Humbja e shëmtuar në Kosovë





Enis Sulstarova

Do të ishte qesharake të besosh se një popull i pambrojtur ka veç miq dhe një llogaritje e çmendur të supozosh se ndoshta armiku mund të mallëngjehet nga mungesa e qëndresës.                                                                                                                                     Karl Shmit

dacic-ashton-thaci-afpgetty-mainMe gjithë qëndresën e fuqishme të Lëvizjes Vetëvendosje!, kombi shqiptar në Kosovë pësoi humbjen e radhës. Për turpin e tyre, shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e ratifikuan marrëveshjen Daçiç-Ashton-Thaçi dhe vijuan edhe me miratimin e ligjit për amnistinë. Këto vendime dhe të tjera që do të pasojnë si rrjedhojë e marrëveshjes Daçiç-Ashton-Thaçi do të rezultojnë me krijimin de facto, ndoshta edhe më vonë pse jo edhe de jure të një njësie autonome të serbëve në komunat veriore me tendencën për t’i shtrirë edhe më tej drejt Pejës dhe në Anamoravë. Edhe nëse në të ardhmen e afërt do të realizohet ajo që premton Thaçi, pra njohja zyrtare e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, rregullimet e brendshme që po ndodhin në Kosovë janë një humbje e pallogaritshme për shtetin e ri, për shqiptarët dhe për idenë e bashkimit kombëtar. Pasojat e saj shkatërrimtare do të ndjehen në të ardhmen, nëse institucionet shtetërore në Kosovë nuk fillojnë të ndryshojnë kursin e marrë dhe të zhbëjnë disa nga vendimet e marra së fundi.

Shkurtimisht, mund të përmendim këtu disa rezultate kryesore të vendimeve të fundit të Kuvendit në lidhje me marrëveshjen për veriun dhe amnistinë. Krijimi i një njësie autonome serbe në veri, shënon një kufi të ri etnik brenda territorit të Kosovës, si ai i krijuar nga Republika Srpska në Bosnjë, i cili do të jetë kërkesa separatiste serbe nëse do të merret një vendim nga ndërkombëtarët për ndryshimin e kufijve të Ballkanit. Historia na mëson se nuk ka asnjë garanci se kufijtë politikë nuk ndryshojnë dhe kur ndryshojnë tendenca është që kufijtë administrativë të ngrihen në status si kufij shtetërorë. Siç ka ndodhur më parë në Jugosllavi me republikat përbërëse të federatës dhe siç ndodhi me vetë Kosovën e pavarur. Deri tani, njësia territoriale serbe brenda Kosovës nuk ka ekzistuar, as historikisht dhe as institucionalisht, por u krijua shkallë-shkallë, që nga grumbullimi i serbëve në veri të Ibrit në vitin 1999, që nga vendosja e trupave franceze në zonën e Mitrovicës, që nga ndarja e qytetit në dy pjesë, që nga spastrimi etnik që ndodhi ndaj shqiptarëve në vitin 2001, që nga vendimi për krijimin e dy komunave të ndara në Mitrovicë dhe nga mungesa e ushtrimit të autoritetit të shtetit të Kosovës në veri të Ibrit që nga krijimi i tij e deri më sot. Vendimet e fundit për gjoja integrimin e forcave serbe të sigurisë në veri në forcat e sigurisë së Kosovës, është pranim ligjor nga ana e Republikës e kësaj ndarjeje të Kosovës.

Edhe sikur ndarja e Kosovës të mos të ndodhë në të ardhmen e afërt, tashmë kuptohet mjaft qartë se njësia autonome e serbëve në veri do të krijojë një realitet të ri politik në Kosovë që do ta lidhë Kosovën edhe më shumë me Serbinë. Serbia nga ana e saj e ka tashmë të garantuar rolin e vet brenda Kosovës me anë të institucioneve të reja që janë krijuar. Ajo është në Kosovë një faktor themelor dhe i pazëvendësueshëm: zëri dhe kërkesat e saj do të dëgjohen kurdoherë nga Prishtina, për sa kohë që Serbia do të kontrollojë krijesën e saj brenda Kosovës. Atë që e humbi me luftë, Serbia po e fiton në tryezën diplomatike, tashmë edhe me miratimin e shtetit të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës do ta kuptojnë shumë shpejt, nëse nuk e kanë kuptuar tashmë, se çlirimi nga Serbia nuk ka ndodhur akoma.

Humbja e pjesës veriore shënon fillimin e humbjes përfundimtare të pranisë shqiptare në Luginën e Preshevës. Shqiptarët atje po e shohin se jo vetëm që Prishtina e Tirana nuk po interesohen sa duhet për fatin e tyre, por që lëshimet ndaj Serbisë po ndodhin brenda Kosovës. Deklaratat se shqiptarët e Luginës do të kërkojnë po atë status me serbët e veriut, apo se veriu i Kosovës mund të shkëmbehet me “Kosovën Lindore” tani po duket se janë butaforike. Asnjëherë serbët nuk lejuan që statusi i Luginës të vihej të diskutim, për faktin e thjeshtë se ata asnjëherë nuk kanë pranuar të diskutojnë me shqiptarët si të barabartë në diplomaci. Lugina është e braktisur tashmë dhe çdo përmirësim në statusin ligjor të shqiptarëve atje do të varet vetëm nga “vullneti i mirë” i Beogradit ndaj pakicës shqiptare në Serbi, apo dhe ndonjë kritikë që mund t’i bëhet Beogradit nga BE-ja apo Këshilli i Evropës për minoritetet. Këto janë shpresa të vakëta duke pasur parasysh sjelljen e deritanishme të Serbisë ndaj shqiptarëve aty. Deklarata e kryeministrit të ri të Shqipërisë për një marrëveshje me Serbinë për shpëtimin e e Luginës shqiptare është naive dhe e thënë pikërisht në kohën kur Prishtina po ratifikonte marrëveshjet Daçiç-Ashton-Thaçi, paralajmëron për vazhdimin në të ardhmen të amatorizmit dhe protagonizmit vetjak në diplomacinë e Shqipërisë në rajon. Partitë politike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë të përçara, të çoroditura dhe pa vizion për të ardhmen. Faktorët politikë shqiptarë në Malin e Zi dhe IRJM (apo Maqedoninë e Epërme, siç po propozohet së fundi) të mbajnë shënim për çfarë po ndodh në Kosovë dhe të përgatiten për vete, sepse fitoret e Serbisë ndaj shqiptarëve zakonisht janë shoqëruar me sulme të sllavëve fqinjë kundër shqiptarëve.

Ideja e bashkimit të shqiptarëve, sado e zbehtë që të ishte sikur mori njëfarë fuqie me krijimin e shtetit të Kosovës. Edhe pse republika e re e ka të ndaluar me kushtetutë të bashkohet me Shqipërinë, shpresa ishte se në të ardhmen kjo pengesë mund të hiqej dhe të paktën formalisht asgjë nuk ndalon dy shtete sovranë të krijojnë bashkime politike. Tani, vendimet e reja që mori Kuvendi i Kosovës (dhe ato që do të ndërmarrë për zbatimin  e marrëveshjes Daçiç-Ashton-Thaçi) e vranë këtë shpresë se do të punohej institucionalisht për bashkimet midis Shqipërisë dhe Kosovës. I sigurt është fakti se lidhja shumë e ngushtë e Kosovës me Serbinë nëpërmjet legjitimitetit të autonomisë për veriun, do ta pengojë afrimin me Shqipërinë. Ironikisht nga formula idealiste e Rugovës për një Republikë të Kosovës të hapur si ndaj Shqipërisë po ashtu edhe ndaj Serbisë, po kalojmë në një Kosovë të hapur ndaj Serbisë dhe të mbyllur ndaj Shqipërisë. Kjo dikujt mund t’i duket paradoksale, por imagjinoni pak që Kosova të kishte me Shqipërinë të njëjtin nivel të ndërthurjes institucionale që ka me Serbinë, nëpërmjet autonomisë së njësive të komunave veriut, deterritorializimit të manastireve serbe, komunave të tjera serbe nëpër të gjithë Kosovën etj. Tani po diskutohet si pa gjë të keq që Kosova të marrë prefiksin telefonik të Serbisë, kur u kundërshtua me forcë dhe nuk u hodh asnjë hap serioz që ajo të merrte, qoftë edhe përkohësisht, prefiksin telefonik të Shqipërisë! Edhe bashkëpunimet dhe lidhjet e tjera, përpos bashkimeve politike, midis Kosovës dhe Shqipërisë do të pengohen nga Serbia, e cila do të kërkojë që paralelisht të ketë të njëjtën marrëdhënie me veriun e Kosovës, në mos më shumë. Tashmë pengu i mosbashkimit shqiptar do të jetë veriu i Kosovës: fatura që Kosova duhet t’i paguajë Serbisë për kompensimin e bashkimit me Shqipërinë. Tani e tutje, do të jetë një akt “patriotik” në Kosovë kundërshtimi i idesë së bashkimit me Shqipërinë, jo më për të hedhur poshtë projektin e “Shqipërisë së Madhe”, siç bëri në një intervistë ministri i jashtëm Hoxhaj (Die Prese, 20.05.2013), por për të mbajtur veriun autonom brenda Kosovës!

Kjo që ndodhi në Kosovë ishte një humbje e shëmtuar. Në luftë e diplomaci ka humbje dinjitoze atëherë kur çështja që mbron është e drejtë dhe ke bërë përpjekjen maksimale për të qëndruar, por epërsia e kundërshtarit apo ndërthurja e rrethanave të pavolitshme nuk të kanë mundësuar fitoren. Të ka mbetur të pranosh humbjen me dinjitet, me shpresën se mund ta provosh përsëri të fitosh në një kohë tjetër. Mirëpo humbja e veriut në Kosovë është e shëmtuar, sepse disfata u pranua qysh në fillim dhe nuk u bënë përpjekje serioze nga institucionet e shtetit të Kosovës për të qëndruar ndaj trysnisë së serbëve në veri, Beogradit dhe diplomatëve të BE-s dhe të SHBA-së. Duheshin refuzuar bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga Ashton që Kosovën e vinin në një pozitë inferiore. Përkundrazi Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij, mashtuan popullin duke thënë se janë çështje teknike dhe tani po mendojnë të ndryshojnë edhe kushtetutën ahtisariane të Kosovës për ato nene që nuk i përgjigjen marrëveshjes me Daçiçin.

Kjo ishte një humbje e shëmtuar, sepse po paraqitet si fitore. Pa dyshim që është fitore vetjake e Thaçit dhe e shpurës së tij që po u sundojnë Kosovën (në fakt një pjesë të saj) si të ishte çifligu i tyre. Ata po që me miratimin e ligjit për amnistinë tashmë nuk kanë frikë se do të përgjigjen ndonjëherë para drejtësisë për krimet që kanë bërë. Fitorja e Thaçit ishte humbje për shqiptarët. Ishte humbje për institucionet e brishta të shtetit të ri që u nëpërkëmbën nga klika në pushtet për të siguruar nënshtrimin e radhës ndaj Serbisë. Disa qajnë me lot krokodili për humbjen e autoritetit të Kuvendit, meqenëse deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! ia morën mikrofonin kryetarit. Mirëpo ata që votuan marrëveshjen dhe ligjet që rrjedhin prej saj, janë në të vërtetë shkatërruesit e sovranitetit të Kuvendit. Eshtë Thaçi ai që për turp e mblodhi Kuvendin në mesnatë dhe orët e para të mëngjesit, sepse ashtu i leverdiste partnerit të tij Daçiç në Beograd. Eshtë Thaçi ai që solli përsëri brenda javës në thelb të njëjtin ligj për miratim në Kuvend pasi ishte refuzuar njëherë, duke shkelur procedurën. Janë pikërisht deputetët shqiptarë që po votojnë pro marrëveshjes dhe ligjeve që rrjedhin prej saj ata që po i heqin sovranitetin dhe dinjitetin Kuvendit. Janë pikërisht ata që votojnë ashtu siç u kanë thënë diplomatët e huaj dhe nëpërkëmbin dinjitetin e popullit të Kosovës. Janë partitë gjoja opozitare që në vend se ta rrëzojnë një orë e më parë Thaçin nga pushteti, bëhen paterica të tij dhe bashkëpunëtorë për humbjen e plotë të veriut të vendit.

Kjo ishte një humbje e shëmtuar, sepse edhe institucionet e tjera iu nënshtruar Serbisë dhe planeve të saj për veriun e Kosovës. Kryeministri Thaçi ndoqi modelin e njohur të krerëve shqiptarë që nga Esat Pasha, atë të dhënies së territorit në shkëmbim të pushtetit. Siç tentoi të bënte disa vite më parë edhe kryeministri Berisha me territorin ujor në jug të Shqipërisë. Thaçi nuk bisedoi me Daçiçin dhe Ashtonin si funksionar i shtetit, por si bajraktarët e dikurshëm që i jepnin besën serbit në emër të fisit të tyre. Krahas kryeministrit dhe qeverisë e tij, edhe Presidentja u bë zëdhënëse e Daçiçit i cili i caktoi Kosovës datën e zgjedhjeve. Ndërsa Kushtetuta, me gjithë të metat që ka, po trajtohet si leckë për të fshirë krimin dhe legjitimuar ndarjen e Kosovës. Priten ndryshimet në të për nenet që pengojnë integrimin e veriut të Kosovës me Serbinë, por jo për nenin që pengojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Diplomacia e Kosovës humbi, sepse u pa qartë se Kosova nuk trajtohet si një shtet sovran prej atyre që e kanë njohur formalisht, por si territor nën mbikëqyrjen e BE-së dhe të SHBA-së. U pa qartë se diplomatët nuk japin këshilla, por urdhra në Kosovë dhe urdhri ishte për të ulur kokën para Serbisë. Serbia u intereson për partner dhe jo Kosova, që e mendojnë si plaçkë që e zotërojnë ata për ta shkëmbyer. Diplomatët e vendeve të mëdha demokratike u dukën shëmtuar në sytë e shqiptarëve, si ata të dikurshmit të Traktatit të Londrës. Nuk kishte pamje më të shëmtuar se sa fotografia e ambasadores së shtetit më të fuqishëm të botës që tregonte se si kishte pësuar një lëndim të lehtë, sipas saj nga protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje!, para hyrjes së Kuvendit, në kohën që ajo e di shumë mirë rolin e saj në dorëzimin e Kosovës para Serbisë. Ajo e njeh shumë mirë se cili është Thaçi që ajo përkrah dhe e di shumë mirë se cilët janë Nikoliçi dhe Daçiçi në Beograd, që po shpërblehen për krimet që Serbia ka bërë dhe po bën në Kosovë. Ajo e di shumë mirë lëndimin që marrëveshja për veriun dhe ligji i amnistisë po i shkaktojnë familjeve të të vrarëve, të të zhdukurve, familjeve të shpërngulura, grave të përdhunuara dhe familjeve të tyre dhe qindra mijërave shqiptarëve të lënduar, të dhunuar e të vjedhur anembanë Kosovës, që kanë shpresuar se mundimet e tyre nuk kanë shkuar dëm dhe se shteti i Kosovës do të ishte të paktën dinjitoz, edhe në humbje! Por jo, ambasadores më shumë i dhemb lëndimi i saj dhe ia tregon krahun e nxirë botës, duke mos menduar për asnjë çastë për ata në Kosovë që kanë humbur gjymtyrët në luftën kundër Serbisë!

Humbja e radhës në Kosovë ishte e shëmtuar, sepse nuk iu kërkua falje viktimave, atyre që presin drejtësi dhe që shikojnë se si po shpërblehen krimet në Kosovë. Nuk iu kërkua faljeve atyre qytetarëve që besojnë te drejtësia dhe shohin se si amnistohen vjedhësit e pasurisë publike që janë të pasurit e rinj në këtë vend. Përkundrazi, humbja u trumbetua zhurmshëm si fitore për të gjithë, kur ajo është fitore vetëm për Thaçin dhe shpurën e tij. Dinjitoze ishte humbja e Lëvizjes Vetëvendosje! e cila me të gjitha fuqitë e saj dhe të gjitha mjetet demokratike u përpoq të pengonte të keqen dhe krimin, edhe kur këto fshiheshin me gjethe institucionale. Në mënyrë paradoksale Lëvizja Vetëvendosje! po mbron edhe Kushtetutën ahtisariane të Kosovës, për të cilën nuk ka qenë dakort, por që e shikon si një mjet për të penguar lëshime të tjera në favor të Serbisë dhe që shkojnë përtej edhe vetë Paketës së Ahtisarit. Lëvizja Vetëvendosje! përfaqëson tashmë shtetin e Kosovës, ashtu si ai duhej të ishte dhe si duhej të sillej. Qytetarët e Kosovës duhet ta votojnë Lëvizjen nëse duan ta ndërtojnë shtetin e Kosovës dhe ta ngrenë nga përulja kur e ka sjellë Thaçi, PDK-ja dhe partitë e tjera gjoja opozitare. Qytetarët e Kosovën tani kanë rastin ta shquajnë dallimin Lëvizjes nga subjektet e tjera politike, sepse ai bën kontrast të thellë, siç bën ngjyra e bardhë me të zezën.

A është varrosur ideja e bashkimit shqiptar me këtë që po ndodh në Kosovë? Për ironi, idenë e bashkësisë kombëtare do të na e kujtojnë vazhdimisht fqinjët edhe nëse do të duam ta harrojmë ne shqiptarët! Projektet kombëtare të fqinjëve janë reale dhe agresivë ndaj shqiptarëve. Mund të mendojmë se mospasja dhe moszbatimi i një projekti të bashkimit shqiptar, është strategjia më e mirë për të penguar rrudhjen e territoreve etnike shqiptare, se ndoshta shtetet fqinje do ta kuptojnë se nga shqiptarët nuk u vjen ndonjë rrezik dhe se ndërkombëtarët do të na mëshirojnë dhe do të na marrin nën mbrojtjen e tyre. Për fatin e keq tonin, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë në Ballkan. Derisa të mos qëndrojmë dhe reagojmë si një komb që ka për qëllim mbrojtjen e çdo pjese të tij nga asimilimi apo spastrimi etnik, do të pësojmë humbje të tjera, ndoshta edhe më të shëmtuara. Është marrëzi të mendosh se agresorët do të mallëngjehen nga pafuqia jonë apo se fuqitë e mëdha ndërkombëtare do të na duan ndonjëherë të na kenë në krah njëkohësisht si aleatë dhe lypës.

 

Comments

  • Epo si duket kot nuk kane thene qe shqiptaret nuk dine te bejne shtet. Ata qe nuk bejne shtet, nuk e perballojne dot as negocimin, sepse nisen gjithnje nga pozita inferiore. Aq me teper qe pavaresia e Kosoves eshte dhurate, cka e dobeson me shume poziten e qeverise se Kosoves ne negocim

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *