ajnisinaniAjni Sinani

Kur Muhammedi a.s. e pranoi shpalljen nga Zoti u ngarkua me porosinë e ftesës së njerëzimit në rrugën e Islamit. Misioni i tij 23 vjeçar, i paqes dhe bashkimit të popujve në adhurimin e Krijuesit, ngriti një gjeneratë të shkëlqyer brenda një mjedisi kulturalisht dhe institucionalisht të varfër. Me transformimin e asaj shoqërie, Muhammedi a.s. hapi një epokë të re në histori, mirëpo, ashtu si homologët paraardhës, pati kundërshtarët e vet. I tillë qe Ebu Xhehli, për shembull, dhe kjo ngase e Vërteta ka kundërshtarët e saj, në çdo kohë, edhe sot, madje sot akoma më shumë dhe në mënyra sistemike, të njëtrajtshme, shpesh herë nga ambiente tradicionalisht islamike, siç është Kosova jonë. Pikërisht në Kosovë tërheq vëmendjen angazhimi i mediave në këtë aspekt, i personazheve mediatike tip Baton Haxhiu, që fetarisht rrugëtojnë në çakordim të plotë. Në fillim të artikullit Tre momentet e Aidës ai shpjegon:

 

«Jam rritur afër një prindi (arsimtar) i cili ka bërë revolucion në shkollimin e femrës dhe heqjes e ferexhes mbi kokat e tyre. I ruaj në murin e shtëpisë fotot e viteve ‘60 (unë s’kam qenë i lindur atëherë) kur të gjitha femrat kishin dal në qendrën e qytetit në Gllogovc për të bërë ushtrime në gjimnastikë. Të gjitha kanë qenë të veshura me veshje të shkurta. Nga publiku përreth që shikonin dukej sikur është një festival cirkusi-balerinësh në mes të një turme me celeshe, që të inatosur deri në flokë prisnin fundin e keq të atij defilimi. Tregimi i kësaj ngjarje ka pasur një përfundim: babai im ka mbetur i ngujuar për një kohë në shtëpi sepse do të vritej nga hoxhët me tespi për një arsye të vetme. Iu ka hequr shamitë nga koka dhe i ka veshur me veshje të shkurta dhe i ka bindur se duhet të shkollohen dhe të mos dëgjojnë pleqtë me tespi. Kaq».

Dhe Haxhiu, kuptohet, vazhdon misionin e prindit të tij arsimtar, duke u përpjekur të bindë sa më shumë vajza të reja të dalin me veshje të shkurta e minipantallona nëpër rrugët e Kosovës, e duke ngatërruar qëllimisht ferexhenë me shaminë, ndonëse këtë të fundit e mban çdo monument përkujtimor i Nënë Terezës, apo simbolin fetar me atë politik, si dhe vetësimbolin me praktikën fetare islame. Nëse do të realizohen këto mësime atëherë Kosova mund të jetë një shtet unik, i ngjashëm me njëfestival cirkusi-balerinësh. Se ç’beson Haxhiu është çështje e tija personale dhe relative, ndërsa neve na intereson qëndrimi publik, cektësia e tij, stereotipet, mllefi, reduktimi i fesë islame tek mbulesa dhe mungesa e arsimit, apo tek tespihet, e gjithashtu na intereson jehona publike e mesazhit që përcjell një individ i oligarkisë së hapësirave mediatike.    

Në shkrimin Shamia ai e politizon mbulesën islame duke nënvizuar se «shamia si mbulesë e ‘turpit’ të femrës, e harruar për një kohë dhe e mbetur si relikt, është rishfaqur pas kaq vitesh në Kosovën e pavarur dhe po bëhet temë politike e shqyrtimit». Ky reagim ndaj mbulesës dëshmon për një mendësi totalitare e përjashtuese, që fatkeqësisht trashëgohet nga shkolla marksiste e ish-Jugosllavisë, ndonëse Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, të cilën e ka pranuar edhe Kosova, në nenin që flet për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, sanksionon se «çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë».

 

Si thirrës islam nuk dua t’i gjykoj njerëzit. Dëshiroj, ndonëse kjo nuk është në fuqinë time, t’i drejtohem z. Haxhiu ta rishikojë pozicionimin e tij ndaj Islamit dhe praktikave fetare ku renditet mbulesa. Kjo ngase në Islam gjithnjë porta e pendimit dhe e kthimit tek Allahu është e hapur: kjo fe nuk e përjashton asnjë njeri. Si qytetar mendoj se është absurde që mbulesa islame të cilësohet si relikte apo shëmti ndaj femrës. Femra muslimane e vetëdijshme, e praktikon mbulesën islame me vullnetin dhe përzgjedhjen e saj. Me dhjetëra mijëra femra të shkolluara jomuslimane, që pranojnë fenë islame çdo vit anekënd botës, praktikojnë edhe mbulesën. Mbulimi i femrave muslimane doktoresha, politikane, akademike, poete, shkrimtare, juriste, ekonomiste, mjeke e deri tek femrat e thjeshta janë argument dhe dëshmi e pamohueshme për secilin njeri që rezonon drejt dhe arsyeshëm se mbulesa e trupit dhe kokës është nder dhe krenari ose, fundja, zgjedhje, siç janë zgjedhjet e Haxhiut. Turp është mbulesa e mendjes, që pengon të kuptuarit e të Vërtetës Hyjnore; turp është zbulimi i trupit tek femrat dhe kjo (ç)veshje e çoroditur; turp është të jesh kundër zgjedhjes kushtetuese të individit dhe në përputhje me konventat perëndimore.

 

Në ditët tona shohim mjaft dukuri negative dhe vese, që sjellin akulturim dhe regres, çka lë për të dëshiruar për të ardhmen e rinisë sonë. Për çdo individ të përgjegjshëm, parësore duhet të jetë familja e ndershme, shoqëria, rinia dhe shteti i se drejtës. Duket realisht e pamundur të përqendrojmë problemet sociale tek ato vajza që mbulohen, përkundrazi, do të thoja se shqetësim janë reklamimi i femrës si mall konsumi, të miturat që trafikohen nga rrjete të organizuara kriminale, skllavërimi modern i femrës, prostitucioni, droga, alkooli, shkatërrimi i familjeve, që çdo ditë e më shumë po pllakosin shoqërinë tonë. Le të shqetësohemi për zvetënimin e shoqërisë, mashtrimin, gënjeshtrën, hipokrizinë, krimin, dobësimin dhe shkëputjen e lidhjeve familjare.

 

Ishte pikërisht edukata islame, ajo që ruajti dhe mbrojti popullin tonë, i cili u shqua nga të tjerët për fjalën e mbajtur dhe për ruajtjen e nderit. Tashmë kjo duhet vitalizuar nga të gjithë ne, nëse duam ta ruajmë rininë tonë. Gjendja në të cilën është katandisur rinia, ku çdo ditë kemi kronika të zeza në vend dhe jashtë, dëshmon plagën sociale. E përse mos ta edukojmë atë me edukatë fetare për ta shëruar nga kjo ligështi ku ka rënë?

 

Comments

  • Tmerresisht e lodhur nga pamja e kalimtareve me veshje te gjymtuar.Tmerresisht e tronditur nga mendimi se ne shpirt keto qenie jane akoma me te gjymtuara.Ecja,ecja dhe me dukej vetja si ne pjese ferri…Nuk kam per ta harruar kurre nje perballje me nje vajze (me veshje te gjate,floke te mbuluar). Si per mrekulli, ajo pjese rruge ishte e papopulluar.U mahnita! Ne ate fytyre , e vetmja pjese e dukshme ,kishte bukuri te papare njerezore. Ne ate fytyre femerore kishte ciltersi,dliresi,pasterti, dinjitet, sinqeritet.Drita rrezatuese e asaj fytyre me eshte ngulur thelle ne kujtese.Sa here e sjell ndermend ndjej nje ngazellim ne shpirt.Ajo perballje me beri te ndihem per pak caste si ne pjese parajse.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *