Vëllezërit e Shan Zefit





 

4364517-una-maschera-con-tre-facce-mostrando-tre-stati-d-39-animoQarkulloi ditë më parë një lajm mbi fenë e Ibrahim Rugovës. “Më në fund” kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, don Shan Zefi, ia “qetësoi” gjumin atyre që “shqetësohen” për konvertimin apo jo të Rugovës me një dilemë tjetër. Sipas Zefit nuk ka fakte për konvertimin e Rugovës, ndonëse flet me siguri për pagëzimin e Idriz Seferit! Zefi ka deklarata më të rëndësishme që kalojnë në heshtje, ndërsa feja e Rugovës, thuajse tërësisht e parëndësishme, përbën lajm. Pikërisht për këto ide, të shprehura nga një figurë e rëndësishme e hierarkisë kishtare kosovare, duam të kujtojmë intervistën paraardhëse, po në studion e Koha Tv, marrë me rastin e pashkëve të fundit.

Shqiptarët e Zefit kanë dy formula: «formula e pagëzimit» dhe «formula tjetër, që Rugova përsëriste vazhdimisht, miqësia e përhershme me SHBA, me shtetet e Evropës, me Selinë e Shenjtë». Kjo sa për hyrje. Pyetjes për deklaratat e Kim Mehmetit i përgjigjet me superioritetin e pakontestueshëm të Kishës. Vazhdon me përmendjen e shkatërrimeve osmane, sikur këto të ishin çështje islame: «kan rrenue gjithçka çfarë ka qenë shqiptare». Gjuhën «jua lanë priftërinjtë katolik» – pohon Zefi. Mbase, por Zefi, i cili është edhe studiues, le të sjelli një fakt të vetëm që vërteton se Naim Frashëri (pa u shtrirë më shumë), por dhe substrati i tij ortodoks, u edukua, u frymëzua dhe e mësoi shqipen e letërsinë nga Buzuku e Bogdani.

Nga njëra anë Kancelari i Ipeshkvisë krijon tokën e djegur rreth myslimanëve, si komunitet pa vlera kombëtare, me një trashëgimi dhune, sepse derivat osman, dhe fatkeqësi e historisë shqiptare, nga ana tjetër na kujton se jemi vëllezër. Koncepti i vëllazërisë nënkupton në traditën shqiptare, por edhe në atë kishtare, barazinë mes individëve të familjes apo të grupit. Natyrisht, njerëzit ndryshojnë nga njeri-tjetri, nga pamja dhe veprimi, po kështu edhe grupet njerëzore. Në momentin që hyn në fuqi koncepti i vëllazërisë zhvendosemi në rrafshin social, dhe është pikërisht statusi social ai që barazohet. Mirëpo duke pohuar se nga tre-katër vëllezërit, njëri ka sjellje të huaj, është fatkeqësia e familjes, ka vlera dhe peshë inferiore, rron falë të tjerëve, pa diskutim që ekuilibri i barazisë është shkërmoqur.

Zefi e shikon botën shqiptare nga pozita të mirëfillta teo-centrike. Deri edhe ndarjen mes shqiptarëve katolikë dhe ortodoksë ia adreson Perandorisë osmane. Më përpara, sipas Zefit, paskan qenë të gjithë katolik. Po dëshmitë që vijnë nga ortodoksia e kontekstit historik e kulturor të Skënderbeut, ku t’i vendosim? Ai mjaftohet me disa gjurmë krishtërimi në Ulpianën e shek. II për t’i shpallur shqiptarët në tërësi si popull i krishterë. Interesante se si në vijim të intervistës të njëjtën logjikë gjykimi e inverton, konkretisht kur gazetari e pyet për pedofilinë, ku ai mundohet të justifikohet me numrin e ulët të klerikëve pedofil. Ashtu siç nuk vlen deduksioni se “i gjithë kleri katolik është pedofil sepse disa dele të zeza janë të tilla”, ashtu nuk duhet të vlejë përfundimi se “shqiptarët janë popull i krishterë se disa ulpianas të shek. II (që mbase nuk ishin as ilir) ishin të tillë”, po kështu as përfundimi tjetër se “meqenëse kemi disa relacione kishtare nga X vend i gjithë rajoni i përket asaj Kishe”, etj. Të paktën t’i falenderojë turqit e llahtarshëm që Kosovën e gjetën serbe dhe e lanë shqiptare. T’i falenderojë edhe myslimanët që e ruajtën gjuhën duke e folur, sepse në nivelet e analfabetizmit shqiptar Buzukun e Bogdanin nuk i kuptonte as një pjesë e vetë klerit, në një kohë kur analfabetimi në perëndimorin Papat (1861) kapte shifrat e frikshme të 90%.

Zefi nuk është i ri në nëpërkëmbjen e historisë. Në librin që trajton islamizimin, metoda është e njëanshme sepse faktet bazohen në këndvështrimin e Kishës, e cila ka qenë në armiqësi të deklaruar si me Portën ashtu edhe me vetë procesin e islamizimit. Do të thotë që i akuzuari gjykohet ekskluzivisht nga akuza: të bazohesh në opinionet e një prifti mesjetar mbi islamin është njëlloj sikur të krijosh një imazh përfundimtar mbi Xhordano Brunon duke u bazuar tek gjykatësit e inkuizicionit, apo mbi Perëndimin duke intervistuar Enver Hoxhën, etj. Edhe kanuni i Lekë Dukagjinit na mëson të kundërtën, por kuptohet se qëllimi i Zefit është ta nxijë imazhin historik të islamin në trevat shqiptare në mënyrë që nesër, nga një studio televizive, të prodhojë opinione përjashtuese nga tradita shqiptare e kësaj feje, ose të paktën inferiorizuese.

Nëse, pastaj, hyjmë në detajet e “Zefit historian” aty zbulohet, siç e kemi shtjelluar në një artikull, se si një klerik i bën mishmash fragmentet biblike, duke i ndryshuar me qëllim paraqitjen e krishtërimit sa më afër ilirëve. Tre momentet e vetme ku mund të ndërtohen fantazitë mbi udhëtimin e (Shën) Palit në Iliri (Apollonia, Nikopoja dhe gjiroja deri në Iliri) janë modifikuar. E këto janë faktet më të dukshme dhe më të shenjta. Ky na e shkruan historinë dhe ka moralin të kritikojë të tjerët se po e ndryshojnë/manipulojnë atë. Vallë nuk kemi të drejtë të dyshojmë tek interpretimet e “dokumenteve” të tjera, tek sinqeriteti i deklaratave, tek veprimet dhe qëndrimet në raport me shumicën?

Po kur shërbëtori i Zotit nuk ka respekt për fjalën e Zotit, imagjinojmë se çfarë respekti dhe koncepti barazie mund të ketë për ata që quan vëllezër. Dhe ne dëshirojmë që fjala vëllezër të marrë kuptimin e saj, në nivel kombëtar, e jo të përdoret për show mediatik ku as aty nuk fshihet dot hipokrizia. Megjithatë i falënderojmë që shpesh u bien maskat, pa dashje, dhe që kuptohet se kush është ushqimi i kalemxhinjve dhe i urrejtjes anonime. Ja përse qëndrimi i një përfaqësuesi institucional ndaj shumicës së popullsisë është më jetik se raporti shpirtëror i Rugovës me Kishën.

 

 

Comments

  • Nuk duhet te jete as problem as shqetesim fakti ne se shqiptaret kane qene ,jane apo do te jene te krishtere , apo myslimane. Problemi madhor shpirteror eshte fakti:a kane qene ,jane dhe a do te jene shqiptaret besimtare, a do te kene ne zemrat e tyre dashurine , respektin, friken, udhezimin nga i Gjithefuqishmi,nga i Gjithedituri, nga Krijuesi i gjithesise.A jane lutur , luten dhe a do te luten me zemer dhe mendje:’Na udhezo ne rrugen e drejte, ne rrugen e atyre qe u dhe begati dhe jo ne rrugen e atyre qe terhoqen zemerimin Tend’

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *