download (4)Financial Times informoi që Serbia do të jetë destinacion i rëndësishëm i investimeve arabe duke filluar nga 1 miliard dollarët e këtij viti, për të vijuar me më shumë se 2 miliardë në vitin 2014. Në muajin gusht Etihad Airways bleu 49% të aksioneve të kompanisë flamur të Serbisë, JAT Airways. Shuma e konsiderueshme, e huazuar me një përqindje mjaft të ulët, do të përdoret për investime direkte në bujqësi, ku parashikohen investime specifike deri në 4 miliard dollarë, dhe industrinë ushtarake serbe. Në vija të përgjithshme – si krahasim – kjo është shuma vjetore që Kroacia mund të përfitojë nga BE, gjithmonë nëse përmbush kriteret e kërkuara për investimet komunitare. Kreditë dhe investimet e Emirateve të Bashkuara Arabe tejkalojnë edhe investimet ruse në Serbi, të llogaritura në 1,5 miliard dollarë, kurse investimet kineze, kryesisht në energjetikë, kalojnë shifrën e 2 miliard dollarëve.

Të vjen në mendje ironia: Kosovë, mbahu për furçë se shkalla më duhet! Kosova nuk ka as infrastrukturë industriale të krahasueshme me Serbinë, as infrastrukturë politiko-administrative e as vullnetin e opinionit publik. Pikërisht ky i fundit është tërësisht i orientuar drejt interesave të sponsorëve të çastit, çka shpjegon përse nuk ofron alternativa për zhvillimin e investimeve në vend. Të kuptohemi, opinioni publik i Kosovës janë disa kalemxhinj që u transportohen artikujt/mendimet sa në një media në tjetrën ose janë prodhues informacioni, tip flakërimat e vetëtimat e familjes Surroi, që për të siguruar vazhdimësinë financiare prodhojnë frikë dhe urrejtje kolektive.

Që nga viti 1999 vala e këtij opinioni karrierist e pragmatist, e do të shtonim edhe pa kriteret bazë të gjykimit të strategjive gjeo-politike dhe ekonomike, nuk shqetësohet për mungesën e investimeve të huaja në Kosovë, por për origjinën e tyre, ndonëse për vete nuk është aspak transparente. Qasja ndaj investimeve arabe dhe turke është përherë negative. Për këtë kategori opinioni, në një blerje, kredi apo investim turko-arab fshihet orienti, pushtimi, terrorizmi, e stereotipe të ngjashme të frikës kolektive. Zakonisht interpretohen si investitor që nuk priren drejt fitimit kapitalist, por drejt parimeve morale e fetare. Të ishte vërtet kështu, Afganistani dhe jo SHBA do të kishin qenë partneri kryesor i vendeve si Arabia Saudite, EBA, Katari, Kuvajti, etj.

Marrëveshja e Kosovës me Turqinë e disa ditëve më parë u interpretua si «një prapavijë politike, një ide të përtejme, që shpalos dozën e rëndë të orientimit proturk të qeverisë së vendit tonë». ”Eksperti” në fjalë i financës, që specializimin e ka letërsinë klerikale, e përforcon botëkuptimin e tij në vazhdim të artikullit:

Gjithë e dimë, se ëndrra e Kosovës për liri, u sendërtua falë një bashkëpunim pa ekuivokë me vendet e fuqishme të Perëndimit. Mirëpo, e gjitha u përmbys, pas jetësimit të pavarësisë, kur qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Hashim Thaçi, filloi t’ia bëjë me sy Ankarasë zyrtare, drejt së cilës e ktheu shikimin. Në fillim, e gjitha u duk si një trill. Mirëpo, vitet në vazhdim me një servilizëm të paparë, shfaqeshin pushtetarë tanë, nëpër konferenca duke predikuar vëllazërinë shqiptaro-turke. E kjo “vëllazëri” u sforcua me një sërë vizitash të njëpasnjëshme të ministrave tanë në Turqi dhe anasjelltas, rezultatet e së cilave, shtuan prezencën e panatyrshme turke në tregun kosovar, ndërkohë që ndër shqiptarë u shpalosën ambicie për ta amnistuar krejt të kaluarën osmane dhe pushtimin e tyre barbar në tokat arbnore […]. Kështu, po shpërfaqim qyqarllëkun tonë dhe përbuzjen ndaj së kaluarës. Kjo është dëshmia se Kosova është sulmuar rëndë nga sëmundja e amnezisë, karshi të kaluarës dhe historisë, një amnezi që s’na le të ecim krahas kombeve të përparuar […]. E për kurtuazi, qeveria e Kosovës, në platformën saj ka një agjendë të shpalosur europiane. Madje, ka edhe një ministri që merret me këtë çështje. Mirëpo, mes diskursit të saj retorik dhe veprimeve që ajo bën çdo ditë, është një humnerë. Në këtë humnerë, kjo qeveri me orientim proturk, ka fundosur një popull të tërë.

Qytetarët e Kosovës, është dëshmuar se nuk e duan integrimin në Turqi, por  në BE […]. Përkundër asaj që ju predikohet nga politikanët servilë, qytetarët e këtij vendi preferojnë Perëndimin. Ata e kanë të ngulitur në kujtesën tyre, atë që ju është thënë nga dijetarë e korifejt ma të mëdhenj, pa dallim feje e krahine, se lind dielli për ta lindë vetëm në Perëndim? […] A domethënë gjë kjo për ata shtiracakë që po ju grabisin ëndrrën europiane Kosovës?

Me këtë logjikë, Serbia po integrohet në Lindjen e Mesme! Këto opinione duken qesharake po të mendojmë se nuk ka një vend evropian që refuzon kapitalin e orientit, por Kosova duket se është edhe më perëndimore, madje në imagjinatën e këtyre “ekspertëve” ia ka kaluar edhe diellit. Përfytyroni sikur Serbia të mos pranojë kapitalin gjerman, sepse ka qenë pushtuar dikur gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo kapitalin austriak, kroat (rreth 650 milionë dollarë). Po kështu të bëjë Polonia ndaj Gjermanisë, Irlanda ndaj Britanisë, shumë ish-koloni (përfshi SHBA-në) ndaj Francës dhe Britanisë, Japonia ndaj SHBA-së, Kina ndaj Japonisë, Italia ndaj Spanjës dhe Austrisë, me përjashtimin e të cilëve ka lindur si shtet, e me radhë.

Një tjetër zë “ekspert” kumbon vazhdimisht në lidhje me marrëdhëniet ekonomike shqiptaro-turke duke i nënvizuar përherë prapavijën kulturore, historike. Për të njëjtën marrëveshje pohonte se «investimeve strategjike të Ankarasë, të cilat kanë synim rritjen e prezencës ekonomike me qëllim të fuqizimit të influencës politike në Kosovë, tashmë u janë hapur dyert». Pyetja logjike është: çfarë i nevojitet Erdoganit influenca politike në Kosovë, përveçse në rritjen e pranisë ekonomike? Mos vallë do ta aneksojë Kosovën? Mos vallë do të lobojë Kosova tek “miqtë” e saj perëndimorë për ta integruar Turqinë në BE? Sikur të ishte një marrëveshje me Serbinë edhe do të kuptohej shqetësimi, për shkak të interesave politike, kombëtare, ekonomike, territoriale dhe shoqërore që ky shtet, dhe asnjë tjetër (madje as Shqipëria) ka në Kosovë. Ekspertja vazhdon më tutje:

E Turqia nga ana tjetër me taktika shumë të mira është duke e shtrirë fuqinë e saj në Kosovë, përmes strategjive të cilat do të kenë ndikim të fuqishëm në përditshëmrinë tonë. Fillimisht duke e ditur terrenin e përshtatshëm, situatën e ndjeshme politike, dhe stagnimin në masë të madhe ekonomik, ata kanë zgjedhur format më efikase të shtrirjes së tyre në Kosovë […]. I kanë lojtarët e tyre, të cilët janë në gjendje jo vetëm të bëhen sikur po falen në xhami, por edhe të bien në dy gjunjtë përpara Erdoganit, për interesin e tyre financiar, sepse me gjermanët e austriakët nuk mund t’i futen këtyre lojërave.

Nuk duket edhe aq problematike shitja e aseteve kombëtare, që fundja në kohë krize po e bën edhe Italia me kompaninë telefonike dhe me atë ajrore – së bashku arrijnë në 70.000 nëpunës –, se sa kujt i shiten. T’i blinte Kroacia, për shembull, kjo zhurmë mediatike nuk do të ekzistonte fare. Duhet një korrigjim i vogël por domethënës tek pohimi «me gjermanët e austriakët nuk mund t’i futen këtyre lojërave», i cili shpjegon mangësinë themelore të ekspertëve: janë gjermanët dhe austriakët ato që nuk duan të hyjnë në lojë për mungesë interesi, sepse Thaçi do ta luante lojën sipas rregullave të çdo investitori, pasi nuk është në komoditetin e moralistit. Pra BE-ja nuk jep asnjë euro dhe nuk jeni në kushtet e zgjedhjes: ose falimentoni ose kërkoni para në katër anët e botës, siç bën Serbia, sepse globalizmi dhe kriza botërore nuk falin terren për nostalgjikët e “zhvillimit socialist me forcat tona”. Natyrisht që me një vizion të këtillë Kosova nuk ka shpresa zhvillimi, pasi alternativa është falimentimi për shkak të arkës shtetërore të boshatisur. Kuptohet se burimet e mediave që paguajnë këto opinione nuk varen nga situata ekonomike e Kosovës. Ndërsa “inteligjenca” kosovare përcakton llojin e kartëmonedhave, Serbia përfiton miliardat e nevojshëm për të mbijetuar si shtet nga petrol-dollari, e madje do të aderojë në BE përpara Kosovës.

 

Comments

  • Nga kendveshtrimi islamofob, shqetesimi per rritjen e investimeve nga vendet e Lindjes eshte i ligjshem, sepse keto investime do te sjellin si rrjedhoje te pashmangshme rritjen e ndikimit te botes islame te ne, e per pasoje edhe fuqizimin e identitetit islam qe aktualisht ekziston nder shqiptaret, ndonese eshte i dobet. Ndersa investimet “islame” ne vendet e krishtera si Serbia, Kroacia etj., islamofobet i shohin si te parrezikshme, sepse ato nuk mund ta cenojne identitetin e tyre europian, qe eshte origjinar.

    • Normale. Ne nje vend ku mediokriteti eshte i atille sa Katedralja e Prishtines prezantohet si shperblim per nderhyrjen e NATO-s, eshte me se e logjikshme qe investimet te paraqiten me ngjyresa fetare, ndonese ligjet e tregut, racionalitetit, historise, madje te koheve te fundit, flasin teresisht ndryshe. Pra, ne Kosove edhe kur ndertohet nje Katedrale, ajo na qenka jofetare, por identitare, evropiane, laike, gjitheperfshirese, etj., etj., ndersa kur investohet ne ekonomi me para turko-arabe, cdo gje eshte ndryshe. Kesaj i thone “dhi e zgjebosur, bishtit lart”. Nejse. Te pakten ta bindin Sorrosin, meqenese eshte mik i disa mediave kosovare, te zevendesoje investimet turko-arabe.

    • C’surprize tjeter kane pergatitur per Erdoganin neser tutoret e Alma Lames?
      Po ja, nxorren ate kapterren per te irritu njerzit e thjeshte besimtare ne Kosove.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *