Haris Omari

I dashur ministër Hoxhaj,

Ekspozita__2____ti quhesh Enver e ai Konstandin; ti jeton në shek. XXI e ai në shek. IV-V, me një shtresëzim prej 1700 vitesh; ti je kosovar e ai romak; Nishi “yt” është serb e Nishi i tij ishte romak; ti flet “shqip” e ai latinisht; ti je trashëgues me emër i një feje lindore të shpëlarë nga ateizmi (herezi perëndimore) i kultivuar nga regjimi lindor titist – megjithëse me baza teorike perëndimore (marksiste) –, ministër i një vendi historikisht dhe gjeografikisht lindor, biri i një populli që në ato troje e rrënjosi një perandori lindore, e ai ishte një perandor perëndimor e njëkohësisht lindor, që hodhi themelet e një perandorie 1000 vjeçare lindore – prej të cilës ti ministër arratisesh –, që zgjodhi për fe një herezi lindore dhe flaku identitetin pagan e të parëve; ti i jep vlerë ndarjes Lindje-Perëndim dhe turpërohesh nga Lindja, ai u përpoq t’i barazonte e madje përulej përpara Lindjes, nga e cila kishte ardhur shkëndija e qytetërimit romak; Lindja jote (dhe për ty) është e prapambetur, Lindja e tij ishte rrezatimi i qytetërimit dhe i përparimit, dhe e tillë do të mbetet deri në mesjetën e vonë (shek. XIII); ti përbuz Lindjen, ndërsa periudha – ajo e Konstandinit – në të cilën ti vendos rrënjët e tua, dhe e madhëron si Perëndimore, si ekstrem perëndimor kishte gadishullin Apenin, ai që sot është ekstremi lindor i pjesës jugore të Perëndimit, dhe zhvillimi kulmonte në harkun mesdhetar nga Muretania romake përgjatë brigjeve jugore mesdhetare deri në Epir, pa kaluar në Dardaninë “tënde”.

monumenti-konstantinik-470x275Thjesht vizioni që ti ke për Perëndimin dhe ai që kishte Konstandini ju bën të ndryshëm kulturalisht dhe i bën qesharake pretendimet e vazhdimësisë se pandërprerë dhe të pandryshueshme mes Nishit romak dhe atij jugosllav, sikur bota ka ngelur e njëjtë për 17 shekuj. Mbi ide të tilla bazohej propaganda trushpëlarëse e fashizmit, nazizmit, racizmit, shovinizmit. Ato që Perëndimi i ka braktisur me kohë, ti i përdor si teori. Pra, ti, reaitetit të Konstandinit i vesh një qasje personale, subjektive, e vetëm kështu mund të sajosh lidhje me perandorin.

Jemi mësuar të lexojmë dhe të dëgjojmë lloj lloj justifikimesh për dobinë e katedrales së Prishtinës, me përjashtim të dobisë kryesore, asaj të nevojave të besimtarëve për hapësira shpirtërore. Dikush e quante «ambasadë», një tip shpagimi për përkrahjen «politike dhe ushtarake që pati ky popull e […] vetëm falë kësaj përkrahje sot Kosova po shkon drejt pamvarsisë» (Ndreca: 2006). Hoxhaj gjen një justifikim akoma më brilant: «Katedralja në mes të Prishtinës është dëshmi e lashtësisë së krishterimit në Kosovë, është dëshmi e fuqisë së tij».

Edhe këtu katedralja nuk është nevojë e besimtarëve, por simbol, madje dëshmi. Se si dëshmohet lashtësia me një objekt të ndërtuar pas 1999, aty ku nuk ka ekzistuar, e po kështu edhe fuqia e një doktrine kur në fakt objektin po e ndërton fuqia dhe mentaliteti i një klase politike të stërvitur me idetë e sipërcituara, duhet të na e zbulojë Ministri. Më shumë se fuqi e doktrinës është fuqi e institucionit, para (dhe në krah) të cilit Ministri duhet të rreshtojë pohime nga më absurdet.

Nëse vërtet doni të mesoni nga Konstandini, filloni nga autoriteti i tij. Po, natyrisht, si mund ta vendosni ju autoritetin shtetëror mbi një grusht serbësh që po jua coptojnë Kosovën, kur përdhosni historinë, intelektin e votuesit, të vërtetën, institucionet publike për hir të 3%-it?

Barazia e njëanshme e Konstandinit 

Historianët e fesë dhe të periudhës romake nuk e njohin perandorin Konstandin me formulën e ministrit Enver Hoxhaj: «Edikti i Milanos, 1700 vjet më parë, e shpalli krishterimin fe të barabartë». Të barabartë me kë? Zoti që Konstandini fillimisht pranoi në qiellin e hyjnive romake në pak vite arriti të mënjanonte shumicën pagane me ligje. Devotshmëria e perandorit ishte për krishterimin që me Ediktin e Milanos fillimisht u pranua si fe e më pas u shndërrua ne fe zyrtare të politikës perandorake. Njëanshmëria duhej të kalonte përmes barazisë teorike dhe të brishtë të vitit 313, të cilën vetë Konstandini e asfiksoi:

«Unë dëshmoj se adhuroj këtë Zot të destinuar t’i durojë shekujve, me mendje të pastër dhe të sinqertë, dhe unë e perceptoj qartësisht që Ai ndodhet në pallatin qiellorë. Atij i drejtohem në gjunjë, ndërsa refuzoj gjakun e shpifur dhe duhmën e neveritshme të sakrificave pagane» (CIL, I, 2112, Carmina Latina Epigraphica 185).

Por Konstandini nuk limitohet te devotshmëria personale ndaj fesë së re, apo te privilegji ekonomik i kastës së klerit të krishterë, ai, mbi te gjitha, e modelon krishterimin dhe institucionin e ardhshëm, Kishën. Këtë përmes koncilëve në të cilët përcakton doktrinën:

«Meqenëse ato që duhet të arrijnë një mirëkuptim shpirtëror vëllazëror janë të ndarë mes tyre në mënyrë të turpshme, ose, më mirë, të neveritshme, dhe krijojnë pretekste përçarjeje tek njerëzit, shpirtrat e të cilëve janë të huaj për fenë e shenjtë, kam marrë masat me qëllim që kjo […] tani të marrë fund falë ndërhyrjes së shumicës».

Bëhet fjalë për koncilin e Arles-it (314) të thirrur nga Konstandini për t’i dhënë fund rrymës donatiste. Me ketë koncil përcaktohet roli drejtues i perandorit në çështjet doktrinare dhe lind kategoria e heretikut. Ndjekësit e Donatit janë heretikët e parë të përcaktuar ligjërisht. Një vit nga njohja zyrtare, ajo që ministri quan “barazi”, persekutimi i adresohet kundërshtarëve brenda vetë fesë, pastaj paganëve dhe besimeve të tjera. Bazilikat e donatistëve u sulmuan dhe rezultati përshkruhet nga Makrobi në veprën Saturnalia, në paragrafin ku donatistët hyjnë në kishë dhe gjejnë vëllezërit e tyre të masakruar:

«Disa vëllezër, të hyre në bazilikë, i ofronin martirëve ato ceremoni varrimi që mund të realizoheshin […]. Shumë nga ata përpiqeshin të sistemonin trupat e viktimave […], teksa rivendosnin copat [organe, gjymtyrë] gati të shqyera, nëse jo në funksionet e tyre, të paktën në vendin e vet […]. Numri i madh i atyre trupave u grumbullua me shpejtësi […]. Kështu të paktën u sugjeronte Shpirti [i Shenjtë] atyre që me devotshmëri mundoheshin te mblidhnin […] grigjën e deleve të skuqur nga martirizimi». (I, 23, 12-13).

Kjo i hapi rrugën krimit të herezisë: vrasje, internime, shkatërrime, djegie librash, heretikësh e paganësh, etj.

Kuriozitet!

images (4)Meqenëse jemi tek krimi i herezisë. Jo pak abuzohet me Shën Jeronimin, ngaqë ky, sikur Konstandini e Diokleciani i harruar, e kishte origjinën nga trevat ilire. Shpesh herë bëhet objekt krenarie për “orientimin perëndimor të rrënjëve ilire”. E pra, Jeronimi, në librin Chronicon, i nisur nga fakti që Konstandini ishte pagëzuar nga heretiku arian Eusebi i Nikomedisë,  rrjedhimisht e konsideron perandorin heretik, ndonëse pagëzimi heretik, sipas koncilit të Arles-it, ishte i vlefshëm:

«Costantinus extremus vitae sue tempore ab Eusebio Nikomendensi episcopo baptizatus in Arrianum dogma declinat. A quo usque in praesens tempus ecclesiarum rapinae et totius orbis secuta est discordia».

Një “ilir” i lindur në 347 e vendos origjinën e problemeve krishtologjike tek “iliri” perandor, Konstandini, i pagëzuar nga një heretik, kurse një “ilir” i shek. XXI, ministër i një qeverie laike, pa eksperiencën teologjike të Jeronimit, ka tagrin e rehabilitimit si model fetar dhe deri krenari kombëtare. Epo, në lidhje me krenaritë fetare, të vendosim një herë e mirë: Konstandinin, heretikun që prodhoi Kishën, apo Jeronimin, teologun që prodhoi Vulgatën. Sepse me krenaritë kombëtare nuk po gjejmë dot rehatinë e një teorie të qëndrueshme: Konstandini po e Diokleciani jo, Ballabani jo, sepse luftoi Skënderbeun, ndërsa Lekë Dukagjini po, megjithëse e luftoi Skënderbeun, një po edhe për Ernest Koliqin që bashkëpunoi me fashizmin, apo për Pjetër Bogdanin, ndërsa bashkëpunëtorë të pushtimeve e sundimeve të tjera përjashtohen

 

Comments

  • Konstadini, sipas te gjithe burimeve te krishtera, ka qene deri afer fundit te jetes se tij i papagezuar. Madje gjate agonise se fundit ka pasur nje perplasje te fort mes te emes se tij (nje ariane unitiariane) me Athanasin (prijesin e krishterimit trinitar). E ema e Konstandinit eshte perpjekur me cdo kusht qe ta pagezoje te birin si unitarian…mbase ia arriti. Atehere dhe Konstandini jo, me shume mundesi?

  • Dhe, imagjino qe burimi kryesor i asaj historie qe permblodhe ti ne pak fjale vjen nga ipeshkvi Eusebi i Cezarese. Cila eshte e verteta pastaj ngelet per t’u percaktuar akoma.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *