Darka_e_LamesKy çmim është shumë më tepër se tragjik. Fituesja, Elida Buçpapaj, përdor viktimat e minierës së Pogradecit për të bërë retorikë politike, dhe jo kundër pozitës, por ndaj opozitës, me një argumentim fajësimi mëse absurd: nuk kanë reaguar në facebook! Sikur facebook-u ka zëvendësuar fletoren zyrtare, arkivat dhe çdo mjet tjetër komunikimi.

«Sot deri në mesditë bëra një hulumtim në rrjetin social të Facebook-ut për të parë se si është reflektuar tragjedia e 7 shqiptarëve. U fokusova në Facebook për të parë përgjegjshmërinë e opozitës shqiptare, sepse këtu është vendi ideal ku ata shprehin hipokrizinë e radhës. Aq më tepër, edhe për faktin se e kanë drejtuar vendin prej shtatorit 2005 deri në shtator 2013 […].Vetëm kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe deputetja Albana Vokshi […] kanë gjetur hapësirë në faqet e tyre zyrtare në Facebook për të përfshirë tragjedinë dhe ndjenjën e mëshirës […]. Por lideri i opozitës nuk analizon shkaqet e humbjes të shtatë jetëve. Nuk guxon. Nuk guxon të thotë se „faji është joni“!»

Që nga shtatori vazhdon akoma trendi i fajësimit të ish-pozitës për çdo problem. Paaftësia e pozitës së re për të kontrolluar territorin shqiptar, aq më tepër kur zotohet se mund të çmontojë armë kimike ndërkohë që nuk ka as mjetet apo specialistët e përballjes me dioksidin e karbonit, kalon në plan të dytë për shkak se propagandohen si mëkate mospublikimi në facebook i indinjatës së opozitës. Është e thjesht të thuhet “fajin e kanë ata”, kur për 8 vite na është hapur koka dhe barku duke pohuar “se Ata janë të dështuar, ndërsa Ne jemi shpresa, e ardhmja, shteti i mirëqenies sociale, Rilindja”. Nëse pozita e djeshme ka faj në ketë tragjedi, e sigurisht që ka, po aq faj ka edhe opozita e djeshme, pasi e ka për detyrë kontrollin e pozitës. Tani le të marrin përgjegjësitë, ashtu si analistët e moralit politik.

«A ka vlerë jeta e njeriut në Shqipëri! Jo nuk ka asnjë vlerë. Shihini këta shtatë viktima, që e humbën jetën për bukën e gojës ose sepse kushtet e punës sjellin vdekjen».

Kush i shkruan këto fjalë duhet të shikoje veten në pasqyrë, jo për t’u krehur kur digjet fshati, sepse viktimat nuk janë mish për skrapin e propagandës militantiste. Hipokrizia e shqetësimit ndaj tragjedisë është tallje e dyfishtë me vdekjen e Tjetrit. Të vijë nga politika edhe mund të kuptohet, por jo nga “inteligjenca”.

***

Si rrallë herë beteja për vendin e parë dhe të dytë ka qenë mjaft e luftuar, por menduam që Ilir Kulla të ngushëllohet me argjendin pas bujës me prononcimin e tij entuziast në favor të demontimit të armëve kimike siriane. Sipas Kullës kjo gjë do t’i rrisë prestigjin dhe kredibilitetin Shqipërisë tek partnerët ndërkombëtarë në NATO! Me sa duket fakti që asnjë vend, veç Shqipërisë, nuk i del për zot kësaj pune përbën një arsye ngadhënjimi. Duhet të jemi krenarë që më në fund mund të fitojmë në një garë ndërkombëtare, megjithëse pa asnjë konkurrent e megjithëse gjithë të tjerët duan të jenë humbës. Gjithashtu, Kulla pohon se demontimi i këtyre armëve jo vetëm nuk ndot mjedisin, por, përkundrazi, do të sjellë një kontribut për ruajtjen e tij:

«Ne jemi pjesë e NATO-s. Konflikti sirian degjeneroi për pak në një luftë globale. Dhënia e kontributit për shkatërrimin e arsenalit kimik është një kontribut për paqen dhe ambientin, pavarësisht se ambientalistët janë kundër».

Nuk është e qartë nëse ai aludon që Shqipëria do të kontribuojë në mbrojtjen globale të mjedisit, nëpërmjet në gjesti altruist, duke i sjellë ndotjet kimike në vendin e saj, apo për shkak se është i vetmi vend në botë që ka kapacitet për një operacion të tillë. Normalisht, në rastin konkret me kapacitet duhet të kuptojmë papërgjegjshmërinë absolute. Megjithatë, fjalët e tij kanë ndikuar ndjeshëm edhe në qetësimin e popullsisë – tamam sikur dikush, pas të famshmeve “gjashtë ditë bukë” të Ylli Bufit, të thoshte “kemi edhe njëzet ditë petulla” – duke siguruar se gjithçka që po ndodh është një fat i madh për shqiptarët. Pas këtij prononcimi, qytetarët duhet të kenë një mundësi më shumë për t’u krenuar me moton “oh sa mirë me qenë shqiptar”: kështu është kur ekspertët e Lindjes së Mesme, ku vetërenditet Kulla, janë specializuar në krijimtarinë e 1001 netëve. Por për t’i dhënë altruizmit shkëlqim të plotë, propozojmë që Kulla t’i çmontojë armët në shtëpinë e vet.

***

Vendin e parë e meriton jo më pak se presidentja e Kosovës. Deklaratat e saja mbi superioritetin kanunor të maleve shqiptare, deklaratat marramendëse mbi laicitetin, të padëgjuara askund, një mori deklaratash politike, duke përfshirë këtu edhe shfaqje vizuale cullakërie përballë Shën Mërisë me shami, tregojnë se znj. Jahjaga është gjithmonë një konkurrente e fortë.

Këtë rradhë, ashtu si vitet e tjera, herë në tetor e herë në nëntor, ajo na la përsëri pa fjalë në përkujtimin e Darkës së Lâmës, ose darkës kosovare të falënderimeve, e cila pretendohet se ka një traditë të lashtë prej kohës së ilirëve: iliri i parë i dokumentuar që e pati organizuar një ceremoni shtetërore për festimin e saj ka qenë ish Presidenti Rugova. Ai i ka dhënë festës një natyrë të përafërt me Thanksgiving Day, e jo rastësisht komuniteti fetar që e përkujton me ëndje është ai protestant në Kosovë.

Lutja e ditës është: «Zoti Ju bekoftë Juve / Zoti i Bekoftë miqtë e Kosovës / Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj». Duket sikur është shkëputur nga ndonjë miting i Berishës, por tërheq vëmendjen fakti se dardanët paskan qenë monoteistë, tamam si ne sot, dhe zoti i tyre nuk paska pasur emër, mbase për të mos ofenduar emocionet e komuniteteve fetare kelte, trake, dake, etj.

Jahjaga flet me kompetencë për atë çfarë studiuesit nuk e kanë ende aspak të qartë:

«Jemi mbledhur sot së bashku, të gjithë ne qytetarët e Republikës së Kosovës, me miqtë tanë në këtë festë në përfundim të korrave [!], për t’iu gëzuar bereqetit [!] që na ka falur Zoti [!] në këtë tokë pjellore të vendit tonë. Dita e falënderimeve [!] është festa jonë [!] tradicionale [!], e moçme, që prej kohëve të dardanëve ilirë [!], që ka bashkuar të gjithë njerëzit [!] e Kosovës [!] rreth njëri-tjetrit për të ardhmen [!] e tyre».

Me padurim presim publikimin e dokumentacionit arkivor apo testamentin rugovian që fakton zbulimet e presidencës kosovare, duke u bërë kështu një referencë e rëndësishme për punimet shkencore kulturologjike, gjë që mund të sjellë një revolucion në shkencat antropologjike, etnologjike, historike, etj. Veç të tjerash, “studimi” bart edhe vlera me impakt në fushën gjeografike e meteorologjike: ai vërteton ndryshimet klimaterike përderisa të korrat e «bereqetit» – fjalë tipike dardane kjo (!) – për dardanët janë mbajtur në nëntor (!). Mbase, pastaj, do të na shpjegohet si ka mundësi që bakllavaja dhe byreku (tradicionalisht oriental), të pranishëm në tryezën e festimeve, të jetë njohur edhe nga dardanët. Mbase e ka origjinën me Shën Palin!

Dikush u ankua se Maqedonia po shpik mite! Të paktën ato kanë ekzistuar, kurse institucionet kosovare majmunizojnë festa amerikane dhe i dardanizojnë me bakllavanë dhe byrekun turk. Ndërkohë elita kosovare qëndron në hava, pa asnjë lidhje me masën dhe traditat reale.

 

Comments

  • Evitimi i gjelit te detit ne Darken e Làmes,(kam frike se do ta rrjepin vitin tjeter per ne sofer kafshen qe te peshtyn), si imitim i plote i Thanksgivings ,me siguri eshte bete per te evituar orientalizimin e metejshem te sofres, perderisa anglisht shpendit ne fjale i thone Turkey.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *