Çmenduria e armëve famëkeqe





Armet kimike protestaBruna Zadeja

Mjafton të jesh minimalisht pak i zgjuar, pak i ndjeshëm, pak parimor që çmenduria, e cila po na kalon mu përpara syve, të prodhojë aty për aty respektin për veten e ndjenjën e përgjegjësisë për tjetrin. Përpjekjet për të analizuar këtë çmenduri, së cilës nuk i është vënë qoftë edhe një emër formal për të krijuar të paktën një fytyrë hipokrite, pas së cilës të fshihet,  vetvetiu krijojnë lodhje dhe naivitet logjik, për pasojë  edhe dëshpërim, deri në humbje të shpresës. Por çmendurisë s’mund t’i përgjigjesh me logjikë, mundet vetëm të pretendosh ta shërosh përmes saj. E sot shqiptarëve nuk duhet t’u interesojë shërimi i çmendurisë, por shpëtimi prej saj, e ky shpëtim vlen të ndodhë në kuadrin e një ligjërimi ironik  dhe shpirti rrebelues.

Sot më shumë se kurrë vepra dhe inisiativa verbale duhet të shkojnë në sinkron me njëra-tjetrën si asnjëherë më parë. Sot, ndoshta për të parën herë në të gjithë historikun tonë, më në fund e kemi fatin në dorë për ta projektuar ashtu siç duhet e siç na takon, mbi të gjitha duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë. Ky këndvështrim propozon zëvendësimin e logjikës sensibël, sipas së cilës ne shqiptarët duhet të pretendojmë mëshirën e vendeve fqinje për të dalë nga kjo gjendje, me logjikën e vetëbesimit, sipas së cilës, ne nuk kemi nevojë që të na mëshirojë kush për t’ia dalë mbanë.

Pra ndodhemi në një situatë problematike të cilën s’mund të na e zgjidhë askush përvec vetes, edhe sikur të donim, po edhe sikur të donin. Në këtë kuptim  drejtimi i syve kah shtetet fqinje si thirrje për të na mbrojtur e mëshiruar janë të panevojshme, e aq më tepër pastaj qendrimet hatërmbetëse karshi tyre, duke besuar fort se kështu duhet të bëjnë në fakt  popujt e rritur. E trajtuar me doza sportiviteti kjo situatë problematike me të cilën po përballemi s’mund të na mposhtë, qoftë edhe në rrafsh emocional e psikologjik. Kjo nuk nënkupton mungesën e seriozitetit mbi drejtëvlerësimin e asaj që po ndodh. Përkundrazi ruajtja e një ekuilibri psikologjik shërben si kusht paraprak, pa të cilin qendrimi serioz nuk arrin dot të realizohet. Kjo do të thotë se nuk mjafton vetëm të reagosh, të mbash qendrim, të vetëmbrohesh, por edhe të dish se si t’a menaxhosh, si të ruash ekuilibrat e t’i demonstrosh ato pastaj si shprehje e këtij reagimi. Duket gati e pamundur të përcaktohet nëse është fat i mirë apo i keq që Shqipëria ende nuk e ka konsumuar gurin e të qenurit e fortë, por një gjë është e sigurt; shqiptarët janë të përmalluar për ta luajtur këtë gur.

Në këtë kontekst është interesant cilësimi i faktit se protestat po ndodhin në mënyrë krejt të pavarur politikisht e vetvetiu pa ia ndjerë nevojën orientimit nga lart. Gjithçka po ndodh me shpirt dhe mu në shpirt të shqiptarit. Duket se ata po i injorojnë plotësisht këtë herë shpatullat e gënjeshtërta ku mbështesin zakonisht kokat e tyre plot halle. Se sa vlen e çfarë treguesi është ky më mirë të mos zgjerohemi. Meqenëse këtë herë, sado i fajshëm të ketë qenë sovrani në naivitetin e votës së tij, kritika më së fundi duhet të jetë për të. Asnjë forcë pozitive e popullit për t’u vetëshpëtuar, sado e vogël qoftë, është harram të shpenzohet për të drejtuar sadopak bishtin e qenit që më së pari e lejoi çmendurinë.

Nuk mund ta kursejme dot konstatimin se çmenduria hyri në Shqipëri përmes çmendurisë e do t’i duhet të dalë përmes shkelmit. Pra jemi duke thënë se forca sovrane këtë herë s’mund të jetë bashkim i ndjeshmërisë (duke pritur t’na sigurojë shteti) si rrezik i tronditjes psikologjike me shpresën në forcat e  huaja (duke pritur t’na mëshirojë bota), sado të përzemërta qofshin ato dhe qëllimet e tyre. Kjo forcë po gjeneron së brendshmi e kështu duhet të vazhdojë sepse në mënyrë të drejtëpërdrejtë jeta e çdo shqiptari gjendet e kërcënuar nga rreziku, e po kështu edhe e ardhmja e vendit. Se sa i rëndësishëm qe ky fakt për vizionarët e vendit është evident, sa kohë po përpiqen të na mbushin mendjen se kjo që po ndodh nuk është fatkeqsi e së tashmes dhe e së ardhmes, por përkundrazi një detyrim që duhet përmbushur në shenjë bashkëpunimi e respekti ndaj “të tjerëve.

Këta pragmatistë të çthurur, vizioni i të cilëve nuk shkon më larg se dëshira për pushtet, nuk ka sesi të jenë të frytshëm pasi, kur nuk ua ndjen për të tashmen e këtij populli nuk ka se si të rregullojnë të ardhmen e tij.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *