Koha e zogjve





Pashko_VasaQani ju shpata e ju dyfeqe

shqiptari u zu si zog ndër leqe

 

Kështu pezmatohej dikur Vaso Pasha. E ajo “dikur” duket vërtet larg, ngaqë pasardhësit e tij dritëshkurtër harrojnë përherë dhe përsërisin gabimet deri në atë masë sa vesi shndërrohet në virtyt dhe e keqjanormë, para të cilës jemi dorëzuar kolektivisht. Pas një shekulli e gjysmë nga këto vargje, ne akoma jetojmë të shkuarën përmes nostalgjisë. Jemi gjithmonë aty, ndër leqe, sot më shumë se kurrë edhe të dorëzuar. Ndaj ëndërrojmë për BE-në, ngushëllohemi se për drejtësinë, të paktën, do të mendojë Zoti në botën tjetër, e ndërkohë kërkojmë të shkuarën. Natyrisht, te një person ose te një kolektiv për të cilin e shkuara është më e vyer se e tashmja, ndërsa e ardhmja ëndërrohet, mbizotëron pesimizmi dhe e tashmja paraqitet gjithnjë e më klaustrofobike. Si rrugëdalje mendohet e shkuara dhe ëndrra, thënë ndryshe e pakapshmja.

Ka njerëz që kujtojnë atë periudhë të cilën të tjerë ua kanë shpikur për t’i dhënë mundësinë e rrëmbimit imagjinar, aq i nevojshëm në shkëputjen nga e realiteti. Këtu pozicionohet turma shqiptare që gjen qetësinë emocionale tek shekujt e mesjetës, me pretendimin se ajo çka erdhi më pas ishte dalje nga Edeni. Një turmë tjetër shikon tek shekujt e mëvonshëm momentin kulmor të ekzistencës imagjinare. Të tjerë vajtojnë enverizmin e të tjerë zogizmin, madje ekzistonte shprehja nostalgjike, që nënkuptonte mirëqenien kolektive, “Si në kohën e Zogut”. Normalish, duke konsideruar se çfarë ndodhi pas 1944, periudha e Ahmet Zogut apo deri edhe vitet e pushtimin italian – thuhet se “në kohën e Italisë hante qeni petulla” – u mbushën me statusin e periudhës së artë. E nuk jemi të vetmit në këtë nostalgji: akoma sot në fshatrat e Bosnjës – thotë Noel Malcolm – përdoret shprehja “erdhën kohërat e Kulin-it”, bani i famshëm, gati legjendar, i shek. XIII.

Zog PulePashai shkodran rimonte zogjtë-shqiptarë kolektivisht të dënuar, sepse pa identitet kombëtar, ndërsa sot kohët kanë ndryshuar, megjithëse pjesërisht: mungesa e identitetit i ka lënë vendin mungesës së dinjitetit. Vazhdojmë të mbetemi në mënyrë konstante të dorëzuar, në një farë mënyrë ndër leqe. Ka ndryshuar qasja ndaj zogjve: nëse gjyshërit tanë mund të përmalloheshin me “kohën e Zogut” me Z të madh, sot 13 milion klikime i takojnë të ashtuquajturit “zogu i Tunës”. Në një epokë me dalldisje pas alegorive veçanërisht të tilla, nostalgjia për të kaluarën vjen akoma më normale. Sidoqoftë, problemi nuk qëndron te zogjtë e alegorive, që në fund të fundit nuk sjellin gjendjen e syrgjynosjes kolektive ndër leqe, aq më tepër kur janë pjesërisht brenda normave ligjore, pa çka se tentojnë të thyejnë etikën e shoqërisë shqiptare. Çerdhja e problemeve janë ata zogjtë e… zgjuar, dinakë, që mbijetojnë në kushte të ndryshme ekonomike, politike e sociale, sjellja e të cilëve në fjalorin shqipes standarde përkon me kuptimin e dytë të fjalës kopil.

Ata zogjtë që vjedhin pasurinë publike, me defter dhe në “televizor”, për të cilët zhvillohen demonstrata, vriten njerëz e gati shkërmoqen institucionet, e që pastaj pastrohen me ujin e shenjtë të kompromiseve, të pazarit të votave, dhe i kujtojnë zogjve kolegë se Kuvendi Popullor paska etikë. Ata zogjtë që duke tregtuar votën për 15 euro – inteligjencë savane kjo – kotësojnë votën e tjetrit, madje e bëjnë atë budalla. Duke u bërë tashmë traditë kjo gjë, në të gjitha ngjyrat e ylberit politik, vështirë të ketë njeri në Shqipëri që beson tek pesha e votës së vet, sepse zhvlerësimi i kësaj të drejte civile nuk është rezultat (apo risi) i këtij viti. Mund të vazhdohet deri te zogjtë e përditshëm, si për shembull ata të rrethrrotullimeve, që sot “vjedhin” një metër në shpejtësi, por nesër do ta humbin, e kështu me radhë shkathtësia kalon në stafetë dhe stafeta bëhet sistem total: ia “vodha” radhën njërit te dyqani i celularëve sepse jam i bindur që edhe ai do të ma “vidhte” mua, por u tregova më kopil në një sistem të kopilizuar. Dhe termi kopil në kuptimin e parë përkufizon një shkelje të normës, diçka që del jashtë të lejuarës. Ironike apo jo? Sot ky fenomen nuk është më shkelje, sepse normaliteti ka ndryshuar, ndërsa termi ka marrë tashmë si kuptim të parë dinakërinë, shkathtësinë, parakalimin e tjetrit, gjithmonë duke shkelur diçka dhe dikë, madje edhe këto sjellje janë normalitet. Si të themi, dikur “ishte koha e Zogut” e sot “është koha e zogut…”!

V. Popaj

Comments

  • Kam bere nje shkrim disa kohe me pare, qe rrok ne nje menyre tjeter kete punen e zogjve. Per analogji, ne diskursin e sotem politik fjala “zog”, per kthehet ne “pragmatist”.

    “Sipas një barcalete që qarkullon prej disa vitesh si një shpotitje ndaj politikës shqiptare, thuhet se Fatos Nano, në një takim me fshatarët e një zone të thellë diku në jug të vendit, pyetet nga një plak i vjetër se çdo të thotë pragmatist, sepse e kish dëgjuar shpesh kryetarin ta përmendte si fjalë. Nano i thotë se pragmatist do të thotë bir kurve dhe se ai e përdorte këtë fjalë për të mos tingëlluar keq, e për të mos i fyer drejtpërdrejt bashkëpunëtorët e tij. Atëherë plaku i përgjigjet: «Aha, po të jetë kështu, ju jeni pragmatistë të gjithë».
    Që me marrëveshjen Rama-Meta, prej javësh pragmatizmi është bërë teoria më e diskutuar në media prej politikanësh dhe analistësh. Njësoj si në rastin e Fatos Nanos së barcaletës, të gjithë e kanë rrokur këtë fjalë si gomone shpëtimi, për t’u hedhur në bregun përtej, nga ku mund të ushtrohet zanati i prostituimit, siç quhet ndryshe ai i politikës. Ndryshimi është që, nëse Nano i barcaletës quante pragmatistë të tjerët, këta quajnë vetveten. Mesa duket, prestigjatorizmi linguistik mbetet i vetmi mjet për të justifikuar menderosjen. Kjo më ngjan me atë halexhiun namuzqar që i thotë vetes tualetist, për të kuruar sadopak statusin e tij verbal.”

    http://www.e-zani.com/2013/06/11/pragmatizem-e-kontrabande-votash/

  • Nje nga pjeset me bukura qe kam lexuar ndonjehere tek e-zani, ndonese ketu periodikisht gjen gjera shume te bukura.

    Mbi analizen mund te diskutonim, ne ndonje pasazh a dy, po rrjedhshmeria figurative e stilit dhe mendimit e kapercen deshiren per diskutime

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *