democracy no signalE. Mërtiri
Zgjedhjet parlamentare sollën një tërmet të fortë që tashmë ka transformuar krejtësisht truallin politik shqiptar. Askush nuk mund të parashikojë më asgjë dhe realiteti shtron përpara vetëm dilema, tepër komplekse. Një PD e befasuar, e tronditur thellë, e mbetur së fundmi për herë të parë edhe pa liderin e saj historik, ndërsa në krahun tjetër një PS e trembur edhe vetë nga fitorja, në një presion të jashtëzakonshëm prej një aleati që duket i gatshëm nga momenti në moment t’i vërë stërkëmbëzën për t’ia rrëmbyer fitoren nga duart. Politika shqiptare është futur tashmë në një qerthull, përfundimin e të cilit nuk e di askush.

Gjithçka e pasigurt

Largimi i Berishës ka lënë një vakum më të madh se tronditja prej humbjes së thellë. Deri më tani PD-ja ka marrë frymë nën mbikëqyrjen e kudondodhur të liderit të saj, i cili ka qenë një makinë pune që vinte në lëvizje gjithçka, si dhe një fuqi e jashtëzakonshme karizme e autoriteti, e pakontestuar nga askush. Ai ka drejtuar çdo fije të pushtetit dhe ka monitoruar çdo qelizë të partisë. Tashmë të gjithë e dinë se askush nuk e ka as aftësinë, por as fuqinë e karizmës për ta bërë këtë, ndërkohë që grupet klanore nën të janë në gatishmëri të plotë për të mbrojtur pozitat e tyre e për të kapur majën e mbetur bosh. Në fakt, Berisha ngriti një parti që duket se nuk funksionon dot pa të. Duket e pamundur që sot të dalë një lider që do të mundet edhe të unifikojë përçarjet e brendshme, por edhe të shpërndajë përgjegjësinë e humbjes. E vështirë që një lider i tillë të bëjë të mundur njëkohësisht edhe bashkimin edhe pastrimin e PD-së. Askush prej kandidatëve që u vunë në garë për drejtimin e partisë, nuk e ka forcën për ta bërë këtë, ndaj dhe fituesi duket se është ai që shfaqet më shumë në hijen e Berishës.

Nga ana tjetër, fitorja e Ramës ishte e hidhur, duke mbetur i sfiduar, tashmë nga brenda koalicionit. Aleati i tij kryesor ka një oreks të jashtëzakonshëm, duke treguar një kokëfortësi që do ta vendosë shumë shpejt PS-në në telashe. Kjo fitore ka prodhuar tashmë një anije me dy timonierë, të cilët nuk duket se kanë të njëjtin orientim. Të dyja forcat kanë agjenda të ndryshme dhe e vetmja gjë që mund t’i puqë është thjesht ndarja e përfitimeve nga pushteti dhe moskokëçarja ndaj programeve politike që kanë. Ky është një pushtet që vetëm mund të ndahet e nuk mund të bashkëqeveriset.

Situata premton për krisje të cilat zor se mund të menaxhohen nga një lider kokëfortë si Rama. Përpara shtrohen dilema, të cilat na tregojnë se nuk do të jetë e lehtë për të qeverisja, duke mos pasur në kontroll gati gjysmën e anijes. Ndërkohë, marrëveshja me Metën, i ka kushtuar Ramës edhe shumë pakënaqësi në aleatët e tjerë, si dhe brenda partisë. Gjithashtu, një kosto e madhe morale rëndon mbi të për shkak aleancës me “tradhtarin”, e aq më shumë për shkak të akuzave të rënda korruptive që i rëndojnë mbi kurriz. Pozicionin më komod në këtë mes e ka LSI-ja, forca më e përfolur për korrupsion e papërgjegjshmëri politike, duke treguar se ky sistem privilegjon më së miri forca të tilla. Politika shqiptare është tashmë përpara udhëkryqesh të shumta që nuk dihen se ku do të priten.

Çudia ndodhi

Zgjedhjet e 23 qershorit sollën goditjen më të rëndë të këtyre 23 vjetëve ndaj demokracisë shqiptare. Problemi me demokracinë nuk qëndron shumë te rezultati i zgjedhjeve dhe fakti që njëri pol i politikës është shkatërruar thuajse krejtësisht, por tek shkaqet që sollën këto rezultate, të cilat janë të paprecedentë. Parë nga çdo aspekt, rezultatet janë të pashpjegueshme dhe, përveç liderit të LSI-së Ilir Meta, askush nuk e kishte parashikuar një rezultat të tillë. Kjo le të kuptohet se vetëm z. Meta ka ditur se ç’është gatuar, duke qenë vetë kuzhinier i kësaj çorbe.

Nëse mund të themi se PD-ja u godit në këto zgjedhje nga keq-qeverisja, nga arroganca, nga korrupsioni, nga konsumimi, gjithçka do të ishte e kuptueshme, por nëse analizojmë se ku shkoi vota refuzuese ndaj të djathtës, rezulton se kjo analizë nuk qëndron plotësisht dhe shpjegon vetëm gjysmën e së vërtetës. Një votë ndëshkuese ndaj qeverisë do të shkojë ose te një forcë politike opozitare ose te ndonjë forcë asnjanëse ose në abstenim apo refuzim për të votuar. Por, të dhënat tregojnë se pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë e lartë, ndërkohë që PS-ja ka ruajtur votat e saj, të marra katër vjet më parë, me një rritje fare të papërfillshme, aq sa ç’është rritja demografike. Kështu automatikisht kuptohet që rrjedhja e votave nga PD-ja ka shkuar tek LSI-ja, një forcë politike kjo që ka dëshmuar sistematikisht mungesën e skrupulozitetit politik, e përfolur gjithashtu si forca më e korruptuar e qeverisjes Berisha madje edhe e të gjithë spektrit politik. LSI-ja gjykohet masivisht si një makineri korrupsioni e imoraliteti. Ajo është rasti më i pashembullt i bashkimit me PD-në pas një fushate nga më agresivet ndaj kësaj partie dhe e rikthimit në PS, pas një atakimi të gjatë me notat më të errëta dhe retorikën më agresive ndaj liderit të saj Rama.

Gjatë bashkëqeverisjes me PD-në ajo barti mbi supe skandalin më të madh të korrupsionit të shfaqur ndonjëherë në publikun shqiptar, ku lideri i saj Ilir Meta u filmua duke bërë pazare banale me ish ministrin e tij Dritan Prifti, skandal i cili pasoi me protesta nga më të dhunshmet, ku humbën jetën katër njerëz. Përveç këtyre, nëse PD-ja dhe PS-ja kanë edhe një ngarkesë historike dhe ideologjike, LSI-ja nuk ka asgjë të tillë, me të cilën mund të motivojë votues. Atëherë shtrohet pyetja: si mundet që elektorati i djathtë ta ndëshkojë partinë e vet për korrupsion, duke e çuar votën e tij te forca më e korruptuar e kësaj qeverisjeje?!

Pazari i votës

Shpjegimi më i arsyeshëm i kësaj situate qëndron te një fenomen që duket se ka marrë përmasa të frikshme në Shqipëri, siç është shitja e votës. Mediat treguan që përpara zgjedhjeve mbi përmasat e këtij fenomeni. Është folur për shifra që shkonin deri në 15 mijë lekë për votë, të ofruara në dorë. Fenomeni ka qenë aq shqetësues sa edhe një prej komuniteteve fetare, Kisha Katolike, bëri një deklaratë të ashpër ku dënonte shitjen e votës, si shitje të lirisë, e cila ndëshkohet nga Zoti.

Jo vetëm kaq, por në funksion të këtij biznesi, forcat politike angazhuan një armatë të tërë bandash e gangsterësh, të cilët u bënë garanti i kontratës financiare me elektoratin. Madje disa prej tyre me precedentë penalë ishin në listat e partive, duke u bërë tashmë deputetë të parlamentit të ri. Sot më shumë se kurrë parlamenti sundohet nga banda të tilla, të cilët janë policët e pazareve që pritet të zhvillohen në qeverisjen e ardhshme, e cila doemos duhet t’ua kthejë investimin. Për rrjedhojë, kjo është situata më kritike që ka pasur ndonjëherë parlamentarizmi shqiptar në këto dy dekada.

LSI-ja është përfolur historikisht si një ndër partitë më ustallare në këtë fushë dhe duket se e tillë doli në këto zgjedhje. Ajo që duket se ka ndodhur është një krehje e pastër e elektoratit në shkallë vendi, në çdo qark e në çdo zonë elektorale. Ata kanë shkuar me lista në duar, derë më derë te njerëzit e lëkundur, targeti më i mirë për këtë operacion dhe diku me kesh në dorë e diku me premtime paszgjedhore për vende  pune ose koncesione në biznese dhe ia kanë dalë ta tërheqin atë votues që i duhej. Jo më kot, fitorja e LSI-së ishte fiks aq sa ç’parashikoi lideri i saj, duke surprizuar çdo kompani të specializuar sondazhesh. Vetë fakti që LSI-ja nuk ka mundur të fitojë të njëjtat vota, në ato zona ku kandidatët e PD-së u treguan të ashpër dhe nuk lejuan me dhunë shitjen e votës, – si në Kukës, e në disa zona në Lezhë, në Kamëz etj., – dëshmon për këtë.

Gilman Bakalli, u shpreh në një intervistë se biznesi shkodran ishte i gjithi në mbështetje të LSI-së dhe ai habitej se ku e gjente biznesi këtë siguri se ky investim do t’i kthehej. Përgjigja është shumë e thjeshtë. LSI-ja është një forcë që do të qëndrojë në pushtet përtej çdo rrotacioni, për sa kohë që asnjë forcë fituese, kushdo qoftë, nuk qeveris dot pa të dhe për sa kohë ajo ka dhënë prova se mund të rikthehej përsëri me PD-në, nëse pushteti do të anonte andej. Rrjedhimisht, LSI-ja ishte një forcë që ofronte siguri. Çfarëdo të ndodhte, me Ramën ose Berishën, ajo do të ishte në pushtet.

Kjo situatë ka sjellë vërtet shfuqizim të demokracisë në Shqipëri. LSI-ja ka krijuar një fashë elektorale, e cila e kushtëzon definitivisht qeverisjen. Ajo ka arritur të marrë tashmë 17 deputetë, të cilët mund të vendosin me vështirësi çdo qeveri, duke forcuar akoma më shumë këtë parti, e cila do të bëhet gjithmonë e më e pasur, për të shtuar kështu pushtetin e saj. Asnjë forcë politike tashmë nuk mund të qeverisë pa LSI-në dhe çdo rrotacion politik do të duhet të kryhet me verdiktin e saj. Kjo do të thotë tashmë se shqiptarët le të votojnë kë të duan, sepse qeverisjen e përcakton LSI-ja. Ky është vërtetë një anulim i demokracisë, e cila mbetet peng i një marzhi votuesish që janë të gatshëm ta shesin votën e tyre.

Zhgënjimi prej së djathtës

Megjithatë, duhet pranuar se humbja e PD-së nuk do të kishte qenë, të paktën jo në këto përmasa, nëse qeverisja do të kishte qenë ndryshe. Duhet pranuar se ka një zhgënjim të madh të elektoratit të saj, i cili nuk gjen më përfaqësim tek ajo. E djathta ka pësuar goditjen më të rëndë të marrë ndonjëherë, duke humbur të gjitha rrethet, madje edhe në bastionet e saj më të forta si Shkodra dhe Kavaja. Ky rezultat i ka turbulluar krejtësisht ujërat, aq sa sot flitet për një varrosje të së djathtës dhe shumë njerëz vënë në dyshim mundësitë e saj për t’u ringritur në pozitat e mëparshme. Humbja e shtratit të saj të natyrshëm të votuesve rrezikon që shumë prej tyre të mos rikthehen më kurrë tek ajo.

Qeverisja e PD-së ka zhgënjyer fort jo vetëm elektoratin shqiptar në tërësi, por mbi të gjitha elektoratin e vet, i cili është sot më i papërfaqësuar se kurrë. Partia Demokratike nuk duket se ka ruajtur asgjë nga vlerat e saj, as në planin ideologjik, e as në atë politik. Akuza të shumta i adresohen asaj pikërisht nga të djathtët, jo vetëm për shpërfilljen e idealeve të tyre, por madje edhe për rekrutimin e një numri të madh njerëzish që janë njohur si bashkëpunëtorë të regjimit komunist. Klientelizmi ka spostuar nga skena politike, por edhe nga administrata shtetërore, shtresën e djathtë të mirëfilltë, duke bërë që kjo shtresë të ndjehet e tradhtuar dhe përdorur prej forcës që i përfaqëson.

Nga ana tjetër, asnjë nismë serioze nuk është ndërmarrë ose çuar deri në fund në lidhje me qëllimet politike të së djathtës, siç janë ato që kanë të bëjnë me kthimin dhe mbrojtjen e pronës, kompensimin e ish të persekutuarve politikë (ndërkohë që veteranët e luftës vijojnë t’i gëzojnë privilegjet e tyre), dënimin e krimeve të komunizmit dhe ligjin për lustracionin, afrimin e shtresave shoqërore me traditë antikomuniste, angazhimin në krijimin e një agjende serioze në funksion të çështjes kombëtare dhe integrimit të shqiptarëve në rajon etj. E djathta në pushtet ka bërë shumë pak, thuajse asgjë, madje shpesh të kundërtën prej këtyre dhe kjo ka sjellë zhgënjime të mëdha, të cilat pa dyshim kanë larguar shumë nga elektorati historik i PD-së.

Shenjat e para kanë ardhur që herët. Humbja në Kavajë, në zgjedhjet vendore, ishte një sinjal që duhet t’i kishte alarmuar strukturat e kësaj partie, por duket se nuk ka sjellë ndonjë reflektim të fortë. Ajo vijoji të tregohet indiferente ndaj kategorisë shoqërore që përfaqëson, madje u zhyt edhe më shumë në kompromise, duke përfshirë në listat zgjedhore njerëz të padëshiruar prej të djathtëve, në bazë të kërkesave të tyre klienteliste. Natyrisht, që efekti i kësaj pakënaqësie ka qenë i madh dhe i rëndësishëm në një humbje të përmasave të tilla.

Mundësitë për reformim

Ajo që i mbetet të bëjë tashmë të djathtës është rikthimi tek ajo shtresë shoqërore që përfaqëson dhe tek ideali i saj. E djathta shqiptare është një nocion që përmbledh një shtresë shoqërore e cila identifikohet kryesisht me antikomunizmin dhe disa vlera tradicionale, si familja, kombi dhe feja. Kjo shtresë shoqërore është një prurje historike, e cila i lidh këta njerëz me idealet e mësipërme, në kushtet e një lufte klasash, që vijon ende të identifikojë dy kampet politike. Sigurisht, të dyja partitë e mëdha sot janë më shumë klienteliste sesa gjeneruese ideologjish, por elektorati i tyre projekton këto përkatësi në to, duke u motivuar ndjeshëm prej tyre në orientimin e votës.

Për këtë arsye, e djathta duhet t’i rikthehet idealeve të saj, jo për të riformuluar një antagonizëm të ri konfliktual me shtresa të tjera të popullsisë, por për të adresuar ideologjikisht dhe politikisht padrejtësitë historike në këtë vend. E djathta nuk mund të funksionojë pa këtë referencë morale e ideale, ndaj reformimi i saj do të duhet doemos të marrë në konsideratë përforcimin e lidhjeve të tilla historike.

Nga ana tjetër, e djathta duhet pastruar gjithashtu brenda vetes. Ajo duhet t’i largojë të gjithë njerëzit e inkriminuar, qoftë nëpërmjet korrupsionit gjatë qeverisjes, qoftë nëpërmjet lidhjeve me diktaturën. Lustracionin që PD-ja e propozoi si një projekt utopik për politikën shqiptare (të rrëzuar në parlament), duhet ta realizojë pikë së pari brenda vetes, si shenjë të një fillimi të ri, duke u rikthyer te vlerat. Nga ana tjetër, PD-ja duhet të çlirohet nga shumë individë të paaftë, të korruptuar e militantë të verbër, të cilët kontribuojnë vetëm për përkeqësimin e imazhit të saj. Nëse kjo parti nuk bën këtë, zor se do ta rikthejë besimin në truallin e vet elektoral.

Sot ajo duket më shumë e interesuar për pasardhësin dhe problemet e brendshme midis klaneve sesa për analizën e thellë të zgjedhjeve dhe rrugët drejt reformimit. Largimi i të vetmit autoritet që, për mirë e për keq, ka mbajtur në këmbë këtë forcë, ka sjellë aktivitet të lartë tektonik, të cilit shumë njerëz i frikësohen më shumë sesa humbjes së vetë identitetit të tyre politik. Gjithçka do të shihet më tej. Deri tani retorika e kandidatëve e ka pasur në vëmendje reformimin e partisë dhe rikthimin në bazë, tek të djathtët e vërtetë, ndonëse asnjë vizion të qartë nuk kanë shprehur për këtë. Në fakt, gjasat nuk duken të mëdha që ky mision të shkojë deri në fund, por gjithsesi vlen të shihet se sa seriozisht do ta ketë lideri i ri për të realizuar të paktën një pjesë të mirë të tij. Fundja ky është i vetmi shans për të djathtën dhe nuk mund të ketë moment më të mirë për ta shfrytëzuar.

 

Botuar në revistën “Shenja” gusht 2013

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *