Milazim Krasniqi

kosovopoljeVendi ynë së paku një herë në vit ballafaqohet me Betejën e Kosovës, e cila në çdo përvjetor të saj rikthen jo vetëm fantazmat e mitit por edhe nacionalistët e hakërryer serbë, që me të folurat e tyre përçartë, vazhdimisht përsërisin se si do të hakmerren për Kosovën e humbur në Mesjetë po edhe për këtë të humburën në fundin e shekullit XX. Kjo betejë e tyre absurde do të vazhdojë edhe për shumë kohë, prandaj krahas përgjigjes politike, të cilën tashmë e ka marrë, klerikalo-nacionalizmi serb duhet të merr edhe një përgjigje të re historike dhe kulturore nga ana jonë.

Kjo do të thotë se qëndrimi i shqiptarëve ndaj asaj ngjarjeje dhe rrjedhimeve të saj duhet të ripërcaktohen, për të shpëtuar nga halucinacionet e mitit serb, e cila për njëfarë kohe e ka turbulluar në njëfarë mase edhe mendjen sonë dhe për të krijuar një digë refuzimi ndaj manipulimit aktual serb lidhur me Kosovën. Rruga e vetme e drejtë për këtë riformatim është që Beteja e Kosovës e vitit 1389 të interpretohet në bazë të fakteve historike dhe interpretimit logjik të tyre brenda kohës dhe konteksteve konkrete etnike, fetare, politike e kulturore.

Nisur nga kjo pikënisje, koalicioni për Betejën e Kosovës ka qenë i negociuar ndërmjet kontit Llazar dhe mbretit të Bosnjës, Tvërtkos, të cilët paraprakisht kishin arritur një marrëveshje për ndarjen e shtetit të Dushanit, i cili kishte filluar të shkërmoqej. Ajo ndarje e negociuar  e trashëgimisë së Dushanit në dy njësi më të mëdha, i mbante ata të lidhur në interesat e tyre për mbrojtjen e sundimit dhe për eliminimin e pretendentëve të tjerë të fronit të ish shtetit perandorak serb.

Pretendent serioz mbi trashëgiminë e Dushanit, krahas Llazarit e Tvërtkos, ishte Kraleviq Marku, i biri i mbretit Vukashin, i cili sundonte në Prilep dhe që në Betejën e Kosovës u rreshtua në anën e ushtrisë osmane. Rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e osmanëve, ka implikime serioze mbi karakterin e asaj beteje: për më tepër kjo tregon se nuk ka qenë një betejë ndërmjet një koalicioni të krishterë. Pra, rivaliteti ishte edhe ndërmjet vetë serbëve, që bënin përpjekje të zhvatnin sa më shumë territore e pushtet mbi rrënojat e ish shtetit të Dushanit.

Mbreti Vukashin nga ana e vet dhe i biri i tij, Kraleviq Marku, kishin pretendimin se ishin trashëgimtarë të ligjshëm të shtetit perandorak serb. Në kohën e sundimit të car Dushanit, Vukashini ishte emërtuar prej vetë perandorit si sekretar i shtetit dhe me testament gjithashtu ishte emëruar këshilltar i Uroshit, të birit të Dushanit. Vdekja e mbretit Vukashin po edhe e Uroshit në Betejën e Maricës në vitin 1371, paraqet ngjarjen më kulmore tragjike të serbëve dhe nëse do të duhej të mbahej mend ndonjë ngjarje nga ajo periudhë, është pikërisht beteja e Maricës, me të cilën u shua dinastia nemanjide, me çka u hap rruga e shkërmoqjes së shtetit serb. Pas disfatës në Maricë, pra tetëmbëdhjetë vjet para Betejës së Kosovës, disa nga  sundimtarët serbë e pranuan vasalitetin ndaj sundimit osman, e ndër ta edhe i biri i mbretit Vukashin, Kraleviq Marku. Ai si vasal edhe mori pjesë në betejën e Kosovës në anën e osmanëve, megjithëse arsyet e tij mund të kenë qenë më të thella, se sa detyrimi i imponuar nga vasaliteti. Kraleviq Marku mund të ketë pasur idenë që pas disfatës së Llazarit e të Tvërtkos, të shtrijë sundimin e vet edhe mbi territoret e tyre dhe të rikthejë territoret që ia kishin marrë Balshajt, vetëm disa vite më parë.

Nëse kjo do të mund të dokumentohej me të dhëna dokumentesh, atëherë do të rezultonte se beteja e Kosovës ka pasur edhe elemente të luftës civile ndërmjet vetë serbëve. Këngët epike serbe e theksojnë elementin e tradhtisë, të Vuk Brankoviqit, me çka në një mënyrë edhe e krijojnë idenë e një komploti brendaserb. E drejta, disa vite para Betejës së Kosovës, mbreti Vukashin marshoi kundër Llazarit dhe dhëndrit të tij, Vuk Brankoviqit, duke ua marrë një pjesë të territoreve, gjë që konfliktin brenda vetë serbëve e mbante të gjallë.

Ç’është e vërteta, përçarjet dhe konfliktet ndërmjet sundimtarëve serbë, Vukashinit, Lazarit e Vuk Brakoviqit, të plotësuara edhe nga veprimet e Nikolo D’Altomanos, pasardhësit të sundimtarit Vojsav Vojnovit, e lehtësuan marshimin e osmanëve. Prandaj, më shumë se sa epitetin e një koalicioni unik, sundimtarët serbë ata e kanë epitetin e rivalëve të përçarë, që ia kishin me hile njëri-tjetrin. Edhe fakti që menjëherë pas Betejës, trashëgimtarët e Llazarit e pranuan vasalitetin ndaj osmanëve dhe bënë krushqi të rrufeshme me ta, duke ia dhënë sulltan Bajazitit për grua Milevën, të bijën e Llazarit, është tregues i atij pasioni për ruajtjen e pushtetit me çdo kusht dhe i mungesës së përkushtimit për ruajtjen e një fronti të përbashkët antiosman.

Një element me rëndësi lidhur me Betejën e Kosovës është abstenimi i dy sundimtarëve  të fuqishëm të asaj kohe, Karl Topisë dhe Gjergj Strazimir Balshës II, territoret e të cilëve ishin me përqendrim më të theksuar të popullsisë arbërore. Mospjesëmarrja e tyre në koalicion i ka brenda vetes dy motive, motivin etnik dhe atë fetar.

Motivi etnik ka të bëjë me përpjekjet e tyre që të kompaktësohen e të forcohen, pas fillimit të shkërmoqjes së perandorisë serbe, e cila ua kishte zënë frymën. Fitorja e Gjergj Strazimir Ballshës II kundër Kraleviq Markut dhe marrja prej tij e Prizrenit, pak vite më parë se sa të ndodhte Beteja e Kosovës, kishte shkaktuar edhe fërkim etnik në territoret e përfshira në atë konflikt. Nga ana  tjetër, dihet  se «Balshajt kishin përqafuar fenë katolike më 1369», gjë që ka pasur implikimet e veta, së paku psikologjike në raport me ortodoksinë serbe. Po ashtu, edhe princi shqiptar, Karl Topia, ishte katolik dhe i lidhur me lidhje speciale me Venedikun, çka ka prodhuar implikimet e veta në qëndrimin e mbajtur ndaj koalicionit serb.

Përfundimisht, mospjesëmarrja e dy dinastive me elemente shqiptare, e Balshajve dhe e Topiajve në atë koalicion, tregon mospjesëmarrjen faktike të shqiptarëve. Pjesëmarrja e shqiptarëve në radhët e ushtrisë së Vuk Brankoviqit, ishte pjesëmarrje e të nënshtruarve, që ishin të detyruar të luftonin nën komandën e sundimtarit të tyre të imponuar. Ndonjë pjesëmarrës tjetër, si Muzaka e Dhimitër Jonima, (ishte edhe ai vasal i osmanëve), ishin feudalë të vegjël e pa asnjë element të subjektivitetit shtetëror, i cili në atë kohë, me aq sa ishte, ishte nën autoritetin e Balshajve dhe të Topiajve.

Me rëndësi edhe më të madhe në këtë kontekst politik e fetar të ngjarjes, është qëndrimi abstenues që mbajtën ndaj koalicionit ndërmjet Tvërtkos e Llazarit dhe aleatëve të tyre dy shtetet më të fuqishme katolike të asaj kohe, Hungaria dhe Venediku. As njëri e as tjetri nuk e ndihmuan koalicionin serb, edhe pse formalisht Llazari ishte vasal i mbretit hungarez. Edhe ky qëndrim e bën të qartë se nuk mund të bëhet fjalë për një konflikt ndërmjet feve e qytetërimeve, sepse mospjesëmarrja e shteteve katolike të kohës, e përjashton motivimin fetar të asaj beteje. Disa vite më vonë, saktësisht në vitin 1396 u organizua një kryqëzatë e motivuar fetarisht e shteteve katolike kundër Perandorisë Osmane, kryqëzata e Nikopojës, por edhe ajo përfundoi me një katastrofë të tyre.

Nga ana tjetër, nuk duhet të shmanget nga vëmendja e vërteta se shtetet e Tvërtkos dhe Llazarit, në atë kohë ishin të dobëta e nuk mund të konsideroheshin si lider të botës krishtere. Përkundrazi, Hungaria dhe Venediku kishin primatin e shteteve lider të krishterimit në këto hapësira, prandaj pa pjesëmarrjen e tyre në një koalicion, ai nuk ka mundësi kurrsesi që të quhet koalicion i krishterë. Në Betejën e Kosovës nuk ka marrë pjesë me asgjë as Raguza, po ashtu një entitet i rëndësishëm dhe i origjinës katolike e madje as Kotorri, apo ndonjë komunë tjetër bregdetare gjithashtu katolike. Edhe pse prezenca e raguzanëve ka qenë e dukshme në qytetet e gadishullit ballkanik nën sundimin serb në atë kohë, ata janë rezervuar nga çfarëdo implikimi në anën e koalicionit serb. Bile, është shënuar një gjest i tyre shumë domethënës edhe nga aspekti fetar: kur Gjergj Strazimir Balsha II ia mori Kraleviq Markut Prizrenin, raguzanët që jetonin në atë qytet, e kanë pritur me dhurata të vlefshme. Ndërsa, vetë sundimtari i Zetës, Gjergj Strazimir Ballsha II, sikundër pohon studiuesi i famshëm Xhuzepe Gelqiqi, «në ditën fatale të Betejës së Kosovës, ndodhej pikërisht në Ulqin». Pra, e gjithë bota katolike e asaj kohe ka abstenuar nga ajo betejë, duke i lënë serbët ortodoksë dhe vasalët e tyre, që të rropateshin vetë në konfrontim jo vetëm me osmanët, po edhe me renegatët e vet, si puna e Kraleviq Markut.

Po të shikohen rrjedhimet pas Betejës së Kosovës, tabloja duket edhe më e habitshme dhe pa asnjë arsye për t’u krenuar humbësit serbë: e bija e Llazarit, Mileva u bë gruaja e sulltan Bajazidit, me çka lidhja e krushqisë u zgjerua edhe në raport me Vuk Brankoviqin, i cili ishte dhëndër i kontit Llazar (Mara ishte gruaja e Vuk Brankoviqit). Ndërsa ajo lidhje shkoi duke u zgjeruar edhe më tej, meqë  Helena, po ashtu bijë e Llazarit, u bë gruaja e Gjergjit II të Balshajve. Kjo lidhje krushqie ndërmjet tyre dhe sulltanit, e përjashton krenarinë kombëtare dhe fetare nga sjelljet e serbëve, të cilët me të siguruar të vasalitetit nga osmanët, u treguan shumë entuziast dhe besnikë të sulltan Bajazidit. Të dy bijtë e Llazarit, Stefani dhe Velkoja, luftuan me besnikëri në krahë të sulltan Bajazidit, deri sa ai  humbi fatalisht në Betejën e Angorës më 28 korrik 1402, ndërsa ata u kthyen si humbës e kërkuan strehë në Ulqin, te dhëndëri i tyre, Gjergj Balsha II.

Lidhur me Millosh Kopiliqin, në relacione dhe dokumente të kohës, nuk ka të dhëna të qëndrueshme e të besueshme, që do ta prezantonin si një personalitet historik. Formësimi i figurës së tij më shumë i dedikohet poezisë se sa historisë, ndërsa dihet që nga Aristoteli se poezia i paraqet gjërat ashtu si kanë mundur të ndodhnin e jo ashtu si kanë ndodhur. Prandaj, duken joseriozë ata historianë dhe intelektualë që hulumtimin dhe vlerësimin e bazojnë në këngët epike, qofshin ato serbe, shqiptare apo të popujve të tjerë.

Në fund të fundit vrasja e sulltan Muratit nuk e ndërroi fatin e serbëve, nuk e pengoi disfatën e tyre, prandaj nuk ka pse të ekzagjerohet si ngjarje. Janë të shumtë mbretër e perandorë që kanë rënë në beteja, por edhe ajo inkuadrohet në rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve, e nuk ka pse të krijohen mite tronditëse, që pastaj e deformojnë pamjen e vërtetë të historisë. Kjo u ndodh popujve të vegjël e të kompleksuar, të cilët vogëlsinë e tyre faktike mundohen ta zëvendësojnë me madhështinë e rreme mitike të së kaluarës.

Serbët janë shembull tipik i kësaj mendësie. Por ne shqiptarët nuk kemi arsye të kemi asnjë kompleks. Nëse arsyet e serbëve për të vuajtuar disfatën e tyre janë psikologjike, arsyet e shqiptarëve për ta trajtuar me të njëjtat përfytyrime atë betejë nuk janë normale. Sipas mitologjisë serbe gjaku i car Llazarit, i cili e ka “shenjtëruar tokën serbe të Kosovës”, simbolizon serbizmin e Kosovës dhe prezencën e përhershme të Serbisë në Kosovë. Prandaj, nga pikëpamja shqiptare, ajo betejë ose roli i saj duhet të shikohet në mënyrë kritike, e jo romantike. Ndërsa kremtimet klerikalo-nacionaliste të serbëve janë vazhdimësi e asaj pamjeje të deformuar, që ata kanë krijuar për veten e tyre dhe në atë kontekst edhe për betejën e Kosovës, shqiptarët nuk kanë pse të inkuadrohen në atë pamje të deformuar të historisë së rreme serbe.

Pretendimi serb se pronësia mbi Kosovën u siguruaka nga Beteja e Kosovës e vitit 1389 dhe nga gjaku i car Llazarit i derdhur në të është krejtësisht naiv, sikundër pretendimi shqiptar se pronësia mbi Kosovën ruhet duke u shkrirë në mitin serb të Kosovës. Pronësinë mbi Kosovën shqiptarët e kanë fituar në historinë e re, duke e finalizuar para disa viteve. E sa i tako të kaluarës, ne kemi mjaft ngjarje të tjera të historisë sonë, për t’i mbajtur mend dhe për t’i kremtuar, pa qenë nevoja t’i mbajmë si tonat, festat që i festojnë serbët në dëm tonin.

 

Comments

  • Autori duket sikur pyetjes se tij ne titull i pergjigjet me tezen qe shqiptaret duhet te konsiderohen neutrale e indiferente ndaj betejes se “kosovo poljes”, ashtu si Topiat e Balshajt dikur, apo si Venediku dhe Hungaria (shtetet katolike kryesore (?!) jo provinciale e periferike ne krahasim me habsburget, papet, mbretin e Frances, Anglise apo Polonise). Del sikur ngarkesa fetare e ngjarjeve eshte e forcuar nga shovinistet serbe dhe se ne fakt kjo “Beteje” paskesh qene nje kacafytje laike dhe e parendesishme mes vete serbeve.
    Une perkundarzi si shume myslimane shqiptare mendoj (kritikisht por pozitivisht) se Beteja e “kosovo poljes” si dhe te tjera beteja ne ate kuader ka qene me rendesi jetike per ne si shqiptare te kercenuar nga asimilimi i sundimit serbomadh postbizantin dhe per ne si myslimane qe hapi rrugen e perhapjes se lire te fese islame ne trojet tona. Ju duket pak?
    Edhe teza korrelare ne fund te artikullit duket e gabuar (edhe pse citon gabimet e ndonje shovinisti injorant serb). Historjanet serjoze serbe dhe nderkombetare rivendikojne te drejtat e ligjshme te serbeve ne Kosove te fituara nga emancipimi i tyre dhe sundimin me autoritet ne kosove pas shthurjes se perandorise bizantine me se nje shekull me pare. Ne duhet te rivendikojme te drejtat tona akoma me te ligjshme duke pervetesuar sundimin mijeravjecare bizantin te kosoves si te vetmin e ligjshem dhe proshqiptar dhe duke mohuar sundimin shume me te gjate bullgar si uzurpues, barbar e provizor.

  • Me duket se e ke thjeshtuar konceptimin e laicizmit ne kontekstin mesjetare. Nuk ka te beje me shkeputjen e fese nga politika, sic e njohim sot, por me vendosjen e interesave politike ne qender te veprimtarise se aristokracise feudale, perfshi edhe mbretin. Per te evituar analogji te pamundura eshte e keshillueshme te mos perdoret fare ky term ne raport me mesjeten ose te pakten te mos barazohet me shfaqen e sotme te laicizmit.

    Beteja ne fjale nuk ishte fetare. Elementi fetare iu bashkengjit ne legjendat popullore dhe ne memorien e perpunuar nga Kisha serbe. Aty kishte disa fraksione fetare nga njera ane – katolike, ortodokse, “bogomiliste” – dhe nga ana tjeter – mysliman, ortodoks, katolik.
    Nuk mohohet urrejtja dhe nxitja fetare, por qellimi i shteteve te perfshira ne beteje ishte autoriteti i plote mbi territorin, ne kuptimin feudal. Do te thote qe beteja eshte fillimisht dhe thellesisht politike. Me pas mund t’i shtohen perballje te tjera.

    Politikisht, me humbjen e kesaj beteje (si ato qe moren ashtu ato qe nuk moren pjese)shqiptaret sigurisht pesuan rritjen e trysnise osname. Kjo do te prodhonte tkurrjen politike te shqiptareve.
    Ndersa serbet nuk e humben Kosoven ne kete beteje. Humbja e Kosoves ne 1389 eshte perralle e shnderruar ne histori dhe lehtesisht e çmontueshme. Politikisht, serbet e braktisen Kosoven ne gjysmen e shek. XV, jo ne shek. XIV. Per rjedhoje, beteja nuk kishte si t’i hapte rrugen depertimit te lire ose jo te islamit.

    Historia nuk eshte ceshtje shijesh. Me pelqen sundimi bizantin, sepse Bizanti ka emer, dhe ec ta shtrijme ne kohe (mjeravjecare!) dhe t’ia forcojme pranine reale ne territor. Me vlen sundimi osman, sepse solli fene islame, dhe tani ta promovojme. Jane deshira te ligjshme, por nuk eshte historiografi.

    Analiza e artikullit vertitet rreth historiografise, pertej tifozerive. Ky eshte thelbi. Eja te diskutojme pastaj sa qendron shkencerisht ky argumentim i z. Krasniqi.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *