Xhaxhi Enver është në zemrat tona





H. Omari

imagesSi vendi që ka sanksionuar ditën e çlirimit me votën e një parlamenti të dalë nga rrënojat e shtetit të 1997, ku votuesit-politikanë ishin dhe ngelen shembulli mjeran i bagazhit kulturor vetjak, nuk është aspak për t’u habitur nëse pikërisht në përvjetorin e asaj date merr pjesë, ne cilësinë e përfaqësuesit, megaportreti i Enver Hoxhës. Është e tepërt dhe e pamundur renditja në këtë shkrim e arsyeve të cilat argumentojnë përkufizimin e Enver Hoxhës si diktator, e gjithashtu mjaftohemi me kuptimin që fjalori i shqipes i jep fjalëve diktator dhe diktaturë. Ky epitet i Enver Hoxhës ka hyrë në zhargonin e përditshëm, me diferencën e thjesht se ai regjim nuk është studiuar thuajse aspak, e për rrjedhojë qasja ndaj tij mbetet emocionale. Janë elitat e ricikluara nga dy dekadat e pluralizmit tonë ato të cilat kanë preferuar ta mbajnë Enverin nën e etiketën e diktatorit, duke i projektuar çdo fatkeqësi shqiptare, sikur, fjala bie, politikanë të sotëm, kandidatë nobelistë, gjuhëtarë, historianë, publicistë etj, të mos jenë ingranazhe të vullnetshme të atij sistemi. Fajësimi ekskluziv i Enver Hoxhës – apo i një kaste shumë të ngushtë – dhe ndalimi i çdo qasjeje kritiko-analitike i shpëtoi bashkëpunëtorët, nostalgjikët, pasardhësit e deri edhe ushtrinë (modelin) e pragmatistëve të ndërtuar nga ai sistem, që mbase është fatkeqësia më e madhe shqiptare.

Nga shumë reagime mbi megaportretin e Enver Hoxhës – duket sikur Rilindja e Ramës u transformua ne Ringjallje – me tërhoqi vëmendjen acarimi i Mustafa Nanos. Me të drejtë ai vërente se:

reagimet e njerëzve të tjerë, sidomos të atyre që rreken të analizojnë apo bëjnë vlerësime historiografike, nuk ka pse të ngrihen mbi ngasje emotive e nuk ka pse të jenë të natyrës histerike. Në këtë pikë të bën përshtypje krahasimi që këta i bëjnë Enver Hoxhës me Hitlerin, dhe këtu gjejnë motiv për të refuzuar deri dhe idenë për ta përmendur me emër Enver Hoxhën, apo për t’i ekspozuar fytyrën diku.

E deri këtu nuk kemi si të mos dakordohemi, pikërisht për ndjenjën e frikës dhe urrejtjes që patericat e shumta të regjimit i krijuan shqiptarëve për Enver Hoxhën, duke i mënjanuar domosdoshmërinë e njohjes. Mjafton fakti që dosjet nuk u hapën kurrë. Ne nuk i njohim bashkëpunëtorët, nuk njohim as pjesëmarrjen e tyre në shtypjen gjysmëshekullore të popullit. Në fakt, për traditë, ne nuk njohim kurrë fajtor: edhe kur dalin në televizor duke vjedhur me defter i bëjmë udhëheqës shteti, edhe kur mijëra qytetarë vidhen, fajtori mbetet pa emër ose thjesht bart emrin abstrakt kompani. Jemi mësuar t’i hedhim fajet te abstraksioni, te mjeti (telekamera etj), te personat që nuk jetojnë, te personat e pandëshkueshëm (sa për show).

Mirëpo Nano menjëherë, pak fjali më pas e jo pak artikuj, libra apo vite, bie në kurthin emocional të ngritur nga pragmatizmi i trashëguar shqiptar.

Ne nuk duhet të na dalë nga mendja se Enver Hoxha, me regjimin e tij, përbëjnë më shumë se 1/3 e historisë politike të shqiptarëve; dhe çfarë mbetet, dmth më pak se 2/3 e kësaj historie, nuk është se kontrastojnë në shkëlqim me 1/3. Përkundrazi, kjo histori është e njëjta halé, gjë që është parë edhe gjatë njëzet viteve të fundit, në harkun e të cilave kanë ndodhur hatara që s’kanë ndodhur gjatë sundimit komunist (fjala vjen, dhunimi i pashembullt e i pakthyeshëm i territorit dhe i natyrës).

Nuk ka aspak logjikë krahasimi aritmetik i historisë: edhe sikur një regjim të jetë e vetmja shprehje politike e një grupi social, kjo nuk e justifikon për asnjë çast ndryshimin e kuptimit të termave diktator, diktaturë, totalitarizëm etj. Me këtë lloj gjykimi, meqenëse ne kemi hyrë në histori diku nga shek. XI, e në këto 1000 vite gjysma janë osmane (e thuajse tërësisht i përkasin orientimit dhe ndikimit Lindor), duhet të dalim me fotot e një X sulltani në ceremonitë kombëtare – jo se nuk kanë ndodhur tentativa të tilla, të paktën janë artikuluar mediatikisht, por Nano do të ishte kundërshtuesi i parë. Ky qëndrim argumentohet më pas nga njëtrajtshmëria e kohës historike (me konceptin e “njëjta halé”) dhe “hatarat” e komunizmit barazohen me “dhunimin e pashembullt e të pakthyeshëm të territorit dhe natyrës “. Kështu mund legjitimohet ngritja e sinonimeve mes diktaturës së Enver Hoxhës dhe formave të tjera politike para 1944 dhe pas 1990. Në këtë mënyrë Nano krahason Zogun dhe Berishën me Hoxhën, që edhe mund të jetë i mundur, por vetë autori ka prodhuar këtë shkrim nga irritimi i krahasimit të “Enver Hoxhës me Hitlerin”. Dhe Nano është nga ata që kanë bërë karrierë duke konsideruar politikën e Berishës analoge me atë të Hoxhës, nga ku del i deformuar termi diktaturë. Normale që brezi i ri nuk bën dallimin mes atyre thyesave: 1/3 e Hoxhës dhe 2/3 e të tjerëve. Le pastaj që krijohen gjykime paradoksale: Berisha duhet larguar – e këtë Nano e ka bërë moto me kohë – si lider i një regjimi, ndërsa Hoxha duhet jetë i pranishëm në ceremonitë shtetërore! Të konsiderohet ama vetëm një fakt diferencues mes konteksteve historike (1/3+2/3) të popullit tonë: Nano nuk do të mund të thoshte asgjë për qeverisjen (e jo më të shkruante) gjatë 1/3 enveriste, të ngjashme me ato që ka prodhuar njëzet vitet e fundit për politikat e Berishës.

Sigurisht, gjykimi aritmetik i historisë dhe qasja e njëtrajtshme janë tregues tipik të vijueshmërisë së studimeve, e për rrjedhojë të profesionalizmit, në gjendjen e komës. Ndryshe, pa një Enver Hoxhë diktator si Sali Berisha apo si Ahmet Zogu,  si mund të mendonte Nano në librin e fundit se “me gegët bëhet komb, me toskët behet shtet”? Nëse vlera e Toskërisë ka ngelur tek Enver Hoxha, të mjerët ne. Por të mjeruar akoma më shumë për nivelin e elitave.

Duket, në pamje të parë, sikur epilogu i artikullit lidhet me një debat të kohëve të fundit, atë të ri-shkrimit të historisë dhe memories kolektive: “e prandaj, ai [E. Hoxha] ka për të qenë pjesë e historisë sonë, [madje] ai e meriton të jetë pjesë e kësaj historie” – pohon Nano. Fatkeqësisht ai është pjesë e historisë dhe e së tashmes, e madje do ta ndikojë të ardhmen me strukturat që e kanë pasuar dhe që nga ai kanë përfituar. Siç u tha më lart, manipulimi më i madh është lënia e E. Hoxhës jashtë historisë, që kurrsesi nuk do të thotë të përfaqësohemi me portretet e tij nëpër celebrime kombëtare (publike dhe zyrtare): tjetër është roli i rëndësishëm në historinë shqiptare dhe diçka krejt tjetër është madhërimi zyrtar. Ai portret nuk ishte qasje historike (madje as tifozeri), por politike, që erdhi si rezultat i cektësisë emocionale me të cilën enverizmi është përballur këto 23 vite. Dhe ky është produkt i elitave intelektuale në bashkëpunim me politikën. Vështirë të parashikohet kohëqëndrimi i shqiptarëve nën darën e kastave ku pushteti, profesionalizmi dhe ndjenja qytetare nuk shkrihen te individi i opinionbërësit moralist, e le pastaj te politikani. Kohë zogjsh hesapi.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *