Veton SurroiAnton Cara

Veton Surroi ngre alarmin mbi “Islamin Politik” në Kosovë, të cilin e veçon një ndër kërcënimet më të mëdha. Gjatë një konference të mbajtur në Vjenë ai u shpreh mbi tre kërcënime kryesore në top-listën e shumë të tillave në këtë vend: (1) Korupsionin që ka zaptuar shtetin, (2) Pafuqia për të qenë shtet në mënyrë të plotë dhe (3) Islami politik. Në fjalët e tij Surroi thotë se Islami politik po infiltrohet në Kosovë «me shpresë të kontrollimit të një pjese të debatit publik, institucioneve religjioze, dikur edhe institucioneve shtetërore».

«Me formën e vet globalizuese Islami politik ndërkombëtar është duke krijuar presion te shqiptarët e regjionit, në Luginën e Preshevës, Maqedoni e Kosovë, pra të gjitha viset ku pat konflikt të armatosur apo ka ende situatë politike të parregulluar.
Potenciali i këtij kërcënimi, i konkurrencës së Islamit politik karshi shtetit të zaptuar shihet në Siri. Deri më tani mbi pesë shqiptarë nga regjioni, dy nga Kosova janë vrarë në Siri. Sipas burimeve siriane, ata atje po luftojnë në një luftë që është krejtësisht e huaja për trevat shqiptare; po luftojnë në njësitet që besojnë në luftën doktrinare mes sunitëve kundër alevitëve (shiitë).»

Nuk shohim asnjë arsye për t’i dhënë kësaj dukurie një përmasë të tillë shqetësimi sa të renditet e treta, pas mosrealizimit të shtetit në Kosovë dhe paaftësinë për të bërë Mitrovicën pjesë të tij, por shohim arsye të mjaftueshme për t’u shqetësuar nga mënyra sesi trajtohen çështje të tilla nga njerëz me peshë në politikën dhe zhvillimet shoqërore në këtë vend. Alarme të ngjashme të ngritura në terma të paqartë dhe mjegullues i shohim si problem edhe më të madh se ky – i treti në «top-listë» – që shqetëson z. Surroi.

Na duhet të themi se kujdesi për të trajtuar tema të tilla delikate duket i pashoqëruar nga kujdesi për t’u shprehur qartë dhe për të na treguar me saktësi se çfarë kupton ai me termat që përdor. Në fjalën e tij ai shprehet shumë shkurt dhe në mënyrë krejt të paqartë, duke ngritur me të madhe vetëm shqetësimin, por pa e identifikuar saktësisht objektin. Asgjë nuk sqarohet se çfarë kupton ai me termin «Islam politik», dhe asnjë person, grup apo institucion konkret nuk identifikohet se i përket këtij fenomeni, përveç ilustrimit me disa rasteve të izoluara, siç janë ato të disa individëve që kanë dalë të luftojnë në Siri, për të cilët, z. Surroi mbetet të na tregojë se nga i di motivet e tyre, për sa kohë nuk kemi parë ende ndonjë deklaratë apo intervistë të tyre në publik. Në fakt përfshirja e këtyre djemve në këtë luftë është kritikuar e dënuar edhe nga vetë klerikë, organizma fetare e njerëz të angazhuar në jetën publike, që mbetet të jenë edhe rrethi i aktorëve të Islamit Politik që identifikon z. Surroi.

Në shkrime të mëhershme ky forum ka kritikuar mënyrën sesi përdoren terma të tillë si vehabizëm, esktremizëm apo radikalizëm islamik etj, duke dënuar gjuhën e urrejtjes, që përhapet nëpërmjet mënyrës sesi përdoren këto terma. Në të njëjtën mënyrë, ky term është po aq abuziv dhe nuk ndihmon aspak në kuptimin e drejtë të dukurisë që shenjon. Përkundrazi, ai vetëm krijon konfuzion, duke tensionuar raportin e shoqërisë me fenë e saj. Ka një prirje të gjerë për ta përshkallëzuar artificialisht këtë problematikë duke imponuar këtë term që duket se përbën tashmë një shkallë të re në evuloimin e skemës së paragjykimit, nga terrorizmi si një dukuri ekstreme devijante, tek përfshirja e devijancës në sistem. Vërtetë, në pamje të parë, etiketimi është zbutur në përkufizim, por ama është konsoliduar me një skemë paragjykimi më solide e më komplekse.

Ky term po gjen tashmë një shtrirje më të gjerë përdorimi, duke u bërë etiketa e rradhës që mbërthen paragjykimet, si mjet në funksion të axhendave që aspirojnë deislamizimin e shqiptarëve. Baton Haxhiu, teksa ka shpalosur me patos në disa shkrime të kohëve të fundit pikëpamjet e tij përjashtuese ndaj fesë nga jeta publike –  të cilat, përveç islamofobisë shfaqën edhe një padituri të thellë të tij mbi tema të tilla si feja, laiciteti, e në përgjithësi marrëdhëniet ndërkulturore -, së fundmi organizoi një debat më vete mbi këtë temë, i cili më shumë turbulloi sesa sqaroi edhe vetë drejtuesin e emisionit.

Në të njëjtën linjë V. Surroi përpiqet të krijojë asosacione midis termit «Islam politik» me «radikalizmën islamik», në mënyrë që të delegjitimojë çdo angazhim publik të muslimanëve në mbrojtje të të drejtave të mohuara që u vijnë nga institucionet shtetërore, shoqëria civile, mediat etj. Ilustrimi që ai i bën fenomenit me pesë shqiptarët e vrarë në Siri të bind mjaftueshmërisht për këtë. Nga ana tjetër, ky asosacion është mjet i rëndësishëm për të legjitimuar retorikën antimuslimane, qoftë edhe të paktën në paraqitjen e Islamit politik si «kërcënim» dhe konkurent ndaj shtetit.

Nuk do të ndalemi këtu për të ofruar një analizë mbi këtë temë, por duhet të themi se terma të tillë, të servirur pa manual përdorimi, krijojnë keqkuptime problematike për shoqërinë, të cilat mund të krijojnë përshkallëzime urrejtjesh krejtësisht të pashëndetshme. Tema të tilla janë vërtetë delikate dhe kërkojnë një kujdes të veçantë e njohuri të plotë mbi fenomenin, i cili duhet parë në një kontekst më të gjerë, në raport me të gjithë shoqërinë dhe grupe brenda saj, e jo të trajtohet në mënyrë të izoluar, duke u shndërruar në target për linçime kolektive, të cilat në fund fare, rëndojnë mbi statusin shoqëror të njerëz konkretë dhe grupet shoqërore ku ata bëjnë pjesë.

Por përpara se të flasim për politizim të diskursit fetar duhet të hedhim shikimin tek ajo çfarë po kultivohet në krahun tjetër, ata që i kundërvihen Islamit në Shqipëri e Kosovë. Paralelisht me këtë dukuri që shqetëson V. Surroi shohim një rritje të skajshme të urrejtjes fetare, e cila buron pikërisht nga tezat antimuslimane, si ato që mediat artikulojnë, ditën për diell, në mënyrë të vazhdueshme e me papërgjegjshmëri të plotë. Shohim çdo ditë të parakalojnë nëpër faqet e gazetave shqiptare, intelektualë që përdorin padrejtësisht nacionalizmin si heshtë kundër myslimanëve shqiptarë, duke mos ngurruar t’i përjashtojnë ata nga përkatësia kombëtare, teksa nuk hezitojnë të promovojnë një axhendë që kërkon «domosdoshmërisht» konvertime fetare për mbarë shoqërinë.

Kjo temë pra, ka nevojë të trajtohet më gjerësisht duke u vendosur në kontekst. Fenomenet nuk lindin nga hiçi dhe vendosja e gishtit vetëm tek pakënaqësitë e krijuara nga korrupsioni i qeverisë, nuk shpjegon asgjë. Në të vërtetë, politizimi i diskursit publik të Islamit tek shqiptarët, vjen më shumë si kundër-reagim ndaj një politike diskriminuese e përjashtuese që ushtrohet ndaj muslimanëve praktikantë nga shteti i tyre, dhe institucionet e tjera civile. Gjuha e prijësve fetarë politizohet shpesh në mënyrë të detyruar për shkak ndjesisë së të qenit i sulmuar, i paragjykuar, i penguar për të qenë i barabartë me të tjerët. Kjo klimë i bën shumë prej tyre ta ndjejnë shtetin si njerkë në shtëpinë e tyre, dhe elitat intelektuale si gardë e një tiranie kulturore kundër tyre.

Selektiviteti i V. Surroit në vlerësimin e rreziqeve, duke heshtur përballë urrejtjes fetare që po mbjell kjo klimë, tregon shumë për pandjeshmëri të vërtetë ndaj kësaj problematike. Nuk mund të trajtosh politizimin e diskursit publik të muslimanëve, pa trajtuar retorikën antimuslimane, e cila u kërcënohet çdo ditë me gjuhën e saj të urrejtjes, përjashtimit, diskriminimit. Për të qenë të drejtë, e për të bërë të mundur zgjidhjen e problemit, gishti duhet drejtuar fillimisht tek shkaqet e pastaj tek pasojat, dhe mënyra sesi V. Surroi i ngre shqetësimet, e bën atë në mënyrë të konsiderueshme kontribues tek këto shkaqe.

 

Comments

  • Nuk e ka pare fare me vend V. Surroi te jape ndonje prove sesi i emertuari ‘islamizmi politik’ po kercenon rendin kushtetues, pervecse ka gjykuar se ky islamizmi (cfaredo qe te jete) eshte “duke u infiltruar me shpresë të kontrollimit të një pjese të debatit publik, institucioneve religjioze, dikur edhe institucioneve shtetërore”.

    Pra kemi te bejme me nje ‘shprese’ (literalisht) te islamizmit se do kontrolloka ‘nje pjese’ te debatit publik, dhe ‘dikur’ mbase te institucioneve.

    Fjalet ‘shprese’, ‘nje pjese’, ‘dikur’ tregojne se edhe per Surroin, problemi islamist qenka fare modest ne pritshmeri. PO nga ana tjeter, ku eshte e keqja nese organizata apo levizje te ligjshme paskan deshire te kontrollojne ‘NJE PJESE” te debatit publik? Meqe fjala debat nenkupton pale te perfshira, se debat me veten nuk ka, a nuk mund te themi se keto organizata qe perfaqesokan islamizmin jane pala e nevojshme, e demosdoshme, perballe aksionit deislamizues te ndermarre prej me shume se tri dekadash nga rugovistet? Nuk ka reaksion pa aksion. Nese establishmenti ne Kosove do te kishte zgjedhur rrugen e perfshirjes, barazise, sekularizmit, nuk do kishin pasur argumente fare individe e organizata qe shqetesohen per zyrtarizimin e frymes se perjashtimit gati total te islamikes ne kulture dhe shoqeri, shoqeruar kjo me insistimin e autoriteteve per te favorizuar katolicizimin politik.

    Alarmi numer 3 i Veton Surroit ne fakt, duket me shume si i drejtuar ndaj donatoreve e sponsoreve ne perendim, te cilet duhen trembur edhe pak qe ta zgjidhin qesen e te financojne strukturat e analizes dhe kontrollit te fenomeneve islamike ne Kosove. Ne rastin me te mire, alarmi funksionon, po per konsum te institucioneve te perendimit, ne menyre qe keto te mos mbeshtesin me lidershipin e korruptuar kosovar, pse korrupsioni i tyre jep motive per rritjen e puritanizmave fetare, te cilat, pervoja tregon, jane shpesh kanalizim i revoltes popullore kunder padrejtesive ekonomike e sociale.

    Sa i perket mundesise se pare, perendimi tashme eshte mesuar me elita te vendeve muslimane qe fryjne gogolin e fondamentalizmit islamik qe te justifikojne shtypjen e kundershtareve politike, gjendjen e jashtezakonshme, konsumin e ndihmes se jashtme per nevojat korruptive te aparatit shtypes. Gjithsesi, serish, pervojat ne Egjipt pas grushtit te shtetit, tregojne se perendimi eshte i vendosur te ndjeke rrugen e vjeter, mbase me te sigurten, pra te vijoje mbeshtetjen e kushtueshme te elitave te korruptuara qe garantojne shtypje te aspiratave islamike, ndoshta edhe kur paraqesin vetem ‘shpresa’ te vagullta, kur kerkojne vetem nje ‘pjese’ te publikes, ‘dikur’ ne te ardhmen.

    Ndonese analiza alarmuese e Veton Surroit eshte e permbajtur, johisterike ne terma, alarmet me te medha do vijojne t’i perligjin vete elemente te papergjegjshem muslimane, qe ngaterrojne lirine e shprehjes me luften psikologjike.

  • Kur ndonjë politikan përfaqëson Kosovën dhe flet për rreziqet e mundshme para opinjonit botëror duke i krahasuar disa vullnetar lufte me të ashtuquajturen “Radikalizëm Islamik” edhe pse gjithë bota e di se ata luftojnë për të drejtat e të varfërve nuk meriton aspak respektin as të shtetit tonë e as të qytetarëve, bile është shumë katastrofale ta vizitojmë dhe të ndëgjojmë ligjëraten e tillë të “menqur”.

  • Sa te kemi Selim Mucen ne krye qe do vec Iranin si shteti i vetem ku zbatohet Sheriati mos ta vrasi mendjen Surroi “Kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, ka një preferencë të veçantë për Iranin, pasi aty zbatohet ligji mysliman i Sharias.

    Kështu bën të ditur agjencia iraniane e lajmeve, ABNA.

    Sipas saj, Selim Muça ka pasur një takim me atasheun kulturor të Iranit në Shqipëri.

    “Muça tha se i respekton të gjithë përfaqësuesit e vendeve myslimane, por i pëlqen iranianët më shumë për shkak se Irani është i vetmi vend ku zbatohet zyrtarisht Sharia islamike,” shkruan agjencia.

    Muça shkon edhe më tej kur deklaron se myslimanët në Shqipëri nuk e kanë besuar kurrë propagandën anti- iraniane, të përhapur nga media perëndimore.”

  • Selim Muca e ka te qarte politiken qe i kane diktuar: Dashrui per te gjitha devijacionet menhexhore, ideore, mendore, pse jo edhe seksuale, vec me Islamin tradicional sunit shqiptar jo. Kushti per te qene perfaqesues i nje komuniteti si ky i yni, eshte te mos kesh asgje te perbashket me bashkesine e njerezve qe perfaqeson.

    • Lufta ne Spanje ishte lufte kunder fashizmit, qe na erdhi pas pak edhe neve ne dere. Pra sigurisht qe, ne perspektive, ishte edhe lufte e shqiptareve. Por gjthsesi ata shqiptare qe luftuan atje, nuk kishin mbeshtetjen e popullit te tyre, i cili as qe i kuptonte keto pune atehere. Por nuk duhet harruar se edhe nje pjese e mire e luftes ne Spanje kishte ngjyra komuniste, pra nuk qe thjesht perplasje me fashizmin, por edhe perpjekje per ta zevendesuar me komunizmin stalinist.

      Lufta e atyre shqiptareve qe kane shkuar vullnetare ne Siri, ndoshta ka lidhje me mediatizimin e krimeve te perbindshme te regjimit baathist, te cilat nxisin shpirtra te ndjeshem dhe guximtare te shkojne e te japin kontributin e tyre per t’i frenuar. Puna eshte se sado fisnike te jene motivet, strategjikisht keta djem po i prishin pune veprimtarise fetare ne Kosove dhe Shqiperi, pasi lufta e armatosur e tyre dhe karakteri i saj mbinacional po lidhet me natyren e fese tek ne, pasi Islami tek ne fajesohet nga keqdashesit si i dhunshem dhe ne kontradikte me kombin.

      Sirianet sigurisht qe kane nevoje per ndihme, por detyra kryesore per t’i ndihmuar u bie vendeve perreth, prandaj ata pak shqiptare qe kane shkuar te luftojne nuk eshte se jane te domosdoshem aty. Zhurma e demshme qe behet per luften e tyre atje, eshte shume me e madhe tek ne, sesa vete kontributi i tyre luftarak. Per te bere nje pune jo te domosdoshme, ndoshta ata po hapin probleme te panevojshme ne vendin e vet, duke u dhene material fushatave antiislamike dhe duke perligjur akuzat e dashakeqeve.

      Populli yne i vuajtur ne Kosove e Shqiperi ka kaluar dekada te tera nen lufte shteterore kunder fese, e cila ka lene pasoja te medha ne kuptimin e saj te drejte dhe nuk eshte hic mire qe ta hutojme popullin me veprime qe ai nuk i kupton, sidomos kur keto veprime nuk jane te domosdoshme. Detyra e vertete fetare eshte t’u sherbejme fillimisht njerezve qe kemi prane, pastaj te tjereve. Zoti na ka bere pergjegjes per familjet tona, per fqinjet e te afermit, pastaj per boten, kjo dihet. Nese shkon e ndihmon nje popull tjeter, duke futur ne dilema popullin tend, duke ushqyer frikerat e tij, kjo nuk shkon.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *