Veç ‘belle air’ nuk ishit kurrë





Belle_airV. Popaj

 

Ju kujtohet parulla “e duam Shqipërinë si Evropa”? Kaluan dy dekada rrugëtim “drejt” kësaj ëndrre dhe jemi përsëri në fillim, ngaqë, më saktë, për t’iu afruar Evropës i kemi rënë nga gjirizet. Jonormaliteti konsiston te qëndrimi në ato ujëra të qelbur të tranzi-cionit, ndonëse më shumë se tranzit jemi të paaftë institucionalisht dhe (masivisht) me mungesë të theksuar substance. Për ta n(ë)dreq(ur) – shikoni sa e hareshme është kjo fjalë – përpiqemi të ndërtojmë fasada. Këtu hyn, fjala bie, karikaturizimi urbanistik i Tiranës me tentativën e shndërrimit të fasadave monotone dhe dekadente në s’di se çfarë. Përveç ilaritetit urbanistik dhe tenderëve të makijazhit, dy janë elementet më domethënëse: krijimi i referencave të reja – tip pallati me shigjeta, që i reziston referencave joshëse si “bar…”  – dhe mentaliteti i fasadës.

Realisht, po të shikohet me vëmendje dinamika sociale e pasrënies së regjimit, mund të vërehet një spektakël fasadash: njerëz që vishen me rroba firmato – as termin shqip nuk e kemi, imagjinoni pastaj – dhe sfilojnë rrugëve plot baltë, pa trotuare, pa gjelbërim, pa ndriçim, përkrah “inferiorëve”, njëlloj si këto; njerëz që sorollaten me makina me targa simetrike e që pastaj vdesin në të njëjtat (me nder) rrugë ku të tjerë shkelin me furgon ose biçikletë për të shkuar në punë; njerëz që numrat e celularëve i bëjnë me porosi, si kostume, dhe kalojnë sa në një operator në tjetrin për të konsumuar ofertat; të tjerë që ftohen në konferenca, por vetëvlerësimi dhe lista e gjatë e titujve të pazarit akademik thjesht i kollarisin injorancën dhe mediokritetin; e të tjerët, personazhe televizivë, ata që “na japin mend” pra, të cilët, ndonëse të veshur shik e të bërë tualet, ofendohen, akuzohen e kacafyten me fjalë e kërcënime, thuajse se janë në tualet, njëlloj si çdo rrugaç, mashtrues ordiner, hipokrit dhe i paaftë tjetër i normalitetit të përditshëm. Ajo që i dallon nga normaliteti është pikërisht fasada.

Natyrisht që Shqipërisë nuk do t’i mungonte edhe një fasadë në kompanitë ajrore. Një fasadë që në emër: Belle air. Ah sa bukur! Vetë Shqipëria është një lloj Belle air: “Vendi i shqiponjave”; “ura lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit”; “kopshti shkëmbor i Evropës” – thoshte një mendjendritur në fillimet e shek. XX, por fakti që me pasurinë e trashëguar në këtë “kopsht” kishte zgjedhur të aventurohej diku tjetër, duhet ta ketë një domethënie.

Kush ka udhëtuar me këtë kompani e di mirë se air ishte, në kuptimin hava, por belle nuk kishte asgjë. Tashmë duhet të përdorim kohën e shkuar kur flasim për këtë fasadë shqiptare të radhës, e cila më shumë se Belle ishte faqja e zezë

Është i pafund eposi i talljeve me pasagjerët: aullime fluturimesh, spostime abuzive nga një ditë në tjetrën, vonesa të qëllimshme për të kalëruar mbi taksat e ulëta aeroportuale të mbrëmjes apo ndalime të avionit në pistë me motivacionin e hipjes së ndonjë pasagjeri të vonuar – më shumë se detyrim ndaj tij si pasagjer ose si VIP, ishte detyrim si MIK i dikujt –, bashkime fluturimesh – dy destinacione në një avion! – indiferencë, arrogancë, e deri te sediljet e lëvizshme dhe stjuardesës që këmbëngul për të lidhur rripin e sigurimit, e me radhë. Secili ka mbase ndonjë aventurë personale. Më kujtohet që në një takim të vjetshëm, me rastin e 100 vjetorit të Shtetit shqiptar, dy të ftuarit rrezikuan të mos merrnin pjesë dhe i gjithë aktiviteti u vu në dyshim vetëm për shkak të shpërfilljes së Belle air. Asnjë masë ndaj kompanisë, asnjë ndëshkim, i asnjë lloji, jo më ndonjë dëmshpërblim apo ndjesë, tamam si në filmat cinikë ku fiton gjithmonë i keqi.

Dhe ne jemi një vend-film i atij soji, ku ndodhin gjëra të çuditshme: shpërfillja që buron natyrshëm nga veshja me pushtet – e trashëguar nga enverizmi – ia kalon edhe ligjeve të kapitalizmit të një ndërmarrjeje e cila duhet, teorikisht, të udhëhiqet nga ligje të tilla, nëse do që të mbijetojë. Por Belle air-it mbijetesën ia garantuan monopoli, tallja me klientin, heshtja publike, mediatike dhe institucionale. Artikujt mbi këtë kompani janë të shpeshtë aq sa edhe zgjedhjet politike, një pretekst ky për të bërë propagandë duke akuzuar kompaninë në fjalë për transport votash. Për ndryshe asnjë fjalë: përkëdhelje mediatike ndaj një kompanie që luan(te) me mijëra shqiptarë. Kjo është panorama informative.

Të mos flasim pastaj për organet kompetente. Klima mbizotëruese aty është fasada: jepi se mban ky milet. Sillni pak ndër mend spektaklin e hipokrizisë në varrimin e Olladashit. E vajtuan, i thurën elegji, e heroizuan dhe veshën kombin me të zeza, pasi e kishin quajtur, të paktën një pjesë e vajtorëve, të korruptuar, vjedhës votash, përçarës, hajdut dhe epitete të tjera të ngjashme. Morali? Në Shqipëri ose vjedhja është virtyt, ose ky është një show fasadash ku nuk ka rëndësi shteti (substanca), por pushteti. Të paktën turma konfirmoi një mesazh të njohur: kur drejtuesit akuzohen dhe kërcënohen për drejtësi mes njëri-tjetrit, në fakt janë duke aktruar, sepse ligji nuk vlen për disa, ndryshe nuk mund të shpjegohet se si një forcë politike vjen në pushtet me premtimin për drejtësi e luftë ndaj korrupsionit të paraardhëseve, ndërsa më pas, pasi i ka damkosur publikisht për vite me radhë, i shpall heronj.

Te kjo sasi e përjashtuar nga rregullat hyn edhe soji i Belle air-ave. Ky është perceptimi kolektiv, i cili i demoralizon njerëzit përpara protestës kundër padrejtësisë, zhvatjes së qytetarit dhe të klientit. Ç’vlerë ka protesta ime, mund të pyesë viktima, kur ata që menaxhojnë rregullat ndër-akuzohen pa njohur kurrë shijen e drejtësisë? Normale pastaj që pasagjeri-qytetar nuk ka asnjë shpresë te drejtësia, që shkelësit janë shpërfillës dhe mund të mbijetojnë në saj të këtij sistemi deri në pafundësi, deri sa këtë pafundësi e thyejnë interesa të tjera, gjithmonë ekonomike, si p.sh (në rastin e Belle air) borxhet apo bankat (kështu thuhet).

Nga 2008 e këtej shumë banka e kompani botërore kanë falimentuar pa i dëmshpërblyer klientët, aksionerët apo punonjësit e tyre. Mirëpo,  në ato vendet që ne kërkojmë të imitojmë, kur evidentohen shkelje të tilla, vepron menjëherë ligji. Me aq sa ka borxhe Belle air nuk beson njeri te dëmshpërblimi, por e keqja është se me probabilitet të lartë pasagjerët-qytetarë rrezikojnë të humbasin edhe revanshin e drejtësisë, prej kohësh të merituar nga ata që drejtojnë atë kompani ajrore.

Ashtu siç ndodh gjithmonë kur rrëzohet një monopol, fusha mbetet bosh. Kjo do të thotë se monopole të tjerë pritet të projektohen për të zënë vendin e tyre, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme. Kështu ndodh në qiejt shqiptarë: nuk ka vend për dy zogj. Kjo bën që konkurenca dhe ekonomia e tregut të funksionoje vetëm në seri e jo në paralel, duke u shfaqur vetëm kur pushtetet i lenë vendin njëri-tjetrit.

 

 

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *