Një apel për imamët e Kosovës





 

Ajni Sinani

downloadMuhamedi (a.s) ka thënë se «tre gjërave iu frikësohem më së shumti për ummetin tim: gabimeve të bëra nga dijetari, hipokritit i cili në diskutime përdor Kuranin, dhe Dynjasë që juve do ua rëndojë qafën». Vlera dhe madhështia e dijes dhe dijetarëve është konfirmuar në shumë vende në Kuranin fisnik dhe në hadithet e Muhammedit (a.s.). «Allahu dëshmon, e po ashtu edhe melekët, dhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë» (Ali Imran: 18). Nga ky ajet shohim se Allahu i ka marrë dijetarët për dëshmitarë, por jo edhe njerëzit e tjerë, dhe dëshminë e tyre e ka përmendur së bashku me dëshminë e Tij dhe të melaqeve. Kjo do të thotë se ata duhet të jenë të drejtë dhe të ndershëm, sepse pa këto cilësi pranimi i dëshmisë nuk është i pranueshëm prej tyre.

Allahu i Plotfuqishëm e pranon dëshminë e dijetarëve në çështjen më të rëndësishme, në çështjen e njëshmërisë së Tij. Prandaj dijetarët duhet të jenë të kujdesshëm që ta meritojnë këtë epitet dhe nder. Për rrjedhojë nuk ka barazim mes dijetarëve të vërtetë dhe atyre që nuk janë të tillë.

Në lidhje me dijetarët e vërtetë Pejgamberi (a.s.) shprehet se ato «janë trashëguesit e pejgamberëve», pra trashëgues të dijes së tyre, mbrojtësit dhe interpretuesit e fesë. Dijetarët janë ulu-l-emr (që drejtojnë punët tuaja), të cilëve duhet bindur dhe nënshtruar: «O besimtarë! Binduni Allahut, binduni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja» (En-Nisa: 59).

Prandaj, roli dhe përgjegjësia e dijetarëve islamë është jashtëzakonisht e madhe dhe kjo duhet të konfirmohet në veçanti në kohë sfidash. Me diturinë e tyre të vërtetë, ata duhet të marrin rolin udhëheqës në udhëzimin dhe orientimin e besimtarëve. Hoxhallarët nuk duhet ta keqpërdorin dijen dhe ilmin e tyre, me çka i ka bekuar dhe nderuar Allahu. Nuk duhet ta shkelin amanetin duke u bërë tregtarë të dijeve të tyre fetare, në shërbim të qarqeve dhe grupeve anti-islame.

Armiqtë tanë, të cilët duke u interesuar gjoja për ecurinë dhe mbarëvajtjen e punëve në BIK, janë duke u përpjekur për të mbjellë farën e përçarjes në mesin e Institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili është institucioni më i konsoliduar fetar në Ballkan. Deri më tani nuk kanë pasur sukses, për faktin se në krye të tij ka qenë një autoritet me personalitet të fuqishëm. Myftiu Naim Tërnava, përkundër sulmeve të shumta, ia ka dalë t’i bëjë ballë atyre, duke mos rënë pre e propagandës dhe përpjekjeve jashtëzakonisht të ulëta e denigruese ndaj tij, ndaj BIK-ut dhe vetë Islamit, nga qendra të ndryshme të pushtetshme dhe nga mediat islamofobe. Prandaj është e kuptueshme urrejtja e islamofobëve ndaj Myftiut Tërnava. Por është për të ardhur keq që disa kolegë tanë hoxhallarë, mbase edhe pa dashje, janë bërë pjesë e kësaj loje.

Megjithatë, pa marrë parasysh se çfarë shpresojnë kundërshtarët dhe islamofobët, ata do të jenë të zhgënjyer dhe, edhe në të ardhmen, pritjet e tyre do të jenë të kota. Bashkësia Islame e Kosovës do të vazhdojë të jetë e konsoliduar sepse kjo është në interes të muslimanëve tanë dhe nuk ka alternativë tjetër. Për rrjedhojë, të gjithë ne, duhet të jemi të vetëdijshëm për pozicionin dhe përgjegjësitë që kemi dhe të mos shkaktojmë konfuzion përmes intervistave dhe emisioneve me fushata denigruese në media të dyshimta, me çka do t’i bënim shërbim armiqve dhe kundërshtarëve për t’i sulmuar jo vetëm hoxhallarët por edhe BIK-un dhe Islamin.

Të përpiqemi të jemi nga ata hoxhallarë të cilët vërtet kujdesen për gjendjen shpirtërore të besimtarëve dhe që punojnë për ngritjen e vetëdijes së tyre. Le të punojmë me ndershmëri dhe të tregojmë respekt për njëri-tjetrin. Të mos kërkojmë ndihmë në gojën e ujkut.

 

 

 

Comments

  • Jam shume dakort me thirrjen e Ajniut. Po ashtu, sado te kete te meta, Naim Ternava mbetet nje udheheqes model institucional dhe BIK, eshte vertet nje institucion shembullor islam.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *