Kanuni, racizmi dhe feja





Haris Omari

imagesDimensioni i kufirit, si pjesë e pandashme e identitetit, formësohet nga përjashtimi, mënjanimi, zvogëlimi ose justifikimi i sjelljeve dhe i karakteristikave që minojnë vetëperceptimin dhe projektimin e përftuar nga jashtë. Për t’u diferencuar nga Tjetri nevojitet dritësimi i veçorive personale dhe ekzaltimi i tyre me baza historiko-morale. Mbledhja dhe promovimi i normave të pashkruara kanunore është pjesë e përpjekjes së elitave në zbulimin dhe sajimin e karakteristikave identitare kolektive, sepse normat juridike arkaike i shërbejnë fisnikërimit të grupit të përkatësisë përballë realiteteve të tjera sociale. Nëpërmjet tyre Ne shfaqemi të barasvlershëm me rangun e grupeve të qytetëruara, ku shkalla e qytetërimit përcaktohet konvencionalisht në mënyrë etno-centrike.

Nga njëra anë, përmbledhja e normave kanunore të ashtuquajtura të “Lekë Dukagjinit” ka në pikënisje promovimin e vlerave kombëtare. Nga ana tjetër, në momentin që është pranuar ekzistenca e vlerave atëherë ato përdoren në skemat krahasuese: Ata janë inferiorë, Ne qëndrojmë më lart.

Kështu vepron Gjergj Fishta në parathënien e kanunit të përpunuar nga Shtjefën Gjeçovi. Kultura «mâ e perkryeme», sipas Fishtës, është ajo «kristjano-okcidentale», e ndjekur nga kultura greko-romake. Në grupin e tretë bën pjesë «kultura e popullsís së malevet t’ ona», më pas kultura «barbare», e cila, sipas Fishtës, karakterizohet nga përparësia e sovranit dhe e kastës sunduese mbi interesin e përbashkët. Grupi i fundit zihet nga «të egrit»: komunitete fisnore, me një udhëheqës, pa ligje dhe me qellim të vetëm ekzistencën fizike.

Me një logjikë të thjesht është e paimagjinueshme që shtete si Kina, India, ndonëse e kolonizuar, Irani, Turqia, Japonia dhe Tailanda – shtetet e tjera të pavarura në Azinë e asaj periudhe ishin Arabia Saudite, Jemeni i veriut, Afganistani dhe Nepali – të krahasohen për nga kultura, zhvillimi, historia, me malet ku vepronte kanuni i Lekë Dukagjinit, e aq më tepër të jenë ‘inferiore’.

Por qasja e Fishtës është ajo e një kleriku që rrjedhimisht vendos fenë në qendër të gjykimit. Kultura «kristjano-okcidentale» arrin perfeksionimin moral dhe material – sipas klerikut – duke u bazuar në parimet e të vërtetës së «hyjnueshme», pra fesë. Pikërisht mungesa e fesë së krishterë në parimet bazike të kulturës greko-romake e zbret atë në shkallën e dytë të hierarkisë së Fishtës. Nuk mungojnë ndikimet fetare edhe te grupi i tretë, prandaj ai qëndron më lart se shtete të mirëfillta me ligje, pushtete të strukturuara, pra me kulturë politike të konsoliduar.

images (1)Duke ndjekur këtë arsyetim edhe grupi i katërt, te i cili Fishta grumbullon jo rastësisht vendet e Azisë dhe Afrikës, ndikohet nga feja, konkretisht nga feja islame, budiste, hindu, etj., që megjithëse Fishta nuk i citon, ato nënkuptohen vetvetiu, pasi, siç  u tha, hierarkia e tij është thellësisht fetare. Nëse Fishta është afetar në gjykimin e tij, nuk ka kuptim citimi i Afrikë-Azisë, ku shumë mirë mund të ishte edhe Amerika Latine. Madje, kjo e fundit ishte thuajse tërësisht e përbërë nga shtete të pavarura, të udhëhequra nga oligarkitë e tokës, që do t’i shtypin lëvizjet demokratike të shek. XX me një dhunë shembullore.

Edhe këto janë kultura «kristjane», por qëndrojnë shumë larg Evropës. Megjithëse as Evropa perëndimore nuk ishte në bllok larg grupit të katërt. Kujtojmë që ketë grup Fishta e barbarizon sepse masa shtypet nga grupet e interesit. Në Portugalinë «kristjano-okcidentale» në vitin 1926 ishte instaluar diktatura e Antonio de Oliveira Salazar. Në dekadën tjetër Francisco Franco, i përshëndetur nga Hylli i Dritës në angazhimin e tij në luftën civile spanjolle, erdhi në pushtet me 300-500 mijë të vrarë. Një diktaturë e djathtë u instalua edhe në Greqi në vitin 1936. Një diktaturë e djathë e pushtoi Shqipërinë me 7 prill 1939.

Por jo vetëm: Afrika e vitit 1933, kur shkruan Fishta këto fjalë, kishte vetëm një shtet të pavarur (Liberia), ndërsa të tjerët ishin nën sundimin e kulturës «kristjano-okcidentale»; e ngjashme ishte situata edhe në Azi.

Nëqoftëse pranojmë që këto vende marrin vlerë nga feja, duhet të pranojmë se edhe diktatura e regjime të tilla të përgjakshme janë produkt ose frymëzim fetarë. Sidoqoftë, të paktën zhvlerësohet arsyetimi i Fishtës se perfeksionimi dhe superioriteti i kulturës «kristjano-okcidentale» është sinonim i të mirës së masës dhe i të vërtetës hyjnore.

Duke iu rikthyer grupit “tonë”, në thelb justifikimi psikologjik që Fishta i bën gjakmarrjes është në funksion të Kanunit, ndërsa ky i fundit është në funksion të botëkuptimit fetar të klerikut. Për të mos thënë, pastaj, se justifikimi i gjakmarrjes nga Fishta është logjikisht i gabuar, sepse bazohet tek parimi “duke vrarë fajtorin, zbatohet ligji”, një parim klasik edhe te «të egrit», totalitarizmat, etj.

Mund të thuhet se në ketë rast Fishta nuk është patriot, por thjesht klerik katolik, që, madje, e interpreton traditën për objektiva fetare. Duke qenë katolicizmi fryma fetare dominuese në këtë kanun, tradita kombëtare merr vlera në sytë e Fishtës ekskluzivisht nga feja. Kjo është përçarëse për dy arsye: a) katolicizmi shndërrohet në njësi matëse të traditës dhe kombit shqiptarë; b) fetë e tjera janë elemente dekorative që e spostojnë traditën në shkallët inferiore të Fishtës.

Në vijim do të vërejmë pozitën e femrës të bazuar në parimet e supozuara si superiore nga Fishta.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *