Ilir KullaV. Popaj

Çështja e armëve kimike siriane po shndërrohet në dilemë për bordin e Ramës, ngaqë në kushtet e opozitës së djeshme, sot pozitë, shfrytëzonte çdo pretekst për të kritikuar bordin e Berishës, duke harruar se kur të vinte në pushtet do të duhej të respektonte koherencën e vet. Këto ecejaket e fundit – e nuk janë të vetmet – në lidhje me interesin strategjik dhe atë kombëtar, qytetar e rajonal, po i gërryejnë kredibilitetin e premtimeve parazgjedhore.

Në një vend ku tregtohet vota pa shqetësim, deri edhe nga shtresa studentore, nuk ka shumë rendësi se ç’mendon populli, por, të paktën, t’na kursehej tallja e analistëve militantë, siç i ka të gjitha premisat logjika marramendëse e një specialisti politik dhe gjeopolitik, që e kemi pasur edhe këshilltar e drejtues në organe të larta shtetërore. Nga ky zotëri mësojmë se Shqipëria duhet të shndërrohet në kosh ndërkombëtar plehrash kimike për tre arsye. E para, sepse ajo aderon në disa organizma globale, ku bën pjesë edhe NATO, pra, për pasojë – pohon ai – «Shqipëria ka detyrimin ndërkombëtar që, në rast se i kërkohet, të zbatojë rezolutat e OKB, përfshirë dhe Rezolutën e 28 shtatorit, si dhe nenet 4-5 të NATO-s».

Po përse vetëm ne kemi detyrime të tilla? Sepse jemi «vend mesdhetar shumë afër me Sirinë, por jo kufitar me të, si Turqia dhe Greqia dhe, mbi të gjitha, jo palë në konflikt», sqaron me tej z. Kulla. Të jetë vallë Greqia kufitare me Sirinë? Mbase specialisti i gjeopolitikës nënkupton faktin se mes Sirisë dhe Greqisë ndodhet deti, por, si fillim, mes këtyre vendeve gjendet një shtet tjetër ishullor (Qiproja). I njëjti det pastaj (Mesdheu) lag (“ndan”) gjithashtu brigjet e Sirisë dhe të Shqipërisë, por edhe ato të Francës, Italisë, etj., e nëse zgjatemi në oqean, me këtë logjikë, Siria kufizohet deri edhe me SHBA-në!

Përtej njohurive gjeografike, habit fakti se përse Shqipëria duhet të ndjehet e detyruar dhe fjala bie, Italia, jo. Për ta bindur lexuesin, analisti nxjerr perlën tjetër: «Shqipëria, si ish-vend komunist dhe si ish-vend militarist, i ka kapacitetet për t’u bërë i mundur transporti hde depozitimi i këtyre armëve në reparte të sigurta ushtarake nën mbrojtjen dhe monitorimin e NATO-s». Me sa kuptohet, të jesh vend me të kaluar komuniste dhe militariste të bën automatikisht të gatshëm për neutralizimin e armëve kimike!

Ne duke çmontuar ca predha, mina e shashka të një teknologjie arkaike hodhëm në erë Gërdecin, dhe fati apo mëshira e Zotit mundësuan që të mos kishte më njerëz në atë repart (të deklaruar të sigurt) dhe përreth. Pastaj se sa kemi bërë përparime mund ta verifikojmë kollaj me aksidentin e rëndë në minierën e Pogradecit ku për të nxjerrë 5 viktimat të asfiksuara nga CO2 shtetit tonë të specializuar, ish-komunist dhe militarist, me misione në Afganistan dhe Irak, iu deshën më shumë se 24 orë: «këmbëngulja e familjarëve, të cilët kërcënuan se do të hynin vet në galeri për të kërkuar trupat e fëmijëve të tyre nëse ndërpriteshin kërkimet, bënë që ata [specialistët tanë] të vazhdojnë [kërkimet]» – informon TCH. Nuk përballojmë dot gazin e gjeneratorit; nuk kemi mjete të përballojmë një katastrofë natyrore, si p.sh zjarri i pyjeve: deri edhe Mali i Zi ka avionë të posaçëm…

Akoma më domethënës është supozimi ngushëllues, apo suposta kolektive, e monitorimit nga NATO, sepse do të thotë që ne kemi nevojë për kontroll, pasi vetë jemi të paaftë. Sa të na monitorojë NATO-ja, duke sanksionuar paaftësinë tonë, më mirë të çmontohen në vende ku ka besim. Dhe kulmi, analisti pretendon se «Shqipëria ka nevojë të ngrejë prestigjin dhe besueshmërinë e vet», por as ai vetë nuk beson tek kualifikimi shqiptar pa monitorim nga lart.

Artikulli përfundon me urimit tipik të konkurseve të bukurisë në të cilët zoçkat deklarojnë mesazhin e paqes në botë. Duket intervista e një Misi, por janë fjalët e Iliri Kullës: «ka ardhur koha që Shqipëria të bëjë detyrat e veta për paqen dhe sigurinë e botës». Këtu arrihet apoteoza: Shqipëria duhet të minojë vetveten për të shpëtuar paqen në botë! Pikërisht ne që po shqyejmë njëri-tjetrin, që vjedhim votën e çdo gjë publike, sepse na mungon çdo pikë referimi e vetëdijes civile. Nuk ka shumë rëndësi replika “përse nuk sakrifikohet vendi që prezantohet si tempulli i paqes botërore, SHBA-ja”, se sa fakti që Shqipëria duhet të bëhet altruiste.

E kush këshillon të jemi vend altruist? Ilir Kulla! Dy vite më parë, në prag të votimin në OKB për njohjen e autoritetit palestinez, Kulla botonte tek Panorama një artikull në të cilin rendiste në mënyrën më cinike arsyet përse shteti shqiptar nuk duhej që ta njihte të drejtën e një populli të masakruar për të pasur shtetin e vet. Duhet pranuar, nga këndvështrimi i ftohtë i interesave strategjike, Kulla kishte të drejtë atëherë. Mirëpo si shpjegohet që për Palestinën, e raste të tjera, vlen interesi dhe jo morali, ndërsa për pranimin e armëve kimike në shtëpinë tonë – një çështje shumë më jetike se Palestina – nuk vlejnë më interesat, por altruizmi?

T’u hiqet nënshtetësia kosovarëve që luftojnë në Siri, shkruante Halil Matoshi para disa ditësh, «për hir të sigurisë së përgjithshme në Kosovë dhe rajon, për hir të sigurisë nacionale të aleatëve të Kosovës […] si dhe për ruajtjen e stabilitetit të vendit». Po shqiptarëve që duan të sjellin armët kimike në Shqipëri? Këto jo. Këta i kemi bërë specialistë të marrëdhënieve ndërkombëtare, por aq ndërkombëtare dhe private ama sa është harruar ajo që përkufizohet si kombëtare. E nëse ky vend është një hale mbeturinash, fenomenesh, produktesh ushqimore, ndërtimesh, etj, për këtë u detyrohemi edhe këshilltarëve tanë të specializuar.   

                 

Comments

  • Dje ne nje emision ne Rai 3 mbi “muxhahidinet shqiptare ne Siri” gazetari italian thoshte per te sipercituarin “nje spiun porfesionist qe nuk i dihet se kujt i sherben dhe ku e ka koken…”
    Keto jane analistet tane te gjeopolitikes qe duan te na shesin sapunin per djathe pa piken e turpit!!!

  • Ky paqedashesi njihet edhe si personi i vetem qe ka akuzuar kreret me te larte te Komunitetin Musliman, per kercenim me jete, me c’rast beri edhe nje denoncim ne polici, prej te cilit te gjithe imamet e Tiranes, u moren ne rajon, pa asnje mandat si me qene cuna lagjeje ne nje bilardo.

  • Ky genjeu reth faktit se na e kerkoi NATO. Tjeter pastaj nese NATO ka te drejte obligimi. Ne konfliktin kosovar ku u angazhua NATO, per shembuull, Greqia nuk mori pjese, per te mos thene se ishte e angazhuar me vullnetare perkrah serbeve.

  • Jo vetem kaq, por NATO pergenjeshtroi vete qe te kete kerkuar nje gje te tille per Shqiperine. Perkundrazi, ceshja e armeve kimike eshte ne varesine e OKB-se, nderkohe qe sot po dalin shume njerez ne Bruksel qe po kundershtojne kete ndermarrje.

  • Sot ne mengjes ky deklaroi se i kemi nje borxh Amerikes, duke levizur ne menyre flagrante nga justifikimi i me NATO-n, pasi kjo u pergenjeshtrua nga vete NATO.
    Mirepo mbreme Arvizu tha haptazi qe Shqiperia nuk i ka borxhe Amerikes. Fallsitet ose jo, nuk eshte nevoja qe sanalepires e mashtrues te marrin persiper borxhe fantazioze. Shqiperia eshte djegur ne 1997 dhe me ate rast i kemi lare te gjitha “borxhet”.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *