Femra në Kanunin e civilizuar*





sworn-virgins-albania-550x313Sipas kanunit të Lekë Dukagjinit femra është mjet riprodhimi pa të drejta zgjedhjeje:

Neni: 42, «Njatë herë kúr t’ i teket djalit, âsht i lirë me lshue vajzen e xânun». Neni: 43,«Vajza e xânun nuk mundet me e lshue djalin edhè në mos e pasët per sý»; Neni: 31, «Vajza s’ ka tager me zgjedhë fatin e vet; do të shkojë per atë per të cilin t’ a fejojn».

Femra është edhe mjet pune:

Kapitulli: 29, «Grueja njifet si nji calikë per me bajtë sá të jetë në derë të burrit […]». Ajo nuk ka asnjë shpagim ekonomik përveç bukës dhe rrobave, pasi (Kapitulli: 20) «grueja shqyptare farë trashigimit s’ ká te grindja, as me plâng, as në shpí – kanuja e xên gruen si nji tepricë në shpí». Neni: 88, «Kanuja njef per trashëgues djalin e jo vajzen»; Neni: 91, «as te grindja e as te burri gruaja s’ hînë në pjesë të trashigimit»; Neni: 92, «me dalë fare mashkullimi i njij shpije e njëqind bija me pase dalë aso dere, s’ kan tager me u perzie në trashëgim […]».

Pushteti i mashkullit është autoritar: Neni: 58, «Burri ka tager me e keshillue e me e qortue gruen; me rrahë e me lidhë gruen e vet, kùr te mbrrîjë me i a perbuzë fjalen e urdhnit». Mundet ta vrasë: Kapitulli: 31, «Per dý pûnë e ká fishekun në shpinë grueja […]: per kurvni; per mik të prém». Femra nuk vritet dhe vrasja e saj nuk shoqërohet me gjakmarrje, por për tradhti dhe për mosrespekt të mikut merr dënimin kapital. Kjo sepse turpëron mashkullin. Edhe në momentin që ajo vret bashkëshortin nuk dënohet nga kanuni. Pra vritet nëse lëkund rangun e mashkullit. Ndryshe nga sa mendon Fishta, se kanuni promovon individualizmin, dinjitetin dhe moralin, këtu jemi përballë paprekshmërisë së sistemit komunitar të bazuar mbi nderin dhe jo mbi individin. Kapitulli 28 është mjaft domethënës:

«Njimend se mbas kanunit t’ onë “gjaku shkon per gisht”, porsè kjo kanû s’ e pershîn gruen, per arsye, qi “grueja s’ bjen në gjak” edhè me qillue se vret kend. Me vrá grueja burrin e vet a kêdo, grindja e kësaj do t’ apin arsye per at gjak […]. Me mbytë grueja burrin, e m’ u çue kunati me vrá të kunaten, pe i a vrau të vllán, kjo s’ âsht e perligjme më kanún. Gjaku i grues s’ bâhet krahas me gjak të burrit; prá, tepricen e gjakut të burrit do t’ a perligjin prindja e grues».

Kunati e vret gruan, në këtë rast, mirëpo duke qenë ajo një individ i padukshëm, prindërit e vrasëses nuk shpëtojnë dot nga hasmëria me burrin e vrarë. Me një fjalë: është gjak pa vlerë. Mos të harrojmë që flitet për jetë njeriu. Individualiteti, dinjiteti, jeta, nuk vlejnë përpara nderit, dhe ky “nder” nuk është sinonim i moralit. Ose do të pranojmë që parimet fetare prodhojnë këtë fenomen, ose që kanuni nuk është produkt fetar. Kulmi arrin në ndëshkimin e imoralitetit:

Neni: 931, «Grueja e vejë a cuca, qi delshin me marre, do të digjeshin per së gjalli ne grumbull te plehit – Ase i vêjshin ndermjet dy turrave drûsh te ndezuna e a i bâjshin me kallxue simahorin, a i lêjshin te shkrihên per mnderë ndermjet dy zjarresh. Me kênë e mbrrîjshin me i a xjerrë fjalen se cili e koriti, atbotë i vêjshin rrethin edhè simahorit, edhè i grîjshin bashkë».

Neni: 924, «Prindja e të marruemve nuk mund t’ i kerkojn per gjak por do t’i apin dorërasit fishekun e prishun me “Të lumët dora”».

E pastaj ne kemi guximin të gjykojmë kultura të tjera si barbare. Mediat shqiptare gëlojnë mbi situatën e femrës në Afganistan. Nuk është nevoja të fluturojmë në Tora Bora, kur malet tona flasin tradicionalisht me të njëjtat metoda. Janë metoda që Fishta i ngjyros me fenë e vet. Ky pra është edhe kanuni që Atifete Jahjaga, një femër, përdor si vlerë superioriteti kulturor, ashtu siç bënte Fishta. Kanuni vlerësohet në një kontekst specifik, po kështu edhe kontekstet e tjera kulturore lokale. Që kur “lindi” në letër e deri më sot, pak ose aspak gjë ka ndryshuar në qasjet abuzive.

* Ky është vazhdimi i artikullit Kanuni, racizmi dhe feja.

Comments

  • O ju admina, nje gje nuk marr vesh, artikulli ben fjale per gra dhe ne foton e tij keni ekspozuar tre burra. Apo mos jam une i paqarte, tregohen aty burrat qe dhunojne grate e Kanunit, per te pasur nje impakt me te madh te artikullit .

  • Neni 1228, si pjese e nje kapitulli interesant ku sistemohen “perjashtimet” e disa kategorive/roleve nga disa funksione, prcakton:

    “Virgjinat (femnat, qi veshen si burre): s’veçohen prej grash tjera, pose qi jane te lira me ndeje nder burra, porse pa tager zanit e kuvendit”.

    Se pari, e drejta e tyre, qe i diferencon nga femrat e tjera, eshte vetem qendrimi me burra. Kanuni eshte i qarte: ato nuk kane te drejte fjale, le pastaj te ndonje vendimi. Per keto individe jane ne fuqi te gjitha nenet e tjera perkatese te femres: puna, trashegimia, etj., qe jane cituar me lart.

    Se dyti, ne shoqeri te tilla statusi shoqerore percaktohet nga ajo qe Pierre Bourdieu e permbledh me gjestin e “penetrimit” ne ‘La domination masculine’. Duke qene se femra nuk i ka mjetet biologjike per nje akt te tille, eshte e destinuar te jete e nenshtruar, aty ku funksionon kjo logjike, pra ne shoqerite kanunore dhe te ngjashme. E nenshtruar mund te konsiderohet thjesht edhe ajo femer qe nuk eshte e barabarte me burrat. ‘Virgjinat’ jane ne kete rrol.

    Shiko sa kurioze. Ajo çka i jep nje status disi me superior ndaj te tjerave eshte pikerisht mospenetrimi. Ky nuk eshte pranim i transeksualizmit dhe as i transgjenderizmit, sepse kjo femer mbetet gjithmone femer, si fiziologjikisht ashtu edhe psiko-sociologjikisht. Burrat e kanunit pranojne ne gjirin e kuvendit seksin tjeter nese individi i pranuar nuk e shfrytezon “dhuntine” biologjike, pertej faktit se si e percepton veten ky individ, femer me trup e mashkull (po banalizoj) me tru e me sjellje.
    Sidoqofte, kjo femer mbetet gjithmone femer, por me pantallona, me cigare, me plis. E virgjer, me rroba mashkulli, por pa status burri.

  • Ka disa rrethana ne te cilat parashikohet kjo dukuri. Pergjithesisht kjo behet prej atyre shtepive qe nuk kane burra, kur burrat jane vrare ne lufte, apo kane vdekur, apo nuk jane te afte per ti dale per Zot familjes. Ne kete rast, femra behet burrneshe per ti dale per zot familjes se saj, duke marre vendim per te mos u martuar kurre, duke mbetur e virgjer.

    Interesante eshte fakti qe keto zakone vazhdojne ende deri sot ne zona te thella, kryesisht ne Mirdite, megjithe penetrimet e shumta te modernitetit, qofte sipas menyres se institucionalizuar totalitare, qofte sipas asaj latente te realizuar nga mediat.
    Mendoj qe kanuni ka vlera studimore, dhe duhet pare si nje kod, qe ka arritur te krijoje njefare funksionimi shoqeror ne zona te tilla te thella. Por sidoqofte, vete prania e tij kanuni, dhe per me teper egersia dhe ashpersia e jetes qe ai kodofikon me te njejten ashpersi, tregon per primitivizmin e ketyre zonave.

    Problemi eshte kur Kanuni glorifikohet prej katolicizmit mirditor, si vlere e madhe kombetare. Kam degjuar pseudonacionaliste te tille, pergjithesisht keto ide ushqejne sot mendjet e te gjithe mirditoreve, qe thone se Mirdita eshte shtylla kurrizore e patriotizmit shqiptar. Atifete Jahjaga, arriti zenitin e ketij budallalleku kur e glorifikoi Kanunin me superlativa duke ia kunderven sheriatit. Ajo u perpoq te krijonte nje kontrast paragjykimesh raciste orientaliste bardhe e zi midis Kanunit te qyteteruar, dhe sheriatit barbar. Kjo eshte qesharake duke pasur parasysh nje qyteterim 1400 vjecar me nje tufe fisesh hermetike qe jetojne ne male.
    Interesante dhe ironike ne kete mes eshte se “turqit barbare”, qe ne kohen e Abdylhamidit jane perpjekur te civilizojne Mirditen e ta shpetojne ate nga gjakmarrja duke nisur nje sere ekspeditash, me synimin e c’rrenjosjes se saj. Por, megjithe perpjekjet, gjithcka rezultoi pa sukses. Duket se keto zona, jo vetem qe jane kane mbetur ne primitivizmin e tyre, por as qe duan te ndryshojne dhe as qe pranojne rreze drite. Vetem gjate komunizmit “komisaret e drites” arriten te depertojne deri aty, duke ua veshtiresuar edhe me shume jeten banoreve. Ata arriten vetem ti cveshin ata edhe nga ato vlera kalorsiake te kalcifikuara ne kodin zakonor arkaik, duke u sjelle luften e klasave qe asgjesoi ate fill solidariteti qe mbronte kanuni.
    Nderkohe sot mund te themi se shtetin totalitar e ka zevendesuar Top Channel-i dhe operatoret e tjere televizive, nepermjet antenave parabolike. Por as mrekullia e tyre nuk duket se ka sjelle ndonje permiresim, pervec se ka arritur te diversifikoje primitivizmin, duke komplikuar strukturen shoqerore, kodin e nderit e duke ngaterruar keqazi rolet gjinore, pa i c’veshur nga ashperisa dhe dominimi mashkullor.

    • Jane “keputur” pjeset qe kane lidhje me tematikat e cituara ne artikull, qe do te thote se nuk eshte shkeputur nje fragment nga nje fjali, e keshtu me radhe.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *