E-Zanifishta_bebo

Nacionalizmi futbollistik që po përhapet gjatë viteve të fundit në Shqipëri dhe Kosovë, po kthehet në një burim deformimi dhe ngurtësimi për një pjesë të mirë të shoqërisë. Në saj të një armate të madhe kalemxhinjsh të formësuar intelektualisht në periudhën e shkencës së ideologjizuar të realizmit socialist, sot shqiptarët janë në një çoroditje mbarëkombëtare. Vizioni i tyre, pretendohet të jetë nacionalist, por në fakt e redukton kombin në një grusht racistësh arrogantë e kokëshkretë, që praktikisht mund të sjellin vetëm degradim kombëtar.

Nacionalizmi i sotëm është kryekëput i ndryshëm me atë që kanë predikuar rilindasit, dhe thuajse të gjitha tezat e tyre janë kthyer sot me kokëposhtë, duke i lexuar nën dritën e qirinjve të mekur të ideologjive marksiste, sipas modelit enverist e titist. Përvec kësaj, ky nacionalizëm ndërtohet më shumë me parrulla dhe shpërthim dhune e urrejtjeje, sesa nëpërmjet arsyes dhe kultivimit dashurisë për vendin e mirkuptimit ndërmjet njerëzve. Një model i tillë nacionalizmi, priret më shumë të akuzojë mbarë e prapë shqiptarë e jo shqiptarë për tradhëtarë, spiunë, armiq… duke ndërtuar ngado vetëm barriera vreri dhe urrejtjeje dhe asnjë mekanizëm bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve.

Mbi të gjitha, ky pseudonacionalizëm po mbjell në Shqipëri e Kosovë urrejtje fetare, duke vjellë vrer ndaj shumicës muslimane, gjë që provokon reagime agresive si kundërpërgjigje ndaj katolicizmit. Mendjet e nxehta e pa mend janë bërë sot flamurtarë të patriotizmit aventuresk të tillë, duke tjetërsuar tërësisht modelet, aspiratat dhe qëllimet e rilindasve. Ata po i përdorin rilindasit si yje futbolli, për të ndërsyer një palë tifozësh kundër tifozëve të ekipit kundërshtar.

Më poshtë po sjellim pjesë nga fjalimi i Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris 1919, për sundimin osman në Shqipëri. Gjuha e vetë Fishtës duket e kundërt me atë të idhujtarëve të tij, tifozëve të patriotizmit katolikocentrik, që përpiqen të ofrojnë Mirditën si modelin e vetëm të shqiptarisë së kulluar. Ata sot bërtasin me të madhe se katolicizmi është feja e vërtetë e shqiptarëve, se muslimanët shqiptarë janë kolonë turko-mongolë që janë ngulur në trojet e boshatisura prej shqiptarëve pas pushtimit turk. Tezat e tyre flasim për shfarosje masive të shqitparëve prej turqve, për një dhunë sistematike 500 vjeçare, duke shkuar deri aty sa të fantazojnë një aleancë turko-serbo-greke, në mënyrë që armiku i të unifikohet duke serbizuar «turko-shqiptaret».

Natyrisht teksti i Fishtës është një fjalim politik, në rrethana krejtësisht të veçnta që kërkon interpretime të hollësishme të kontekstualizuara. Gjithsesi, ajo çfarë mund të nxjerrim në vija të përgjithshme, është se Gjergj Fishta, megjithëse ka folur përpallë ambasadorëve dhe diplomatëve të të gjithë Europës, në një konferencë ku diskutohen kufinjtë e Shqipërisë, nuk ka shfaqur asgjë nga tezat që mbrojnë sot me zell ndjekësit më të flaktë të tij.

«Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se ati i mungonte ndërgjegja kombëtare ose ndjesia për liri e pamvarësi, por qe fakti se shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështuqë prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.

Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë. Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë ; grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë gjithë shpresën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë ata nuk sollën kurrnjisend përsëmbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar. I gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit nji tagri me shqiptarë, sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.

Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.

E sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!

Prej këtyne punëve, – për mos me folë për të tjera, – duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombëtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjant se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohtë Shqipnisë nji farë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.»

Comments

  • Te njejtat pikepamje te nuancuara, deri edhe pozitive, per marredheniet shqiptaro-osmane i gjen normalisht tek Vaso Pasha, Sami Frasheri, Faik Konica te cilet jane padiskutim ideologet kryesore te zgjimit kombetar shqiptar. Ideja se shqiptaret deri ne Tanzimat kane jetuar de facto nen shkalle te ndryshme te anutonomise, jane te pranuara pa koment nga gjithe autoret e periudhes se zgjimit kombetar, dhe shpesh periudha para-Tanzimat merret si shembull me i afert i krenarise se veteqeverisjes. Po ashtu kryengritjet ‘konservatore’ apo ‘reaksionare’ te shqiptareve te Jugut kunder Tanzimatit te udhehequra nga bejlere kryesisht te vegjel, tregojne haptas se mekanizmi qe garantonte paqen relative te deriatehershme, ishte pikerisht garantimi i veteqeverisjes lokale nga sistemi i vjeter. Nacionalizmi shqiptar ka lindur si reagim ndaj centralizmit perandorak modern, po aq sa nga refuzimi i ambicjeve territoriale te fqinjeve. Ne dallim nga fqinjet, dhe ne dallim nga sa mashtrojne propagandistet sot, shqiptaret nga Presheva ne Preveze nuk kishin kujtime te nje shteti mesjetar apo nje kishe unike ‘parakombetare’ qe t’i bashkonte si komb per te hyre ne modernitetin nacinonalist. Serbet, greket, bullgaret u mbeshteten ne shembujt e tyre perandorake e kishtare paraosmane, prandaj nacionalizmi yne nuk mund t’i ngjante atij te fqinjeve, pervecse mund t’i referohej negativisht.

    Po te keni mundesi, qofte edhe tek komentet vendosni ndonje reference se nga c’tekst eshte marre fjala e Fishtes, se ka fanatike perreth qe nuk mund ta besojne dot qe Fishta paska folur edhe keshtu

    • Fishta e ka sha dhe Evrupen nga pragu i shpise. Kete e dijne shume mire fanatiket perreth, por u pelqen te bojn sikur nuk e dijne

  • I nderuar Admin,
    Shume faleminderit per kete shkrim, eshte nje pike e forte diskutimi me te ashtuquajturit “shqiptaret e paster dhe te vertete katolik”.
    Por ju lutem shume do doja me shume info sa i perket vendit dhe rrethana kur eshte thene si dhe ndonje reference, pasi vertet sic thote dhe komentuesi me siper, mund te kete shume qe mund te mos e besojne kete thenie te Fishtes.

    Ju faleminderit

  • Natyrisht qe tekstin nuk e kemi shpikur ne, dhe eshte nje tekst i mirenjohur. Sic eshte thene edhe ne shkrim, ky tekst eshte fjalimi qe Gjergj Fishta ka mbajtur ne Konferencen e Paqes ne Paris, ne vitin 1919, ku jane diskutuar ceshtjet e pasluftes se pare boteror, duke perfshire ketu edhe kufinjte. Gjergj Fishta ka qene kryetar i delegacionit shqiptar dhe ka mbajtur aty kete fjalim. Per te gjithe ata qe duan nje reference, ky fjalim eshte botuar si liberth me vete diku rreth vitit 1998, i perkthyer ne gegnishte me titullin “Shqiptaret dhe te drejtat e tyne”, te cilin mund ta gjeni neper librari, sepse shume prej tyre ruajne ende kopje te tij. Une e kam ne biblioteken time, por nuk ndodhem ne Tirane dhe nuk me kujtohet tani shtepia botuese. Gjithsesi per me kollaj, fjalimin mund ta gjeni edhe ne wikipedia http://sq.wikipedia.org/wiki/Fjalimi_i_At_Gjergj_Fisht%C3%ABs_n%C3%AB_Konferenc%C3%ABn_e_Paqes_%281919%29

  • Fishta per Turqine:

    T’ mos u rreje njaj Cari i juej
    Se sundon mbi ne kurr Nika,
    Per pa mbete Shqypnija m’ cika.
    Ndoshta t’ dam na jem ‘ nder veti;
    Por ku ne t’ na lype Mbreti,
    Por ku shkjau t’na ngase n’ vend t’ t’ Parve,
    Per ket bese, fara e Shqyptarve
    Turk e i kshtene– merr vesht, or djale–
    Kan me u gjetun krejt me ‘i fjale.

    (Gjergj Fishta, Lahuta Malcis, Oso Kuka, Preja – 332-340)

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *