Bruna ZadejaLeadership-and-Choices_2

Fjala, përdorimi i saj gjuhësor, letrar, fetar, afetar etj etj, por sidomos mediatik, luan një rol të rëndësishëm në interpretimin e thelbit të ngjarjeve të largëta historike si edhe atyre të afërta në kohë. Por ka një ndryshim. Prezenca spekulative në trajtimet historike merret si e legjitimuar dhe e mirëqenë në heshtje (duke e patur në fakt një sy qorr e një vesh shurdh, historiani mund të analizojë dhe ta rrotullojë historinë madje edhe përqark hijes së vet), ndërkohë që në trajtimet e ngjarjeve të observuara në kohë të afërt mundësia për të spekuluar është më e vështirë dhe sigurisht më e sofistikuar. Faktet tregojnë se interpretimi apo analiza e  ngjarjes nuk janë sot mjet për të zbuluar të vërtetën, por përpjekje për të përmirësuar realitetin e gjithkujt të përfshirë në ngjarje.

Duke qenë se në natyrën njerëzore ka një lloj predispozite të çuditshme  për t’i projektuar ndjesitë në të ardhmen, si gjëra të largëta për të cilat duhet të përpiqen fort dhe gati-gati të paarritshme dot, njerëzit  zgjedhin të harrojnë me vetëdije duke i mohuar vetes të drejtën për t’u sjellë si njerëz me ndjenja. Kështu në punë e sipër ata janë vetëm robotë që veprojnë pa menduar jo më larg se distanca ku i shpie hija e tyre. Ja kështu duke tjetërsuar fjalën dhe aktin që e dëshmon atë,  përmes tjetërsimit shpirtëror mbi të cilin shpresohet të ndërtohet kjo e ardhme, njeriu e humb të tashmen si mundësi për të shprehur humanitetin e tij, duke e zhvendosur atë në të ardhmen e në këtë mënyrë duke pranuar qetësisht gënjeshtrën e sajuar me vetëdije të plotë se e ardhmja nuk mund të preket dot e as humanizmi i projektuar në të gjithashtu.

Kjo shkëputje serioze e njeriut me veten e formalizon jetën në tërësi dhe e bllokon zhvillimin e natyrshëm të saj me tipare e funksione që përkufizojnë njeriun origjinal, të paprekur nga ideologjitë e kohëve të herëpas’hershme që gjithmonë e më shumë po e rrudhin atë thjesht në një fantazëm të vetvetes, në një hero të gjallë ku mishërohet imazhi dhe materia. Në këtë kapërcim të pafalshëm të dhe për njeriun që po denatyrizohet në emër të shpirtëzimit të materies, shtigjet e kalimit janë të njëjtat si për ata që duan të jetojnë me njeriun që kanë brenda dhe për ata që nuk duan. E meqenëse shtëpia e atyre që nuk duan është ngritur duke prishur shtëpinë e atyre që përkundrazi duan të  jetojnë me këtë njeri, i bie që këta të fundit të banojnë në një shtëpi që s’është e tyrja, në një botë të huaj tashmë,  me të cilën pikat e takimit vështirë se mund të gjenden, pa llogaritur sigurisht rrezikun e kontaminimit prej forcës më dominuese për të cilën do të flasim pak më poshtë.

Marrdhëniet mes njerzve i përcakton respektimi i një kodi etik dhe ligjor, dalë prej një sistemi të caktuar shoqëror apo historik. Sistemet ligjore të ngritura, veç të tjerash, edhe mbi filozofi fetare, janë sistemet më të kompletuara në drejtim të perfeksionimit të marrdhënieve ndërnjerzore. Filozofia fetare del të jetë e nevojshme në një kohë që njerzit të zhgënjyer prej pompozitetit të modernes, e sytë po i drejtojnë nga Zoti. Në këtë kontekst mund të themi se tejçimi i moralit si ligj hyjnor tingëllon më i besueshëm e për pasojë lehtësisht i zbatueshëm, kundrejt promovimit të moralit si ligj njerëzor, pasi prirjet njerëzore i rregullojnë marrrëdhëniet më shumë të motivuar prej interesash materiale.

Megjithatë ky këndvështrim nuk vlerësohet gjithmonë objektivisht, në kuptimin që, edhe pse mund të ekzistojë parimisht, praktikisht injorohet, përjashtohet dhe nuk shihet si alternativë e mundshme. Kështu nisur nga konsiderimi i filozofisë fetare si drejtuese e jetës,  potencialisht dhe praktikisht, si edhe përfshirja apo prania e saj ose jo si e tillë, përcaktojmë këto tipe marrdhëniesh shoqërore:

Tipi i parë; ai i mardhënieve mes besimatarëve dhe laikëve. Kjo mardhënie vështirësohet shumë nëse ligji nuk i favorizon njëlloj të drejtat e të gjitha palëve dhe më keq akoma kur ai ngrihet mbi hipokrizi dhe, në dukje mbron barazinë dhe të drejtat e të gjitha palëve ndërkohë që në realitet i jeq dorë diskriminimit.

Tipi i dytë është ai mes njerëzve të cilët nuk orientohen me ndonjë besim fetar. Meqenëse jemi duke folur se çfarë e dëmton një marrdhënie mund të themi se në këtë rast zhveshja apo zbrazja e ligjit, apo zhvendosja e përmbushjes shpirtërore në sfond shkakon tëhuajtësim në marrdhëniet ndërnjerzore. Këtu qendron rreziku i një jete të dyfishtë ku në qendër vendoset egoja, dhe tjetri nuk mbetet të jetë as më pak e as më shumë se një mjet që të shpie sërish tek vetja. Vetja rrezikon këtu të bëhet fillimi dhe mbarimi i çdo ideali, i çdo ëndrre,

Tipi i tretë i mardhënieve është ai mes vetë besimtarëve. E rëndësishme këtu është të kuptohet se në ç’mënyrë mund të prishet kjo marrdhënie.

Pikësëpari marrdhënia fillon e prishet kur një kod i caktuar ligjor manipulon besimtarin me ndjenjën e përjashtimit, sikur për të nuk ka një ligje që i garantojnë të drejtat apo kur besimtari fillon e ndjehet i paaftë për ta përkufizuar një gjë që duket kaq e huaj dhe e ndryshme në raport me të zakonshmen. Në këtë rast ligji nuk funksionon edhe si miratues i të ndryshmes, por përkundrazi si mohues deri në zhdukje të saj. Së dyti marrdhënia fillon e prishet kur forca imunizuese e besimtarit nuk është zhvilluar mjaftueshëm sa për t’u ruajtur nga kontaminimi i ndikimit prej llojit të dytë të marrdhënieve të lartëpërmendura. Shpesh ndodh që do të thotë se parimet me të cilat besimtari arrin disa ndryshime në jetën e tij, fillojnë sërish të rrëzohen për t’a çbërë këtë ndryshim. Papritur jeta vështirësohet dhe justifikimet për ta mbajtur gjallë atë gjenerojnë në favor të dobësive që me zor mbajnë gjallë fenë nga ana tjetër. Kjo bën që feja dhe besimi formalizohen, artificializohen duke mbetur vetëm në aspektet e jashtme si veshja, ritualet e zakonshme, drejtuesit e njëjtë, ligjërimet e njëjta etj etj.

Megjithatë, gjithsesi nuk mund ta themi dot ekzaktësisht se në ç’mënyrë sot jeta e besimtarit është prekur nga shkrirja me pjesën negative, artificiale, formale e të qenurit sekularist, mund të themi vetëm se një gjë e tillë vihet re dhe detyra për ta shpëtuar besimin prej falsitetit sigurisht që i takon liderëve shpirtërorë, imamëve, përfaqsuesve të institucioneve religjioze, intelektualëve e besimtarëve të drejtë e të sinqertë dhe ç’është më  e rëndësishmja përkufizimit të saktë të liderit dhe vendosjes së tij në krye. E ky lider pikë së pari është intelektual, me formim të gjithëanshëm (jo vetëm fetar), i aftë t’i përgjigjet edhe problemeve më të vështira, ai është i aftë gjithashtu të përballojë diskutimet më të vështira, i aftë t’i bëjë muslimanët, të çdo niveli qofshin,  krenarë për përfaqsuesin e tyre. Ky lider përveçse i zgjuar dhe i mirëinformuar është i sinqertë dhe i drejtë, dhe duhet të jetë, altruist në punën e tij, i aftë që t’u mësojë muslimanëve se ç’është altruizmi vetë, e këtë ta përcjellë jo vetëm me fjalë, por pikë së pari përmes fisnikërisë së reflektuar në personalitetin e tiparet e tij, fisnikëri që i buron dhe duhet t’i burojë prej marrdhënies së pastër me Zotin, sepse kur Zoti e do dikë të gjithë krijesat e duan atë, e kur Zoti nuk e do, fshehja pas së mirës nuk bën tjetër vetëm se zbulon më shumë hipokrizinë e falsitetit.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *