E harruat Republikën e Mirditës?





MirditaNë një seri dialogësh të sajuar Agron Gjekmarkaj rreket të përshkruaj fantazinë popullore të këtyre muajve saharianë. Më interesanti është dialogu mes dy bashkëfshatarëve mirditorë të autorit:

“Ia lumsha Edi Ramës, na e futi tu na respektu e bani nji mirditore ministre”… “Cilën more?”… “Lindita Nikollin at mësuesen” […]. “Po pse në gra paska mbet Mirdita me u përfaqsue… ka plot burra me nji barrë mend. Po tek e fundit ma mirë atë se hiç. Kena votu tan jetën Sali Berishën e nuk e bani kurrë nji ministër prej Mirdite e ky me t’parën, habi vallahi” […].

Pas kësaj lëvdate për kryeministrin e ri, që Gjekmarkaj ia ka shprehur direkt pas zgjedhjeve, madje me kërkesa fetare, dhe pasi dëshmohet (nga një “akademik”) se arritja e vendit është testosteroni, profesori hap thesin miteve, me të cilët kërkon të pasqyrojë imazhin e mirditorit dhe, sigurisht, të vetvetes. I pari lidhet me qëndresën, megjithëse duhej përmbushur me rebelimin konstant dhe me të famshmen cubni:

“E vërtetë asht, asnji nuk ka ba… por  deputetët e Mirditës nuk u nënshtruen kurrë, nuk u banë qesharakë me lexue deklarata e as i përmendi njeri për hajni. Ti shif qysh prej Zef Brozit e deri te Mark Marku ia kanë numrue të gjitha pa ju drillë qerpiku, e jo si të tjerët që shkojnë t’u lef kur ikin prej aty. Çka i tha Marku, i duel nji me nji. Kanë qanë trima në mejdan e jo mbas lufte”.

Biseda politike thirri në ndihme historinë dhe mustaqelliu mori fjalën: “Me ne, or lum miku, nuk e qiti Turku për 500 vjet e jo ma Sali Berisha” […].

Si përherë, dominon stereotipi folkloristik që me mirditorët “nuk e qet njeri”. As turku e as Berisha, pra as Shteti në vetvete, dhe kjo sjellje kundër autoritetit shtetëror ngrihet në piedestalin e vlerës. Shtojmë këtu që “turku” barazohet me “Berishën”, dhe, për ironi, Gjekmarkaj ka pas punuar për “Berishën”, ndërsa mirditori tjetër, Mark Marku, punon edhe për “turkun”.

Stereotipi i dytë është fetar.

Ai që e krypte bisedën, shtroi pyetjen: “Allahile, a ka me na nxjerrë ky Edi Rama prej Konferencës Islamike?”. Mustaqelliu, pak i prishur në fytyrë dhe pasi bëri ca tundje koke, tha: “Hëh, hëh, ja ja …nuk ja mban me e ba at punë…qe me vrap ngahi për tek Erdogani dhe e shpalli aleat strategjik […].

Dy janë shqetësimet e mirditorit të Gjekmarkajt: dominimi i mashkullit dhe feja e tjetrit. Puna, e ardhmja, rendi, shteti i së drejtës, korrupsioni, drejtësia, e çdo gjë tjetër që nuk funksionon dhe nuk garantohet në këtë vend bëhet e padukshme përballë Konferencës Islamike. Problemet e mirditorëve pra burojnë nga Konferenca, e nëse dalim nga ajo, sipas profesorit, dialogët e bashkëfshatarëve të tij rrezikojnë të reduktohen te mustaqet. E kemi vërtetë të vështirë të kuptojmë se si e shpjegon profesori, nga zona e “qëndresëtarëve”, mungesën e protestës së tij zyrtare dhe të shkruar, kur ishte këshilltar i Topit, kundër anëtarësimit në këtë Konferencë.

Dialogu i fantazur mbyllet me një citim-dekoratë:

M’u kujtua një përkufizim i At Anton Harapit: “Mirditori asht i vogël me trup…i pafjalë, por zjarr mrena… Mos të ndeshtë Zoti për të, se i vogël të duket e i madh të del”.

Dhe ne po rikujtojmë pak pikërisht këtë madhësi me një ngjarje të komentuar nga Hylli i Dritës, kur Markagjoni themelonte Republikën katolike të Mirditës, atë që nuk arriti të bënte as Haxhi Qamili në versionin islam, në mënyrë që profesori dhe kolegët që mendojnë si ai, të mos e mjegullojnë rezultatin e turpshëm antikombëtar të disa burrave me identitetin fetar të Gjekmarkajt.

Kapidan Marka Gjoni tuej qitë se per shkak se populli i Mirditës ishte tuj hjekë teper keq prej ûjet e mandej tuj pa edhe se, prej pakujdesit të Gjéveris ishte lâmun krejt pas dore joveç populli i Mirditës por të gjitha malet e Gegnís, pshtull disa shokë e bashkë me Zef Ndocin e Spaçit e Tuc Doden e Fandit shkoi ne Pezrend. Sa kthej prej asi vendi çoi e grishi me êmen gadi të gjithë krènet e dymdhetë Bajrakve […]. Gjithsej nja 120 vetë. Si u mblodhen krent e ktyne Bajrakve, çili Marka Gjoni kuvendin […]. Diftoj se populli i dymbdhetë Bajrakve do gjeverisë mbas kanunit si e kishin pasë tash sa vjet […]. Porositi qetsin e të nalunt e punës se keqe joveç mrenda kufînit të Mirditës […], e masi u njomi doren me ka 10 deri në 30 Napoljona, i la disa me shkue, tuj nalë disa me të cillët do të flitte ma çiltas. Ktyne, thonë se, masi i vûni perpara në bé, u diftoj çiltas se si ishte lidh me Serbi.

Rrokull Shypnís, «Hylli i Dritës», 3 (1921), fq. 137-8.

Me 10 [korrik] mas urdhnit të Komandantit t’ushtris u mblodhen në Rrubig të gjashtë Bajrakët e Lezhës, kû para Oficerave e popullit Z. Kap. Preng Jaku […] mbajti nji fjalim shum të bukur, me të cilin porositi popullin të rrishin shqyptarë e mos t’u rrêjshin mas disa të poshterve, të cillët, rrêjtun mas paret të huej, kerkoshin me hup vendin e vet.

Rrokull Shypnís, «Hylli i Dritës», 4 (1921), fq. 188.

Mercenarë të serbëve, pragmatistë, antinacionalistë, promovues të dasive fetare për të minuar shtetin shqiptar dhe vetë unitetin kombëtar…! Edhe këto, i dashur profesor, janë pjesë e CV-së historike kolektive, meqenëse keni zgjedhur akoma sot, në shek. XXI, të identifikoheni vetëm me “fe e burrni”.

Comments

    • Pyetje me vend. Problem serioz. Informacionet jane mjaft te shperndara. Cuditerisht, kur eshte puna per Haxhi Qamilin, ka informacione e sharlatane me bollek, por kur flitet per turpin e Republikes se Mirdites eshte zgjedhur heshtja mediatike, sepse per studime te mos flasim.
      Disa media shqiptare ta shpjegojne Afganistanin ne hollesi, por nuk gjejne kohen ta sqarojne shqiptarin per historine e vet.

  • Kjo kreanria krahinariste mirditore nuk tregon gje tjeter vetem se primitivizmin e pagdhendur qe ka mbetur tek keta njerez. Nese shqiptaret kane probleme shume ne raport me shoqerine moderne, nder kryesoret eshte mentaliteti fisnor e krahinarist. Pothuaj te gjithe ne Shqiperi e ruajne nga pak nje mentalitet te tille, por Mirditoret e kane me te theksuar se te gjithe. Eshte interesante se sa me thelle te zhytemi hierarkine rurale te Shqiperise, aq me shume krenari krahinore e fisnore do te gjejme. Mirdita i tejkalon te gjithe, bash per arsye se eshte zona me e thelle e me e pacivilizuar. Imagjino, as Tirana, as jeta akademike, as librat dhe asgje nuk ka arritur t’ia shkule kete banalitet as vete profesorit. Kerkesa e tyre per te pasur nje minister Mirditor, eshte nje nga shperthimet me spektakolare te primitivitetit.
    Nuk ka pas dale kot ajo kenga:
    O moj mirditore
    A ke frena dore?

    • a nuk mendon se ka pak doze pergjithesimi komenti yt, te ngjashem edhe me paragrafin e fundit te shkrimit me lart? A nuk merzitemi si muslimane e si shqiptare kur shohim se gjykohemi kolektivisht prej fjaleve e veprave te me budallenjve prej nesh? Pse atehere nuk bejme edhe vete ME SHUME kujdes ne menyre qe te gjykojme budallain vecas nga fisi apo krahina nga vjen? Edhe sikur te jete e vertete se qenkan me shumice budallenjte diku, mjafton edhe vetem nje ze i kthjellet qe t’ia shpetoje nderin krejt fisit te vet. Bile edhe po nuk e degjuam personalisht ate ze te ndryshem, duhet ta perfytyrojme se ekziston patjeter. Pa kete supozim, i humb kuptimi gjithe paradigmes mbi te cilen ndertojme kritiken mbi racizmin, tribalizmin

      • Paragrafi i fundit i shkrimit:

        Mercenarë të serbëve, pragmatistë, antinacionalistë, promovues të dasive fetare për të minuar shtetin shqiptar dhe vetë unitetin kombëtar…! Edhe këto, i dashur profesor, janë pjesë e CV-së historike kolektive, meqenëse keni zgjedhur akoma sot, në shek. XXI, të identifikoheni vetëm me “fe e burrni”.

        Paragrafi i fundit i komentit:

        Nuk ka pas dale kot ajo kenga:
        O moj mirditore
        A ke frena dore?

        Nese me thua se ngjashmeria qendron tek perdorimi i gjuhes shqipe ne dy paragrafet, mund ta pranoj, por pergjithesimi nuk qendron. Arsyeja eshte e thjesht, dhe une keshilloj perhere leximin me vemendje.

        Lidheza “edhe”, me te cilen eshte filluar fjalia, perfshin keta lloj sjelljesh (mercenarizmi, antinacionalizmi, etj., te dokumentuara/cituara edhe ne analizen e Hylli i Drites) per nje kategori specifike njerezish, qe Hylli i quan, madje, te poshter. Vete perfaqesuesit e kategorise preferojne te pergjithesohen. Shkrimi eshte per pergjthesuesin Gjekmarkaj, qe duhet ta zgjeroje memorien, meqenese ka zgjedhur te kategorizohet me ato modele. Personi qe mendon se te jesh nga nje X zone eshte vlere, le t’i kujtoje antivlerat e renditura nga revista e cituar.

        Artikulli nuk mori zahmetin te plotesoje kartelen psiko-sociale te teresise se nje zone.

        • E kisha me krejt komentin, jo me vargjet vecmas, dhe paragrafin e specifikova vetem per shkrimin, jo per komentin. Lidhezen “edhe” qe kufizon dhe specifikon objektin ne paragrafin e cituar, bej be se e kam lexuar shume mire, dhe eshte pikerisht ajo lidhez, por edhe toni i pergjithshem i shkrimit qe ma pamundeson jo thjesht mua, po edhe cdokujt tjeter te kerkoje ate cka nuk gjendet ne shkrim. Nderkohe une ne koment perdora shkronjat e medha, qe te bej te qarte c’po sugjeroj: ME SHUME kujdes. Pra nuk po verej mungese kujdesi ne trajtimin e ketyre temave serioze, po thjesht, si dashamire, sugjeroj ME SHUME prej ketij materiali – kujdesit. Sepse vete jemi te ndjeshem ndaj pergjithesimit te gabuar, shpesh dashakeq qe behet ndaj asaj cka po na puq ketu, prandaj edhe duhet ta perdorim po te njejten ndjeshmeri edhe per te tjeret, bile edhe per dashakeqet qe kerkojne te konfirmojne karikaturat e tyre. A ben dem dikush qe kerkon dicka me shume, dicka me mire, pa bere as ironi, pa fyer? Ky koment dhe ai me siper, jane te padukshme ne rapprt me shkrimin, mund dhe te fshihem bile lejoj dhe kerkoj te fshihen, po meraku mbetet. Keshtu ka ardhur kjo kohe: le te thote c’te doje Gjekmarkaj, mirditoret apo katoliket nuk i vuajne fare pasojat e asaj cka thote; po me ne mekanizmi vepron ndryshe. Nje video keqinterpretuar ne youtube e nje hoxhe, nje artikull blogu i keqkuptuar diku, nje sherr ne xhami diku tjeter dhe pasoja u shtohet ne perpjesetim te rregullt krejtve. Eshte absurde, eshte e padrejte, po ja keshtu jane punet. Prandaj dhe po ia lejoj vetes te kerkoj me shume kujdes, prej keteij mekanizmi absurd kolektivizimi. Perndryshe, ne kushte normale, as qe do kisha luksin te verej ndonje gje tjeter ne shkrim, vec analizes se vleresueshme

      • Ndoshta ke te drejte dhe nuk eshte kurre keq te perkujtohemi per te qene te kujdesshem ne gjuhen qe perdorim, megjithate, qellimi im nuk eshte te fyej mirditoret, por te denoncoj ekzaltimin racist krahinor, te nje grupi njerezish qe e konsiderojne veten “popull izgjedhur brenda shqiptareve”. Kam parasysh pretendimet e shume prej tyre qe thone se jane “shtylla kurrizore e shqiptarise”. Natyrisht nuk mendoj se problemi eshte gjenetik dhe ashtu sic denoj krahinarizmin e atyre qe vetequhen popull i zgjedhur, po ashtu denoj dhe nuk besoj ne koncepte te tilla si “popull i nencmuar”, per me teper qe kam edhe miq nga mirdita dhe nuk i kam paragjykuar kurre per prejardhjen e tyre.
        Megjithate mendoj se grupe shoqerore e krahimore’ per arsye rrethanore e historike, kultivojne disa sjellje e tipare te perbashketa, te cilat sidoqofte nuk jane kushtezuese dhe as te pandryshueshme. Megjithate permendja e ketyre te metave nuk kishte si qellim fyerjen apo etiketimin, por ishte pergjigjia ndaj nje paragjykimi krahinarist. Eshte njesoj si ne rastin kur ndeshemi me njerez fodulle qe krekosen per vlera te larta qe nuk i kane. Prirja eshte t’i perplasesh perpara pasqyres, per t’u treguar se nuk jane aspak ashtu sic mburren. Jo vetem kaq, por kur fodulleku shoqerohet me paragjykime dhe nencmim ndaj te tjereve, atehere behet legjitime shfaqja e te keqijave te paragjykuesit. Ky ishte sensi i pergjigjes sime. Kete e mendoj, sepse pikerisht kjo kategori njerezish, kam parasysh ketu pergjithesisht kalemxhinjte e gazetave dhe killerat on line, fodullekun krahinarist e shoqerojne me akuza, fyerje e nencmim ndaj shumices muslimane. Faqe te tilla si “Zemra Shqiptare”, Revista “Drini” etj, (te cilat po gjejne hapesire edhe ne shtypine e perditshem) kuterbojne nga vreri, helmi e peshtyma qe zbrazet ne menyren me te felliqur, teksa i thuren himnet me narcistike Mirdites e katolicizmit.
        Ndoshta vargjet qe solla jane te teperta, por sic thashe qellimi ishte vetem ky.
        Gjithsesi te falenderoj per keshillen.

        • Te falemnderit per pergjigjen dhe bujarine e saj, se ndoshta pyetjet e mia mund te mos kene qene krejt te qelluara. Gjithsesi, sa kohe qe i ruhemi provokimit emocional, mund t’ia lejojme vetes te guxojme deri ne limitet e kritikes, sepse keshtu eksperimentojme cilesi te reja te diskursit te mundimshem mbi fene e identitetet – me shpresen se kjo faqe do te perfitoje ne proces e siper. Eshte shume me mire kur kritikat, qofshin dhe te teperta, ndodhin fillimisht ne nje mjedis dashamiresie, lehtesi te cilen nuk e kemi gjetke.

          Gati askund tjeter nuk mundesh te diskutosh per tema te tilla pa te akuzuar, cenzuruar, pa te ballafaquar me absolutizma e komplotizma. Ndoshta e teproj, por besoj se sa pa dale edhe nja dy- tri faqe te tjera te ngjashme, do jemi te detyruar te debatojme vetem ketu, me rrezikun e perhershem te qejfprishjes, per faktin e thjeshte se nuk ka mbetur diku ndonje lloj forumi ( ‘musliman’ ose jo) ku te mundemi te diskutojme me qetesi punet e fese ne shoqeri, pa dogmatizem, pa fobi, pa peshen e autoriteteve te dyshimta apo populizmit.

          Zakonisht sot, gazeta serioze praktikojne institucionin e ombudsmanit, avokatit te lexuesit, i cili mbron profilin etik te gazetes, apo pritshmerite gjenuine te lexuesit ( jo te provokatoreve troll), sepse lexuesi eshte ai qe i jep jete gazetes, eshte pra pjese e saj. Ne gazeta si e-zani, qe perfaqesojne opinionin minoritar ne nje mjedis jo thjesht indiferent, po edhe agresiv ndaj fese (Islamit ne vecanti), vemendja ndaj lexuesit mendoj se eshte akoma me e domosdoshme. Kjo sepse shpesh pasojat e keqkuptimeve qe krijohen ne komunikimin mediatik te muslimaneve percillen gati kapilarisht ne komunitet, prej kritikave naive apo dashakeqe qe unifikojne kete komunitet, per t’i mveshur gafa te nje pjesetari, ose nje grupi te vogel syresh.

          Opinioni minoritar, me definicion, duhet te jete edukativ dhe durimtar ne menyre qe te mbijetoje dhe pastaj te angazhoje shoqerine ne debat dhe ndryshim. Po e shohim mire sesi, shpesh, ata qe kane zgjedhur gjuhen e faktit te kryer dhe konfrontimit, vetem sa alienizojne me shume opinionin, edhe kur kane te drejte ne cfare thone. Ky merak me shtyn te debatoj, ndonese debati nuk me pelqen fare.

          Edhe nje here falemnderit per pergjigjen!

  • Pikerisht pse e vleresoj motivin per te cilin debaton, nuk ka asrsye per te mos u mirekuptuar. Ne thelb ajo qe na intereson eshte e mira dhe e verteta ndaj, debati duhet vetem te na afroje, si njerez qe shqetesohemi per te njejtat gjera.
    Eshte e vertete, ky vend po behet si nje spital psikiatrik, nga menyra sesi gjykon dhe reagon shumica e njerezve, ne media televizive, te shkruara, faqe interneti, blogje e rrjete sociale. Dhune, agresivitet, paragjykime, urrejtje, megalomani… gjithcka te kesaj natyre gjen ne gjuhen e shumices se njerezve, aq sa gjithmone e me te rralle sheh zera te arsyeshem e te pjekur. Kjo tregon qe jemi ende nje shoqeri e paqyteteruar, dhe do na duhet te vuajme edhe per ca kohe kete realitet.
    E keqja eshte qe ky mjedis te rremben, dhe eshte e vertete qe ndonjehere te detyron te flasesh ashtu sic nuk deshiron. Problemi eshte se sado qe e kemi dixhitalizuar komunikimin, e kemi shmangur pranine e kundershtarit nga vetja dhe e kemi mekanizuar marredhenien e tille njerezore, perseri jemi njerez prej gjaku e mishi dhe perballe kesaj histerie, eshte e veshtire shpesh ta ruash toruan.
    Kjo ben qe perkujtimi per etike te mos jete kurre i tepert.

    Pjese e kesaj jane natyrisht edhe muslimanet. Madje akuzat dhe paragjykimet me te medha kjo faqe, por edhe komentues te shumte, i kane pasur nga vete ata. Problemi me mentalitetet eshte gjithmone nje sfide e veshtire. Shume zera nga muslimanet, duke u ndjere te sulmuar, goditur, fyer, shantazhuar, diskriminuar, reagojne ne menyre te frustruar dhe kjo ben qe problemet te shtohen dyfish. E para nga akuzat dhe paragjykimet qe prodhohen vahzdimisht mbi ne, e dyta duke iu lene shteg argumentimi ketyre paragjykimeve, me kunderpergjigjet qe japin shume prej nesh. E keqja eshte se ne kete klime, te fituar dalin gjithmone ekstremistet. Atyre u degjohet zeri me shume, ndaj klima ka prirjen te perkeqesohet derisa njerezit te lodhen. Por te pakten, ne kete klime mendoj se edhe vlera e njerezve normale behet me e madhe. Jo pse ata bejne ndonje gje te jashtezakonshme, madje pikerisht pse nuk bejne gjera te tilla, vlera e tyre behet me e madhe, thjesht sepse ata jane edhe me te nevojshem.

  • Ndonje pjese e shkrimit te Gekmarkajt mund te perkufizohet si shantazh tribal qe i ngjan komunikimeve te luftes psikologjike ne gangsta hip-hop (mos i dil para cunave te lagjes time!). Problemi eshte se ky nuk eshte i vetmi, ashtu si po thoje. Prandaj tundimi eshte shume i madh per t’u perfshire ne replika ‘diss’, per vetembrojtje, per te treguar te kunderten ekzakte te asaj cka po thote me ulerima rapsodi dhe ky tundim behet akoma me i perligjur kur autoritetet jo vetem qe nuk garantojne nje mjedis te cliruar nga diskurset supremaciste, por shpesh identifikohen per oportunizem me pjese te ketyre diskurseve. Prej kohesh eshte kuptuar qarte se autoritetet jane pale, edhe ato fshihen pas fundamentalizmit, partikularizmit, mitologjise sektare-krahinore, sapo keto u duken si rruge te shkurtra per ne Europe, pasi perkufizimin me te padyshimte per Europen e gjejne ne mesjeten e pastertise fetare apo ‘raciale’, ne Europen e te djathtes ekstreme ku nuk ka nuanca, pluralizem, debat. Problemi pra nuk eshte me dy- tri koka te nxehta, qe djegin etapat dhe shfaqin fytyren e paster te ideologjise mesjetare, por me pjesen tjeter te respektuar qe thote gati te njejten gje, por me me shume kujdes dhe buzeqeshje. Ata pak zera te kthjellet qe ende flasin per vlera europiane liberale, te tilla si na u reklamuan ne vitin 1990, sot shihen si naive ne rastin me te mire, si te rrezikshem ne rastin me te keq. Mbase shpejt po vjen nje dite kur, ne menyre ironike, te vetmit qe do vazhdojne te flasin per keto vlera do jene hoxhallare te painformuar neper minbere xhamie

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *