egesta1

e.zani

Për të dytin vit radhazi një studiuese shqiptare merr çmimin ndërkombëtar në fushën e kërkimeve mjekësore nga European Association of  Nuclear Medicine, së fundmi për projektin e tomografisë dhe PET-it, si metoda diagnostikimi të sëmundjeve tumorale. Quhet Egesta Lopçi dhe ka mbaruar studimet në Bologna ku prej vitesh është e angazhuar në fushën kërkimore onkologjike në Itali pranë Istituto Clinico Humatinas. Gjatë kësaj periudhe ka botuar një sërë artikujsh shkencorë dhe është bashkautore në mjaft libra të profilit.

Nuk është hera e parë që përpiqemi të evidentojmë vlera të panjohura të shqiptarëve në fushën e studimeve, të cilat kalojë krejtësisht pa vëmendjen e shtetit apo medias. Nuk ke si të mos krenohesh, por edhe (menjëherë) të mos trishtohesh kur mendon se shumë nga kolegët e saj në Shqipëri nuk e lenë tjetrin të vdesë – kjo nuk është metaforë – pa e zhvatur deri në palcë. Keqardhje, në një farë mase, transmeton edhe pritja prej ngadhënjimtareje e shkodranes tjetër Elhaida Dani – pa i mohuar asgjë vokalit të saj të jashtëzakonshëm dhe meritave të padiskutueshme –, nga institucionet më të larta shtetërore shqiptare, të cilat, fillimisht, duhej të investonin energji në fushën e kërkimit shkencor dhe të promovonin personat që shpëtojnë jetë njerëzish. Mesa duket shteti vlerëson ahengun më shumë se shkencën dhe mjekësinë, ndërsa englendisjen e njerëzve më shumë sesa shëndetin e tyre.

Egesta mishëron shembullin e suksesshëm të studentëve shqiptarë në Itali, megjithëse ky vend akoma nuk e ka vizionin e duhur për nevojën e investimit në fushën kërkimore, në mënyrë që të parandalohet largimi i trurit apo të joshet potenciali i huaj. Duke e lënë mënjanë Italinë në problemet e veta, Egesta, për më tepër, është shembulli i heshtur i një myslimaneje të devotshme, që, ndonëse e emigruar në një vend tradicionalisht katolik dhe me laicitet të konsoliduar, nuk e fsheh aspak besimin e saj, dhe ndërkohë, pavarësisht kësaj, ajo shpërblehet pa hezitim për përkushtimin kërkimor, gjë që nuk ndodh në Shqipëri me bashkëfetaret e saj.

LibriËshtë gati heroizëm, jo aq nga pikënisja prej krahasimit me identifikimet që shfaqin masivisht bashkëkombëset dhe homologet e Egestës nëpër Evropë, se sa nga leksionet evropianiste dhe laiciste me të cilat bashkëjetojmë rregullisht në trevat shqiptare. Myslimania me shami paraqitet këtu si karikaturë e regresit, e radikalizmit, e injorancës, e dhunës në familje, bashkëshortore ose prindërore – o Zot, një vend që ka prodhuar Kanunin ka edhe tagrin të denigrojë sisteme të tjera kulturore si maskiliste –, e nënshtrimit, e vegjetimin brenda mureve të shtëpisë dhe, në fund, e turpit kombëtar përballë Evropës.

Po, sepse Evropa është laike – thuhet. Atëherë, logjikisht, do të duhej që Bologna, me gjithë universitetin e saj, mbase më të vjetrin në kontinent, të përjashtohej nga Evropa; që European Association of  Nuclear Medicine të ishte shoqatë arabe, ndërsa çmimi Eckert & Ziegler të ishte një shpërblim për recitim Kurani. Duket qesharake, por të tilla janë pretendimet absurde që bazojnë praktikën fetare me injorancën dhe mosintegrimin kombëtar, e që në fund, haptazi, deklarojnë gjymtimin e lirive fetare duke u nisur nga paradigma se “na e kërkon Evropa”. Vështirë të kuptohet se cila Evropë, pasi “njëra” integron, toleron dhe madje vlerëson shprehësit e identifikimeve fetare, natyrisht, për atë çfarë ata mund të ofrojnë, ndërsa “tjetra” ndahet në imagjinare, e këtu hyjnë moralistët elitarë të laicizmit pervers shqiptar – ca servilë e ca patologjikë – dhe reale, e shprehur nga racizmi, homofobia, e fenomene të ngjashme që prodhojnë lëvizje ekstremiste dhe Breivik-ët e radhës.

Duke i kërkuar falje për ndotjen e këtij gëzimi me llumin e (një pjese të) intelektualizmit shqiptar dhe me pesimizmin e këtij vendi, pasi fatkeqësisht ai karakterizon realitetin në të cilin Egesta është lindur e rritur dhe ku modeli i saj paragjykohet e izolohet, gjithmonë me shpresën e mirëkuptimit, së fundmi duam të nënvizojmë admirimin ndaj saj për përkushtimin e gjithanshëm, sepse dinjiteti njerëzor – por edhe jeta e krenaria – mbijeton falë heronjve të përditshëm, prandaj i urojmë përzemërsisht suksese të mëtejshme.

Comments

  • MashaAllah, suksese te metejshme studiueses dhe faleminderit juve qe na prezantuat nje model kaq pozitiv. Krahasimi me Elhaida Danin dhe supervemendjen mediatike ndaj saj – shume me vend…

  • Megjithese e pritur me krahehapur nga autoritete me te larta te ketij vendi, elhaida danin e kane vene ne thep te pushkes mediat ( heroinat e mbrojtjes se aicitetit shqiptar), te cilat interesoheshin se pse ajo ka qene e veshur, qofte edhe njehere te vetme, si myslimane ne nje aktivitet te organizuar nga medreseja e shkodres!!!

  • Sepse ne jemi ende shoqeri provinciale dhe e kemi shume problem te dukemi se i ngjajme sa me shume te huajve. Ikja prej vetvetes eshte tipari themelor i fshatarizmit modern, qe ka shtrirje neveritese ne Shqiperi. Ky lloj kompleksi inferioriteti na ben te jemi te dhunshem duke diskriminuar barbarisht ate qe nuk ngjan ashtu sic ne e projektojme vetveten. Qeniet e kompleksuara jane edhe me te rrezikshmet, me te egrat dhe cnjerezoret.

    • Dhe nuk eshte problem per ne, i dashur N., siç te thash diku tjeter. Shkrimi ka qellimin e vet. Media si, p.sh., R (e nuk po zgjatem), mbijetojne duke marre lajme anekend, thjesht permes sintezes. Nese vertet duan ta sindikojne lajmin, mund te mjaftoheshin me pjeset informuese te shkrimit. Edhe kjo mjafton. Ketu vlen krahasimi. Jane postuar disa shkrime ne lidhje me shamine, disa me analiza perverse, e ketu kam ne mendje Baton Haxhiun, qe konsolidojne perjashtimin e modelit te Egestes, jo vetem nga shkolla, por edhe nga angazhimi publik. E kjo ne emer te Evropes, rrenjeve tona e me radhe.
      Je i mirepritur per nje shkrim te cilin e mendon te sindikueshem, ne lidhje me kete teme, apo me nje tjeter.

      flm

  • Urime Egestes per shperblimin.E lusim Allahun e Madheruar qe kesaj shkencetareje te ja dhuroj durimin dhe forcimin e imanit.Nuk ndodh ralle qe me mire e njihni veten vetem kur te largoheni nga vendlindja juaj.Apo si i thone nese deshiron te ndegjosh per te rejat ne Rahovec shko ne Prizren.

  • Talenti i zonjes Egesta shkon pertej te qenit nje femer muslimane e mbuluar, por eshte gjithashtu i lidhur ngushte me kete fakt. Ndaj edhe do te duhej te trajtohej fillimisht ashtu. Ajo eshte nje profesioniste shume e zonja si fillim dhe te qenit besimtare i shton asaj miresine absolute dhe humanen qe duhet ta kete cdo mjek. Ajo eshte nga ato pikezat e drites e shpreses, se ne kete bote me kaq probleme e me kaq deficente me shkolle dalin akoma gjeni. Sinqerisht habitem. Eshte gjithashtu nje shprese edhe per vete boten islame, qe vete viktimizohet vazhdimisht. Ajo eshte shembulli i nje femre qe ka dhene maksimumin ne fushen e vet. Ka pas fatin qe talenti i saj, i eshte dashur shkences me teper se shamia e saj, ndaj edhe nuk i ka hapur asnje problem. Ndersa krahasimin me Elhaiden e shoh krejt te pavend. Duke e krahasuar ne kete menyre jo vetem keni ulur nje njeri aq te dashur sa Elhaida, vajze flori, por keni vene ne siklet edhe doktoreshen. As njera nga vajzat nuk duhej te ngrihej duke shkelur mbi dinjitetin e tjetres. Aq me teper kur Elhaida eshte nje dashamirese e islamit, deri ne ate pike sa te hedhe nje shami mbi krye e te kendoje ilahi, ashtu sic ja ofrojme ne modelin, te pakultivuar dhe tallava. Ajo vjen dhe na respekton deri ne fund. Vishet si ne e kendon si i themi ne. Me pas shkon e kendon ne frengjisht e me Kocanten e nuk e ka problem te vije perseri tek ne. Dhe ne e hedhim poshte vetem se pati fatin e keq te respektohej nga shteti demokratik, qe promovon aheng dhe jo shkence. Po pse kujtimi qe ka Shqiperia per Kocanten ne ato vite zie e burgu eshte vec aheng? Muzika e feja, ishin si mjeku ne ato kohra kolere. Nuk i lane shirtrat tone te vdesin e te dorezohen dhe per kete meritojne mirenjohen me te madhe. Nderkohe te dyja vajzat meritojne nga nje artikull te denje per personalitetin e tyre te larte. Vecmas nga njera-tjetra sepse edhe rruget e tyre te jetes jane shume te ndryshme, e vetmja gje qe i bashkon eshte dashuria per te Madhin Zot. Allahu i nderofte e ia shtofte suksesin e hajrin!

    • Megjithe deshiren per te ta pranuar kritiken, te lutem me thuaj se ku e shikon se e kemi ulur Elhaiden!
      Perkundrazi, ne jemi shprehur me lart me vleresim per talentin dhe meritat e saj. Citoj: “Keqardhje, në një farë mase, transmeton edhe pritja prej ngadhënjimtareje e shkodranes tjetër Elhaida Dani – pa i mohuar asgjë vokalit të saj të jashtëzakonshëm dhe meritave të padiskutueshme –, nga institucionet më të larta shtetërore shqiptare, të cilat, fillimisht, duhej të investonin energji në fushën e kërkimit shkencor dhe të promovonin personat që shpëtojnë jetë njerëzish.”
      Nese vleresimet tona per “vokalin e saj te jashtezakonshem dhe meritave te padiskutueshme” ti i quan ulje dhe shkelje dinjiteti, nuk e di se cfare duhet te quhet nderim! Nese e ke fjalen per fjalin tjeter ku ne themi se “Mesa duket shteti vlerëson ahengun më shumë se shkencën dhe mjekësinë, ndërsa englendisjen e njerëzve më shumë sesa shëndetin e tyre”, ketu ke keqkuptuar objektin te cilit i adresohet kritika. Perdorimi i fjales “aheng” behet per te treguar perceptimin qe ka shteti mbi vlerat e jo per te perkufizuar llojin e artit qe ben Elhaida. Eshte shteti qe komercializon shperndarjen e respektit, duke permbysur vlerat, pasi nuk mendoj se te kesh nje ze te bukur e te dish te kendosh mire (pavaresisht efekteve dhe nevojave shpirterore me te cilat lidhet kenga), qendron ne te njejtin nivel me te qenit studiuese dhe shkenctare e mire.

      Pertej vleresimit tend per Elhaiden si “vajze flori”, qe natyrisht nuk e kundershtojme aspak, mendoj se vleresimi per talentin dhe suksesin e saj qendron pertej dashamiresise se saj per Islamin. Talentet dhe vlerat i nderojme ne pavaresi nga feja e atyre qe i bartin dhe Elahiden do ta nderonim edhe nese nuk do ishte muslimane, per aq sa meriton. Por ketu diskutimi yne kishte per qellim dicka krejt tjeter.

      Ndersa ekzaltimet mbi rendesine e Kocantes ne gjallerine shpirterore shqiptare jane spostim akoma edhe me i madh nga tema e diskutimit, per me teper shume i diskutueshem. Personalisht, meqe e hape kete teme, mund te them se nuk kam ndonje vleresim mbreselenes mbi Kocanten, i cili jo vetem qe nuk hyn tek shijet e mija, por me duket i dobet artistikisht, si nje romantik i lodhur pa ndonje perpunim estetik te tingullit. Nese ka pasur vlere per nje kategori njerezish ne Shqiperi, ne nje epoke thatesire shpirterore, ok, por kjo nuk me thote asgje, aq me teper qe nuk mund te identifikosh nje brez te tere me nje kategori njerezish. Sigurisht, vepra artistike te dobeta, mund te luajne rol pozitiv ne situata te caktuara, per kategori te caktuara njerezish. Pa dyshim, nje sere filmash banale e problematike te kinostudios kane mbajtur gjalle shpirtera njerezish gjate saharase komuniste, por kjo nuk me ben te kem pike respekti per kete lloj kinematografie.

      Mbi te gjitha, diskutimi per Kocanten, nuk ka perse te ngaterrohet me diskutimin per Elhaiden, ashtu sic edhe vete diskutimi per Elhaiden nuk ka perse te ngaterrohet me menyren sesi ne kemi perdorur ketu nje krahasim, me te vetmin qellim, per te denoncuar indiferencen e shtetit ndaj vlerave te tilla si ato te Egestes.

    • Ne fakt, te jesh myslimane me shami nuk eshte aspak talent, por me shume besim, identitet dhe pjese e negociatave qe Uni ben me flukset e jashtme drejtuar Vetes per te krijuar Vetveten, çka e dobeson se tepermi qasjen me duhet apo nuk duhet, keshtu apo ashtu. Fundja, bota eshte e larmishme, ka ngjyra, dhe nese vendosim ta interpretojme ngjarjen nga nje prizem, kjo nuk do te thote se eshte i vetmi dhe me i miri, nje fakt qe duhet te vleje edhe per kahun tjeter.

      Egesta vjen nga gjimnazi me i mire i Shkodres dhe i perket matures katastrofike te 1997, vite (ato perpara) ne te cilat shkolla funksiononte akoma si model dhe mundesi per te ardhmen. Prandaj nuk eshte per t’u habitur edhe aq.

      Krahasimi me Elhaiden vlen jo mes dy personave, as mes dy idetiteteve, e per kete arsye nuk eshte e keshillueshme te nenvizohet feja e kengetares (apo e babait te saj). Nuk eshte as mes dy talenteve, sepse jane te pakrahasueshem. Krahasimi vlen per peshoren qe perdor shteti yne, i cili i braktis qytetaret e vet rrugeve dhe shikon te ato vetem famen qe mund t’i sjellin ketij imazhi politik mizerabel. Elhaida eshte nje nga personat qe rregullon imazhin e shtetit, e vendit dhe tonin, pse jo. Egesta mbetetet anonime, sepse i takon fushes se dijes, sepse eshte me shami dhe ate cope te shkrete nuk e ka part-time. Kur themi shteti duhet te kemi para sysh shoqerine ne teresi, jo ne shumicen absolute, ose te pakten opinionberesit. Kjo mase e ka shnderruar ne normalitet breljen e diplomave, kurse zeri nuk blihet. Kjo mase gjithashtu e ka shnderruar ne krenari kombetare cdo shperfytyrim te tradites, te nje pjese te saj, sepse pjesa me origjina te shpikura i bie qemanese se Evropes ku duhet te ri-kthehemi, por ja qe na pengon moldeli Egesta. Te pakten ky eshte perceptimi i perftuar cdo dite.

      Si shembull nga nje faqe ku eshte percjelle lajmi:

      Kafsha – Urime per kerkimet e saj ne fushen e mjekesise, por nga ana tjeter nuk kemi nevoje per ferexhe. Kjo nuk eshte ne kulture dhe ne tradite te shqiptarit.

      george – kafsha ka te drejte toni montana -po nejse do ja shihni hajrin ma vone -nqs zotnia apo zonja eshte myslumane me kostume kombetare shqiptare hall zotit, por jo me kostume te nje kombi tjeter, se nuk eshte as shami e bardhe si gjyshet tona por alla lara lara.

      Asnjeri nuk tha qe Elhaida eshte turp, perkundrazi, e kete e themi jo se kendon(te) ilahi. Porse turp eshte te mos jesh krenar edhe me Egesten, madje me shume me kete te fundit, pikerisht per mesazhin qe bart, perndryshe kur institucionet, shteterore ose sociale, jargaviten perballe nje cmimi sepse ky eshte i huaj dhe nje cmim tjeter, gjithashtu te huaj, e harrojne, brezi i ri do te priret drejt modeleve te vleresueshme.

      Mire shijet e mases kane degraduar sa te mbijne lloj lloj “talente” dasmash, mire mediat promovojne talentin e zhveshjes apo te ekspozites se trupit, qe me nje bisturi mund te blihet edhe ai, mire monopolet televizive prodhojne kengetar ne seri, me emrat Voice, X factor, Gjeniu & CO, por edhe institucionet e kane humbur toruan. Ne shoqerine tone po shnderrohen ne paradigma: Di te kendosh? Atehere Ti vlen!; Ke shami? Shkel laicitetin, je anadollake, lindore, injorante, mbeturine aziatike… Ne momentin qe keto stereotipe masivizohen dhe ne momentin qe institucionet vleresojne nje tipologji cmimi te huaj e jo nje tjeter, edhe perspektiva e brezit te ri eshte modeluar fuqishem.
      Me pak fjale, krahasimi eshte sjelle per qasjen e institucioneve ndaj dy cmimeve, prioriteteve te vendit dhe modeleve qe percillen te rinia.

    • bota islame ka me dekada qe eshte viktime ne kete mes prej shkences perendimore…. shume gjera jane thene neper dhembe nga myslimanet para 2011 ; por qe kur filluan intifadat ne vendet arabe , ato qe thuheshin neper dhembe , tani thuhen hapur , si psh me i miri i berthamores ne vitet 70-80 ka qene nje arab i cili i vra nga CIA pasi nuk pranoi te bashkepunonte me ta.. ne vitet e largeta te `50 vritet shkencetarja egjiptiane ne florida te amerikes , vrasesi i cili akoma nuk dihet por dihet vetem bashkepunetori ne krim..per vitin 2011 u shpall nje myslimane egjiptiane si kimistja me e mire ne bote; ashtu sic kemi edhe shpikjen ne fushen e farmacise te nje ilaci kunder dhimbjes se kokes pa pasoja anesore , vajze nga gaza 19 vjece qe studion prane fakultetit te mjeksise se Az`harit ( per emrat me vjen keq qe nuk mund ti shkruaj te te gjithe ketyre sepse me duhet te shfletoj ne internet.. jane materiale te perkthyera ne gjuhen shqipe dhe qe i gjeni edhe ne faqet e internetit) .. ashtu si edhe nga viti 2009 , nese nuk gaboj , me i miri mes shkencetareve te rinj apo inxhiniereve mekanike ishte nje djale 17 vjec nga egjipti mysliman… asgtu si edhe kemi doktoreshe saudite nder me te mirat ne bote ne fushen e kerkimeve shkencore-mjeksore.. po me te miret per I-phone ? 2 nga egjipti , njeri shehid ( bi idhnilah ) ne masakren e njohur ne Raba`a dhe tjetri ne gjendje kome , po prape ne masakren e Raba`a..lista eshte shume e gjate e talenteve te botes islame , por eshte i njejti problem si ne shqiperi ku ata nuk kane kujdesin e shtetit ; dhe ku ata qe kontrollojne shkencen nderkombetare i lene ne hije dhe evidentojne apo nxjerrin ne pah vetem ate qe deshirojne ata..

  • Se shpejti do te postojme edhe nje interviste me dott.ssa Egesta Lopçi.

    Aty do te mund te lexoni informacione me te detajuara mbi projektet, çmimin, e jo vetem.

  • Sistemet e krahasimit me pelqejne shume, por duhet gjetur sigurisht menyra. Theksoj se emri i Elhaides, edhe pse pasohet nga vleresimi i padiskutueshem per vokalin e saj (qe ne nje artikull me vete i dedikuar posacerisht asaj mund edhe te kritikohej, se nuk asgje te keqe ta mendosh ndryshe e te kesh shije te ndryshme)pra emri i saj nuk duhej te permendej fare ketu. Vete menyra e ndertimit te artikullit eshte ngritje e njerit ne kurriz te tjetrit edhe pse qellimi ka qene per t’i rene shtetit qark e qark. Ne kete menyre vetem sa i keni zbehur rendesine lajmit, qe per hir te vertetes ka pak dite qe e shoh te qarkulloje neper miq. Kete lajm nuk e kane dhene as mediat italiane, qe i ndjek shpesh. E kam fjalen qe keto lloj lajmesh nuk degjohen asgjekundi dhe ky eshte problem jo vetem i yni. Keto lloj lajmesh duan fatkeqsisht patjeter reklame nga pala e interesuar. Nese vete Italia tenton ta mbylle lajmin brenda mureve akademike, si mund te vije lajmi ketu po nuk u katapultua? Rasti i Elhaides ishte tjeter, ajo doli per muaj te tere ne televizion ne saje te emisionit ku merrte pjese. Preku ndjenjat e shqiptareve dhe nostagjikeve edhe per faktin se zgjodhi Kocanten nderkohe qe mund te kishte zgjedhur Piero Pelu-ne, qe personalisht me pelqen me shume. Nuk shoh asgje te keqe qe Kocanten e respektuan, ne kujtim te nje kohe kur c’do note muzikore qe vinte nga jashte rrethimit me gjemba te kuq, tingellonte si shprese dhe enderr per nje jete me te mire. Ketu nuk behej fjale per Kocanten ne vecanti por per ate c’ka kane perfaqesuar, muzika e letersia boterore ne kete vend qe po edukohej nga nje kamera e shtrember e Kinostudjos. Nuk ka asnje inkoherece ne ndrerin qe i eshte bere Kocantes dhe Elhaides. Paralel do te duhej te kishte buje e fame per gjera edhe me te rendesishme por kjo eshte ceshtje tregu. Tregu boteror i promovimit te vlerave rrotullohet fatkeqsisht rreth kenges e valles, ushqim i shpejte e pa shume impenjim per deficentet me shkolle. Lajmi per vajza e cuna shkencetare e gjeni vjen ne plan te dyte a te trete sepse nuk ka konsumatore e taksa pagues per ta. Nuk eshte problemi se goca ka shami dhe prandaj nuk kemi degjuar per te, sigurisht shamia e veshtireson punen, por nuk eshte ai problemi kryesor. Problemi eshte se publiku boteror nuk eshte i intersuar.

    • Ne qoftese vazhdon kembengul kot, se ne e paskemi ulur elhaiden dhe se kemi shkelur mbi dinjitetin e saj, megjithese kemi folur me superlativa per talentin dhe vlerat e saj, me duket se e vazhdojme kot kete muhabet. Te pakten te takon te na thuash se ku dhe si, teksti yne, e ngre njeren ne kurriz te tjetres, nderkohe qe ajo qe po themi eshte krejt tjeter, dhe ne jemi treguar te kujdesshem te shprehim nota vleresimi per ate qe ti mendon se e kemi ulur!
      Ndersa diskutimi mbi apologjine apo denoncimin e shtetit eshte bisede krejt tjeter, qe nuk ka lidhje me diskutimin, nese e kemi ulur apo ngritur Elhaiden.
      Diskutimi yne eshte parimor dhe nuk shtrohet ne biseda rrethanore (sic e kanalizon diskutimi yt apologjetik etatist). Nuk eshte vetem rasti ne fjale, por ka shume raste te tille, muslimane ose jo, ku shqiptaret kane bere vertete karriere te shkelqyer ne universitetet me te medha ne perendim dhe shteti as qe e v. Tani, vret mendjen fare. Shteti ka mijera kanale per ti marre vesh keto gjera. Kemi ambasada, atashe kulturore, projekte bashkepunimi, institucione kerkimore qe aderojne ne ato nderkombetare… Kemi me dhjetera studente andej, per te cilet shteti nuk e can koken. Minimalisht, institucionet tona kerkimore duhet te kene kontakte me institucionet e huaja, dhe do te duhet te jene ne dijeni te puneve kerkimore aktuale, si dhe te cmimeve qe jepen e fushave kerkimore ku ka interes. Kjo tregon qe, ose nuk di askush asgje, ose nuk iu do qefi. Ne te dyja rastet shteti del keq dhe shemtuar.
      Ajo qe ne diskutojme parimisht eshte se shteti duhet te jete i vemendshem ndaj individeve te tille, dhe duhet jo vetem ti vleresoje, por edhe t’u ofroje mundesi per te aplikuar per projekte ne Shqiperi. Ne kemi sot dhjetera agjente futbolli, te cilet gjuajne talentet neper bote me origjnine shqiptare, per t’u ofruar nje vend ne kombetaren tone (qe fundi i fundit, 11 vete do te nxjerre ne fushe). Nga ana tjeter, kemi edhe projekte per thithjen e trurit, te cilet, ne fund fare vetem kafkat bosh thithin. Kjo eshte puna e shtetit qe nuk po e ben fare.

      • Gjithcka eshte tek ky paragraf.

        “Nuk është hera e parë që përpiqemi të evidentojmë vlera të panjohura të shqiptarëve në fushën e studimeve, të cilat kalojë krejtësisht pa vëmendjen e shtetit apo medias. Nuk ke si të mos krenohesh, por edhe (menjëherë) të mos trishtohesh kur mendon se shumë nga kolegët e saj në Shqipëri nuk e lenë tjetrin të vdesë – kjo nuk është metaforë – pa e zhvatur deri në palcë. Keqardhje, në një farë mase, transmeton edhe pritja prej ngadhënjimtareje e shkodranes tjetër Elhaida Dani – pa i mohuar asgjë vokalit të saj të jashtëzakonshëm dhe meritave të padiskutueshme –, nga institucionet më të larta shtetërore shqiptare, të cilat, fillimisht, duhej të investonin energji në fushën e kërkimit shkencor dhe të promovonin personat që shpëtojnë jetë njerëzish. Mesa duket shteti vlerëson ahengun më shumë se shkencën dhe mjekësinë, ndërsa englendisjen e njerëzve më shumë sesa shëndetin e tyre.”
        “Koleget e zonjes Egesta ne Shqiperi qe nuk te lene te vdesesh pa te zhvatur deri ne palce”. Hyrje fantastike, nuk them se nuk e meriton zonja, por kur shton dhe “pritjen prej ngadhnjimtareje” qe i behet Elhaides, kjo me tingellon shume keq. Njera ngadhnjmtarja e vertete mbetet ne hije, tjetra kjo ngadhnjimtarja pa merite merr gjithe keto elozhe. Sepse ne fund te fundit mjekesia eshte me e rendesishmja nga te gjitha. Te kemi shnetin ne rradhe te pare. Futja kot. Megjithate une nuk dua te vazhdoj me te kapem tek kjo pike, vetem se them nuk kishte kuptim te sillej keshtu edhe nese do ishte e vertete e gjithe kjo, nuk eshte aspak etike.

        • Edhe njehere se po na habit fare! Nese di shkrim e kendim, e nese di shqip, nuk e kuptoj sesi mund te thush se se ne e quajme “ngadhnjimtare pa merite” kur ne shprehemi tekstualisht: “pa i mohuar asgjë vokalit të saj të jashtëzakonshëm dhe meritave të padiskutueshme”. Pra ti nxjerr nje kuptim interpretativ, ashtu sic te tingellon ty, edhe kur ne kemi nje kuptim literal te drejtperdrejte te kundert me “tingullin” tend! Me fal, por ketu kemi te bejme me verberi te vullnetshme!
          Venia ne krahasim, nuk do te thote se ne sugjerojme t’u nderrojme vendin ngjadhnjimtareve, sic e kutpon ti. Perkundrazi, ideja eshte se, sic u nderua njera, ashtu duhet nderuar edhe tjetra, aq me teper kur shkenca dhe mjeksia (jo thjesht pune shneti, sic rrekesh ta vulgarizosh ti) jane me te rendesishme se kenga e ahengu.
          Dhe pervec kesaj, ne asnje vend ne nuk kemi thene qe mjeksia eshte mbi te gjitha, qe te te japim ty shkas per te divulguar kuptimet, me qellim qe te gjesh vegje me u kap. Ajo qe kemi thene ketu eshte vetem qe “shneti” eshte me i rendesishem se ahengu. Dhe mbi te gjitha, vleren nuk e kemi perqendruar tek mjekesia si fushe, por kryesisht tek shkenca ne pergjithesi dhe pastaj mjekesia ne vecanti. Vlera e Egestes eshte fillimisht si studiuese, pastaj si mjeke.
          Megjithate, meqe e ke kthyer ne sport te preferuar kete deshiren per te kerkuar qimen ne kashten e E-zanit, qe prej mosperputhjes se qendrimeve tona politike, me kokefortesine tende partiake, vazhdo ruaj mendimin tend sepse nuk ta ndryshojme dot!

          • Epo zilia prej femije te prape nuk con asgjekundi. Pse njera mori cmim te marre dhe tjetra. Shume mire reklamojeni zonjen ashtu sic e meriton pa lojra fjalesh e femijesh. Une e kam thene edhe me siper arsyen pse disa lloj profesionesh kane me pak popullaritet se sa disa te tjera. Eshte ceshtje tregu. A eshte e drejte? Jo. Une thjesht po sugjeroj te behet nje reklamim dhe percim informacioni me korrekt, pa qene nevoja per fleterrufe gjithmone.

          • Tani fute edhe ziline!
            Nese nuk e kupton nje gje kaq te thjeshte, si te flasim me tej?! Eshte shume e thjeshte ajo qe po themi. Shteti duhet te krijoje me shume vemendje per shkencetaret sesa per kengetaret. Kjo nuk do te thote te mos i vleresoje kengetaret. Nuk me duket ndonje gje kaq e veshtire per t’u kuptuar dhe nuk shoh asnje arsye per te reaguar ndaj kesaj.
            Nese ti je duke na shpjeguar arsyet sociologjike perse shteti nuk ia var shume shkences, nuk po na thua ndonje gje qe te re. Tregu ka raste qe i deformon gjerat, por kjo nuk i falet institucioneve shteterore, qe jane aty per te bere ato gjera qe tregu nuk i ben. Nese edhe shteti funksionon ne menyre komerciale e populiste si tregu, atehere shteti behet promovues i permbysjes se vlerave. Te pakten ne kemi te drejte ta themi kete. Kjo nuk eshte aspak fletrrufe (sic akuzohemi gjithmone prej disave ketu), por eshte nje verejtje dhe nje reagim ndaj dickaje qe e gjykojme te gabuar. E duke qene se kemi te drejte te qortojme shtetin qe nuk ben detyren, cfare te themi per “fletrrufene” tende ndaj reagimit tone te drejte?!

        • vendi shkon perpara me shkence dhe jo me muzike ( se mos me keqkupton se po them qe eshte harram muzika..nuk po them kete)… ne kemi nevoje per investime ne shkence , ne zhvillimin e vendit dhe ketu duhet te perqendrohet vemendja dhe te hidhen fondet , e jo te derdhen lume te muzika ne kurriz te shkences..bejme artistat ambasadore te vendit , kur do duhej e kunderta ..

  • Dakord L, por ka nje detaj te anashkaluar.

    Se pari, mosinteresimi yne, si shoqeri shqiptare, vjen edhe nga mosedukimi institucional. Thene ndryshe, nga driteshkurtesia e institucioneve, qe transmetojne modele vlerash te kunderta me ato mbi te cilat duhet te bazohet nje shtet dhe nje fe civile.

    Se dyti, ne perendimi nuk interesohet njeri per shkencetarin – kjo eshte e vertete deri diku se varet nga shkenca e emri – por tek ne indiferenca merr edhe nuanca paragjykuese. Edhe sikur Egesta te marre cmimin Nobel, qe ia uroj, ajo do te ngelet anonime per kete shoqeri e cila krenohet me Nobelin e Nene Terezes dhe jo me ate te Ferid Muratit.

    • Hahaha, Xibi, a e di se per cfare zbulimi e ka marre Ferid Murati Nobelin? Nje zbulim qe ka bere vertet te lumtur shume burra e gra, po me thene te drejten nuk krahasohet me imazhin e Nene Terezes. 🙂 Megjithate ka marre edhe Feridi medalje nga presidenti. Nese doktoreshe Egesta do te merrte cmim Nobel, them se do ta dekoronin dhe ate me medalje. Edhe pse une nuk i pelqej shume medaljet e cmimet Nobel, se jo gjithnje i marrin njerez qe i meritojne. Pune miku e njohjesh ne shtet. Se mu kujtuan medaljet e Bamir Topit qe krahas dekorimit te nje artisti shume te madh si Naxhi Bakalli, dekoronte edhe prokuroret e kohes se Enverit. Nje nonsens i tmerrshem, qe tregoi inflacion medaljesh dhe preferenca te caktuara. Une e riperseris mirenjohjen per doktoreshe Egesten, qe ne vend te qahet gjithe diten per persekutim, i eshte futur punes dhe ka dhene maksimumin ne profesionin e saj. Pa pritur te trajtohet me mire se tjeret apo te tregohet kujdes i vecante per te ne saje te ndonje ligji kunder diskriminimt.

      • Pikerisht pra, Feridi beri te lumtur me shume njerez se Nobelistja Tereza – e cila njerezit i percillte ne varr – dhe ne nje detaj specifik qe i pershtatet konsumizmit, lirive te ’68, kenaqesive trupore me te cilat imazhi eshte detyrimisht i lidhur. Pra duhej vleresuar me shume Murati, por ia mori ne kthese murgesha, megjithese e mbuluar me shami!

        Cmimi kishte motivacion paqeje, por koncepti i Terezes per paqen eshte spektakolar: paqja ne bote rrezikohej, sipas saj, nga mungesa e dashurise qe buron nga nenat abortuese!

        Nejse, keto jane folkloret e Nobelit, por ideja ime ishte diferencimi institucional i vlersueshmerise. Njeriu lind me talentin e zeri ashtu si shkencetari me disa predispozita. Mirepo aksesi tek keto dy talente ndryshon. Ai i studimit eshte me i mundueshem, nje arsye me teper per t’u vleresuar.

        Tani, per sa i takon zevendesimit te fjales me pune, jam dakord deri ne nje fare pike, deri aty ku nuk abuzohet. Per te punuar duhen kushte, keto krijohen fillimisht me ide, te cilat shprehen me fjale. Ato kushte pune zonja i ka gjetur ne perendim, sepse ne Shqiperi ka ca fjale-ide te cilat nuk do t’ia mundesonin rezultatin. Dhe kushtet nuk jane vetem mungesa e strukturave, por edhe (kryesisht) sociale. Mos i kerkoni e-zanit te hapi klinika per t’u mundesuar te tjereve te zevendesojne fjalen me punen. Cfare ngelet tjeter atehere pervec fjales? A nuk eshte kjo fjale nje lloj pune?

        Kur Z. Bauman trajton globalizmin eshte (minimumi) pesimit, megjithese nuk duket optimist as ne librat e tjere. Ai evidenton me ngulm, duke perseritur e riperseritur, duke argumentuar deri ne neveri, nje hierarki problemesh, pa u thelluar ne zgjidhje, te cilat mund te deduktohen.
        A mund t’i kerkohet atij, dil e bjeri kazmes apo shkruaj ndonje ilaç sociologjik, se na e hape trurin me fleterrufe ndaj shoqerise?
        Natyrisht, shkrimi i mesiperm nuk ka as nivelin, as mesazhin, as vullnetin, as gjuhen e baumaniane. E pra ka dicka te perbashket: universalizimi i problemit, duke u nisur nga detajet, dhe nenvizimi i tij, ne menyre qe shoqeria te arrije ndergjegjesimin, te kete argumentat mbrojtese, te kete njohuri. Vepra/pune jane edhe keto. Dikush do t’i beje se vetvetiu nuk behen. Aq me teper kur problemi, qe eshte problem serioz, ka mjete te mjaftueshme per ta paraqitur veten si normalitet.

        Edhe kete konceptin e konsiderates se protestes si “qarje”, te barazuar me “viktimizimin”, e shikoj si banalizim te diskutimit. E “qara” ne keto raste tregon shqetesim, e shqetesimet kerkojne nderhyrje, se paku mosmiratim, qe behet ne heshtje ose me veprim. Edhe fjala, veprim eshte. Me barazimin e protestes – nenvizimit te problemeve, qe eshte nje forme informuese – me qurravitjen kolektive i hapet dera dorezimit. Si te thuash, une e di qe jetoj me problemin dhe nuk kam nevoje te ma perserisin. Po, por ai (çdo) problem e ka nje origjine, dhe derivati nga ajo (çdo) origjine eshte shnderruar ne normalitet pikerisht sepse e drejta ime nuk gjen hapesira, ndersa ajo origjine problemi perseritet cdo dite.

        Per ndryshe edhe protestat qe u bene per lendet kimike duhen konsideruar si qarje.
        Po ti nuk po proteston ne kete menyre ndaj blogut?

  • Po e kthej pergjigjen per te gjithe ketu.
    Nderhyrja ime fillestare ka qene vetem ne mbrojtje te Elhaides, qe vazhdoj ta mendoj, se nuk duhej te ishte permendur fare ketu as per mire e as per keq. Me pjesen tjeter te artikullit jam deri diku dakord. Por per hir te se vertetes duhen thene edhe disa gjera qe lihen pa u thene. Mjeke e shkencetare jane therritur dhe vazhdojne te therriten nga shteti per te kontribuar ne Shqiperi. Jo me larg se dje qeveria ka takuar mbi 40 mjeke te cilet kane studjuar e punojne jashte vendit. Sa te mire e te zote jane kete nuk e di. A jane me partine a jo kete perseri nuk e di. Me shami ndermjet tyre nuk pashe asnje, kjo eshte e vertete. Kam bindjen qe keta duhet te jene mjeke te zakonshem, se nje mjek shume i mire nje shkencetar, qe ka paguar mijera dollare vitin per t’u shkolluar ne Amerike e qe paguhet me mijera dollare ne muaj, nuk mund te vije ketu e te paguhet me nje rroge mizerabel edhe pse mund ta doje shume Shqiperine. E njejta gje vlen edhe me futbollistet, qe u permenden me lart se gjoja sa u harxhoka per to. Ne nje nivel ordiner e kemi futbollin, se nuk paguhet per to. Me i miri nga futbollistet tone merr 20 mije dollare viti edhe keto nuk ja jep shteti, nderkohe ne muaj futbollisti i mire dihet se sa paguhet jashte. Tek shteti nuk mund te varen shume shpresat. Llogari Ezani t’i kerkoje kush po thote te mos e beje, po le te jete edhe realist. Edhe dicka tjeter me te cilen nuk jam absolutisht dakord eshte renditja e gjerave me te rendesishme ne jete me kaq lehtesi. Shkenca e mjekesia me e rendesishme se arti (letersi, muzike, pikture etj). Nderkohe qe shkenca e mjekesia merren me materien, arti dhe shkencat qe studjojne artet merren me shpirtin, te dyja jane te nje rendesie jetike per ne. Nese ka ambasadore artiste jashte po aq sa ka te tille edhe mjeke e ekonomiste, nuk shoh asgje te keqe. Rasti i Admir Banaj ne Emirate ka qene rasti me i suksesshem dhe kete nuk besoj se del dot njeri me thene te kunderten.
    Ndersa per sa i perket vetepersekutimit qe muslimanet i bejne vetes, kjo te mos keqkuptohet. Nuk kam thene qe nuk ka persekutim nga jashte. Te tille ka dhe ka per te pasur. Njesoj sikur persekutonen edhe romet per ngjyren e lekures. Une thjesht dua qe vajzat muslimane te mbuluara te clirohen ato te parat nga ndjenja e vetepersekutimit qe nganjehere i krijohet edhe pa e kuptuar. Shpesh here u duket sikur ja kane me te keq dhe nuk i pranojne neper vende pune per hir te mbuleses. Kur nuk eshte e vertete gjithnje dhe rasti i zonjes Egesta e tregon me se miri. Mbajta e shamise eshte e veshtire dhe kete e kuptoj, po eshte nje veshtiresi qe vajzat e kane marre parasysh kur e kane vene dhe me so po shoh po mundohen ta perballojne. Qofte duke e lidhur me bukur, qofte duke studjuar me shume se te tjeret, duke qene me te mira e me te sjellshme se bashkemoshataret, dhe kjo them se ka per te qene rruga me e mire per ta fituar kete lufte. E ne fund Allahu ja lehtesofte te gjitha gocave kete siklet qe kane!

  • Meqenese u permend takimi i djeshem me mjeket qe punojne dhe kane studiuar jashte si shembull i vemendjes se qeverise/shtetit ndaj kesaj kategorie po bej dy konsiderata te vogla personale.

    Pas rregjistrimit ne faqen e krijuar enkas per kete event, thuhej se per programin dhe detajet e tjera do t’iu njofotjme ne ditet ne vijmi…, (nen)kuptohet qe pas nje analize biografike dhe nese nuk ke dhene prova bindese per partine nuk ben pjese tek ato qe mund te japin kontribut ne kete projekt. Show i Rilindjes goditi perseri!

    Ne kronikat televizive (te pafund) qe u dhane mbi takimin, pervec monologut te tejzgjatur dhe te merzitshem te kryeministrit, te bente pershtypje ne rreshtin e pare ish-mjeku personal i dikatorit Hoxha, i cili me sa duket ishte ftuar si kontribues per pervojen e tij ne Bashkimin Sovjetik ;).

    Ky eshte kujdesi i shtetit tone ndaj kategorise se mjekeve apo shkencetarve ne pergjitjesi. Motrat me shami, ne kete kontekst anormaliteti, qe edhe mes te barabarteve vleresimin e ben me ndarje sipas llogoreve (imagjinare), patjeter qe jane dhe do jene akoma me te penalizuara. Kosova eshte edhe me skandaloze nga ky kendveshtrim dhe rasti ne fjale ju vjen si ortek drejtuesve pseudolaik te nje shteti gjysem funksional…
    Bravo i qofte e-zanit sepse dashje pa dashje lajmi mori dhene dhe e dha efektin qe duhej.

    p.s
    Allahu i shtofte njerez te tille qe i sherbejne njerezimit sepse ata jane burim frymezimi dhe meshire e Zotit qe zbret mi ne.

  • L, shteti ka per detyre te shfrytezoje kapacitetet e veta intelektuale duke gjetur menyra qe ata te kthehen ne Shqiperi. Menyra sesi behet kjo, nuk eshte kjo qe thua ti, del ministri apo kryeministri dhe u therret njerezve: Eja, mblidhuni ketu, ketu!
    Qeveria duhet te hartoje projekte per rikthimin e trurit, por kete nuk po e ben. Te mbledhesh 40 mjeke e ti fusesh ca fjalime aty, nuk ke bere asgje, pervec se propagande, per t’i treguar popullit se qeverise po i pikon zemra per mjeket qe nuk sherojne popullin e tyre, por sherojne marokenet e Italise.
    Qeveria duhet te hape dyert per projekte dhe te zgjidhe qesen. Nuk behet fjale qe nje mjek shqiptar qe punon ne Itali, Gjermani apo Zvicere, te lere punen atje dhe te vije e te punoje per 500 mije leke ne Shqiperi. Por, nese shteti harton nje projekt, per pune kerkimore, apo per trajnime, apo per permiresim teknikash terapeutike, klinike, teknologjike etj… natyrisht qe cdokush vjen, nese paguhet sic duhet. Puna nuk eshte as, qe ata te vijne e te jetojne doemos ketu, por te vijne dhe te kontribuojne duke sjelle pervojen e huaj ketu, per te ndihmuar institucionet tona shendetesore ti trajtojne sic duhet problemet.
    Kjo ishte per mjekesine, por e njejta gje duhet bere edhe me cdo fushe.

    Kurse krahasimin midis shkences dhe artit, e ke kot fare. Diskutimi nuk trajtohet ne menyre redukcioniste ne kete menyre.
    E para njehere, shkenca nuk eshte thjesht materiale, sepse i perket dijes, e cila, nuk eshte materiale, por intelektuale dhe intelekti, sipas nje morie filozofesh i perket sferave me te larta te shpirtit.
    E dyta, fakti qe nje gje i drejtohet shpirtit, nuk na thote asgje se cfare efekti sjell ajo mbi shpirtin. Edhe Sinan Hoxha, shpirtit i drejtohet, por, besoj e kupton edhe vete qe nuk ka kuptim kjo (fundja Sinan Hoxha eshte edhe krijues, pervec se thjesht kengetar).
    E treta, duhet pare edhe se ciles pjese te shpirtit i drejtohet dhe me cilin nivel te tij komunikon, si dhe sa ia arrin konkretisht ta ngreje, lartesoje apo pastroje shpirtin tone. Nuk e di se me cfare arsyetimi vlereson kaq shume, ndjenjen, te cilen arti synon ta ngacmoje, duke e vene ne nje rrafsh me mbrojtjen e jetes (qe ben te mundur mjekesia). Gjithashtu, nuk e kuptoj me cfare arsyetimi perjashton mundesine qe ndjenjat e perftuara nga shume kenge sot, te jene negative dhe te demshme per shpirtin njerezor. Platoni, jo me kot i linte poetet (pra, artistet) ne fund te shoqerise, duke i pare si qenie problematike. Sepse arti, sic e ndihmon qenien njerezore, edhe mund ta pengoje. Fakti qe dikush merret me art, dhe eshte i suksesshem ne kete fushe, nuk tregon doemos dobine e tij.
    Nuk e di se sa efekt permiresues mbi shpirterat e shqiptareve ka pasur performanca e Elahides duke kenduar, bie fjala, Nessun Dolore dhe a mund te krahasohet kjo me qindra jete njerezish qe do te kene mundesi me te mira kurimi per semundje te tilla vdekjeprurese si kanceri, fale studimeve te Ergeses!
    Se katerti, duhet bere dallim midis artit, si nje fushe e shprehjes se te vertetave dhe ndjenjave njerezore, me argetimin, i cili e perdor kete fushe ne menyre divulgative. Pjesa me e madhe e muzikes qe luhet sot, aq me teper arsyeja e organizimit te spektakleve si ai ku mori pjese Elhaida, jane thjesht mjete argetimi, madje akoma me keq, jane industri, dhe nuk kane te bejne aspak me artin ne vetvete, sado qe kengetaret qe marrin pjese aty, mund te kene talent te jashtezakonshem. Mbi te gjitha, Elhaida nuk eshte kompozitore, dhe nuk krijon. Kengetari vetem interpreton dhe per rrjedhim ka nje rol dytesor.
    Ta reduktosh gjithe kete, duke e perfshire Elhaiden tek fusha e artit, per ta vendosur ne nje rrafsh me shkencen, nen dialektiken trup/shpirt, per te relativizuar e barazuar vlerat e dy vajzave, me duket c’balancim i madh.
    Me kete teknike debati, une mund te them se: Ca ka me shume Ajnshtajni me Mandin e Nishtulles?
    Ajnshtajni na ka tregu disa teorira mbi qiellin e universin, ndersa Mandi na e ben mishin kokerr me dredhjet e zonit! Fundja Ajnshtajni ka edhe mekatin e bombes Atomike dhe dhe vetem belara na ka sjelle.

  • Kur Profeti (a.s.) u fut clirimtar ne Meke, nje nder sahabet poete, Abdullah bin Revaha (r.a.) u mbush me frymezim dhe perpara pamjes se Qabes nisi te recitonte me ze te larte disa vargje. Ata qe kishte prane u munduan ta qetesonin e t’i thoshin, pak a shume: “Mos, se jemi ne Shtepi te Zotit. Me serioz!” Po Profeti (a.s.) i ndali e u tha, pak a shume: “Lereni! Sot fjala e tij rendon mbi ta me shume se shpatat tuaja!”

    Profeti (a.s.), me kaq gje, e vleresoi estetiken e artit mbi shpaten e muxhahideve te kohes se vet. Natyrisht, Elhajda nuk eshte Abdullah bin Revaha. As doktoreshe Egesta nuk eshte Ajnshajni. As E-Zani (pavaresisht ngjashmerise ne fryme) nuk eshte “La Libération”. Ka gjithsecili vendin e vet ne kete bote ku jeta nuk mbaron me vdekjen.

    Sugjerimi im ishte, eshte, dhe mbetet qe nese kemi dicka te mire per te thene per dike, jo medoemos duhet ndier nevoja e kontrastit me nje fjale te keqe (apo jo te mire) per dike a dicka tjeter. Modeli i flete-rrufese qe keni zgjedhur per te luftuar “shfaqjet e huaja” mbase eshte treguesi me i mire i nevojes me shume shpirterore se fizike qe keni (qe kemi) per te ushqyer me shume miresi, per t’i besuar me shume nje pike loti (qofte edhe ndonje loti “patetik” te Kocantes) dhe kaq.

    • Atehere Rrofte Mandi i Nishtulles!
      Rrofshin fleterrufete kunder E-zanit!
      Rrofte syri qe qan per Margeriten!
      Rrofte relativizmi qe na mundeson te na tregoje se, meqe Egesta nuk eshte Ajnshtajn, dhe Elhaida nuk eshte Bethoven, gjerat jane aty-aty.
      Meqe E-zani nuk eshte “La Liberation” dhe Mandi i Nishtulles nuk eshte Moxart, atehere E-zani dhe Mandi jane aty-aty, ne dialektiken mendje/shpirt, intelekt7ndjenje. Mandi ta ben mishin kokerr, E-zani t’i ngre qimet perpjete. Sido qe te jete efekti, ne fund te fundit, ndjehet ne lekure! 😛

  • Sigurisht qe nuk e kam keq, perderisa po i nxjerr konkluzionet nga menyra jote e te menduarit.
    Mandi ka klas shume me teper se Elhaida. Ashtu si e dredh zonin Mandi, nuk Elhaide qe e ben dot!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *