images (1)H. Omari

Kur pritej që stafeta e kakofonisë mediatike kundër nënshtrimit politik ndaj interesave turke të kalonte tek vizita e përfaqësuesve të institucioneve greke, çdo atdhetarizëm dhe ideal vetëvendosës u venit pa lënë gjurmë përveç një tentative po aq të zbehtë të zërit politik çam, të pëcjellur në media të ndryshme, e ndonjë reagimi endemik. Nisem nga premisa e thjesht matematike se në njërin nga haremet mediatike të spektrit të djathtë, ku janë tufëzuar disa akademikë që me shumë se shkrimet dhe vetveten reklamojnë UET, nga data 25 tetor e deri dje (4 nëntor) u botuan 9 editoriale-opinione, pa na kursyer shpërthime antiqeveritare sikur vendi dhe ardhmja jonë evropiane “po rrezikohen me vasalitetin” ndaj Erdoganit, sikur kjo po ndodh tani e nuk ishte venë re 8 vite më parë. Gjithashtu edhe nga homologët e majtë u nënvizua rreziku turk, i dekoruar me valëvitjen e sloganeve frikëkallëse të neoosmanizmit, megjithëse, reagimi i tyre qe më i moderuar, për militantizëm, natyrisht, dhe jo për profesionalizëm. Mirëpo ajo çka ngjasoi me një rebelim eunukësh erdhi nga gazetarët e borderove të djathta, që papritmas zbuluan vokacionin kombëtar.

Në një vend tjetër do të kishte kuptim pyetja “kurioze, apo jo?”, por tek ne, tashmë, asgjë nuk është kuriozitet, habi e rastësi, pothuajse asnjë media nuk transmeton seriozitet dhe profesionalistet, aq sa idealizmi është mall pazari që në nisje, e kjo vazhdimisht, deri në hipokrizinë më patetike të mundshme, që nxjerr në pah se prapambetja e gjithanshme shqiptare është derivat i një sistemi dhe jo vetëm i një kaste politike. Ja rasti më i freskët, ku mund të shkrinin talentin “penat patriotike”, vizita e Papulias. Ndryshe nga Erdogani, që premton investime dhe financime, të cilat fqinji ynë nuk i disponon dot, Papulias “nuk foli lidhur me kërkesat e Tiranës zyrtare, por u ndal te rëndësia që ka ndarja e kufirit detar mes dy vendeve”.

“Minoriteti etnik grek përbën një nyje lidhëse dhe të qëndrueshme të pazgjidhshme miqësie dhe bashkëpunimi midis dy vendeve dhe popujve tanë. Grekët e Shqipërisë janë ndër përbërësit më dinamikë të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore shqiptare, dhe të gjithë jemi dakord se të drejtat e tyre duhet të respektohen. Nga ana tjetër, qindra e mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi përbëjnë gjithashtu një element të fuqishëm lidhës në marrëdhëniet tona. Diskutuam edhe për marrëveshjen e demilitimit të zonave detare. E informova mikun tim, zotin President, se politika e integruar do të jetë një përparësi si për Presidencën e pritshme në BE, ashtu dhe për Presidencën italiane që do të do ta zëvendësojë” – tha Papulias.

download (1)Papulias na kujton dinamizmin e minoritetit grek dhe harron se ka një minoritet shqiptar në vendin e tij i cili, për të mos rreshtuar shkeljet e shumta, nuk ka së pari shkolla në gjuhën amtare. Madje, ka pasur edhe një minoritet shqiptar ndaj të cilit, në mos gjenocidi, është aplikuar spastrimi etnik me shpërngulje të dhunshme dhe me vrasje e konfiskime. Në Shqipëri kemi bërë zëvendëskryetar parlamenti një grek, ndërsa ne Greqi ekziston akoma ligji i luftës. Pikërisht pezullimi, më në fund, i këtij ligji iu kërkua qartësisht nga pala shqiptare, si nga presidenti Nishani ashtu edhe nga ministrat e majtë. Jo vetëm që delegacioni grek u shfaq indiferent ndaj këtyre kërkesave, përfshi këtu çështjen e toponimeve, por njëri nga ministrat pohoi se ai ligj nuk ekziston, duke u tallur me stafin e këshilltarëve të institucioneve tona shtetërore kryesore, që për 23 vite radhazi kanë dështuar në këtë drejtim: paskan qenë të painformuar!

Çështje tjetër, mjaft delikate, është ajo e kufirit detar, dhe Papulias nënvizoi domosdoshmërinë e zgjidhjes. Nuk dihet se si, por kuptohet që pala greke do të kërkojë, siç ka bërë më parë, ca kripë më shumë. Me fjalë të tjera, delegacioni grek pretendon akoma më tepër të drejta për një minoritet të llastuar së tepërmi, pa as më të voglën tentativë ekuivalence me të drejtat e emigrantëve shqiptarë, pa njohur në asnjë mënyrë çështjen çame, një minoritet shqiptar i Greqisë që ashtu si ai grek në Shqipëri ka dhe pretendon të drejta analoge, pa njohur Kosovën, pa pezulluar ligjin e cituar dhe, madje, me vullnetin e shtrirjen në ujërat shqiptare.

download (2)Turqia është shfaqur e gatshme, ndryshe Rama nuk do të shkonte si “guvernator vilajetesh”, t’i restaurojë financat publike të shtetit shqiptar me borxhe dhe investime direkte. Rezultati: pa i shumuar të gjitha “kritikat patriotike”, vetëm një gazetë e përditshme na dhuroi një shkrim në ditë. Nga ana tjetër, Greqia ndërhyn përmes minoritetit, nuk njeh të drejtat e çamëve e as ato të emigrantëve, kërkon copëza shqiptare, tejkalon në të gjitha drejtimet pretendimet turke. Mos vallë duhet të presim të na sulmojë – se shpalljen e luftës nuk e ka hequr – për të nxitur emocionet e këtyre mediave? Me heshtjen ndaj Greqisë bien paradigmat mbi të cilat ngrihet kritika atdhetariste dhe evropeiste ndaj Turqisë. Kjo e fundit edhe mund të tentojë zgjerimin ekonomik, kulturor e për rrjedhojë edhe të influencës politike në rajon, por Greqia pretendon të sundojë në Shqipëri, ta mbajë peng integrimin në BE – sepse politika jonë e ka shpallur si ëndërr elektorale –, me të drejtat e minoritetit, me varreza të shpikura, me eshtra të vjedhura, me kufij të fituar në tryezë, si ndeshje futbolli, dhe kjo duhej të ishte më shqetësuese se neosmanizmi ose të paktën e barasvlefshme apo të meritonte një artikull, qoftë edhe me atë patriotizmin e pështirosur që e tregtojnë për moralizëm të sinqertë dhe profesional.

 

 

Comments

  • Thone qe pas takimit te pare te Rames me Erdogan (ne turqi) deklaraten se Rama ka bere nje gabim duke thene se Turqia eshte aleat strategjik ne vend te Greqise (qe e lexoi me zell Tan Shehu) ia ka keshilluar Berishes (se Basha eshte sa per cun i bukur) eminanca e tij Henri Cili.

    Tani tek MAPO thuhet “Grek Elhamdulilah”

  • Tashme Henrit, si njeri qe di te integrohet lehtesisht, dhe qe e kap menjehere kursin e historise, si mbetet gje tjeter vec te coje letrat tek Luli ne Bashki per te nderruar emrin, duke e bere Niko Vasiliqilis. Kurse te gjithe gjekmarkajt, ndrecet, gurakuqet, alfredlelat do te ngrene zerin per vlerat europiane te Bizantit dhe per Kontributin e madh qe kane dhene shqiptaret ne krijimin e shtetit grek, ne emer te ekumenizmit krisitian. Nga halli do t’u duhet te bashkejetojne ca me ortodoksine.

    Patriotizmi eshte bere streha e fundit e antishqiptareve, qe perdorin vokacionin atdhedashes te njerezve per interesa misionariste antishqiptare. Patriotizmi eshte tashme vetem karrem per te zene mendjelehtet, e per ti ndersyer kunder Islamit, duke i hapur shtegun urrejtjes fetare.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *