Ku janë rojtarët e laicitetit?





E.zani

 

images (1)A e dini se çfarë kremtojmë zyrtarisht me 19 tetor?

Vakumin që la Enver Hoxha në tetorët tanë e kemi – më saktë: na e kanë – mbushur me një festë që në kalendarin publik shqiptar shënohet si laike. Lidhet me Nënë Terezën. Nuk është dita (logjike) e lindjes së saj, nuk është as dita e marrjes së Nobelit, për të cilin aq shumë krenohemi dhe nuk lamë vend pa e shënuar, nuk është dita e ardhjes së saj në Shqipëri, as e ndonjë dite të programuar si vizitë në Kosovën e paçliruar që dikush e motivon si pengesë e Millosheviçit, ndonëse kush ka vendosur të sakrifikohet në misionin fetar nuk duhet t’i frikësohet diktatorëve, aq me tepër kur Nënë Tereza ka vizituar mjaft vende diktatoriale. Bëhet fjalë për ditën e lumturimit të Nënë Terezës.

Franca e krenuar me Jeanne D’arc, e shenjtëruar nga normat e të njëjtit institucion që 5 shekuj më parë e dogji në turrën e druve, nuk i ka kushtuar asaj asnjë ditë festive (publike) kombëtare. Ne, që laicizmin revolucionar të Francës së vitit 1789 e konsiderojmë shpesh dhe pa masë si laicitet-model, kemi vendosur zyrtarisht të celebrojmë një misionare të Kishës. Kjo është thënë prej kohësh, natyrisht, ndërsa justifikimet me të cilat përmbysej evidentimi, ose akuza, janë bazuar tek rëndësia kombëtare e Nënë Terezës. Mirëpo kremtimi zyrtar, nga një shtet laik, i ditës së lumturimit, i cili si proces nuk ka asgjë të përbashkët me shtetin tonë, në mënyrë automatike e vlerëson fetarisht personazhin e lumturuar.

downloadProcesi i lumturimit i jep akses subjektit të hyjë në parajsë dhe i njeh të drejtën e ndërmjetësimit tek hyjnia për lutjet e njerëzve. Për të arritur në këtë shkallë mirënjohjeje kishtare kandidati për lumturim ose shenjtërim kalon përmes gjykimit të një institucioni kishtar. Ndryshe nga shenjtërimi, lumturimi e redukton kultin e të adhurueshmit në disa vende dhe grupe specifike, por edhe mekanizmat e meshave, e ekspozimit të relikeve, e dedikimit të kishave, e ikonografisë (p.sh. rrezet e dritës në vend të rrethit), etj., janë të reduktuara, ndërsa përjashtimet kërkojnë leje të veçanta nga Selia e Shenjtë. Si procedura ashtu edhe fenomeni kanë natyrë ekskluzivisht kishtare, e për më tepër ato lidhen qartësisht me dogmat trashendente.

Është vërtet më se absurde që celebrimi zyrtar i ditës së kremtimit (mirënjohjes) të vlerësimit fetar të një personi të renditet përkrah festave publike laike. Vështirë pastaj të kuptohet se ku qëndrojnë nacionalizmi dhe patriotizmi tek sanksionimi i të drejtës së ndërmjetësimit të besimtarëve shqiptarë (por edhe indianë, italianë, brazilianë, etj.) të një feje specifike. Mbase këto janë ideologji, emocione dhe rregulla që nuk i përkasin shtetit tonë, dhe që ai nuk merr përsipër t’i kultivojë. Sidoqoftë, është një shtet që deklarohet laik dhe që paradoksalisht ditën e lumturimit e shpall zyrtare e njëkohësisht laike: ose udhëhiqemi nga një grigjë mediokre, që pjesërisht nuk përjashtohet si mundësi dhe shembujt janë të mirënjohur, ose ekziston përpjekja zyrtare e integrimit të procesit fetar të lumturimit në normat e shtetit laik. Atëherë mbi çfarë parimesh e bazon shteti laik obligimin e qytetarëve të festojnë hyrjen e Nënë Terezës në parajsë dhe mundësinë e shpëtimit të besimtarëve të ndërmjetësuar nga e lumturuara? Mos vallë Kisha katolike në Shqipëri nuk ishte e respektuar nga dy festat ekzistuese, që janë po aq sa edhe festat e komunitetit më të madh fetar në vend dhe të Kishës ortodokse?

Po barazia? Kur një vajzë me shami kalon cakun e shkollës, kakofonia laike, shpesh herë afër institucioneve të mirëfillta fetare, gërthet nga të gjitha mediat, me pretendimin e shkeljes së kushtetutës, ndërkohë që mbivendosja e përkujtimeve fetare ndaj atyre laike kombëtare kalon në heshtje, sikur festiviteti i sanksionuar nga teokracia e Vatikanit të ishte i vlefshëm për shtetet laike. Jemi në atë pikë sa e drejta e shprehjes lirisht të fesë përmes shamisë barazohet me të drejtat e homoseksualëve.

Nëse vërtet kërkohej të respektohej Nënë Tereza si simbol mbarëkombëtar dhe laik, atëherë duhej përkujtuar dita e lindjes së saj dhe jo mirënjohja institucionale që Kisha ndërmerr ndaj misionarëve. Me këtë përkujtim, përfundimisht është sanksionuar identiteti fetar i murgeshës shqiptare, që jo vetëm nuk duhet të jetë interesi i shtetit laik shqiptar, por nuk është interes as i 90% të shqiptarëve.

download (1)Një CV identitare e Nënë Terezës

Tek poezia me titull Lamtumira mes të tjerash Nënë Tereza nënvizon zhveshjen nga identiteti i mëparshëm kur ishte Gonxhe Bojaxhi, një shqiptare katolike nga Shkupi osman, në emër të një  identiteti fetar: «braktis miqtë e mi të vjetër, braktis vatrën time; zemra ime më shtyn t’i shërbej Krishtit». Vizioni që do ta nënshtronte në misionin fetar ndodh diku në vitin 1946, kur në një udhëtim, ashtu siç i pat ndodhur (Shën) Palit, ajo dëgjon «thirrjen brenda thirrjes [nga Jezusi] për të shuar etjen e Jezusit duke i shërbyer te më të varfrit e më të varfërve». Ky mision ka për qëllim të «sjellë Krishtin tek shtëpitë dhe rrugët e shtresave me të ulëta» në mënyrë që «t’u jepet atyre mundësia të njohin Zotin». Ajo tashmë vetëkonsiderohej si mjet prozelitizmi: «kisha nuk vepron rastësisht, por shpesh përdor mjete, mjete humane për të plotësuar misionin e saj Hyjnor»

Vetëm kur Nënë Tereza mund të jetë «e tëra për Jezusin», «shpirtra të tjerë do të arrijnë ta duan [Zotin] me zell». ‘Zërin’ i vizionit i kërkon të «udhëheq tek Ai [Jezusi] të varfrit». Nga këtu ajo përpiqet ta institucionalizojë misionin dhe të veprojë sipas identitetit të ri, jo më  si një shqiptare, si Gonxhe, por si një murgeshë, si Tereza. Në letrën “Corpus Domini” dërguar arqipeshkvit Périer në 1947 rendit idetë që ka mbi institucionin e ardhshëm. Sipas pikës 40 «ushtarët e misionit duhet të shkojnë në zonat e varfra të Kalkutës të mbledhin fëmijët […] për t’iu mësuar atyre lutje të shkurtra, e mbi të gjitha si ta duan Zotin […]». Gjithashtu, sipas projektit, motrat duhet t’i bindin ato që janë të sëmurë «të kërkojnë ritin e shenjtë të Kungimit»; për ato që janë në çastet e agonisë, motrat duhen «të sigurohen që prifti të vijë në kohë [përpara vdekjes]».

Ajo është e vendosur të «drejtojë Krishtin në vrimat e trishtuara të lagjeve të varfra të Kalkutës», pasi kështu përmbush misionin kishtar, realizon dy vizionet në të cilat kishte parë një turmë varfanjakësh që ulërinte «na dërgo tek Jezusi» (vizioni i parë), pasi Krishti i kishte kërkuar t’u mësonte «rruzaret në familje, dhe çdo gjë do të shkonte mirë». Por kjo është rruga përmes të cilës ajo realizon identitetin e vet qartësisht fetar. Është misioni për të cilin Kisha katolike e shpërbleu me mirënjohje duke e lumturuar.

Për të mos thënë se “festave” të tilla, të zbrazura nga kuptimi laik, pa forcën e traditës fetare dhe jo fetare, u mungon edhe urimi. Gëzuar Nënë Terezën? Gëzuar Lumturimin? Gëzuar varrosjen e laicitetit?

 

Comments

  • Shenim shume me vlere. Mendoj t’ua dergoni institucioneve shteterore si leter zyrtare dhe te shohim c’pergjigje do te jepnin.

    • Une them t’ua nisim me afresk promemorjen, te ilustruar me figura. Meqe ceshtja e Nene Terezes eshte ceshtje imazhi, prandaj them.

      Institucionet shteterore e dine mire qe kane shkelur me te dyja kembet laicitetin me rastin e kremtimit zyrtarisht te nje date qe nuk ka fare lidhje as me lindjen e as me vdekjen e shqiptares Gonxhe Bojaxhiu, por me nje ceremoni mistike te Vatikanit, e cila nuk thote asgje per muslimanet, te krishteret jo-katolike apo ateistet e vendit. Po te donin te nderonin nje bije te Shqiperise i perkujtonin ditelindjen apo diten e vdekjes, po nderimi zyrtar ka te beje me diten kur Vatikani njohu si mrekulli faktin qe nje indiane u sherua nga nje semundje e rende, pasi iu lut shpirtit te Nene Terezes. Kete akt te mbinatyrshem te besimit katolik kremtojme zyrarisht cdo 19 tetor. Per kete mrekulli tashme ka hyre garant edhe shteti shqiptar sekular, ndoshta me miratimin e Ministrise se Shendetesise dhe qendres spitalore universitare shteterore “Nene Tereza”.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *