H. Omari

download (1)Pika e parë e programit të qeverisë Rama, apo deri edhe objektivi i ekzistencës së saj në vetvete, është integrimi në BE, siç vërehet te manifesti on-line: “Me emrin e Bashkimit Evropian” duket se është kredoja e qeverisë. Nga zërat e djathtë, pjesë e atyre grupeve të interesave – që rrihnin gjoksin brenda elektoratit PD – të cilët vegjetojnë sa majtas djathtas (23 qershori e vërtetoi) në varësi të ofertave më komode për ideologjitë e tyre, pati madje ndonjë dalldisje për «frymën e thellë evropiane». Diçka mes një “urra, erdhi uji” dhe “u zbulua uji i ngrohtë”. Ka 23 vite që dëgjojmë lutje e predikime, ndërtojmë tempuj, shpikim festa, veshim simbole, etj, në emër të hyjnisë Evropë. Eksperienca dëshmon se nuk ka ekzistuar një qeveri e periudhës pluraliste shqiptare që të mos ketë pasur integrimin në BE në teleologjinë e saj, të shkruar në manifesto digjitale apo të shprehur nëpër sheshe, dhe çdo lloj ekzaltimi i motivuar nga gjykimi i “frymës së integrimit në BE” si “risi” është minimumi një black out i memories.

Të gjitha kanë qenë qeveri mesianike, megjithëse të një mesianizmi të çuditshëm, sepse i tërthortë, i motos: «më në fund erdha, Unë (ne) do t’ju shpëtoj përmes integrimit në BE». Shpëtimtari është Udhëheqësi, e ashtu duhet të ishte, mirëpo automatikisht dhe menjëherë ky është dorëzuar tek shpëtimtari tjetër, ai kryesori, Integrimi, pra është thjesht në rolin profetik të ndërmjetësit. Nuk dua të bëj këtu moralistin e profetëve shqiptar të integrimit, se sa të fokusohem te eskatologjia politike.

Qytetarit votues i premtohet mirëqenia e garantuar vetëm përmes integrimit në BE, ndërkohë që garanti duhej të ishte qeveria, pasi ajo është deleguar në këtë funksion, dhe jo një forcë e tretë, e jashtme, të cilën mundohemi ta zbukurojmë me metaforat ideologjike të “trungut historik”, të “familjes”, e me radhë. Qytetarit shqiptar i kërkohet besimi tek rruga e re e drejtuar në parajsën BE, por jo përpjekja që përmes ndryshimit të vetes dhe të ambientit rrethues mund arrijë objektivin final, mirëqenien. Maksimumi është përpjekje për të besuar. Këtu qëndron dallimi me mesianizmin fetar dhe filozofik. Ndërsa feja dhe filozofia premtojnë një qetësi shpirtërorë ose racionale përfundimtare pasi fillimisht është vrapuar në përvetësimin e virtyteve, mesianizmi i politikës shqiptare nuk kërkon asnjë sakrificë në këmbim të parajsës BE, përveç pritjes. Premtimi stimulues prindëror “mëso se në fund të vitit do të marrësh një shpërblim”, na propozohet kolektivisht dhe seriozisht në formën “mendo shpërblimin, lerë shkollën”.

Fantastike! Kuptohet përse retorika e politikanëve shqiptarë është e tejmbushur me fjalën ëndërr, që zakonisht formon togfjalëshin ëndrra evropiane. Në të vërtetë as ëndrra nuk është përherë realizim i dëshirave, e jo më kot për këtë qëllim njeriu shpiku përrallën.

Kjo lloj pritjeje nuk është tjetër veçse dorëzim dhe vijimësi e ndjenjës së shpresës së vrarë të konsoliduar në vitet e regjimit enverist. Kënetëzimi i individit shqiptar kulmoni në periudhën e diktaturës me paraqitjen paternaliste të Shtetit (“Shteti Babë”), që përcaktonte fatet e qytetarit. Sot paternalizmi është zhvendosur nga shteti ynë tek BE-ja, me një “hile” thelbësore: neve na është mbushur mendja, dhe politika nuk resht së nënvizuari, se BE-ja mund të shndërrohet në atin e shumëpritur, ndërkohë që paternalizmi i shtetit enverist ishte real. Sidoqoftë, rezultati është i njëjtë: shqiptari mbetet përsëri totalisht i varur, pa asnjë mundësi vetëndryshimi.

images (1)Integrimi në Evropë përshkon mendjen e shqiptarit kryesisht në tre nivele paralele. Së pari, duke e vulgarizuar, integrimi perceptohet si mundësi lëvizjeje në kërkim të mirëqenies. Pra, duke hyrë në BE mund ta ndërtojmë jetën në Irlandë, Itali, Luksemburg, etj. Kjo mund të quhet ndryshe liria e braktisjes. Mirëqenia nuk varet nga ajo që ndërtojmë në Shqipëri, as nga ajo që shteti shqiptar na mundëson: vetëm duke ikur mund të shpëtojmë.

Së dyti, integrimi konsiderohet si mundësi e vërshimit të kapitaleve evropiane në Shqipëri. E thënë ndryshe, një formë asistencializmi. Kjo psikozë na përshtatet më së miri prej 70 vitesh. E kotë të themi se BE-ja nuk është shoqatë bamirëse, institucion fetar, dhe rasti i Greqisë duhet të jetë një mësim i mirë për ata të cilët mendojnë se një fshatari bavarez, për shembull, i këputet shpirti që “homologu” i tij në Fushë Krujë me vështirësi arrin fundin e muajit. Evropa jep fonde investimi për projekte dhe për përdorues serioz e virtuoz, dhe jo për shtete të udhëhequra nga kasta moralisht të dekompozuara, ku mundësia e përfitimit ekonomik të evropianit-financues vihet në rrezik nga përqindjet standarde të politikanëve ndërmjetës dhe e sipërmarrjeve të ndërlidhura.

Së treti, dhe kjo është tragjike sepse perceptohet masivisht, madje edhe nga një ushtri intelektualësh, integrimi është e shpresa e fundit sepse vetëm BE-ja, Evropa, mund t’i kontrollojë pushtetarët tanë. Ne si popull nuk kemi forcë dhe, mbi të gjitha, nuk kemi besim. Presim shpëtimin nga jashtë. Deri sa të mbetemi në këtë gjendje – shpresë tek ndërhyrja e huaj – do të vazhdojmë të mos besojmë tek shteti ynë dhe tek vlerat “tona”, jo domosdoshmërish nacionaliste, pra tek vetvetja.

E shembulluar. Një person hedh mbeturinat në rrugë me bindjen se ajo hapësirë nuk është e askujt, në kuptimin privat, përveçse e shtetit, dhe shteti duhet të kujdeset për atë pronë, në të kundërt faji i mbetet atij, shtetit. Pra, si faji ashtu edhe zgjidhja janë të shtetit, të huajat. Kështu funksionon logjika e atij që hedh mbeturinat nga pallati, e atij që vjedh pasurinë publike, nga tenderët tek pemët e pyjeve, e policit që merr 5 mijë lek, e atij mësuesit që prodhon analfabet e që në atë profesion ndodhet falë vjedhjes së vendit të punës me ryshfete e me diploma tezgash, e kirurgut që operon pacientin në agoni për t’ia lehtësuar portofolin, e politikanit që bëhet kryetar parlamenti ndërsa në parlament ndodhen familjarët e viktimave të protestave të motivuara nga ndershmëria e tij, sigurisht e gjykuar dinjitoze nga (me nder) drejtësia shqiptare, e kështu gati në pafundësi. Normale pastaj që shqiptari mund të shpresojë vetëm tek një forcë e huaj: pak se e ka në “ADN” dhe pak se forca e huaj më e afërt, shteti ynë – përfytyroni se jemi ndër ato vende ku akoma shteti është sinonim i qeverisë –, na shtyn vullnetarisht, me premtimin e përrallës evropiane, drejt mosbesimit ndaj tij.

Por Evropa nuk mund ta kolonizojë Shqipërinë me deputetë, kryetarë institucionesh, mësues, policë, mjekë, nëpunës të administratës, gazetarë, e deri banorë civil të pallateve. Pasi ky është skenari i pritjes. Nëqoftëse qeveria shqiptare nuk arrin të bindë një nënshtetas se (po marr minimalen) hedhja e mbeturinave nga dritarja e shtëpisë apo e makinës është shkelje e normave ligjore dhe e një sistemi vlerash, e si e tillë ndëshkohet, dhe ndëshkimi jetësohet, ekziston vallë ndonjë shpresë se me integrimin në BE shkelësi në fjalë do të frikësohet apo deri edhe të turpërohet nga Brukseli? Kur qeveritë nuk janë në gjendje të shndërrohen në autoritet dhe shpresë për qytetarin dhe kur, madje, e detyrojnë ketë të fundit të shpresojë te një forcë e tretë e jashtme, sa të ngelemi një shtet-numër statistikash le t’i falemi si dhuratë ndonjë shteti shpëtimtar.

Ne presim nga qeveria zgjidhjen e disa problemeve themelore siç janë reduktimi i korrupsionit, që ka pushtuar të gjitha hallkat e sektorit publik, meritokracia, respektimi i ligjit dhe i autoritetit shtetëror, drejtësia, e pastaj aspektin ekonomik, dhe jo të dëgjojmë se këto çështje n-dreqen me integrimin.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *