Erion_Brace

Një zbulim gazetaresk merr çmimin të tretë. Në vijimësi të seriozitetit të fituar pak para zgjedhjeve të 23 qershorit, Gazeta Dita e pa të arsyeshme t’i referohej një cirku, siç është shndërruar Gazeta Shqiptare, për ta informuar lexuesin se «Alfred Çako, ish-kandidat për deputet në listën e Korçës nën siglën e FRD-së» paska zbuluar se «këshilltari amerikan i Berishës është pjesë i një urdhri okult që kontrollon botën». Më në fund edhe Berisha doli i ndërlidhur diku me komplotin botëror, madje, sipas deklaratave të Çakos, si ingranazh i urdhrit «Skull & Bones», e jo thjesht agjent i UDB-së:

«Çako, pronar i një shtëpie botuese që ka nxjerrë në treg një sërë librash ku trajtohen teoritë konspirative, flet rreth librit të tij “Skull&Bones: urdhri që kontrollon botën”».

«Tetë vitet e qeverisjes së PD në Shqipëri, veç ambasadës së SHBA në Tiranë, personi që ndiqte interesat e këtij grupi që kërkon të vendosë Rendin e Ri Botëror, ose thënë ndryshe grupit që është në ndërtim e sipër të “Kullës së fundit të Babeli”, ka qenë Tom Ridge, i dërguari special si këshilltar i kryeministrit Berisha”».

I gjori Bamir çfarë niveli ka kandiduar! Çako-ja – jo Norris – i paska marrë seriozisht trillimet e librit, po aq seriozisht ama sa e konsumuara Gazeta Shqiptare dhe ylli rilindës i Ditës kanë përcjellur menjëherë lajmin bombastik të Berishës komplotist. Nuk po zgjatemi tek pikënisja paradigmatike e gazetarit: kontrolli i informacionit, sepse jo çdo budallallëk, qoftë edhe me armikun (Berishë), përbën informacion. Por thjesht po kujtojmë Ditën e para ca ditëve:

«Emri i kryeministrit të Shqipërisë Edi Ram figuron në listën e zyrtarëve që do të marrin pjesë në një pritje prej më shumë se 500 vetëve që multimiliardieri George Soros, ka organizuar me rastin e martesës së tij të tretë […]. Kryeministri i sotëm ka qenë dikur, përpara se të futej në politikë, fitues i një burse nga dega e Fondacionit Soros në Shqipëri, një nga organizatat me donacione më të mëdha në shkallë globale».

 

Një gazetë që pretendon se bën informacion duke cituar fantazinë e Çakos, ndërkohë që kryeministrin Rama a paraqet të lidhur me Soros-in thjesht nga bursa e dikurshme, kur fondacioni ka dhënë mijëra të tilla dhe vetëm 500 ishin dasmorët, e ndërkohë që me logjikën e dasmorëve-bursistë duhej të ishte gjysma e kabinetit të Ramës në atë dasmë, minimumi tregton barsoleta që do ta shndërrojnë në karikaturë të mediave paraardhëse tashmë të fosilizuara si relikte të gjendjes së vajtueshme të vendit tonë. Mileti nuk ha barë deri në atë pikë sa të besojë që Rama ishte ftuar si valltar i shquar i Napolonit, e që Berisha bënte politikë të pavarur nga ndërhyrjet e dukshme dhe të padukshme ndërkombëtare.

****

Shumica absolute e opinioneve mediatike ishte kundër pranimit të asgjësimit të armëve siriane në Shqipëri, përveç inkubatorit intelektual të UET-it e gazetës familjare dhe ndonjë “specialisti”. Pasi u shemb preteksti i Çilit mbi obligimet e NATO-s, gazetari Lela ricikloi Po-në e pronarit, qëndisi altruizmin e munguar dhe doli me një Po trekatëshe:

«PO, sepse Shqipëria do të bëhej pjesë e një zinxhiri humanitar veprimi. […] PO, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’i mbajmë mend, i kanë ndërmarrë disa aksione në favor të shqiptarëve, dhe me njëfarë rreziku sa kohë bëhet fjalë për bomba lufte e balanca ndërkombëtare».

Me fjalë të tjera «Shqipëria, me atë JO, ka mbetur edhe njëherë jashtë botës». Kemi të drejtë të pyesim se cilës botë? Bota nuk i pranoi ato armë apo lëndë, madje mjaft shtete u munduan t’ia ngecnin njëri-tjetrit duke ofruar mbështetje të ndryshme por jashtë shtëpisë së vet. Nëse Shqipëria do të pranonte misionin, do të mbetej vërtet jashtë botës, e vetme, si dikur në 1967 për motive të tjera. Dëshira dhe mundësia nuk janë sinonime.

Një individ mund të jetë altruist p.sh me donacione, ashtu si një gazetë mund ta tregojë altruizmin duke vënë në plan të parë fatkeqësitë e tjetrit, konkretisht të popullit sirian, por ndodh që MAPO-ja e Lelës i ka kushtuar më shumë hapësirë lajmeve me çmontimin e armëve kimike në Shqipëri se sa konfliktit, duke arritur në disa informacione frikësuese me «kosovarë që nuk do të vijnë për pushime në Shqipëri nëse depozitohen armët siriane»: do të thotë më shumë hapësirë lajmeve për interesin tonë se sa për «fëmijët, gratë e pleqtë sirianë»!

Duke hequr lajmet mbi klandestinët, ato mbi synimet e politikës amerikane në Siri, sensibilizimi mbi situatën siriane, le pastaj editorialet, merr shumë pak hapësirë në altruizmin e Lelës. Shtojmë këtu edhe artikuj indiferent ndaj problemit të vërtet sirian: Asad: Opozita stërvitet në Kosovë për të pushtuar Sirinë, Dhjetëra vullnetarë nga Maqedonia në luftë kundër Asad-it, Vritet një tjetër shqiptar në luftë kundër Asad në Siri, Rebelë shqiptarë në Siri, historitë e tre të vrarëve, A ia vlen të vriten shqiptarët myslimanë në Siri?, Siri, rebelët therin njerëzit e Asad në sy të fëmijëve: a ja vlen të mbash anën e tyre?, Asad intervistë për ‘Der Spigel’: Perëndimi ka më shumë besim tek Al Kaeda, Kosovë, grup i dyshuar për lidhje me Al Kaedën. Kjo nuk është as gazetari e as altruizëm.

Retorika e konsumuar, «ato lëndë kimike që gjenden në Siri përbëjnë një rrezik më të madh aty ku janë, pra për fëmijët, gratë e pleqtë sirianë […] apo të depozituara diku në një zonë të pabanuar në Shqipëri, nën një kordon profesionist sigurie të udhëhequr nga ekspertë të huaj?», çmontohet më kollaj se armët siriane. Duke qenë se Siria është e detyruar të dorëzojë armët në fjalë, dhe e ka bërë, e madje pjesërisht i ka shkatërruar vetë – pra nuk janë nën kontrollin e saj, në të kundërt sulmohet nga SHBA-ja – rrezikshmëria e atyre armëve për Sirinë ka marrë fund, gjithmonë nëse besojmë tek garancia amerikane, e nëse nuk besojmë, e kotë që mbi atë ndërtojmë hipotezat e sigurisë së çmontimit në Shqipëri.

Diku Lela citon se Arvizu ka «‘qortuar’ glorifikimin e Amerikës [dhe] ka bërë të qartë që e vlerëson këtë përkushtim [shqiptar], por Shqipëria kërkon të integrohet në Europë, dhe nuk mund të jetë shteti i 51-të i ShBA-ve». Sot na kujton historinë: «sa u detyrohemi amerikanëve për këtë sovranitet, vetëvendosje e shqiptarësi, që nga 1919-a e këtej?». Po zgjatu edhe pak gazetar, se kështu duket spekulim i pastër dhe njohuri mediokre: vendimet e Willsonit në 1919 nuk u ratifikuan nga vetë politika amerikane, e cila nuk i njohu as ato e as Traktatin  Versajës, e madje nuk aderoi as tek Lidhja e Kombeve, që tregon se ç’tha Willson mbi Shqipërinë pati fatin e “sa thana janë e kokrra s’bajn”; Rusvetli me dy miqtë e tjerë vendosën që Shqipëria të ishte pjesë e regjimeve komuniste; për 10 vite SHBA pengoi aderimin e Shqipërisë në OKB me pretekste që shumë mirë vlenin për mjaft vende të tjera anëtare; jo të gjithë shqiptarët e kanë harruar sjelljen e ambasadores Mariza Lino në pranimin e pushtetit të dalë nga barbaria e 1997. Sjelljet apo “mirësitë” amerikane janë derivate interesash dhe refuzimi ynë ndaj armëve kimive siriane, si rezultat i pamundësive, është gjithashtu interes, madje kombëtar.

Në filmin Emri im është Askush, i Serxho Leones, protagonisti (Terens Hill) tregon një fabul për rivalin (Henri Fonda): një zog, duke u dridhur prej të ftohtit bie nga pema, por aty kalon një lopë dhe i lëshon një «tortë të ngrohtë». Megjithëse më ngrohtë, zogu vazhdon të ulërijë «piu, piu», derisa e dëgjon një kojot i vjetër, i cili afrohet, e nxjerr nga bajga, «e pastron mirë e mirë dhe e gëlltit me një kafshatë». Morali, thotë rivali (H. Fonda), është se «jo të gjithë ato që të hedhin në m… janë armiq, e jo të gjithë ata që të nxjerrin nga m… janë miq». Kjo vlen edhe për raportin miqësi/kohë.

****

Vendin e parë për këtë javë e zë pa dyshim Erjon Braçe, i cili u bë kryefjala humoristike kudo në hapësirën virutale shqiptare, me apologjinë e tij për armët kimike, ku shprehej se mund ta prekte sarinën dhe pastaj të lante duart me sapun, pa e gjetur asgjë, duke rivalizuar kështu edhe bëmat e Sari Salltikut. Braçe, me modelin pyetësor të Sokratit, ia tha këto një studenti, teksa po rrekej ta bindte se protestuesit janë të gënjyer. Këtë dialog, i cili ka bërë xhiron e të gjithë hapësirës on-line ndër shqiptarë, po e sjellim sipas një varianti më të besueshëm nga burimet tona:

Braçe: Kush të ka thënë që është dramë.
Studenti: Media
Braçe: E para të ka gënjyer, çfarë është drama? Luhet apo nuk luhet?
Studenti: Luhet
Braçe: Atëherë kush do ta luaj, unë dhe ti…
Studenti: Po vendet e tjera pse nuk e luajnë këtë dramë?
Braçe: Ku e di ti?
Studenti: Kemi parë të gjitha kartat, studimet, nuk i lënë të futet as në kalendarin teatror.
Braçe: Kë studim mor kë studim?
Studenti: Unë s’po flas kot, kemi parë gjithë ato afishe
Braçe: Kë studim, më thuaj kë studim?
Studenti: Po nuk ka rëndësi
Braçe: A e kuptoni që po ju gënjejnë mor, po ju gënjejnë… A e di çfarë është mandarina?
Studenti: Po e di, frut është…
Braçe: Po nuk është frut mo, është lëng frutash, e di si të shpifet në diabet? Vetëm me tafma. Mund ta marrësh ta prekësh në dorë dhe s’të bën asgjë. T’i lash duart me sapun, njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyren dhe s’të bën asgjë. Çfarë dëgjoni mo?
Studenti: Pse nuk e luajn vendet e tjera, vetëm një gjë më thuaj pse nuk e luajn?
Braçe: Cilat vende mo, cilat vende?
Studenti: Burundi
Braçe: E di ti ku bien Bermudet mo? Nga do t’i bjeri mo për të shkuar në Burma? E di ti ku është Guniea Bisao?

Pasi i shpjegon studentit se kali i bardhë i Skënderbeut është i bardhë, ndodh metamorfoza e Sokratit në Sari Salltik.

Comments

  • sari salltiku ka qene dhe eshte nje personazh shume i ndritur i folklorit ballkanik, qofte per ekzagjerimet qe rrethonin figurat e evlijave qemoti qofte per shprehjen e pernderimit qe njerzit kishin dikur per figura fetare si ai… (pavaresisht perthyerjes qe ka marre ai ne mesin e atyre qe me teper jane injorante se sa bektashinj)

    me vjen keq, por gjeni dike tjeter me te cilin te krahasoni nje palaco si erion brace

    • Pikerisht sepse Sari Salltiku e “ndrit folklorin” dhe politika jone eshte shnderruar ne folklor vlen amkoma me shume kjo analogji. Dhe jo vetem kaq, por larja e duarve me sapun, kur nga ai gaz kane vdekur ne Siri me qindra persona, eshte gjest i ngjashem me ato “ekzagjerimet”, sic thua ti (une do t’i quaja legjenda), te Sari Salltikut. Ne fakt, fluturimet legjendare te Sari Salltikut zbehen perballe bemave te Braçes.

  • Faleminderit, se nuk e kisha pare ate pjesen kur i shpjegon qe sarini nuk eshte gaz, por leng, me pretendimin e deduktuar se te vret kush eshte gaz dhe jo kush edhte leng. Me kete ben gar-gara, e meqenese eshte pa ere, pse jo, lan edhe rrobat. E pa vend te thuhet se kontakti i tij me lekuren eshte vdekjeprures aq sa, jo me kot, nuk mjafton maska per te perballuar kete lende.

    Me kete nivel politike dhe vendimarrjeje ne kemi dashur te sjellin nje helm. Kemi dashur te fleme te sigurt sepse vetem kur hidhet ne ere – thote shefi – ben dem, ne te kundert mbetet “leng”.

    Dhe i ben leksion atij te riut! Nje lektor rruge, tamam si Sokrati. Po pse na denoi Zoti me keto Sokreter xhanem?
    Tani po ndjej keqardhje pse nuk erdhen “lengjet” dhe t’i çonte Braçe ne shtepi, te bideja: keshtu shpetonte Rama, Arvizu, Siria e bota.

    Per Lelen duhet çmimi i maskarallekut, se tani qe Berisha nuk eshte ne pushtet guxojne te thithin edhe diku tjeter. A jo, nese pretendojne ndertimin e brezit te ardhshem, keshtu jo. Me mire fabrikat e diplomave se fabrikat e trushplareve me diplome.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *