Gjaku i munguar. Le të dhurojmë tani!





dhuro-gjakLisjana Demiraj

Dhurimi i gjakut, fenomen rëndom i dëgjuar, lihet në hije nëse nuk ka një sensibilizim masiv apo dikush s’është dhurues i rregullt. Dhe, si çdo verë, kur shkollat e universitetet janë të mbyllura dhe shumë aktivitete publike e private janë të reduktuara, mundësitë e organizimeve dhe sensibilizimeve konkrete në terren janë shumë të kufizuara. Si rezultat, numri i dhuruesve reduktohet ndjeshëm dhe rezervat e gjakut zvogëlohen. Kjo është dhe gjendja aktuale: Banka e dhurimit të gjakut është e zbrazur, me të vetmet rezerva kritike ato për rastet e aksidenteve. Nevojitet vetëm një minutazh i një pasditeje për të shpëtuar jetë! Në vendin tonë numërohen rreth 400-500 talasemikë të cilët kanë nevojë transfuzionin e gjakut 3 herë në javë, ndërsa nga ju kërkojnë një dhurim vetëm 1 herë në këtë verë. Mbijetesa e tyre lidhet me transfuzionin periodik dhe të vazhdueshëm të gjakut. I vetmi shërim është transplanti i palcës së kockave, procedurë kjo tepër e kufizuar në dhurues (aktualisht dhuruesit e vetëm te përshtatshëm janë personat e familjes, ndërkohë që kërkimet shkencore premtojnë mundësinë e dhurimit nga jo familjarë) dhe akoma më tej, problemi më konkret, fakti që kjo është procedurë e pamundur në spitalet shqiptare. Pra, e vetmja mundësi zgjidhjeje është transfuzioni i gjakut, ky i fundit i pasintetizueshëm në kushte kimike. Me fjalë të tjera i vetmi burim është ai njerëzori me gjak të dhuruar. Sot ndërgjegjja jonë e lartë qytetare ndaj fenomenit mbetet e vetmja rrugë shpëtimi. Kushedi sa e dhimbshme duhet të jetë të shkosh me fëmijën në krah për transfuzionin e radhës, për t’i zgjatur dhe përmirësuar jetën, apo dhe thjesht për të mos ia shuar atë dhe të duhet të kthehesh mbrapsht, pasi je përballur me mungesën e gjakut. Dhe të kalosh ditë ankthi me shpresën se kur të shkosh përsëri do të ketë, ndërkohë që fëmija të venitet para syve të tu. Jetojmë në këtë vend me plagë shoqërore të mëdha e aq të shumta sa s’ka mbetur më bahçe sociale pa u djerrë; por të mos harrojmë vuajtjet konkrete përreth nesh: të sëmurët, të cilët fatkeqësisht nuk e kanë luksin e pritjes. Të paktën këtu mundemi vërtet të bëjmë diçka. Të dhurojmë gjak! Të shpëtojmë jetë dhe, po ashtu, të bëjmë një kontroll mbi shëndetin tonë. Kështu përveç humanizmit ne i kushtojmë edhe një vëmendje vetes, pasi dhurimi i gjakut pasohet me një kontroll të tij për sëmundjet virale të fshehura, prania e të cilave e bën gjakun e dhuruar të papërdorshëm. Pra ju merrni dhe informacionin e vlefshëm mbi gjendjen tuaj. Është si të lini një takim për kafe me një mik afër spitalit ushtarak. Aty ndodhet Qendra e Dhurimit të Gjakut.

 

PS. Shkrimi i botuar tek gazeta shekulli. Pas këtij shkrimi me qëllim ndërmendjen sado pak të vetëdijes kolektive mbi këtë problematikë që gëlon mes nesh,  kontaktuam me imamin e xhamisë së Dine Hoxhës dhe u bë e mundur nisma për realizimin e një seance të madhe dhurimi duke konsideruar gravitetin e situatës dhe numrin e madh të individëve në nevojë.

Dhurimi do të kryhet pas namazit të xhumasë, ditën e premte, datë 13.09.2013, në xhaminë Dine Hoxha në Tiranë. Ekipet mjeksore përkatëse do jenë aty me të gjitha mjetet dhe informacionin e nevojshëm. Reflektoni dhe mendojeni si për veten tuaj!

Comments

  • Me pelqen shume nisma e juaj, per dhurimin e gjakut.
    Por mendoj se informimi i njerezve duhet te jete paksa me i detajuar.
    Dhurimi i gjakut eshte nje akt i cili nuk e demton shendetin e atij qe e dhuron.
    Ne momentin kur shkojne te dhurojne ata do t’i nenshtrohen nje pyetesori per te dhenat personale qe do te qendrojne anonime, do ti nenshtrohen nje kontrolli mjekesor, matje temperature, matje e hemoglobines , matje tensioni, dhe mjeku do te vendose nese do jeni dhurues apo jo.
    Njerezit duhet te dijne se dhurimi mund te behet minimalisht cdo 8 jave dhe gjate nje dhurimi personit i hiqen 400-450 ml gjak nga trupi i tij gje qe nuk i sjell atij asnje problem pasi ne trupin e njeriut qarkullojne 5 litra gjak dhe sasia [volumi] qe hiqet ne dhurim ,zevendesohet menjehere brenda 24 oreve nga vete organizmi me nje proces fiziologjik kompensator normal. Procedura zgjat 10 minuta dhe eshte e padhimbshme dhe pa rrezik. Aget dhe mjetet e tjera qe perdoren jane njeperdorimshe dhe po ashtu sterile.
    Personat qe shkojne per te dhuruar gjak duhet te kene parasysh qe te mos pijne duhan apo alkool [ edhe pse feja e ndalon kete, mire eshte te lajmerohet kjo gje] para se te dhurojne.
    pas dhurimit te gjakut , gjaku i tyre i dhuruar do te analizohet per grupin e gjakut dhe per Rhezusin dhe po ashtu edhe per praninë e SIDA-s, hepatit B dhe C , sifilizit. Nese do te rezultojne pozitiv per kete semundje do te njoftohen ne menyre private vetem personat qe kane dhuruar gjak.
    Pasi te kene dhuruar gjak ,dhuruesit duhet te qendrojne 20 minuta shtrire dhe po ashtu te pijne lengje, apo te hane dicka. Me pas ata mund te largohen per te kryer aktivitetet e tyre normale ditore. Por megjithate duhet te kene kujdes.
    Kujdes !

    -Gjatë gjithë kohës duhet të merren lëngje më shumë se zakonisht e të merret ushqim normal.
    -Të mos përdoren pije alkoolike.
    -Të mos pihet duhan të paktën 3 orë mbas dhurimit.
    -Nuk duhet të hiqet ankerplasti nga krahu për 2-3 orë.
    -Të evitohet ngritja e peshave ose çantave të rënda për 2-3 orë mbasi mund të shkaktohet ndonjëherë rrjedhje gjaku. Nëse ndodh, atëhere dora duhet ngritur lart mbi kokë e duhet të shtypet zona për 4 minuta me një shami ose garzë.
    -Ditën e dhurimit të mos ngitet makina rreth 2-3 orë.
    – Nëse ka ndonjë shqetësim, kontaktohet me mjekun e bankës së gjakut.
    Meqenese parimi baze per shendetesine e mjekun eshte ” Primum non nuocere” pra ” Perpara se gjithave mos bej dem” , dhurimi i gjakut eshte nje veprim human por qe ka edhe ai rregullat e kushtet e veta per tu dhuruar.
    Por kush mund te dhuroje gjak e kush nuk mundet pamvaresisht deshires se mire qe ka…
    Se pari lejohet te dhurojne gjak personat qe gezojne shendet te plote dhe qe nuk vuajne nga senundje e nuk marrin mjekime.
    Se dyti lejohet dhurimi i gjakut ne personat nga mosha 18 vjec deri ne moshen 60 vjec. Mund te lejohet te dhurojne edhe ne moshen 17 vjece por duhet te merret miratimi i te dy prinderve te personit.
    Dhe se treti personat qe dhurojne gjak duhet te kene peshen trupore 50 kg e siper.

    Ata qe jane te perjashtuar nga dhurimi i gjakut pergjithnje jane : – Personat jashtë kufirit të moshës 18-60 vjec.
    – Alkolistët , të droguarit dhe personat që kanë sjellje seksuale me rrezik të lartë infektimi.
    -Të sëmurët me anemi, sifiliz, SIDA, TBC, Hepatit C,B (verdhez) , epilepsi, sëmundje zemre, tumore malinje, sëmundje autoimune, diabet i varur nga insulina.

    Ndersa personat qe perjkashtohen perkohesisht nga dhurimi i gjakut jane :
    -Personat që i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale nuk mund të japin për 1 vit.
    -Personat që përdorin ilaçe me kohëzgjatje të ndryshme, që kanë bërë vaksina, të sëmurë me alergji, sëmundje akute, grip etj.
    -Gratë shtatëzëna deri në një vit mbas lindjes.
    -Femrat gjatë ciklit menstrual.
    -Personat që kanë bërë akupunkturë, tatuazhe , « piercing » nëse nuk janë realizuar në kushte higjienike.
    -Personat që kryejnë marrëdhënie seksuale të rastësishme.

    Pra bëni dhuratën që nuk kushton asgjë . Dhuroni gjak !

    Suksese ne kete nisme!!

  • Sensibilizimi eshte shume i nevojshem,por nuk mund te mohojme as realitetin qe shume njerez i frikeson dhe i ben te sprapsen nga ky vendim….fakti qe gjaku i tyre mund te shitet….nuk i dihet ku shkon e si perdoret….a ka nje siguri qe nepermjet xhamiave kontrrolli dhe serioziteti do te jete me i larte, a i kontrrollon dikush nga grupi i xhamise se ku shkon ne te vertete ky gjak?….Jemi midis deshires per te ndihmuar dhe frikes nese ndihma shkon ne vendin e duhur.

  • Ne te njejten dite, edhe xhamia e re tek Restorant Durresi ka patur nje fushate dhurimi te gjakut. Nuk e di a kane qene te koordinuar me xhamine e Dine Hoxhes, por eshte gje e mire qe ka sensibilitet per kete.

  • I nderuar Z. Ardi
    Ne Qendren e Transfuzioneve ne Tirane ka dhenes te gjakut me pagese si dhe dhurues gjaku. Ne kohen e diktatures ka qene 3800 lek nje dhenie gjaku, dhe ka pasur familje qe jetonin vetem me kete. Ata njiheshin si dhenes te rregullt te gjakut dhe per cdo dhenie gjaku merrnin shumen e caktuar nga shteti. Kjo praktike pune egziston edhe tani por eshte ulur ndjeshem fale fushatave dhe politikave sociale qe jane ndermarre nga Shteti Shqipetar dhe nga Ministria e Shendetesise si dhe nga shume shoqata jo qeveritare me qellim qe te kemi dhurues te gjakut dhe jo dhenes me pagese te tij.
    Ka mbi dhjete vite qe funksionon Organizata Shqipetare e Dhuruesve Vullnetare te Gjakut [ne bordin themelues te saj kam marre pjese edhe une] qe kishte dhe ka per qellim te promovoje dhe te nxise njerezit te dhurojne gjak, duke crrenjosur keshtu konceptin e shitjes se gjakut apo dhenies se gjakut me pagese.
    Dhurimi i gjakut tek xhamia e Dine Abazit ka per qellim pikerisht kete, Dhurimin e gjakut. Tek Xhamia do te shkojne mjeke e staf i specializuar per kete pune dhe qe do ta dergojne gjakun e mbledhur ne kontenitore te posatshem ne Qendren e Transfuzioneve Tirane per t’u perpunuar, nga ku do te dergohen ne Qendrat Spitalore Universitare per njerezit ne nevoje…
    Nuk mendoj se ka vend per dyshime apo hipoteza ne kete pike.
    Por nese njerezit kane dyshime edhe tek vete vendi ku i falen Zotit atehere ata kane probleme me vehten. Le te lene Zotin te gjykoje veprimet e secilit, e cdo njeri te veproje sipas asaj qe i thote zemra.
    Sidoqofte, i keshilloj te gjithe qe te marrin pjese ne kete dite sepse pamvaresisht se ne trupin e kujt do te shkoje gjaku i tyre, e rendesishme eshte se do ta marre gjithnje nje njeri me jeten ne rrezik e qe eshte ne nevoje per hemotransfuzion.

    Prej Ibni Omerit r.a transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
    Kur dikush kërkon ndihmë në emër të All-llahut atë ndihmoje, kur lyp dicka në emer te All-llahut atij jepni, kush ju fton përgjigjuni ftesës së tij,
    Kush ju bën ndonjë të mirë kthejani atij.
    Po qe se s’keni me çka t ia ktheni atëherë lutuni për të, ngase lutja do të konsiderohet kompensim.

  • Me konsiderate te thelle per ju dhe shkrimin tuaj dr. Adela Perolla, me lejoni te bej nje korrigjim.
    Ju shkruani-Dhurimi i gjakut tek xhamia e Dine Abazit ka per qellim pikerisht kete, Dhurimin e gjakut.
    Realisht xhamia emertohet Dine Hoxha dhe cuditerisht ju e pagezoni me emrin e Presidentit te Urdherit te Mjekut dr. Dine Abazi.

  • hshahahaaaa…. ne subkoshience Aisha ne subkoshience… qendron gjithnje mjekesia…me fal… thjesht lapsus…kerkoj shume ndjese!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *