Spektakli publik i vdekjes





 

Milazim Krasniqi

downloadKomedia e Çajupit Pas vdekjes nuk e shpreh me asgjë bukurinë e vdekjes ndër shqiptarë. Meqë ka jetuar gati tërë jetën jashtë atdheut, autori atë temë do ta ketë huazuar nga ndonjë popull tjetër dhe e ka shartuar në mënyrë të panatyrshme ndër ne. Edhe Branisllav Nushiq ka një komedi me titull Familja e pikëlluar, në të cilën prishet bukuria e vdekjes ndër fqinjët tanë, duke e theksuar  hipokrizinë dhe mashtrimin e të gjallëve. Ai gjithashtu ka jetuar gjatë në mesin e të huajve (në mesin e shqiptarëve), prandaj mund ta ketë huazuar atë temë. Nuk besoj se ka ndonjë lidhje ndërmjet komedisë së Çajupit dhe asaj të Nushiqit, por edhe pa atë lidhje, i përmbahem idesë se Çajupi me komedinë Pas vdekjes, ka bërë një diversion ndaj bukurisë së të vdekurit në mesin tonë. Kjo nuk do të duhej t’i falej.

Mirëpo idetë therëse dhe zhvlerësuese të Çajupit, i cili krejt pa hak u bie në qafë doktor Adhamudhit e Lulushes, nuk kanë pasur asnjë ndikim në traditën e krijimit të atmosferës së ngrohtë për të vdekurit tanë, veçmas nëse kanë qenë për gjallje politikanë ose njerëz të tjerë publik. Gjynah që të vdekurit tanë nuk e kanë mundësinë të dëgjojnë se çfarë thonë për ta, megjithëse jam i bindur se nuk do t’u besonin as veshëve e syve të vet. Do të bënin përpjekje të kuptonin se a ishte fjala vërtet për ta apo për dikë tjetër, por që veshët ua kanë sjellë emrin gabimisht. Dhe zor se do të shpëtonin nga ataku kardiak i shkaktuar nga ngashërimi.

Tradita e lavdërimit të vdekurve ndër ne ka një ritëm dramatik, që është në pajtim me lashtësinë sonë, pas gjasash si vazhdimësi e asaj fenikase, hitite e ndoshta edhe sumere. Procesioni fillon me një ekspozicion disi të ndrojtur të bëmave të rahmetliut, ku nga një numër i vogël miqsh të afërt, përvijohet udha jetësore dhe vepra e të ndjerit, pa shumë emocione dhe pa shumë vlerësime. Ata e kanë obligim të thonë diçka, dhe meqë e kanë njohur mirë protagonistin janë më të kujdesshëm në ato që thonë. Por menjëherë pas rrëfimeve të tyre të ndrojtura, fillon e thuret intriga – jo ajo intriga që po mendoni ju në këtë çast –, ku ata që nuk e kanë njohur mirë të ndjerin i glorifikojnë bëmat e tij, duke e shpallur njeri të madh, ideolog, drejtues, humanist, altruist e epitete të tjera pa karar. Sajojnë edhe tregime për lidhjet e veta me të ndjerin: tregojnë se si janë njohur, si kanë pirë një herë kafe bashkë në stacionin e trenit, si janë përshëndetur një herë dorë për dore në një panair libri, për veprat e mëdha që kanë bërë bashkërisht, për mësimet që ka marrë rahmetliu prej tyre, borxhi moral që kanë ata ndaj tij, etj.

Por kulmi arrihet vetëm me inkuadrimin në debatin e ndezur të drejtuesve të shtetit/shteteve tona. Ata, qeveritarët (dhe opozitarët ish-qeveritarë), flasin me emocione, me dhimbje të parrëfyer, që transmetohet me mërrola në ballë e me figura të fuqishme stilistike, kryesisht me hiperbola: në këtë pikë më vjen keq ta them, por ata përngjajnë  shumë me personazhet e komedisë Familja e pikëlluar e Nushiqit, po s’ke ç’i bën se fqinj i kemi, në të mira e në të këqija. Nuk ka lidhje nëse këta drejtues gjatë kohës sa ka qenë gjallë protagonisti i fjalimeve të tyre e kanë injoruar, e kanë keqpërdorur, ose, në rastin më të mirë, as nuk kanë pasur idenë se me çfarë merrej ai. Me rëndësi në këtë mes është krijimi i atmosferës solemne dhe heroike, në të cilin bashkëkombësit do të ndihen krenar me drejtuesit e vet, që përmallohen e vuajnë për humbjen e madhe që i ka goditur ata edhe kombin mbarë. Ata duan ta përjetësojnë ndjenjën e familjes, ku drejtuesi është në rolin e atit të dhembshur. Pra, atësia mbi kombin, e manifestuar në dhembje e në vuajtje të parrëfyer, e transmetuar direkt nga mediat elektronike, është pika kulmore e shfaqjes. Fjalimet që mbahen në varreza – atje drejtuesit nuk shkojnë fare se helbete – e shpërfaqin peripecinë e shfaqjes, pas së cilës të gjithë dalin nga rrethojat e varrezave, pa e kthyer më kokën prapa. Edhe në shfaqje ashtu ndodh: pas arritjes së katarzës nuk ke më pse rri në sallë.

images (2)Në mediat e shkruara dhe në versionet e tyre on-line vazhdon edhe për disa ditë botimi i mbresave dhe i kujtimeve të atyre që nuk kanë mundur të shprehen me kohë, deri sa i ndjeri ka qenë ende mbi dhe. Në këso tekstesh lejohet liria e plotë e shprehjes, sepse më askush nuk i redakton dhe as nuk i lexon ato tekste. Por, ato e kanë një vlerë të konsiderueshme, sepse janë pak a shumë si recensionet pas një shfaqjeje teatrore. Ato nuk e lënë të vdesë shfaqjen, meqë nuk mund të bëjnë asgjë për protagonistin e saj.

Kështu edhe krijohen kushtet që mbi skenë të bie perdja, pas së cilës pason harrimi i shpejtë dhe i plotë si i të ndjerit, ashtu edhe i veprës së tij po edhe i familjes së tij. Ky harrim është i plotë dhe i shpejtë vërtet, por nuk mund të kërkosh më shumë nga një komb i tërë, për një të vdekur të vetëm. Nuk mund të kërkosh më shumë se atë ngrohtësi e solemnitet me të cilin ai mbulohet para se të mbulohej me dhe.

Për harrimin e plotë dhe të shpejtë, ne shqiptarët e kemi farkuar thënien lapidare “i gjalli me të gjallët, i vdekuri me të vdekurit”, pra, pak a shumë i bie sikur të themi ”ne e bëmë qejfin tonë, ditën e mirë e bëfshin”, e jo si kinezët, fjala vjen, që brez pas brezi jetojnë me kujtimin e të vdekurve, sikur të kenë dhënë shpirt para një ore në duart e tyre, dhe me frikën e zemërimit të vdekurve nga paudhësitë eventuale e të gjallëve. Shyqyr që nuk na ka ngjitë nga jeta e përbashkët me kinezët kjo dobësi e tyre. Prandaj edhe kanë të drejtë ata që brohorasin deri sa t’u shteret zëri, “o sa mirë me qenë shqiptar”.  Dhe më së shumti arsye të brohorisnin kështu, po të mundnin, do të kishin të vdekurit tanë, politikanë e njerëz publik, të cilëve, deri sa t’i fusim në dhe, vdekjen ua bëjmë shyhret. Normalisht që mandej i harrojmë për njëfarë kohe, por sikundër u pa në kremtimet e njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, jo më gjatë se njëqind vjet.

 

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *