Diktatura toksike e Egjiptit





_50946921_011109668-1 Besnik Sinani

Peter Bergen, analist për kanalin televiziv CNN e një nga ekspertët më të njohur të al Kaidas, komentoi rrëzimin e Mubarakut në Egjipt dhe më pas zgjedhjet që sollën në pushtet Muhamed Mursin e Vëllazërisë Muslimane si një humbje për al Kaidan. Ngjarjet më të fundit në Egjipt e gjetkë në Lindjen e Mesme janë një fitore për al Kaidan.

Ajo që po shohim në Egjipt sot të risjell në mendje një nga periudhat më të rëndësishme në historinë moderne të Egjiptit. Në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, një grup oficerësh egjiptianë vendosën të rrëzojnë monarkinë egjiptiane dhe të marrin nën kontroll resurset kombëtare e sidomos kanalin e Suezit, që kontrollohej nga Britania e Madhe. Me oficerët bashkëpunuan një sërë grupesh të tjera shoqërore, përfshi komunistët e Vëllazërinë Muslimane. Vëllazëria Muslimane ishte në atë kohë organizata më e madhe politike dhe shihej nga nacionalistët ushtarakë – ideologjikisht të majtë – si konkurente e pushtetit. Krerët e Vëllazërisë u akuzuan për komplot vrasjeje ndaj kreut të shtetit, Gamal Abdul Naser,  dhe u burgosën masivisht. Kreu i burgosur i Vëllazërisë, Hasan el Hudajbi, një jurist i respektuar, qëndroi përherë kundra përdorimit të dhunës në politikë dhe në  librin që la pas me titull “Ftues, jo gjykatës”, ai shpaloste mendimin e tij mbi rolin e aktivistit musliman si ftues në fe e jo gjykatës i njerëzve.

Por krerët e Vëllazërisë ishin burgosur dhe në vakumin e krijuar, lëvizja islamiste në Egjipt nxorri një tjetër qëndrim që shihte si të pashmangshëm përplasjen e armatosur me rregjimin. Kish patur përherë grupe brenda Vëllazërisë që nuk kishin qenë dakort me qëndrimet e kryesisë dhe kishin kërkuar përdorimin e forcës, por burgosja e kryesisë dhe represioni që vazhdoi për gati dy dekada krijoi mundësinë dhe racionalitetin e përdorimit të dhunës politike. Korniza ideologjike u dha nga një shkrimtar i talentuar i lidhur me Vëllazërinë, por që nuk kish qenë anëtar i Vëllazërisë, Sejid Kutb, i cili u bind në burg për nevojën e luftës kundra regjimit egjiptian dhe e shpalosi këtë në testamentin e tij intelektual të titulluar “Shenjat në Rrugë.”

Edhe sot ka ideologë islamistë që thonë se mesazhi i Kutb është keqkuptuar dhe se Kutb nuk do kish aprovuar kurrë dhunën e al Kaidas, por Kutb nuk mund ta sqaronte vetë mesazhin e tij, sepse u ekzekutua nga regjimi i Naserit dhe kjo i dha atij edhe statusin e martirit. Në të kundërt, librin e Hudajbit pak kush e lexoi. Nëse besojmë ata që thonë se Kutb u kthye në ideologun e militantizmit, kjo ideologji lindi në torturat e burgut. Këto tortura janë përshkruar në mënyrë rrënqethëse nga një aktiviste grua, Zejneb el Gazali që u burgos së bashku me Kutb,  në librin e saj “Ditë nga jeta ime.”

Në vakumin e udhëheqjes që pasuan burgimet dhe në radikalizmin e represionit e torturave lindën lëvizje si Xhihadi Islamik dhe një prej udhëheqësve të tij, pediatri Ajman Zauahiri, torturuar për vite në burgjet egjiptiane, është sot kreu i al Kaidas.

Al Kaida ka kritikuar ashpër Vëllazërinë Muslimane për pjesëmarrje politike, për marrjen pjesë në zgjedhje, duke pretenduar se e vetmja mënyrë për të rrëzuar diktaturat e Lindjes së Mesme është lufta e armatosur. Vetë Zauahiri komentoi  zgjedhjet në Egjipt duke thënë se ndjente neveri nga ato turma muslimanësh që rrinin në rradhë për të votuar, në vend që të rreshtoheshin për xhihad të armatosur. Al Kaida ka deklaruar se regjimet e Lindjes së Mesme janë armiku i saj, e duke arsyetuar se këto regjime mbahen në këmbë me mbështetjen e Perëndimit, kryesisht të ShBA-s,  kanë sulmuar ‘Armikun e largët’ (ShBA) si në 11 Shtator, që perëndimi të tërheqë mbështetjen për diktaturat e Lindjes së Mesme, në mënyrë që të rrëzojnë ‘Armikun e afërt’ – regjimet diktatoriale të Lindjes së Mesme. Me rrëzimin e Mubarakut dhe fitoren në zgjedhje të lira të Muhamed Mursit, al Kaida humbi arsyetimin ideologjik, por edhe retorikën e rekrutimit në kauzën e saj. Noah Feldman i Universitetit të Harvardit ka shkruar se al Kaida si ideologji mbijetoi për ca kohë për shkak të pushtimit të Irakut, por në të kundërt kishte dështuar në misionin e saj për t’u kthyer në kreun ideologjik të popujve të Lindjes së Mesme në krijimin e një rendi të ri të pavarur nga tutela e Perëndimit.

Protesters, who are against Egyptian President Mohamed Mursi, react in Tahrir Square in CairoSot (19 gusht), teksa krerët e Vëllazërisë gjenden të burgosur dhe vazhdojnë të bëjnë thirrje për protesta paqësore edhe kur u vranë  vetë fëmijët e anëtarëve të kryesisë (Vëllazëria e di mjaft mirë që përdorimi i dhunës do ishte humbja e saj përfundimtare) lexojmë se në gadishullin e Sinait – qendra tradicionale e militantizmit në Egjipt – janë vrarë 24 policë nga banda të armatosura. Edhe vetë qeveria e Mursit ishte përfshirë në luftime me këto grupe në Sinai, por zhvillimet e reja krijojnë një realitet të ri për militantizmin në Egjipt dhe në Lindjen e Mesme.

Analisti Issandr el Amrani, duke argumentuar se prej këtu punët vetëm do shkojnë më keq, shkruan se ka patur një grup në qeverinë pas puçit ushtarak që shihte mundësinë e negociatave me Vëllazërinë, por ata që fituan janë ata që shohin mundësinë për të shkatërruar përfundimisht Vëllazërinë.

“Ata që ushqejnë mendime të tilla çrrënjosjeje [të Vëllazërisë],” – shkruan el Amrani,-  “nuk është se duan në fakt të çrrënjosin fizikisht të gjithë islamistët, se sa t’i provokojnë drejt një situate ku do të çrrënjosej ekzistenca e tyre politike, sepse ata do përdorin dhunën. Ata janë gati ta durojnë këtë dhunë, madje dhe të kthehen në luftën kundër militantizmit të viteve ’90 dhe sulmeve sporadike sektare dhe terroriste, sepse besojnë se kjo do forcojë kampin e tyre dhe do u bëjë të mundur të bllokojnë për gjithmonë pjesëmarrjen e islamistëve në politikë.”

“E kanë gabim ata që thonë se kjo lloj lufte me militantët nuk është e mundur- thotë el Amrani.  Kjo është pikërisht ajo që dëshirojnë elitat që morën pushtetin pas grushtit të shtetit në Egjipt”.

“Mendimi i tyre është cinik gjer në ekstrem dhe i ngjashëm me militarizimin e konfliktit politik nga Bashar el Asadi në 2011. Ata janë gati të jetojnë me dhunën, me impaktin që do ketë mbi ekonominë dhe mangësitë e tjera nëse kjo forcon pushtetin dhe legjitimitetin e tyre… Por është më e paparashikueshme se lëvizjet e viteve ’80 e ’90, sepse ka një kontekst xhihadi të globalizuar që pothuaj nuk ekzistonte në atë kohë, por edhe sepse i gjithë rajoni nuk ka stabilitet dhe kufijtë nuk janë të kontrolluar si në atë kohë (dhe Libia e sotme është komshi shumë më pak i besueshëm edhe se sa i lajthituri kolonel Kadafi në atë kohë).

Krahu më i arsyeshëm në qeverinë aktuale u largua me dorëheqjen e Baradeit dhe kokat më të urta të Vëllazërisë janë në burg e nuk është më e qartë as se kush pikërisht po organizon protestat. Krahu më i ashpër sekular me në krye ushtarakët dhe biznesmennët e mëdhenj, si dhe krahu më militant i islamistëve, po bëhen gjithnjë e më prominentë.

Ashtu si krizat e mëpërparshme patën reperkursione globale, ashtu dhe kjo krizë me sfondin e luftës civile në Siri dhe fragmentarizimin e shtetit në Libi do derdhet përtej kufijve të rajonit. Lekët nga monarkitë e Gjirit Persik, të cilat nuk duan të shohin as vendosjen e sistemeve demokratike e as fitoret e islamistëve në rajon, bëjnë të mundur që Egjipti të mos i kushtojë vëmendje as kërcënimeve anemike për ndërprerje ndihmash nga Evropa.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *