Nevoja për Berishën komunist





 


sali_berisha_komunist_Përveç autoritarizmit, jo më pak peshë në parabolat elektorale të Berishës ka pasur kompleksi i etiketave fetaro-ideologjike, feja tradicionale, nga njëra anë, e kuptueshme nga emri Sali, dhe ideologjia e komunizmit, nga ana tjetër, e identifikueshme te eksperienca e anëtarësimit në Partinë e Punës. Në mënyrë sistematike mediat antagoniste dhe pretorianët e politikës katolike (më saktë: teologët e politikës) i kanë dhënë Berishës imazhin e orientalit të afërt me frymën islame. Pa bërë akoma asnjë hap pozitiv Rama ka elektrizuar kritikët e Berishës, sikur, tashmë, erdhi një perëndimor në pushtet, ndërsa afrimi i padiskutueshëm me NATO-n dhe BE-në gjatë këtyre 8 viteve të fundit kërkohet të fshihet nga memoria publike. Madje, edhe zëvendësimi i portreteve, nga Bujar Nishani tek Ismail bej Vlora, interpretohet në këtë frymë. Mustaqet e Presidentit i japin atij, sipas teologëve të politikës, hijen e «defterdarit» (fjalë persiane e një profesioni osman), kurse plaku nga Vlora mishëron «figurën fisnike prej zotnie europian», pa çka se bej me mjekër orientale, bashkëpunëtor i Portës, e pikërisht kundër këtyre figurave (të pushtetit osman) firmosen edhe peticione për t’i përjashtuar nga historia.

Me fantazmën orientale/islamike Berisha është shantazhuar të paktën që kur e kuptoi se nuk ishte i pamposhtur, në 1997-n. Fillimisht Konferenca Islamike dhe investimet arabe e më pas ato turke, duke vazhduar me mediatizimin e vizitave zyrtare në këto vende, e deklaratave komike “të gjakut shqiptar” në Turqi, e  praktikës fetare, reale ose hiperbolike, të ndonjë pinjolli të Berishës, të lejes publicitaro-elektorale për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë, etj., kanë ngritur eposin e “Berishës mysliman”. Sa më shumë i bihej kësaj kambane aq më shumë Berisha i ruante biletat më të mira të cirkut të tij për 10% potencial të votave. Kuptohet pastaj përse ky “islamik” toleronte mbjelljen e pasurisë kombëtare me simbole fetare të krishtera, me ca monumente të cilët si justifikim përkujtojnë Nënë Terezën kurse e përkujtuara shfaqet në një pozicion që në realitet më shumë se lutje është akrobaci (mundohuni të imitoni staturën e monumentit në Rinas), ndërsa nuk ka për qëllim komunikimin e mesazhit të lutjes se sa atë të simbolit; shpallte ditën e lumturimit  të Nënë Terezës si festë kombëtare të një vendi laik dhe të një populli që vetëm 10% beson tek lumturimi; vraponte pa frymë në Vatikan… E kishte një të vërtetë ajo ironia vulgare: «kur shkoj në xhami më thonë Sâl, kur shkoj në kishë më thonë Pâl».

Çështje elektorati, pasi kjo ishte merita dhe njëkohësisht dobësia e Berishës, por ndërkohë njolla islamike nuk iu hoq. Ishte një shtrydhëse e mirë limoni, natyrisht derisa kishte lëng. Në momentin që Berisha nuk kishte se ç’të ofronte më shumë, ndodhi braktisja apo kalimi majtas, i lexueshëm tek propaganda parazgjedhore e teologëve të politikës. Stereotipizimi i Berishës si islamik e oriental vazhdoi vrullshëm, deri në spektakolarizimin me estradën e shkarkimit të gjeneral Lleshit, që vetë ai nënvizoi motivacionin fetar, ndërkohë që rehabilitimi pas 23 qershorit tregoi se paska qenë Lleshi i Kuq e jo Blu.

Por karikatura fetare e Berishës nuk mjaftonte, ajo vlente vetëm për shantazhe, tani, me 23 qershor, ai duhej rrëzuar. Problemi qëndron(te) tek fraktura teorike që detyrimisht shkakton(te) braktisja e të djathtës për të kaluar majtas, ose, thjesht, mosmbështetja e PD-së me votë dhe tifozeria për të majtën. Si mundet një elektorat, i cili ka ndërtuar identitetin e vet (mbase duhet fjala ‘maskë’, pasi identiteti nuk tregtohet) në armiqësi me komunizmit dhe derivatet e tija, ta justifikojë butësisht kalimin, në mënyrë që të ruajë të palëkundur fizionominë antikomuniste? E vetmja rrugëdalje është anatema e komunistit, e pastaj e tradhtarit, drejtuar liderit të forcës përkatëse (Berishës). Pra: nuk ja japim votën një komunisti!

imagesKy nuk është zbulim i kohëve të fundit. As nuk është ndonjë skandal, po të kujtojmë që anëtarësimi në parti ishte mjeti i ngritjes në karrierë, aq me tepër kur kandidati nuk ishte nga zonat e preferuara të diktatorit dhe as nuk kishte një enturazh familjar në ndihmë: Angela Merkel ka qenë sekretare për agjitacion dhe propagandë e FDJ-së (Rinia e Lirë Gjermane, strukturë e Partisë së Bashkuar Socialiste në Gjermaninë Lindore) nga viti 1981, dhe ka kundërshtuar planin e bashkimit të Gjermanisë.

Teologët e politikës nuk e luajtën kartën e “Berishës komunist” pas 1997-s, kur teorikisht nuk kishin më frikën e ndëshkimit, po kështu as në 2005, e madje as në 2009-n, sepse ai mund të shtrydhej sërish. Etiketa u shtua pas zgjedhjeve lokale të 2011-s, e sidomos gjatë 2012-’13-s, ku pothuajse në çdo shkrim, me Berishën e përfshirë direkt apo si dekor, fantazia e këtyre autorëve nënvizoi eksperiencën e tij komuniste. Kështu justifikohet braktisja e Berishës dhe ruajtja e “nderit antikomunist”. Por jo vetëm e liderit, edhe e pasuesve. Bujar Nishanit i përmendet eksperienca “njollosëse” në akademinë e oficerëve. Lulzim Basha, në vend të stereotipizimit fetar nisur nga leja për ndërtimin e xhamisë, i bashkëngjitet anatemave ideologjike të liderit Berisha. Edhe ky na paska qenë disi i lidhur me regjimin pasi, në të kundërt, nuk do të mund të punonte në adoleshencë si kamerier në Rinas, «asokohe vend pëllumbash, kuptohet asi sojit që kishin kredenciale të rregullta në Sigurim». Bashës do t’i nënvizohet leja (fatkeqësisht publicitare) e xhamisë në një moment të dytë, sot nevojitet justifikimi i kalimit majtas, dhe Basha komunist funksionon.

Është kryekëput një manovër që në funksionin justifikues (të votës) përdoret nga një elitë specifike. Çdolloj skandalizimi nga prejardhja komuniste e liderit në të vërtetë është vetëm fasadë, sepse e njëjta elitë është bërë ambasadore, avokate e promovuese e Ismail Kadaresë, pasi ky e mori bekimin nga at Zef Pllumi. Ismail Kadare ka qenë komunist më i rëndësishëm se Berisha, më i hershëm, më i përkëdhelur, dhe, ajo çka vlen më tepër, njëri nga prodhuesit e ideologjisë enveriste. Të refuzosh Berishën sepse ish-komunist apo si shkaktar (nga etja për pushtet) i 21 janarit 2011 (etj.) nuk është më e moralshme se sa të përqafosh nipin e atij që për gjysmë shekulli u rrënjos në Komitetin Qendror të Partisë, që “sebepin” e 21 janarit (për etje pushteti) e ka votuar për Kryetar parlamenti dhe ka emëruar (për qetësi pushteti) Kryetar të grupit parlamentar përgjegjësin e 2 prillit të 2001-shit.

Këtu nuk vlen morali, por interesi. Trashëgimia dhe rrethi komunist (e ish-komunist) i Ramës, vetë origjina komuniste e PS-së, avullojnë me magji. Ata nuk citohen nga nënvizuesit e ish-komunizmit të Berishës. Përsëri, për të mbrojtur identitetin antikomunist (të grupit) nga rreziku i animit majtas, sajohet një justifikim tjetër: «fryma evropiane». Si të themi, qëllimi justifikon mjetin. Qëllimi është mundësia për të shtrydhur një pushtet tjetër. Jo se Berisha ishte (e është) më i “ndershëm”, por ama akuzat për pragmatizëm pakufi vlejnë edhe për akuzuesit e rastit konkret.

 

Comments

  • Ardian ndreca eshte nje altoparland patetik urrejtjeje. Shkrimet e tij vjellin vetem vrer. Imagjino, paragjykimet, stereotipite dhe fantaizmi i ketij njeriu shkon deri aty sa flet per miqesine sipas qyteterimit perendomor, duke lene te kuptohet qe ne lindje nuk ka miqesi, e cila personifikohet tek Berisha “oriental” i mbetur pa miq. Miqesia si dukuri shoqerore ekziston vetem ne perendim sipas ketij ekzemplari specie qe di vetem te urreje ne shkrimet e veta.
    Neveri!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *