Dubai, qendra e së tashmes*





burj_khalifa_dubai_aerial_view_worlds_tallest_largest_skyscraper_buildingBesnik Sinani

Në një nga thëniet më të njohura të tij, Profeti Muhamed njoftoi se, prej shenjave që njoftojnë fundin historik të njerëzimit, do ishte se në atë hapësirë shkretëtire masive që njihet si Gadishulli Arabik, ‘barinjë këmbëzbathur do konkurojnë me njëri-tjetrin në ndërtimin e ndërtesave të larta.’ Askund ky imazh apokaliptik nuk përmblidhet në mënyrë më dramatike se në rrokaqiejt e Dubait dhe në kulminacionin e këtij pushtimi të qiejve se tek kulla Kalifa, ndërtesa më e lartë në botë. Nga ballkoni në katin e 124t mund të shohësh ndër të tjera kullat, mbi lartësitë e të cilave ajo është ngritur. Ajo që në imazhim apokaliptik përfaqson shenjën e qiellit në tokë, si lajmërim për fundin që pason, njofton për ndërtuesit e kullës itinerarin nga toka në qiell si dhe aritjen e të nesërmes – sot.

Jo fort larg pas inagurimit të kullës Kalifa, një princ saudit njoftoi se do niste në Xhedah ndërtimin e një kulle më të lartë, që do ishte ndërtesa më e lartë në botë – 1 km e lartë. Në mbretërinë saudite po kryhen projekte masive ndërtimi e disa prej tyre kanë hisen e tyre në kthimin në beton të imazheve apokaliptike të thënieve të Profetit Muhamed. Kodrat e Meksës, njoftoi Profeti Muhamed, do mbulohen me ndërtesa të larta e malet e saj do çpohen e do krijohen gropa. Trafiku në rrugët e ngarkuara të Mekës kalon në tunele gjigande në malet e Mekës dhe kodrat janë mbushur me hotele të turizmit fetar.

Por për tu kthyer në Dubai, këto kulla njoftuese të fundit të botës nuk duket të prishin humorin e vendalive me njoftimin e fundit që po afron e as vizitorëve të rajonit, që e kanë kthyer Dubain në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në rajon. Në fakt Dubai është propozuar edhe si një lloj destinacioni turizmi fetar. Dubai është një destinacion i preferuar për evropianë e indianë apo dhe sauditët që vinë në një vend të rregulluar për mrekulli, me më pak shtrëngime sociale se sa në vendin e tyre. Dubai ofron vende dëfrimi, restaurante e molle gjigande me emrat më të famshëm të modës, kuzhinës përfshi kinema, akuariume, e patinazh në akull për dëfrim familjar. Shko në Wild Wadi Water Park, përball Kullës Arabe – hotelit të parë me shtatë yje në botë – dhe parku ofron një ekumenizëm post-liberal të bikini dhe burkini. Dhe nëse je ngopur me diellin përvëlues, mund të alternosh të nesërmen me ski në mollin e Emirateve, një hapsirë e kompletuar me teleferikë, pista rrëshkitjeje e pinguinë prej vërteti. Restorantet e kafetë në krah të xhamave që ndajnë hapsirën me borë nga pjesa tjetër e mollit ofrojnë festime të krishtlindjeve me atmosferë dimërore edhe kur temperaturat jashtë mollit shkojnë tek gati 40 gradë.

Por Dubai duket t’u ofrojë të gjithëve atë që kërkojnë dhe është kthyer edhe në një destinacion të turizmit seksual. Një artikull në The Guardian bën të ditur se prostitucioni nuk është i kufizuar në ndonjë lloj ‘lagjeje të kuqe’, por është i aksesueshëm në të gjitha hotelet. Evropianë e amerikanë të shoqëruar me femra aziatike të enjten në darkë sjellin imazhe të ngjashme nga Saigoni i viteve ’60.

 “Kam dëgjuar tipa financierësh” – shkruhet në artikull – “që e justifikojnë si manifestim të inklinimit Perëndim-Lindje sipas të cilit fuqia ekonomike perëndimore po graviton drejt Lindjes.”

Javën e qëndrimit tonë festimet për Bajram koinciduan edhe me javën e modës dhe shtëpitë më të mëdha të modës botërore kishin parkuar në Dubai duke i shtuar qytetit shkëlqimin, pompozitetin e vanitetin. Kudo në molle njoftoheshin në prag të festimeve të Bajramit ardhja e disa prej këngëtarëve më në zë të muzikës bashkohore arabe ndërkohë që në Abu Dhabi, dyzet minuta më tej me makinë, po vinte Riahana. Molli Dubai njoftoi se do ishte i hapur 24 orë për të ofruar një Bajram sa më festiv dhe emrat më në zë të modës, nga Armani tek Cavalli e pa munguar as Victoria’s Secret u uronin blerësve Eid Mubarak: Gëzuar Bajramin.

Entuziastë të asaj që po ndodh në Dubai, që shohin gjithë zgjidhjet e botës në bazë të të dhënave ekonomike, si autori Vali Naser – ish këshilltar i administratës Obama  dhe autor i Forces of Fortune, shohin tek modeli i Dubait zgjidhjen e problemeve të Lindjes së Mesme: punë për të rinjtë e përqafim i modernitetit dhe kapitalizmit. Im bir 12 vjec, që ka kaluar këto vite duke bredhur në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme, u impresionua aq shumë nga Dubai sa më bëri dhe një pyetje që nuk kisha si ta prisja: a është Dubai demokraci?

Entuziastët e Dubait duket të harrojnë elefantin në dhomë: skllavërinë që bën të mundur këto ndërtime masive, ata punëtorë pa emër nga India e Bangladeshi që ngritën këto kulla. Ndoshta fotografia më sureale në hollin përpara ngjitjes në Kullën Kalifa është ajo e punëtorëve të qeshur në skelat e kullës më të lartë në botë. Dubai nuk të kënaq vetëm senset, por edhe ndërgjegjen.

 

*Titulli është përkthim i sloganit të një reklame për turizëm në Dubai: The Center of Now.

Botuar tek Shenja

Comments

  • Nuk ka gje me te shemtuar se arabi qe krenohet me shperdorim pasurie. Duke u krenuar me gradacela thjesht tregojne sa te zbrazet jane.

  • francesku,

    mendoj se duhet pak ndjeshmeri kur flasim per gjera kaq te pergjithshme si ‘arabet’. “Arabet’, bile, jane akoma me te pergjithshem ne permendje se shumica e kombeve te tjera, pasi nuk kuptohet mire per c’flasim kur themi ‘arab’: flasim per sauditet, per emiratasit, per omanasit, per jemenasit, sirianet libianet? Dmth eshte akoma me e pasakte se kur pergjithesojme mbi greket, turqit, italianet, pse pervec se rreshkasim nga analiza politike, ekonomike, sociale, klasore, nuk fokusohemi dot as brenda kufinjve administrative qe perfshijne problemin qe diskutohet.

    Arabe jane keta te shemtuarit qe skllaverojne bangladeshasit dhe skllaverohen prej luksit steril, arabe jane edhe ata qe shpenzojne miliona per te ndihmuar te varferit, per te ndertuar xhami e spitale neper bote. Nderkaq nuk ka asgje posacerisht arabe as ne te miren, as ne te keqen qe prodhohet nder arabe, pse po te ishte keshtu, nuk do justifikohej dot fakti qe tek arabet ndodhin edhe gjera te keqia edhe te mira njekohesisht – bile shpesh i njejti person vepron edhe te miren edhe te keqen.

    • Ketyre fjaleve qe thua nuk i heq as dhe nje presje, por mosrespekti per jeten siç po deshmohet kohet e fundit atyre aneve ia kalon dhe sterkalon shperdorimit per luks pallatesh floriri me leke korrupsioni. Me fal se harrova, te dyja fenomenet, dhe jo vetem, jane shkak pasoje, dhe keshtu na vijne e na perplasen fytyres plot agresivitet spektakolar. Une e di dhe ate hadithin profetik qe permend hajrin tek arabet, por, serisht por, ngjarjet e fundit me Ali kimike dhe Asad matrapik, per te mos permend Sisin masonik dhe Gadafin butaforik (radha eshte e gjate) me ushtrite e tyre brutale, si fenomene te diteve te fundit ta, trondisin perqendrimin tek normalja e ketyre popujve. Me pak fjale as kafja farmak nuk ben me fajde per te mbledh veten nga gjaku i prishur qe perçon perditshmeria e ketyre vendeve.

      • Jam dakort me kosntatimet mbi degjenerimin, ne nje shkalle te konsiderueshme te shoqerise arabe, te evidentuar jo vetem tek krenarite absurde dhe provinciale per pallate te larta, dhe tek skllaverimi i vellezerve te tyre nga Bangladeshi, Sudani, Jemeni etj., por edhe tek dukuri te tilla si ekstremizmi, fanatizmi, analfabetizmi funksional, etj. Psh. ndersa bota Islame eshte sot ne probleme trishtuese ne Irak, Egjipt, Palestine, Siri, etj. sauditet krihen duke ndaluar grate te ngasin makinat. Sauditet psh. teksa po investojne fuqishem per lirine e Sirise, nuk hezituan aspak te kontribuojne ne roberine e Egjiptit duke mbeshtetur grushtin e shtetit te nje krimineli si Sisi. Mosreagimi i popullit saudit, ndaj kesaj tregon se ne cfare letargjie jane ata njerez ndaj politikave te shtetit te tyre.
        Megjithate, nuk do te thoja aspak se populli sirian, egjiptian, tunizian, etj. jane ne degjenerim. Perkundrazi, pranvera arabe deshmoi nje etje frymezuese per liri te ketyre popujve. Protestat paqesore te qytetareve dhe rezistenca e tyre dinjitoze mes plumbash, e tankesh, e mijera provokimesh prej sherbimesh te infiltruara per te shkaterruar gjithcka, tregon nje pjekuri te jashtezakonshme te tyre per ta arritur lirine. Perkundrazi, ka nje konsensus te gjere nderkombetar qe ata te vazhdojne te qendrojne ne roberi e shtypje.

  • Problemi eshte vetem gjuhesor, sepse jam i sigurt qe askush ketu nuk ka qellim te kriminalizoje cdo arab, kur thote ‘arabet bejne kete ose ate’.

    Por meqe gjuha eshte e rendesishme, posacerisht ne fe, mendoj se shprehemi me qarte e sakte nese ne vend te formes shteruese ‘arabet jane duke shperdoruar jete njerezish’, themi ‘ne vendet e Gjirit po shperdorojne jete njerezish’. Dallimi eshte i vogel ndoshta, po saktesia etike mendoj qe eshte me e madhe kur shenjestren gjuhesore e cojme nga ‘gjenetika’ ne gjeografi.

    Duket si loje fjalesh, por tek e fundit me gjuhe edukojme shpirtin, me shpirt edukojme gjuhen. Ne te shumten e rasteve, gjeja me e madhe qe mundemi te aktivizojme eshte pikerisht nje fjale e mire, e asgje me shume se ajo.

    kerkoj hallall qe ndoshta po e teproj duke kerku gjilpera ne kashte, po me erdhi ta shkruaj kete, e nuk u frenova, pikerisht pse jemi anonime e nuk besoj se nderohemi ose turperohemi posacerisht nese diskutojme mes nesh per gjera te tilla.

      • Me fal per konfidencen, po dukesh qe nuk je fshatar:)

        Kam qene bari (nuk genjej) ca kohe, para se te zbrisja ne Tirane, po edhe po te mos kisha qene, te siguroj se ka kafshe shtepiake qe gelltisin edhe kacaviden pa problem. Gjilperat i kane per hapje oreksi:)

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *