Një «Haleluja» për Kryeministrinë





  1. images (2)

Në mars të këtij viti, nga autorët e aktit të sotëm të lirimit tim, është iniciuar një sulm mediatik i kombinuar. Nga njëra anë, autorët e tij synonin të krijonin idenë se unë isha të paktën kandidat për socialist. Në anën tjetër, ata përpiqeshin të krijonin idenë se, nëse në fushën politike isha ende një kandidat për socialist, në një fushë tjetër isha shumë larg. Ata mendonin se isha edhe një fondamentalist katolik, një kryqtar.

Kështu e motivonte gjenerali i sapo liruar nga detyra, Sandër Lleshi, sulmin institucional – të abstraguar si «mediatik» – ndaj tij: arsyeja e parë, sipas gjeneralit, ishte politike, pasi akuzohej si i majtë nga entiteti abstrakt “ata”, dhe arsyeja e dytë ishte bindja e tij fetare. Telenovela parazgjedhore, që ndezi mediat e majta dhe vëllezërit e grigjës së z. Lleshi, pati disa zhvillime interesante, por ajo çka vlen të rikujtohet janë pikërisht këto dy akuza të shprehura nga gjenerali në disa raste e media. U akuzuan strukturat e shtetit shqiptar, gjithmonë nga gjenerali & Co, për persekutim fetar ndaj besimtarëve katolikë. Kjo ishte akuzë më e rendë se ajo e bindjeve politike të gjeneralit. Edhe shembujt e z. Lleshi citonin “çuditërisht” klerin e persekutuar në vitet e regjimit.

Tani, shtrohen pyetjet: u rehabilitua si i majtë, si fundamentalist katolik, si historian në kohë të lirë, si mik i Kadaresë, për të zhvlerësuar moralisht vendimin e Presidentit të republikës, apo sepse nuk kemi gjeneralë me dhe pa “ish”? Si do ta justifikojë tani gjenerali? Do ta pranojë se ka qenë “një çikë” i majtë? Po sikur të jetë e vërtetë akuza e vetëngritur se njëra qeveri e hoqi për “din e iman”, a nuk mund të supozojmë se rehabilitimi erdhi pikërisht me këtë motivacion? Supozimet janë disa sepse vetë gjenerali ka përqafuar si “aftësi” personale binomin politikë-fe.

Ka një element padyshim më të qartë, që tejkalon supozimet. Institucioni i Presidencës e shkarkoi gjeneralin, dhe mund ta ketë bërë për 1000 motive. Ky është fakti. Institucioni i Kryeministrit e rimerr në familjen shtetërore. Pra dy institucione të larta të shtetit tonë shpërfillin njëri-tjetrin, madje kur Kryeministri i ri nuk është akoma në detyrë: mesazhet dhe perspektivat e ndryshimit të propaganduar përpara zgjedhjeve gradualisht zbehen. Edhe sikur z. Lleshi të ishte më i afti i gjeneralëve të rruzullit, për aq sa do të ndikojë qeveria Rama me “forcën e saj ushtarake” në ngjarjet botërore, nuk ishte e nevojshme kjo replikë brenda shtetit, gjithmonë nëse duam vërtet të ndryshojmë frymë drejtimi. Sidoqoftë, mund të themi pa hezitime që Kryeministri i ri do të këshillohet nga një besimtar i mirë. Asgjë e re, Bamir Topi kishte gjetur tek Agron Gjekmarkaj një besimtar po aq të devotshëm për t’u këshilluar…

 

Comments

  • Ja çfare shkruante Gazeta Shiptare ne 2009 per Lleshin e Kadarese:

    Gjeneralët, Topi bllokon listën e Berishës
    » Dërguar më: 12/09/2009 – 14:13

    Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka bllokuar këto ditë dekretimin e tre gjeneralëve të rinj të ushtrisë shqiptare, propozuar nga Ministria e Mbrojtjes pak orë para ndërrimit të qeverive, duke dhënë sinjalin e rihapjes së konfliktit institucional mes institucionit të tij e Sali Berishës, kreut të ri të rimandatuar si kryeministër i vendit nga maxhoranca e dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Burime të konfirmuara për “Gazeta Shqiptare” pohojnë se shkak i bllokimit të listës me propozimet për dekretim të gjeneralëve të rinj është “zbatimi i procedurave ligjore”. Por burime të besueshme shtojnë se shkak i këtij bllokimi është përmbysja e listës së propozuar nga Komisioni i Veçantë i Karrierës, i përbërë nga gjeneralët aktualë të ushtrisë shqiptare (5 të tillë) dhe vendosja në krye të saj e tre personave që njihen si mbështetës të Berishës apo qeveritarëve aktualë. “Në kundërshtim me propozimet e Komisionit Shtetëror të Veçantë të gradimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, ku në listën e propozimeve renditja është bërë në bazë të kritereve ligjore e profesionale, shoqëruar me pikët maksimale, Presidentit i është dërguar një listë tjetër e përmbysur duke anashkaluar këto kritere, duke vendosur në krye të saj apo në treshen e gjeneralëve për dekretim, persona që renditen të 14-ët apo të 15-ët në listën e specialistëve”, – shtojnë për “Gazeta Shqiptare” burime pranë drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes. Nga të njëjtat burime konfirmohet se lista e përmbysur tek Presidenti i Republikës ka vajtur në fillim të javës, ndërsa bllokimi i saj është bërë menjëherë pas sinjalizimeve të ushtarakëve të lartë të ushtrisë shqiptare në Presidencë, si dhe interesimit të partnerëve ushtarakë euroatlantikë me mision në vendin tonë. “Në vend të emrave të Perikli Koliqit (Shef i Shtabit të Komandës së Forcës së Bashkuar), Foto Duros (Drejtor në Shtabin e Përgjithshëm) dhe Bardhyl Hoxhës, (Zëvendëskomandant i Komandës Mbështetëse) që me pikë kryesojnë renditjen në listën e 15 kolonelëve të propozuar për gjeneralë, janë vendosur Kristaq Gërveni, Sandër Lleshi e Xhemal Gjunkshi”, – shtojnë burimet pranë drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas tyre, përmbysja e listës duke shkelur kriteret ligjore e profesionale, është bërë si shpërblim për ushtarakët madhorë që njihen si përkrahës të Berishës apo njerëzve pranë tij, apo kontributit të dhënë në zgjedhjet e fundit lokale për mbajtjen e pushtetit nga qeveria aktuale. “Në listën e propozimit zyrtar të dikasterit të Mbrojtjes për tre gjeneralët e radhës është Kristaq Gërveni, i anatemuari së fundi në media e nga specialistët ushtarakë si personi që tentoi të mbrojë ndryshimin e vijës kufitare ekzistuese me Greqinë; Xhemal Gjunkshi, Komandant i Regjimentit Komando, që përflitet se vuri në dispozicion të fushatës së fundit mjetet ushtarake dhe arsenalin tjetër në shërbim të PD-së dhe Sandër Lleshi, komandant i Doktrinave të Stërvitjes, që edhe pse u rendit i parafundit në listën e 15 konkurrentëve, është në treshen që pret firmën e Berishës për gjeneral. Për më tepër që ky i fundit nuk plotëson as kriterin fillestar të konkurrimit, atë të arsimimit profesional”, – shtojnë burimet e mësipërme.
    PROPOZIMET
    Në bazë të strukturës organizative të Ushtrisë e kritereve të vendeve anëtare të NATO-s, ushtria shqiptare duhet të ketë 8 gjeneralë. Aktualisht ajo ka vetëm 5 dhe konkretisht: Maksim Malaj, Gjeneral Brigade e Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë; Gjeneral Brigade, Agim Lala, Gjeneral Brigade, Viktor Berdaj; Kundëradmiral Kudret Çela dhe Gjeneral Brigade, Vladimir Qiriazi. Grupi i gjeneralëve apo siç njihet në vendet aleate “Familja e Gjeneralëve”, do të plotësohet dhe me tre të tjerë. Në përputhje me ligjin dhe me Urdhrin e Posaçëm të Ministrit të Mbrojtjes, për këtë qëllim u vu në punë komisioni i testimit profesional e meritave që kryesohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Maksim Malas, në përbërje të të cilit janë dhe 4 gjeneralët aktualë të ushtrisë shqiptare. Në praktikën e vendeve anëtare të NATO-s, detyrimi i gjeneralëve për të pranuar anëtarë të rinj në “familjen e tyre” është jo vetëm ligjor, por së pari dhe moral. Në këtë praktikë, fjala e tyre është “ligj” dhe nuk ka asnjë pikëpjekje me politikën. Burime të konfirmuara nga Ministria e Mbrojtjes shtojnë se ky komision punoi gjatë e me përgjegjësi për vlerësimin e listës së gjatë të konkurrentëve, duke bërë dhe vlerësimin përkatës me pikë për çdo kriter e çdo konkurrent. Në fund, me përgjegjësinë e ligjit dhe të moralit ata firmosën listën përkatëse. Në vlerësimin e tyre me pikë lista kryesohet nga Perikli Koliqi, Foto Duro, Bardhyl Hoxha, Arqile Kokëdhima, Dhori Spirollari, Selim Troçi, Syrja Gjoka, Kristaq Gërveni, Bektash Petoshati, Çesk Mhillja, Xhemal Gjunkshi, Abaz Lleshi. Pas firmës së gjeneralëve, lista me kandidatët për gjeneralë iu dorëzua ish-ministrit të Mbrojtjes, Oketa dhe eprorëve të tij. “Pikërisht para komunikimit nga Berisha të kabinetit të ri qeveritar, një listë çuditërisht e përmbysur ku në krye të saj vendosen Lleshi, Gjunkshi e Gërveni, me firmë e vulë niset nga Ministria e Mbrojtjes për tek Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nga i cili pritet dekretimi i tre gjeneralëve të rinj”, – shtojnë burimet e mësipërme.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *