

Agimi i Arte 2Së pari, këtu nuk flitet për disa “idiotë”, por për forcën e tretë politike të Greqisë fqinje. Së dyti, problemet zgjidhen duke i përballuar dhe jo duke i shtyrë me indiferencë. Vërtet nacionalizmi i politikës në Shqipëri dhe Kosovës “është një tallje propagandistike e qeverive”, siç pohon ‘k.c’, mirëpo edhe injorimi ndaj problemeve të pazgjidhura nuk duket ndonjë seriozitet i vyer. Së treti, provoni të injoroni pak atë çfarë ndodh në Turqi apo në Afganistan, sepse besojmë që shqiptarëve u intereson me shumë qendrimi politik i fqinjëve se sa, për shembull, “kafet e fejesës” së Roshanit me Saidin: shqiptarët duhet t’i shqetësojnë pretendimet agresive të fqinjëve, madje të veshura me ngjyra të dukshme fetare. Por ne nuk kemi media.

Comments

  • , Rama po akuzohet perdite nga demokratet pse vizitoi Turqine para Greqise dhe pse e quajti Turqine partner strategjik. Vetem Tritan Shehu ka bere 2 shkrime kunder deri tani, kurse nje me mbiemrin Hoxha, Artani, pyeste si mund te takohet Erdogani qe ka vrare njerez ne protesta. Dmth vetem Berisha duhet ta takoje Erdoganin.

  • E tepert?
    Besoj se jo.
    Tradita e marredhenieve e konfirmon. Shqiperia eshte djegur ne 1997 per te sjelle ne pushtet PS-ne dhe shkaterrimi i pati regjizoret e vet edhe ne Greqi. Ky shtet nderhyri edhe “ushtarakisht” e per pak sa nuk i realizoi planet e vjetra. Justifikimet nuk jane te pamundura. Shikoje Egjiptin se c’fund gjeti demokracia dhe me cfare pretekstesh.

    Nese marredhenie me Greqine, sic pretendon Rama, tani e tutje do te jene me te mira se gjate periudhes tete vjecare te Berishes, ku u dhuruan ujerat komebetare, cfare ngelet tjeter? T’i heqim kripen detit?
    Mosreagimi ndaj provokimeve ne territorin tone nenkupton se ne jemi miqte e perhershem te fqinjeve dhe ec pastaj e ta marrim perhere sapunin.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *